Editorial
Shefik Shkodra: Për Kosovën – angazhime serioze
E marte, 21.12.2010, 09:59 PM
PËR KOSOVËN – ANGAZHIME SERIOZE
Nga SHEFIK SHKODRA
Shoqëri e mësuar të pres jo gjithherë të mirat. Kështu, na ngulfat në çdo hap egoizmi pa parashikuar dhe i menduar mirë se, kemi mjaft punë, i shtojmë edhe shumë të tjera që na i kurdisin të tjerët ditë e natë, bëhet tepër. “Uji ndalet, djalli s’ndalet!” Përzihet në hisen tënde, në rrugë, në ndeja, në organizime gjithë qytetare, në çka jo...E ne jemi shumë imun ndaj çdo të papriture. Imun ndaj pranverës së rëndë, ndaj stinës tjetër që djeg, ndaj asaj tjetrës me erëra dhe spërkama infektive të shumta. Imun ndaj dimrave me atome gjithfarësh që ti s’mund t’i dish. Që s’mund t’i perceptosh me shqisat dhe dijen tënde. Imun ndaj ushqimit nga mbetjete të vjetrat. Imun ndaj sëmundjeve. Po, imun ndaj fyerjeve që t’i bëjnë të tjerët dhe të afërmit. Imun ndaj aq piromanëve e sharlatanëve. Imun ndaj gënjeshtrave – fjalë të maniakëve, etj.
Shumë egër – pa inate të shquara
Shoqëria joshet vetëm me programe të definuar që nuk flitet aq sa veprohet praktikisht.
Gjatë kontakteve me elektoratin parazgjedhor, në mungesë të programeve adekuate për Kosovën e sotme, më shumë janë shpalosur të zezat e njëri-tjetrit që kanë çuar deri te një inflacion i fjalëve para opinionit elektoral se sa oferta që mund të materializohen. Asnjëra parti, përveç asaj që ishte në pozitë deri diku me ato që pat filluar si prioritete, tjerat pa kurrfarë programi për zhvillim ekonomik, për mundësitë që do të ishin reale për inkuadrim në punë nuk kishin. Sikur asnjëra nuk ka parashikuar se çfarë do të bënin me këta qytetarë, s’është puna veç e vizave. Shqiptarët po mendojnë (një pjesë e rinisë), se kur t’i marrin vizat do të ikin për Evropë, e atje do ta gjejnë parajsën. Retorika dhe reklama, që nuk do të thotë se, nuk duhet të jenë të pranishme para elektoratit, por ishin si në baraspeshë me qeveritë dhe tipat e dikurshëm në këto qeveri. I përjashtojmë dy partitë më të reja, për të tjerat është bërë fjalë prapë e mbarë. Edhe për individët. Natyrisht, kjo ndodhë gati në çdo vend, megjithatë, te ne është krejt punë tjetër. Të merremi vesh njëherë e përgjithmonë: Të lihen me nj’anë të gjitha ato që shkaktojnë dëme të përgjithshme. Të evitohen të gjitha ato provincializma që nuk çojnë askund. Dhe këto paraqesin ende një ndarje fisnore, fare nuk themi se është tradicionale as nuk duhet ta përfillim këtë farë etikete. Duhet ndihmuar dhe duhet realisht të fillohet nga lidershipi që të afirmohen vlerat e përgjithshme, realisht në këtë vend dhe vërtet në çdo kënd njësoj. Ndryshe, asnjëri nuk e ka të drejtën morale as juridike që të përfaqësojë grupe e provinca, kur nëpërmes institucionit nacional duhet të përfaqësojë gjithë qytetarët. Fjalët dhe veprimet kundër njëri-tjetrit deri në atë masë sa të merremi veç me thashetheme, shkaktojnë një pezëm mesjetar. Kundërthëniet klanore shkaktojnë dëme me dilema jashtë e brenda vendit. Ndoshta, kjo nuk është provuar asnjëherë te ne. Për këtë duhet të jemi shumë syçelë sa të shohim e të perceptojmë se, çka po gatuhet kundër personaliteteve në institucione dhe në formimin e shtetit të Kosovës. Disa herë është potencuar publikisht, maturia publike, se kjo është një filozofi e nevojshme e politikanit. Disa herë është thënë publikisht, se, politika serbe nuk ndalet dhe nuk është gjithherë diçka spontane. Shërbimet sekrete e edhe të hapëta serbe dhe miqve të tyre janë aktive në Kosovë. Pa dyshim edhe në institucione tona. Ato shërbime kanë mundësi që çdo ditë të reklamojnë te padroni të gjitha konverzacionet tona të përditshmërisë dhe të gjitha zënkat tjera. Shpeshherë, po shihet sikur dikush më shumë punon për interesa të veta se sa për shtetin e Kosovës, ndoshta ashtu diçka na duket si koincidencë.
Gjakftohtë – pa eufori
Edhe para edhe pas zgjedhjeve fjalët dhe pamjet ishin ashpërsi dhe joparimore gjithherë nga ana e lidershipit dhe trumbetuesve të partive. Edhe për pakënaqësitë me votimet, për mos qartësinë e krejt rrjedhës ishin evidente. Madje edhe brenda për brenda partive. Por, edhe vetëkënaqësitë deri në eufori të panevojshme. Disa herë është thënë publikisht, se, nuk duhet që asnjërin ta rrëmbej euforia. Nuk ka arsye që ta përshkojnë ‘ethet’, personin me shumë pasion nga ndjenjat e veta intime. Shumë gjakftohtë në realitetin e pranishëm të kësaj shoqërie. Nuk do të mundet askush askujt t’ia fshijë të gjitha veprimet pozitive. As ato negative të kujtdo qofshin. Është e vërtetë se, askush te ne nuk do t’ia pranoj cilësitë e mira tjetrit, por duhet të ketë besim çdokush e duhet të mbështetet i siguritë në masën e gjerë, krejt janë të njohura për secilin. Ka kush mendon për të mirat e të këqijat. Ajo do të mbetet me një anë, përderisa qytetarët, elektorati më në fund do të kërkojë atë që është thënë disa herë se ka për t’u ‘bërë’. Nuk do të mundet askush që të arsyetohet për shkaqe të ndryshme se, nuk kanë pasur mundësi t’i kryejnë ato që kanë premtuar. E ato janë të shumta. Madje, nuk ia zë thesi asnjërit deri në mbarim të mandatit. Dashtë Zoti që t’u prijë e mbara, veç është një drojë se më shumë është si një entuziazëm djaloshar (për disa), në moshë të pubertetit se sa ‘takati’ i qenies së tyre për të bërë ndryshime. Kjo del krejt nga dëshira për pushtet, po nyejt janë shumë të sforcuara, qoftë në zhvillimin ekonomik, në prodhimtari, në punësim, në zbatimin e ligjit e të drejtësisë. Këto lidhje të shtanguara nuk janë krejt rezultat i institucioneve tona. Të lidhura si me qëllim, pak nga politika e të huajve, natyrisht duke i ndihmuar pjesërisht edhe vetë shqiptarët. Të parët janë ata që kanë ardhur për të na ndihmuar. Dhe këto ndihma duhet të analizohen më mirë. Roja prej të keqes është e domosdoshme. Edhe jo veç për vete, por më shumë për gjithë etninë. E vërteta vetëm kamuflohet për sa kohë që është e mundur, po vjen dita që “do të dalin lepuri për fushë”, s’ka ku shkon.
Koalicionet e ardhshme – të zorshme për t’u mbështetur
Me siguri se, duhet të provohen edhe partitë për koalicionin e ardhshëm, por kësaj here është pak skeptike. Mandej, te ne pushteti ende ushtrohet në disa pika të ndjeshme nga të huajt. Duket sikur nganjëherë ata përzihen sipas interesave edhe të veta. Shpeshherë ligji i përshtatet grupeve të caktuara. Në pakënaqësitë e individëve, krijojmë një farë vasaliteti që do t’i kushtonte shtrenjtë gjithë vendit. Prandaj, koalicioni (bashkëqeverisja) duhet të jetë shumë i verifikuar. Shumë i paanshëm. Pa interesa parciale. Pa shantazhe ndaj njëri-tjetrit. Në mënyrë serike të bëhen veprimet në politikën e brendshme dhe atë të jashtme. Nuk duhet t’i lejohet që secili kokë më vete të bëj çfarëdo kontakti, çfarëdo pazari e çfarëdo dialogu në politikën e jashtme. Nuk pranohet mendimi se, unë jam i njohur (cilido qoftë) dhe unë i bëj këto punët vetë. Veç tjerëve, duhet të dëgjohen edhe zërat e shoqërisë civile dhe personaliteteve publike. Diçka mund të mësohet prej shumë kujt. Të gjithë në pushtet e në institucione nuk është e thënë se do t’i mohojnë mendimet e të tjerëve. Nuk mund të merret me mend se, të gjithë këshilltarët që ofrohen pranë këtyre institucioneve janë aq edhe të dijshëm (sidomos në këtë kohë te ne) dhe se ata gjithherë saktë e mendojnë atë që duhet dhe të jenë aq përgjegjës ndaj fjalës së vet.
Raporti i Dick Marty-t
Kujdes nga prodhimtaria e përrallave të tmerrshme, vatra e të cilave është në Beograd. Të gjitha krimet që i kanë bërë paramilitarët dhe formacionet tjera militante serbe të pa paramenduara, në mënyra të ndryshme që i kanë bërë vetë, ata përpiqen që t’ua hedhin shqiptarëve. Sikur evropianët të na i lejonin shkrimet tona neper shtypin e tyre, atëherë do te shihej cili eshte realiteti! Ne jemi naiv për këto çështje, sepse nuk mundemi të veprojmë ashtu as s’na shkon mendja; nuk e jemi të lindur as nuk është në gjenet tona që të bëjmë veprime të tilla kanibaliste sikur kanë vepruar ata në terrenet shqiptare. Ky raport, tashmë që ka bërë jehonë politike jashtë e brenda vendit, s’është gjë tjetër pos një ’lëkundje guri’ në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Ky është njëri prej raporteve të shumta e të ndryshme në rrëfimet fantastike për shqiptarët. Imagjinata të tilla nuk janë të pakta qe nga shekujt e kaluar, prej reporterëve të gazetave, forumeve e shoqatave të ndryshme. Në konferenca për Ballkanin. Me letra e fjalë, gjysmë letrare, gjysmë historike, gjysmë gazetareske e më shumë propagandistike politike. Dihet qëllimi. Edhe më parë Serbia ka pasur nëpër qendrat e ndryshme evropiane përfaqësues të këtij rangu që i kanë ndjek politikisht e moralisht shqiptarët. Për këtë duhet të jemi shumë të vetëdijshëm. Nuk kanë pi ujë gjithnjë raporte të tilla te njerëzit e informuar si duhet për ne, veç pengesat janë thurë sa herë nëpër kalime të shqiptarëve në “urat politike” të ndryshme. Këtë nuk duhet ta mendojmë se është krejt rastësisht. Dhe kështu, bie njëra çudi duke ardhur tjetra. Laboratori i Qeverisë serbe dhe i simpatizantëve të saj i lëshon këto si këtë ‘raportin’ e z. Marty-t, atëherë kur diçka duhet të shkoj në favor tonin. Në këtë rast, shantazh mbi palën shqiptare, para bisedimeve që do të ndodhin së shpejti.
Diplomacia shqiptare duhet të angazhohet më tepër në dyert e zyrave evropiane dhe të botës, jo veç për ‘raportin’ e D. Marty-t.
Koha faktori i frikshëm në këto zgjedhje
Ishte kohë shumë e shkurtër për mobilizim të partive si duhet. Por, edhe koordinimi në mes vete, duke pas mbrojtur fjalën e tyre, për një votim të dinjitetshëm. Tash po përpiqemi që këto të gjitha t’i hedhim në një kënd, vetëm në një kënd të një ane të Kosovës. Si arsyetim. Nuk është krejt reale se, ndodh vetëm në një rreth të vogël diç e nëpërkëmbur. Dhe gjenden edhe avokatë edhe pas përfundimit të procesit që të mbroj këtë kënd apo a të pjesë, duke u njehsuar krejt trimëritë dhe atdhetarizmat e asaj pjese, që asnjëherë, nuk besoj se do të kontestonte dikush diçka reale të cilitdo njeriu e as të pjesëve më aktive Kosovës në kohët më të vështira. Në të njëjtën kohë, gjenden edhe avokatë të tjerë që, distancohen dhe diferencojnë kënde të vendit duke i etiketuar me një mentalitet më ndryshe,etj.
Qytetarët s’kanë faj
Krejt kjo që u tha deri këtu, nuk mund ta fajësojë qytetarin tonë. Nuk mund t’i bëhet me gisht se, ky apo ai qytetar është i ‘shitur’. Prej kujt janë të shitur ata qytetar? Kush i bleu dhe si është e mundur? Ndoshta përgjigjen e kanë dhënë shumë të tjerë deri më tash. Dhe në asnjë mënyrë nuk qëndron fakti se, qytetari vullnetarisht me dorën e vet voton disa herë, apo ‘gabimisht’ e merr njeriun e 1910-ës, e tjetrit inekzistent.
Hallakatmë e madhe për dhjetë ditë. Nuk mund ta besoj njeriu se, a është për aq dëshirë dhe vetëkënaqësi për t’u zgjedhur apo, një seriozitet për atë që i pret këta kandidatët e nderuar nga këto zgjedhje. Do të thotë, për një atdhedashuri të madhe. Sikur të tjerët që nuk janë kandiduar nga partitë e ndryshme, apo si individ janë më pak atdhetarë. Kjo është shumë mëkatare dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet. Të gjithë paraqiten se do të jenë shumë konsekuent me të gjitha parimet, me të gjitha cilësitë, si në politikën zhvillimore dhe drejtësinë, por edhe betimet se do të mbulojnë gjithë terrenet me sundimin e ligjit. Kjo do të shihet shpejt pas zhurmës së këtyre ditëve. Pra, do ta shijojnë të ‘bukurën’ artistike të politikës. Kësaj politikës që po pritet të nis apo të vijoj hapat vendimtarë me kureshtje në arenën përplot pengesa të brendshme e të jashtme. Lëmenjtë janë arena të shumta dhe të gjera përgjatë gjithë Kosovës së vogël. Vjen dita kur do të bisedohet për ‘mbjelljen dhe korrjen’ e fryteve. Ta shohim sa lehtë iu është dukur të gjithë atyre kandidatëve, kur të gjithë dinë shumë oratori. Dinë mjaft për ta kritikuar tjetrin, por, a do të ketë mundësi ta luaj gurin nga vendi, ata që vendosen në ato vende institucionale ta shohim.