E diele, 19.05.2024, 10:26 AM (GMT+1)

Kulturë

Fotaq Andrea: Një letër e vitit 1938 për nobelistin Andre Gide

E hene, 03.01.2011, 08:58 PM


NJË LETËR E VITIT 1938 PËR NOBELISTIN ANDRE GIDE

 

Nga Fotaq Andrea

 

Asgjë për t’u çuditur. Një letër e thjeshtë admirimi, aq të shumta në këtë botë për njerëzit e mëdhenj! E megjithatë tepër domethënëse në disa drejtime. Autorja e letrës dorëshkrim, që ruhet në Arkivin e Shtetit Tiranë, është zvicerania Odette Godé, ndoshta mbesë nga e ëma në familjen e mirënjohur korçare Mio; ndoshta e bashkuar me të me lidhje gjaku a martesore. Letra në fjalë, me një përmbajtje të ngrohtë e patetike, që shpreh admirim të shkallës sipërore, i drejtohet shkrimtarit të madh francez Andre Zhid (Gide) i cili, në vitin 1946 do të shpallej Çmim Nobel i Letërsisë. Dhe jo vetëm kaq, por letrës i bashkëngjitet edhe tridhjetë e gjashtë vjeçari korçar Sokrat Mio, themeluesi i ardhshëm i regjizurës shqiptare.     

Veç kopjes së kësaj letre në frëngjisht, në Arkivin e Shtetit ruhet edhe një poezi e Znj. Odette Godé kushtuar Sokrat Mios, si dhe dy letra të tjera të saj drejtuar Anastas Mios, ish Drejtorit të Bibliotekës së Korçës në vitet ’30. Le të hyjmë drejtpërdrejt në përmbajtjen e letrës drejtuar shkrimtarit të mirënjohur frëng:

 

“Lozanë, 12 shtator 1938.

 

Mirëbërësit tonë të shtrenjtë, Zotit André Gide,

 

Në këtë çast të dhimbshëm për jetën tuaj, do të ishim të lumtur nëse ju do të gjenit sado pak lehtësim përmes këtyre radhëve, të shkruara ndoshta në mënyrë të ngathët, por me çiltërsi.

Zoti Gide, ne ju adhurojmë prej kohësh, pa pasur guximin për t’jua shprehur këtë më parë. Por duke menduar për vuajtjet e shpirtit tuaj, aq të hijshëm, të mirë e të ndershëm (për më tepër nën përshtypjen e mundimshme pasi lëçitëm një shkrim anonim botuar në numrin e fundit të N.R.F. ku besojmë se ju njohëm), morëm atëherë zemër për t’ju shkruar.

Përpara Jush, përpara erudicionit tuaj, e ç’jemi ne, në fund të fundit? Por prapë, pa qenë të aftë për t’jua shpjeguar këtë, ne ju kuptojmë juve më së miri. Për ne, ju përfaqësoni krejt “Hyjnitë” të mbledhura bashkë. Shkrimet tuaja simbolike, ku ne qëmtojmë nga tërë filozofitë atë më të bukurën e më të hijshmen, dhe ku mirëkuptimi për shpirtin njerëzor arrin kulmin e vet, librat tuaja të adhuruara, na kanë falur shijen e ëmbël të të jetuarit! Qëkurse i kemi lëçitur ato, mjaft gjëra janë përmirësuar tek ne. Andaj edhe ne ushqejmë për Ju një Kult të vërtetë.

Buqetat e luleve të mrekullueshme gjithë aromë këndellëse që kemi mbledhur nëpër librat tuaja, kurrë nuk do të vyshken!

Si shpërblim, na lejoni që edhe ne t’ju dhurojmë, i shtrenjti ynë Mirëbërës, një lule po aq të pavdekshme, “Mirënjohjen”.

 

Odette Godé.

 

Shkruar edhe në emër të tim kushëriri, Sokrat Mio, që përherë ju ka adhuruar.

O.G. 

 

 Ja pra përmbajtja e kësaj letre që flet shumë në disa drejtime, në atë vit 1938, rënduar nga tensione të ethshme politike në vigjilje të shpërthimit të Luftës së dytë botërore, kur nacional-socializmi dhe fashizmi kërcënonin egër në Europë.

Duke ndjekur nga afër përmbajtjen e letrës së mësipërme, para së gjithash, lypset të vëmë në dukje se gjatë gjithë jetës së tij pasiononte, të vrullshme e frymëzuese, Zhid është shfaqur si një ndër autorët botërorë më të parapëlqyer për breza të tërë lexuesish, që e përthithnin dhe përhumbnin në veprën e tij (i përmenden mbi 90 tituj), ku shquhen e shkëlqejnë libra të tillë si “Ushqime tokësore”, “Prometheu i keqlidhur”, “Imoralisti”, “Simfonia pastorale”, etj. Ja pse zviceriania Odette Gode, në shumësin “ne”, tek përfshin edhe kushëririn e vet shqiptar Sokrat Mion, i drejtohet në këtë rast Zhidit me termin aq kuptimplotë, deri në hyjnizim, “Mirëbërësi ynë”, si t’i drejtohej vetë “Atit tonë”, por këtë radhë në tokë, e jo në qiell. Dhe me të drejtë, për deri sa pohon se njeh, së bashku me Mion, krejt veprën e shkrimtarit francez, stilin e tij të fuqishëm, larminë dhe estetikën e tematikës, strukturat hibride me tërë format poetike, pra krejt lirizmin dhe sensualitetin e tij, që përbëjnë në vetvete atë entuziazëm rrëmbyes për jetën, atë dashuri ungjillike për natyrën. Sepse me të drejtë, krejt vepra e Zhidit është cilësuar si një varëse zbukuruese, e hareshme dhe diellore në gushën e Zonjës Natyrë.

Nga ana tjetër, “pinjollja” e familjes Mio që jeton në Zvicër, i drejtohet Zhidit me letër duke marrë shkas nga një fatkeqësi që i ka ndodhur shkrimtarit të madh më 1938, konkretisht nga vdekja e së shoqes së tij Madeleine Rondeaux, e cila kish ushtruar ndikim jo të paktë për vite me radhë në veprën e krijuesit francez dhe për të cilën ai kish ushqyer dashuri të veçantë. Adhurimi i një vashe të panjohur nga shkrimtari vjen nga larg dhe shfaqet në letër jo thjesht si një burim ngushëllimi, por edhe si një ogur fatlum që paralajmëron tashmë nobelistin e ardhshëm. Atyre kohërave të errëta mbarsur me luftë e tmerre, që do njihte Europa dhe bota, forca e fjalës së shkrimtarit është e tillë sa i dhuron njeriut modest e paqedashës shijen e ëmbël të të jetuarit, vetë artin e jetës.

Dhe ky ndikim bëhet edhe më i madh kur shohim zviceriano-shqiptaren Odette Godé të marrë penën e të hartojë në frëngjisht vargje lirike plot frymëzim për bashkëmoshatarin e saj Sokrat Mio që jeton në Shqipëri, në kushtet e pushtimit fashist të vendit, si për t’i rikujtuar se vetë jeta është e bukur dhe meriton të jetohet kur dashuria për të shfaqet si një trëndafil i lulëzuar.

 

28 maj 1939

 

Mendime mbi një trëndafil ndër sy

 

Në atë kopsht të hershëm flladitur poshtë resh,

Mes lulesës kokëvarur lartohet një Hyjneshë,

Veshj’ e saj kundërmuese ngjyrë gjaku ka,

Drithërohet, fërfëllohet, fërgëllohet si më s’ka!

 

Në atë ag të flakëritur dashurorja vesë,

Njëmijë perla bukurie vetvetes i  ka veshë,

Diamante fluturake që dielli i përndez,

Qartësi! Kënaqësi! Këndellje e Shpresë!

