E enjte, 12.12.2024, 10:41 PM (GMT)

Editorial

Shefik Shkodra: Kombëtarja dhe kozmopolitismi

E diele, 02.01.2011, 07:59 PM


KOMBËTARJA DHE KOZMOPOLITISMI *)

 

Nga SHEFIK SHKODRA

 

Kushtëzimet dhe rrethanat e kombëtares

 

Është e njohur tashmë për çdo kënd që sado pak ka shfletuar literaturë se, të gjitha reagimet e më në fund, pothuaj gati të gjitha  luftërat që bëhen, kanë karakter të së drejtës njerëzore. Në këtë prizëm kemi të bëjmë, veç  arsimimit në gjuhë amtare, kulturës e historisë, lirisë së fjalës së lirë edhe me të drejtën ekonomike. Disa etnive në disa vende, të gjitha këto u kanë munguar. E, kur është fjala te e drejta për punë, të tjerat janë lënë anash, për t’i ekspozuar të gjitha një ditë si kërkesa të pa evitueshme të atij komuniteti. Reagime për shkaqe të qeverisjeve të këqija e despotike, në të drejtën e punësimit, të drejtën në të ardhura personale, pushimit mjekësor, pushimit ditor, javor e vjetor; pensionimit invalidor, pensionimit të moshës etj., shpeshherë shfaqen me kundërshti ndaj qeverisë brenda etnisë edhe te vendet më me traditë shtetërore. Këtu niset fitili i së keqes dhe shpërndarja e këtij zjarri bartet te çdo pjesëtarë i asaj etnie të pakënaqur. Edhe çështja ekonomike e sociale ishte dhe mbetet faktor i rëndësishëm në lëvizjen e komunitetit shumicë apo pakicë. Për shkaqe shumë të arsyeshme, popujt janë organizuar jo veç në bashkësi e grupe të vogla etnike, por në përfshirje më masive, në kombëtaren me karakteristika identifikuese të përbashkëta.

 

Nocioni komb në përgjithësi dhe për shqiptarët në veçanti

 

Kohëve të fundit është bërë mjaft fjalë lidhur me kombin, për të cilin janë dhënë kualifikime të  ndryshme, kush duke krahasuar me teori më klasike, e kush me disa përkufizime të teoricienëve më bashkëkohorë. Nuk duhet të keqkuptohemi nëse dikush flet me përkufizimin e teorive të hershme, se ai apo ky e ka nga diç intime për të kaluarën. Mirëpo, hedhjet e teorive të  shpejta për një komb të ri, kombi shtet, duke  përkufizuar vetëm Kosovën gjeografikisht, kemi thënë edhe më parë se është pak ende e papranueshme, për kushtet dhe rrethanat e një politikë gjithashtu, jo aq të qartë. Dhe ky përkufizim do të ishte shumë i mundshëm, kur nuk do të kishte toka tjera shqiptare përreth nesh. Dhe, vërtet, kjo del si pamundësi për hapa të  mëtejmë, për ta lejuar një periudhë të shkurtër kalimtare derisa shumë faktorë të qartësohen.

Nuk dëshiroj të citoj asnjërin prej definicioneve më të hershëm për kombin e as këta të kohës më të re. Shumica syresh janë përshtatje për nevoja politike ditore të shtetit.

- Çka është emri komb dhe çka na vyen? Edhe pa emërtimin – Kombi Shqiptar, ne mund të jetojmë mirë, shumë mirë apo, vetëm jetojmë, do të thoshte dikush. Po e thjeshtësojmë këtë emër, më parë si termë që vjen nga lat. Natio (nacio) edhe në gjuhët neolatine, si në frëngjisht – nation (nasio), që përkufizohet me: “bashkësi njerëzore, të shumtën e vendosur mbi një terren të njëjtë dhe e cila  ka të përbashkët historinë, gjuhën, religjionin (te ne tri fe në harmoni), ekonominë më shumë apo më pak të fortë.”  Ose, “Juridikisht, subjekt i formuar nga bashkimi i individëve të administruar nga e njëjta Kushtetutë e shquar prej këtyre individëve dhe titullar i sovranitetit.” (Larousse, 685). Pra, sovrani (kombi) ka gjuhën, historinë, kulturën, traditën, ekonominë me valutën e vet, si dhe infrastrukturën e nevojshme për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta materiale e shpirtërore në autorësi. Bashkësia homogjene etnike këtë e bën me kushtetutën e inauguruar si aktin më të lartë shtetërorë, duke instaluar edhe mekanizmat tjerë për mbrojtjen e tërësisë gjeografike nga brenda e jashtë. Duke mbrojtur rendin e qetësinë, themelon edhe marrëdhëniet diplomatike me vendet tjera të afërta e të largëta. Ndryshimi i emërtimit të entitetit kaherë të formuar si individualitet kombëtar do të na sillte në pikëpyetje edhe vetë njerëzoren tonë. Çka mbetemi ne shqiptarët në Kosovë, dhe çka ata në viset tjera ballkanike? Përgjigja do të ishte, një komb i kastruar. Komb i të gjitha kombeve. Komb si gjinia asnjanëse. Automatikisht pason në këtë mënyrë edhe zhveshja e kësaj etnie nga të drejtat njerëzore. Sepse, nuk ke në çka thirresh dhe mbështetesh. Duhet të përkujtohet thënia: “historia është mësuesja e jetës.” Nacioni (kombi) nuk është term i estetikës dhe të bukurës artistike. Ishte dhe është domosdo bashkimi i një etnie me identitetin e vet, në mënyrë që ky unitet t’i përballoj të gjitha kapërcimeve historike, në mënyrë që të mos e humb drejtën në çdo pikëpamje për një jetë të pavarur, në vendin e pavarur. Teoria për kombin s’ishte gjë tjetër, pos bashkimi i një komuniteti me të gjitha veçoritë e përbashkëta. Entiteti shqiptar është dhe ekziston kaherë, jo veç teorikisht.

 

Nga Rilindja Kombëtare Shqiptare e deri më sot

 

Në historinë më të re, orvatjet ishin individuale dhe grupore. Përpjekjet e tyre ishin të gjata e me shumë sakrifica, që të përkufizonin termin komb në praktikë, sikur të gjithë popujt tjerë kaherë që ishin të bashkuar me këtë emërtim. Rilindësit kishin për platformë konsolidimin e etnisë shqiptare në pikëpamje kulturor dhe në të njëjtën kohë edhe bashkimin e trojeve të veta. Komunikimi ishte i vështirë ngase arsimimi ishte i pamundshëm në gjuhë amtare brenda kufijve etnik. Shqiptarëve u mungonte një alfabet e gjuha e përbashkët. Nën sundimin e huaj ishte vështirë të përfshihen tërë shqiptarët për kauzën e tyre. Programi i Lëvizjes shqiptare ishte për ngritjen e popullit nga gjumi, paralel me çlirimin nga okupatori edhe me nismën e arsimimit, me përpjekje gjithnjë për një zgjedhje dhe konsolidim të një alfabeti për shqipen dhe shqiptarët. Intelektualë, shkrimtarë iluministë, atdhetarë të devotshëm, pasanik e tregtarë të tjerë u shpërndan në katër anët e botës. Ky mobilizim, gati vullnetar, ishte në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe në decenien e parë të shek. XX, duke u zgjeruar gjithnjë me përmasa gjithë popullore. U botuan gati në të gjitha qendrat e rruzullit tokësor fleta gazetash dhe revista, për të ngjallë dëshirën për gjuhë dhe kulturë shqiptare, si dhe kërkesat për një pavarësim e vetëqeverisje. Këto organe botoheshin edhe në gjuhë të huaja për t’i treguar botës se, shqiptarët janë komb me elemente si të tjerët: në shqip, frëngjisht, anglisht, turqisht, italisht dhe në gjuhët tjera. Të tilla organe nisen në Stamboll, Bukuresht, Bruksel, Sofje, Romë, Napoli e Triestë , Egjipt, në disa qytete të SHBA, si në Bostan, N. York e tjera, por edhe në Beograd, Monastir e Shkup, Rraguzë etj. Gjithnjë duke njoftuar dhe glorifikuar traditën, kulturën dhe historinë me  heronjtë që nga Skënderbeu e deri te ata të kohës; simbolet kombëtare – flamuri me shqiponjën dykrenore, por edhe me pasuritë tjera shpirtërore nga vetë shqiptarët, si me krijimtarinë e letërsisë gojore të pasur dhe me hapat e parë të krijimtarisë letrare artistike. Të shumtën e poezive, prozave, trajtesave dhe artikujve tjerë kishin ngjyrën e një romantizmi kombëtar, me objekt të shumë të caktuar. Fillimi i krijimtarisë letrare origjinale, por edhe angazhimi për ta përvetësuar masën më të gjerë me vlerat letrare e kulturore në gjuhën amtare. Secila prej atyre fletëve kishte programin e nënvizuar me moto: “për mbrojtjen interesave politike shqiptare”, apo, “për mbrojtjen e të drejtave shqiptare”, tjetra: “Ballkani i ballkanasve, Shqipëria e shqiptarëve”, një tjetër: “për gjuhë, letërsi, histori, sociologji”; ose: “Të mbahet e të rritet komb(i)sia. Të lërohet e të zbukurohet gjuha, se gjuha është shënimi i kombësisë. Të përmirësohet gjendja e popullit, se, kur s’është i vobektë populli, kombësia mbahet e tërë, e fortë e e lirë.” Secila prej këtyre devizave tregonin ngjashmëri për kërkesat kombëtare. Këto përpjekje ishin të vonuara dhe të fundit. Në decenien e parë të shek. të kaluar u bë zgjidhja e alfabetit, por edhe kryengritjet ishin të shumta për çlirimin e tërësishëm, sidomos në trojet e Kosovës. Emërtimi komb, ishte një mjet i forcuar për entitetin etnik, i cili do të mund të zinte vend në tokën e vet edhe si popull gati i shpopulluar. Lëvizja ishte e mundimshme deri te pavarësia e Shqipërisë. Dhe ajo u arrit, përfundimisht, më 1912. Pavarësimi u bë si u bë. Tashmë, të gjithë e kanë të qartë. Edhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1913, nuk i përafroi pjesët tjera dhe nuk u respektuan vijat gjeografike të shtetit etnik shqiptar, veç u tkurrën edhe më shumë. Krejt kjo vinte nga ‘diplomacia’ fqinje, por edhe mosangazhimi i mirëfilltë nga ana shqiptare. Sigurisht edhe pa një përkrahje e aleancë të nevojshme nga shtetet e fuqishme evropiane. E njëjta gjë vijoi edhe për viset tjera që shqiptarët nuk mundën ta integrojnë veten në tërësi. Më vonë ndiçen e vriten atdhetarët e vërtetë dhe kjo del sikur kjo punë heshtet. Megjithatë, çështja nuk heshtet asnjëherë te shqiptarët e Kosovës dhe pjesët tjera që kishin mbetur jashtë këtyre kufijve. Populli vijoi me reagime herë më të ashpra e herë më të lehta. Në Kosovë dendësia ishte më e madhe me shqiptarë, duke i krahasuar pjesët tjera të Ballkanit të populluara me ta. Pra, këtu mund të provohej edhe një homogjenizim më i mirë se në trojet tjera. Njëherë me formacione guerile, si Lidhja e Kaçakëve etj. Por, pas LDB edhe me ndihmën e Universitetit dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve. Para e pas themelimit të këtyre institucioneve kishte rregullisht edhe ndjekje, burgosje grupesh e individësh, sikur ishte Adem Demaçi, njëri prej intelektualëve dhe atdhetarëve më të njohur në Kosovë. Gradualisht uniteti shprehej me një nacionalizëm (kombëtare) kulturor (të butë); me glorifikimin e figurave kulturore e historike, si për ato më të shquara të të kaluarës e deri te ato më bashkëkohore. Edhe pjesët tjera të tokave shqiptare nën okupimin e të tjerëve ia arritën që të shumtën ta asimilojnë këtë arsimim, pjesërisht legalisht, ngase të gjithë kishin mundësi të studionin në Universitetin e Kosovës shqip.  

 

Kombëtarja me cilësime shumëngjyrëshe

 

Ballkani, pjesë e Evropës, ka mbetur me nomenklaturën e kombëtares klasike, shenja kryesore për identifikim. Nacionalizmi i shprehur deri në shovinizëm, me ornamente kokardash patriotarde, në emër të patriotizmit të rëndomtë paraqet rrezik. Pra, dashuria ekskluzive për kombin e vet, që çon deri te një agresivitet i paarsyeshëm, luftarak dhe në dëm jo veç të tjetrit, por edhe të vetë atij kombi, shembulli i nacional-socializmit hitlerian deri te fashizmi. Dhe, ai i Serbisë për dhjetë vite luftë gjenocidi – shfarosje racash tjera. Me të gjitha republikat jugosllave e më në fund edhe me Kosovën. Do të thotë, kemi dy tipizime kryesore të kombëtares. Në qoftë se kombi me karakteristikat e veta nuk jeton i pavarur në tërësi, shtohet pakënaqësia. Ushtrimi i dhunës nga bashkësia tjetër, duke ia mohuar të drejtat elementare të etnisë tjetër, që ajo të jetë e plotë dhe të qëndroj në kushtet normale brenda terren(it)eve të veta, fillon urrejtja ndaj shtypësit dhe dashuria rritet ndaj vetvetes. Me dashurinë ndaj vetvetes dhe shtimit të urrejtjes ndaj tjetrit, shfaqet kombëtarja apo nacionalizmi. Njëri nacionalizëm pozitiv është mbrojtës i vetvetes, tjetri ofenziv dhe luftarak ndaj të parit. Njëri, si zakonisht për t’ua uzurpuar të drejtën, për t’i shfrytëzuar dhe për t’ua rrëmbyer pronën të tjerëve. Ndërsa tjetri ishte dhe është mbrojtja nga zhbërja dhe pirateria e dominuesit. Nacionalizmi i parë është i ‘butë’, me qëllim që të mbrohet e të fitoj  lirinë, derisa nacionalizmi tjetër bëhet i vrazhdët duke u shprehur në ekstrem deri në shovinizëm. Edhe sot, te shqiptarët nuk është kryer e tëra që ta vejmë etiketën me disa terma, që gjithnjë shpronësojnë emërtimin karakteristik – komb i ri, me tendencë të kombit shtet (shteti komb), sikur ndodh në disa vende tjera evropiane. Tashmë, ata që e identifikojnë kombin me shtet e kanë forcën ekonomike, kulturore e politike, madje edhe ushtarake. Kombet moderne, vërtet asimilohen ose e kanë fshirë dhe e kanë neutralizuar termin komb në kuptimin klasik, si propagandë e entitetit, por atë ndryshim e bëjnë në ekonomi, në arte dhe e kanë materializuar kaherë, pa mundur që dikush tjetër t’ua merr këtë emërtim. Nuk ka nevojë më ata të rishfaqin parulla për kombin dhe identitetin e vet. Ai është krejt i plotfuqishëm dhe i palëkundshëm. Në pamje të parë, evropianët duken si kombe kozmopolite. Po. Nuk do të pranohej në Francë të quhet komuniteti francez, në mesin e aq minoriteteve etnike, veç ‘la nation française’ (kombi francez). Kështu, ata janë promotori i bashkësive të tjera në Francë. Edhe minoritetet janë të barabartë me francezët para ligjit me obligime. Por vetëm në gjuhën frënge arsimimi e kultura, krijimtaria dhe administrata, si dhe manifestimet tjera politike e ekonomike. Më shkurt, kombi si termë te të tjerët në këtë vend mund të ruhet, por individi apo grupi i komunitetit pakicë nuk e ka atë të drejtë të shquhet zyrtarisht. Në një mënyrë, është ky kombi shtet ose shteti komb me që ka një gjuhë zyrtare, arsimim unik vetëm në gjuhë frënge, të kësaj etnie që kaherë e ka tejkaluar atë fazën e propagandës për termin klasik. Sepse, ai (kombi francez) është tashmë me të gjitha veçoritë e sipërshënuara, dhe nuk ka nevojë që të paraqitet rrugëve me mjete vrazhdësie, për të bërë jehonë që ta njohin të tjerët si tërësi. Kështu është në Gjermani e në të gjitha vendet evropiane me dallime të pakta. Zvicra me tri gjuhë të tri etnive kryesore dhe me disa kantone, por thirrja bëhet – zviceran. Po, ne nuk mund të bëhemi, vetëm shqiptarët e Kosovës, si francezët, as si gjermanët, as si suedezët, as si italianët, as si asnjë vend tjetër në Evropë. “Kombi kosovar” nuk ka forcë qeverisëse ekonomike të jetë njësoj si të tjerët. Ajo që është për t’u theksuar, “kombi kosovar” degradon në të gjitha fushat e vetëdijes dhe duhet të shpërlahet çdo gjë e të kaluarës nga mendja, por edhe i ndarë juridikisht nga pjesët tjera që janë të lidhura, apo më mirë të thuhet, të ndara me një vijë. Gjermanët ishin të ndarë dhunshëm e artificialisht. I ndan nga frika, por, këta ia arritën qëllimit pas aq kohësh të ribashkohen.

 

Integrimi është çështje normale

 

Mbajtja e baraspeshës politike permanente është njëra prej kërkesave me prioritet për Kosovën me aleatët dhe globalizmin, tash për tash, në mënyrë që të mos e humbim hapin. Besoj se kuadri politik, ekspertët dhe institucionet janë dhe do të jenë të vetëdijshme për një qasje shumë profesionale dhe shumë aktive në këtë drejtim. Ne kemi ‘lëshuar udhë’, duke pas pranuar projektin e Ahtisarit: me decentralizim, me simbole dhe raste tjera. Krejt këto për hir të një qetësie dhe paqeje, gjithnjë duke pas parasysh një periudhë kalimtare. Veç duhet pasur kujdes, që të mos legalizohet e as të legjitimohet më diçka që është e përkohshme dhe e pa mishëruar objektivisht për shqiptarët. Dhe kjo teori mbi ne ushtrohet krejt për shkaqe politike. Ne jemi në Evropë dhe të qytetëruar, por edhe me karakteristika të etnitetit identifikues që e përkufizojnë një komb si të gjithë të tjerët, dhe kjo është e kahershme. Prandaj, emërtimi me ‘komb’ si në shekujt XIX e XX, nuk do të duhej ta ketë atë tretman të deridjeshëm, përderisa nuk është më aq e nevojshme. Megjithatë, natyrshëm duhet të vijojë ndër ne me të gjitha ato që e shquajnë shqiptarin, derisa të arrihet stadi i volitshëm i vetëqeverisjes në rrethanave më ndryshe. Pa vlera nacionale vështirë se bëhet as universalja. Më parë veten duhet ta njohim dhe të qëndrojmë në këmbët tona. Nuk themi se, ne duhet të merremi me politika që e drejtojnë botën. Pas integrimit, që është i domosdoshëm, sot apo nesër, mund të vijë në shprehje edhe kozmopolitizmi. Krahas të tjerëve. Kush di! Nuk mund të profetizojmë për këtë, përderisa kemi shkallën zero në zhvillimin ekonomik dhe pa punësinë enorme. E shihni, edhe minoritetet në Kosovë, nuk kanë ndonjë solucion tjetër edhe përpiqen gjithnjë që vokacioni i tyre të njëjtësohet me amën.

Aleanca e parë dhe më e mirë është shqiptaria. Integrimi s’duhet të bëhet vetëm parullë politike për zyrtarët dhe udhëheqësit shqiptar. Mos dëshira për bashkim është shpeshherë shmangia nga veçoritë e përbashkëta, si në një vetë kulturë, histori të këtij apo atij terreni, në gjuhë provinciale etj. Dhe bashkimi, qoftë edhe shumë ngadalë, pa tjetër do të përbirojë në të gjitha poret e jetës te shqiptarët. Një ditë, të gjitha ato provinca do të bashkohen dhe do të funksionojnë si të gjitha arteriet e një organizmi të gjallë! Janë mundësitë tashmë për një lëvizje, qoftë edhe pa fjalë shumë.

 

Përkufizimet në parcela – nacionalizmi i paevitueshëm

 

Mbi shqiptarët ishin përdorur të gjitha metodat me shekuj për asimilimin, zhdukjen, ndjekjen nga vendi i tyre dhe ndarjen e tokave në pjesë sa më vogla, duke ua rrëmbyer të tjerët përreth. Saktësisht ishte e parapërgatitur nga fqinjët tanë, emërtimi etnik “arnauti”, “shiptari”, ndonjëherë edhe ‘arbanasi’ për shqiptarët e Kosovës, dhe “albanci”, për shqiptarët e Shqipërisë. Do të thotë, trumbetohej se, tjerë janë këta në Kosovë dhe viset tjera të Ballkanit prej atyre të Shqipërisë. Nuk duhet të dëgjohet as nga mjediset tona, “ai kosovari” dhe ky “shqiptari”. Këto dy emërtime, njëri në Kosovë dhe tjetri në Shqipëri, japin efekte kundra produktive politike dhe kulturore.

Tash rrjedha historike na sjell deri te disa ndryshime tjera të këtij shekulli. Ne kemi dashur që ta pranojmë multietnicitetin, me të drejta të barabarta edhe për të gjitha këto  minoritete (disa edhe më shumë të drejta se mzhoranca), shkollim në gjuhë të secilit, shtypin e rtv-n, por zyrtarisht edhe gjuhën (serbe etj.) paralel. Meqë ne nuk kemi mundur ta bëjmë vetë atë që është dashur, nuk heqim dorë nga kombi e kombëtarja. Po të mbetemi vetëm ne në Kosovë me emërtimin e kombit shtet, automatikisht do t’i dëmtonim pjesët tjera përreth, si Luginën e Preshevës, pjesët e Maqedonisë, të M. Zi, edhe ata të Çamërisë.

 

Cilido emërtim që e përdorim është term politik

 

Nëse quhemi “kombi kosovar”, esenca është shumë artificiale, krejtësisht politike. E nëse quhemi kombi shqiptar, është politik si të gjithë tjerët. Dhe, është natyral dhe krejtësisht i arsyeshëm. Kombi shtet, për ne është diç e re, që fshin krejt të kaluarën e deritashme për këtë pjesë të shqiptarëve. Është shkëputje me një vetëkënaqësi si utopike. Shpeshherë flitet se, vetëm brezi i ri është i mirëpritur, pa nacionalizëm. Si tendencë e fillimit prej zeros, për armiqtë punë shumë e lehtë, ngase i druajnë bashkimit të shqiptarëve. Ne sikur nisemi me diç origjinale, por pa fuqi. Mbetemi vetëm imitues dhe sikur ndërtojmë një kullë prej kallami. Më shkurt, improvizojmë nga importimet, qofshin edhe shumë të pa përkthyera e të pa adaptuara ndër ne. Është term gjithashtu identifikues, i imponuar dhunshëm nga rrethana politike e historike. Ndërsa, kombi shqiptar i kishte dhe i ka karakteristikat e veta materiale e shpirtërore.  

_____________________

*) Këtë artikull e kam bërë gati për një gazetë të përditshme që në javën e dytë të dhjetorit, 2010. Ata zotërinjtë nuk e lëshuan. Si duket, ata i lirojnë faqet me të “njohshëm”. Lexuesve të revistës elektronike “Zemra Shqiptare” ua bëj me dije se, temat e tilla nuk i kam lexuar (nëse ka pasur deri më tash). Kërkoj ndjesë po të bie ndesh apo në koincidencë me trajtesa tjera. sh. Sh. 

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora