Njeriu Praktik
Nga Dorian Koçi
Në filozofinë që mësohej në shkolla të mesme dhe fakultete të para viteve 90’, pragmatizmi studiohej përciptas si një rrymë filozofike e dëmshme që kish në themel të tij pranimin e gjërave dhe ideve praktike dhe që si kriter të së vërtetës kishte maksimën që “ çdo gjë ishte e vërtetë kur ishte dhe funksiononte në mënyrë të kënaqshme për njeriun”. Ky prakticizëm dhe ky vlerësim i së vërtetës në këtë lloj mënyre shikoheshin si të dëmshëm nga ana gardistëve të moralit komunist, pasi ata në thelb e largonin njeriun nga ndjenja e tij komunitare duke e kthyer në një individualist që përpiqej të plotësonte vetëm nevojat e tij imediate private. Për më tepër i parë në këtë prizëm, pragmatizmi kthehej në një filozofi kundërshtare për marksizëm-leninizmin që zotëronte gjithë jetën e përditshme të “Njeriut të Ri” pasi e largonte atë nga e ashtuquajtura fryma revolucionare dhe zbehte besimin e tij për utopinë më të madhe së kohës-Triumfin e revolucionit botëror. Ndaj ishte shumë e vështirë që të gjeje qoftë dhe një personazh që ishte pozitiv dhe pragmatist në të njëjtën kohë, në gjithë letërsinë zyrtare të Realizmit socialist. Në të kundërt, personazhet negativë mishëronin të gjitha vetitë e pragmatizmit edhe pse ai nuk përdorej drejtë për së drejti me këtë emër. Një tip pragmatist për shembull ishte dikush që linte punën e shtetit pa bërë dhe interesohej për të bërë punë private për të fituar më shumë të ardhura sesa rroga e tij e përmuajshme. Ky akt konsiderohej si një akt i ulët pasi vazhdonte ta mbante të lidhur individin me pronën private , të cilën komunizmi e shikonte si burimin kryesor të sjelljeve negative të njeriut dhe për këtë arsye përpiqej me të gjitha mënyrat që ta zhdukte. Sigurisht që konstatimi i mësipërm tingëllonte dhe tingëllon absurd pasi individi në vetvete në të gjitha kohërat dhe epokat ka kërkuar që ta rrisë mirëqenien e tij materiale dhe në këtë kontekst punësimi i tij në atë sektor që është më fitimprurës ka qenë çelësi i suksesit të tij.
Përmbysja e madhe në fund të viteve 80’ në gjithë Evropën Lindore rrëzoi dhe iluzionet e mundshme për kinse ndërtimin e një shoqërie të re të bazuar në pronën e përbashkët, pasi u pa shpejt se morali dhe idealet e “Njeriut të Ri” u shkërmoqën shumë shpejt në luftën e përditshme për të mbijetuar në xhunglat kaotike që pasuan rrëzimin e regjimeve totalitare. Vakuumin shpirtëror dhe material që solli ndërrimi i sistemeve , njerëzit u munduan ta plotësojnë vetë me normat e reja të moralit që ndërtuan për të rregulluar marrëdhëniet midis tyre. Në këtë kontekst cilësitë dhe praktikat e pragmatizmit u bënë të modës edhe pse shpesh paradoksialisht herë njerëzit vepronin instinktivisht pa ditur qartë ose pa e dëgjuar fare më parë rreth tij. Mesa duket prirja natyrale e njeriut shqiptar ishte një prirje e përgjithshme si e gjithë njerëzimit duke mos bërë dallim në këtë pikë .Por ajo që vërtet e dallon pragmatizmin shqiptar nga të tjerët është se kurrë ai nuk u zbatua pozitivisht në politikë për të arritur kompromise të mëdha në integrimin e vendit dhe si i tillë mbeti më shumë pronë e individëve shqiptarë që me presionet e tyre nga poshtë-lart politikës e pragmatizuan dhe atë negativisht.
Në këtë mënyrë politika shqiptare ra në kurthin e ndërrimit të “Njeriut të Ri” të utopisë socialiste me “Njeriun Praktik” që po lulëzon në epokën tonë. Ajo është e ndërtuar e gjitha për ti shërbyer dhe marrë prej tij, dhe përfaqëson kauzat e kësaj specie të re që e shohim përditë mes nesh. “Njeriu Praktik” është më tepër se pragmatist dhe për fat të keq përfaqëson shpirtin e epokës. Kështu p.sh kur dikush i shet bindjet e tij politike për një karrierë të shpejtë administrative qoftë dhe në krahun tjetër politik të cilin deri dje e ka sulmuar vazhdimisht, ne këtë nuk e quajmë më shitje karakteri por e përgëzojmë duke e pagëzuar si pragmatizëm. Kur shohim se një intelektual hyn në politikë si mesazher i së mirës, mirëqenies dhe shpresës për elektoratin e vet dhe përfundon në një sekser korrupsioni dhe trafikant influence për të përvetësuar të ardhura të pamerituara, ne sërish këtë gjë nuk e quajmë tradhti intelektuale por e pagëzojmë si të “shkathët” dhe pragmatist. Kur shikojmë se dikush që ka përfunduar të gjitha shkallët e arsimit natën ose me korrespodencë emërohet si specialist në një ministri për të përfaqësuar shtetin shqiptar dhe interesat e tij ne sërish këtë gjë nuk e quajmë degradim i së mirës dhe fillimi i mbretërimit të injorancës, por sërish e quajmë si njeri të “hedhur”, të “zotin” dhe pragmatik.
Të gjitha rastet e mësipërme janë pjesë nga mozaiku jetësor shqiptar në këtë tranzicion të vështirë njëzetvjeçar. Dikush mund t’i etiketojë reagimin ndaj tyre dhe si raste të veçanta dhe jo si frymë e përgjithshme që mbizotëron në opinionin shqiptar. Realiteti në fakt është i hidhur. Shitja e karakterit, tradhtia intelektuale dhe mbretërimi i injorancës janë shtuar në mes nesh se ne i kemi pranuar heshtur si vlera duke bërë lëshime me ndërgjegjen tonë, që nga pranimi në politikë i individëve të tillë që shesin njërin krah por që shumë shpejt mund të shesin dhe ty që i pranon,nga politikani udhëheqës që për efekt votash i duhet mbështetja në njerëz të tillë “intelektualë”, apo dhe nga mësuesit dhe pedagogët që me nota fiktive lejojnë këta tipa të fillojnë karrierën. Korrupsioni monetar është një derivat i zvetënimit moral të shoqërisë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve më shumë se çdo tjetër u duhet të braktisin dhe dënojnë moralin e sotëm duke përqafuar një përtëritje morale që do i çojë drejt asaj që Shileri e quante, “e vjetra shembet, një botë e re po lulëzon gërmadhash”. Bota e re e pas revolucionit francez që Shileri synonte është perfeksionuar në ndërtimin e Evropës së sotme moderne. Rrugëtimin e vërtetë tonë drejt saj le ta fillojmë nga adaptimi i vlerave të saj.