 

Odette

 

Për ty... aq i shtrenjti im Sokrat Mio!

 

Pavarësisht nga njëfarë frymëzimi romantik a lirizmi amatoresk shfaqur në këto vargje, lypset të shohim më tej, po të kemi parasysh anën profesionale të autores, e cila me siguri duhet të ketë lëvruar në fushën artistike, nisur edhe nga dy letrat e tjera që i ka dërguar Anastas Mios më 1937, kur i thotë: “... Punoj me dashuri për artin tim që e dua, deri në adhurim, dhe orët ikin...” Po ashtu, duke shkruar për të rejat e ditës, përmend një shoqen e vet këngëtare kur thotë: “Kohët e fundit, jam ndjerë shumë e dëshpëruar tek humba një shoqe, e cila ndërroi jetë pas një operacioni në mëlçi. Ishte një humbje e madhe, sepse ajo kishte një zë të mrekullueshëm kontraloto, tepër të përpunuar.”

Pra, jemi në një mjedis farefisnor të formuar, artistësh e artdashësish. Vetë Sokrat Mio, babai i ardhshëm i regjizures shqiptare, pas gjashtë vitesh studimi në Francë në fushën e muzikës e të deklamacionit, është kthyer tashmë në atdhe më 1933 dhe merret me lëvizjen artistike në Korçë, teksa i vëllai i madh, Anastasi, pas studimeve në Bukuresht, ku kishte botuar një numër shkrimesh në revistën “Tribuna” me pseudonimin “Pika”, vazhdonte të merrej me shkrime letraro-artistike, duke drejtuar njëkohësisht Bibliotekën me emër të Korçës, krahas asaj të Tiranës, themeluar nga Sotir Kolea në vitet ’20 dhe Bibliotekës prestigjioze të Elbasanit. Po ashtu, babai dhe poeti i peisazhit shqiptar Vangjush Mio, shkëlqente po në vitet ’30 me tablotë e veta, krahas K.Idromenos, S.Rrotës, Z. Kolombit, etj.

Me sa duket, Odette Godé e njeh mirë mjedisin e krijuesve Mio, për deri sa çka bie më në sy në latrat e saj është dashuria e madhe që ajo ushqen për kushërinjtë e vet shqiptarë, e shprehur kjo me kujtime për të shkuarën, me interesimin nga afër për jetën, shëndetin dhe punën e të afërmve. Gati të gjithë i merr një për një me emër në familjen Mio, teze Xenin, Kleanthin, Sokratin, Vangjushin e Helenën, si dhe Milton që ndodhet pranë saj në Lozanë me familjen e tij. Dy letrat e saj, veç nostalgjisë për kohën e shkuar, “kur ndihej aq mirë e rrethuar nga njerëzit e saj të shtrenjtë”, karkterizohen nga një nivel i lartë intelektual i të shkruarit, jo vetëm tek ngushëllon kushëririn e vet për kushtet e vështira të jetesës në Shqipërinë e prapambetur të viteve ’30, por edhe tek debaton për “progresin” perëndimor, duke i parë gjërat me realizëm e në mënyrë kritike. “Për sa i përket perëndimorëve, shkruan ajo, nuk është se ata janë më të mirë nga shqiptarët, përkundrazi. Nëse këtyre të fundit u mungon evolucioni në mendime dhe i shohin me sy tepër të ashpër idetë e reja, të tjerët në të kundërt, ekzagjerojnë gjithçka, duke e tejkaluar shpesh edhe masën e mirëkuptimit. Madje mund të duket, vijon ajo, se truri ynë është ndërtuar për të deformuar gjithçka, tek sheh ashpërsinë e ndoca mendjeve për të na dëmtuar, sidomos kur idetë tona nuk përputhen me të tyret ”.

E ndikuar fuqimisht nga Vepra e Andre Zhidit, tek sheh Zonjën Natyrë “me ekuilibër të përsosur”, dhe nën presionin e krizës së ashpër të viteve ’30, mbi të gjitha krizë shpirërore për mjaft intelektualë europianë, në atë prag lufte botërore, ajo e sheh shoqërinë njerëzore të sëmurë, të marrosur madje në shumicën e saj. “... Deri më sot, nënvizon ajo, njerëzit e rrallë që kanë kuptuar gjendjen time shpirtërore, dhe që janë bashkuar pa frikë me idetë e mija hasen (përveç profesorëve të mi) në familjen tepër të shtrenjtë e të mirë të Miltos. Tërë perëndimorët që unë kam njohur pak a shumë, më kanë zhgënjyer. Shumë vetë hiqen sikur i pranojnë idetë tona, tregohen filantropë, mizantropë (e ç’nuk tjetër!) me një shkathtësi të çuditshme, por që në vetvete tallen me fjalët që themi kur nuk u shkojnë pas avazit për të na dëmtuar. Dhe në këtë mënyrë, të gjithë ata që përpiqen të shkundin zgjedhën, të dalin nga mpirja e përgjithshme duke hequr qafe paragjykimet e marra që vonojnë evolucionin e shpirtit, trajtohen anormalë, imoralë, dhe vuajnë njëmijë padrejtësi. Për të gjitha këto arsye, natyra e egër që ekzistonte tashmë tek unë, u zhvillua në mënyrë të tillë saqë sot, i largohem sa më shumë që të jetë e mundur kopesë njerëzore, ku hasen, për fat të keq, mjaft dele të zgjebosura. Dhe ngushëllohem, duke e çuar mendjen tek ata pak njerëz elite që kam hasur, pranë të cilëve mund të hiqet më në fund maska për të marrë frymë lirisht e për të jetuar për së mbari.”

Autorja e letrës, që i drejtohet Anastas Mios me emrin e shkurtuar e përkëdhelës “Nastasi im i dashur”, “kushëriri im i dashur”, e thotë mëse hapur se ndihet mirë vetëm mes miqsh të paktë, e sidomos mes shqiptarësh. Dhe jo vetëm ajo, por edhe vajza e saj adoleshente Titi, e lidhur pas artit, në mënyrë të veçantë pas yjeve kinematografike, e adhuron mjedisin e ngrohtë të shqiptarëve të Lozanës, sidomos “xhaxha Milton”. Konkretisht, në njërën nga letrat, ajo nuk mungon të vëjë në dukje : “Këtë mbrëmje, jemi vetëm, Titi e unë... Përballë shoshoqit, po shkruajmë secila nga një letër. Mbretëron heshtja. Titi, e lidhur përherë me yjet e ekranit, herë pas here na jep të dhëna të çmueshme! Noton në det të lumturisë kur shkojmë në kinema. Të dielën e shkuar, vizituam ekspozitën e Bankës Zviceriane që çelet çdo vjeshtë. Kishte shumë njerëz. Ç’kënaqësi për Titin! Po ju, kur mendoni të vini në Lozanë? Po ju pres me padurim të gjithëve, sepse jam shumë krenare për kushërinjtë e mi! Dhe mos qeshni, kjo është e vërteta. Sot, morëm letër nga Krisi, Sofia, Pavlina e Gorçi. Ishte festë e vërtetë. Dhe nga ai çast, Titit iu ndezën faqkat e iu bënë flakë të kuqe. Ja ç’do të thotë lumturi!...”

E me fjalën “lumturi”, e mbyllim këtu këtë shkrim rreth kësaj korrespondence tepër të veçantë e interesante të viteve ‘30, kur shqiptarët e disaporës, historikisht e kanë parë veten të lidhur ngushtë me familjen dhe fisin e tyre, me tokën amë, burimi i kristaltë shpirtëror për identitet të vërtetë, larg çdo paragjykimi.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora