E diele, 16.03.2025, 06:56 PM (GMT)

Mendime

Redan Bushati: Bushatllinjët e Shkodrës vetëheshtin apo i kanë heshtur?!

E premte, 31.12.2010, 07:13 PM


Bushatllinjët e Shkodrës vetëheshtin apo i kanë heshtur?!

 

Nga Redan Bushati

Kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës

 

HISTORIKU… Si ia arritën të sundonin Shkodrën Bushatllinjtë? Si erdhën në pushtet dhe si e qeverisën vendin? Çfarë i sollën të re jetës së veriut të Shqipërisë dhe veçmas Shkodrës?  Bushatllinjtë kanë qenë një familje feudalësh në Shkodër. Emri lidhet me fshatin Bushat. Prej luftës 20-vjeçare ndërmjet dy rivalëve të mëdhenj të Shkodrës (Begollajve dhe Çaushollajve), përfitoi me zgjuarsi e pjekuri politike Mehmet bej Bushatlliu. Kështu nisi jetën Pashallëku i Shkodrës nën sundimin e Bushatllinjve, me themelues Mehmet Bushatlliun. Ai shuajti të gjitha konfliktet dhe vuri qetësi absolute në çdo pjesë të këtij pashallëku. Ai përfitoi nga Lufta e I ruso-turke (1768-1774) dhe ushtroi autoritet të plotë mbi Shqipërinë Lindore (përfshi këtu edhe Kosovën Qëndrore e deri në Ohër). Bëhet fjalë që shtrirja e këtij pashallëku në jug ka mbërritur deri në muret e kalasë së Beratit. Historia pastaj pason më tutje me djalin e Mehmet Plakut apo Mehmet bej Bushatit, Mustafanë. Në fakt, ky u tregua i paaftë dhe nuk arriti të mbante nën kontroll kufijtë e zgjeruar të këtij pashallëku. Ai ra në grackën e Sulltanit dhe ngjarjet shkuan ashtu si shkuan, por e rëndësishme është që në gjirin e Bushatllinjve të Shkodrës ka pasur përherë njerëz të aftë, trima, bujar e shumë të ditur. Kështu që, situata e krijuar nga Mustafai arrihet të rikuperohet shumë shpejt, pasi del në skenë i madhi dhe trimi i zgjuar Mahmuti apo Karamahmuti, i cili shpallet sundimtar (1749-1796). Pas tij, do të vinte Ibrahimi (1796-1809), i cili vijoi mbrojtjen e interesave të vendit e të kufijve nga agresiviteti bonapartist. Ai u detyrua, pasi nuk kishte rrugë tjetër, të bashkëpunonte me Stambollin, por në thelb qe po aq i pabindur, sikurse Karamahmuti (i vëllai).

 

VLERAT… Sa i takon vlerave të kësaj familjeje ka shumë për të folur. E rëndësishme është që emëruesi për gjithçka e çdo gjë sa i takon vlerave të familjes së Bushatllinjve është bujaria, mikpritja, trimëria, zgjuarsia, humanizmi etj etj. Kjo familje mbart mbi supet e veta vlerat më të çmueshme të kryqendrës së veriut, Shkodrës. Sunduesi dhe njeriu simbol i Bushatllinjve, por edhe i Pashallëkut, edhe i Shkodërloces sonë është pa dyshim Karamahmuti.

 

Kush ishte KARAMAHMUTI?... Më lejoni që të rëndis shumë pak gjëra në lidhje me një personazh shumë të çmuar e të vlerësuar nga e gjithë populli shqiptar. Nga familja feudale e lavdishme e Bushatllinjve, Karamahmuti ka qenë sundimtari më i shquar, më dinak, më energjik dhe më i ndërgjegjshëm në polikën autonomiste. Karamahmuti filloi të kryesojë shtetpashallëkun, gjoja në mirëkuptim me pushtetin qëndror, por në thelb ai iu kundërvu atyre. Ai iu përmbajt vijës së të atit dhe vazhdoi rrugën e të vëllait. Karamahmuti bëri një vetëqeverisje dinjitoze përmes mobilizimit total të burimeve e të rrezervave në hapësirën e shtetit të tij. Ai bëri mobilizim e përgatitje ushtarake dhe krijoi aleanca antiosmane me prijësit e brendshëm dhe fuqitë e huaja. Si reformator progresist, Karamahmuti respektoi të drejtat e forcave të ndryshme shoqërore, nxiti përparimin ekonomik, ndihmoi bashkëjetesen myslimane e katolike dhe të qytetarëve e malësorëve. Duhet thënë që bashkëpunimi dhe miqësia me malësorët ka qenë evidente jo vetëm për Karamahmutin, por për të gjithë Bushatllinjtë. Ai organizoi një ushtri të kohës dhe formuloi një strategji ushtarake origjinale. Brenda një viti pashallëkun e rimëkëmbi në kufijtë, në fuqishmërinë dhe në autoritetin e trashëguar. Shkodra, kryeqendra e këtij pashallëku, arriti kulmin e madhështisë, si një nyje strategjike arteriale e lidhjes me Rumelinë veri-perëndimore, me shtetet e Evropës, të Italisë e të Raguzës. Qëllimi final i Karamahmutit ishte bashkimi politiko-ushtarak i trojeve shqiptare në një shtet të pavarur etnik.

 

KOHA SOT përballë BUSHATLLINJVE… Ka kaluar shumë kohë, vite, dekada, shekuj, e do të futemi edhe në mijëvjeçarë, por ç’rëndësi ka kjo. Vallë njeriu nuk po kalon shumë momente të së kaluarës?! Vallë nuk mendon asnjëherë individi për te shkuarën?! A ka mundësi që ndoshta e shkuara të jetë më e mirë se e tashmja dhe e nesërmja më “ibret” se e sotmja?! Gjithsesi, nejse. Për mendimin tim, sado kohë të kalojë nuk mund të guxojë askush të nëpërkëmb vlerat e çmuara të Bushatllinjve. Obobo çfarë them! Ndoshta, ja kam futur krejt kot. Pse, i ka nëpërkëmbur kush Bushatllinjtë a? A thue i ka ba ata kush mos me mujt me fol a? A thue kanë hedhur mes nesh një dru lisi që të kalbet e gjithë fisi? Po nëse e kanë hedhur, kush janë ato???!!!

 

     Një ditë luani shkon në “ndërmarrjen” e milingonës për të shikuar cilësinë e prodhimit, në fakt kjo milingona dikur kishte qenë lua, por koha e dënoi të mbetej e tillë. Luani me vete kishte marrë edhe disa lepurusha, e mes tyre edhe ndonjë ketrush, e në kokë të lepurush-ketrushave ndodhej “arusha”. Luani e pyet milingonën se “si po të shkojnë punët”? “Mirë, po themi” – përgjigjet milingona. Grupit “arushi-lepurushi-ketrushi” i bëhet qejfi shumë nga kjo përgjigje. Por, milingona dikur kishte qenë lua dhe normalisht sado të kalojë koha, mbeten ca instikte të pashfaqura, që në një moment edhe mund të dalin në sipërfaqe. Këtë e pranon edhe Frojdi apo jo?! Nejse. Menjëherë milingona nxjerr zërin, “nuk jemi mirë”. “Punët po na ecin keq. Kam gjithë ato milingona, miza, ushujza, bubajka për të mbajtur. Të paktën kur të dalin me mbledh ushqim, mos t’i guxin kush. Pra, mos t’i thonë ndonjë fjalë të rëndë. Por, i nderuar luan kam edhe diçka tjetër. Unë atëherë kur ti u bëre mbret të kam ndihmuar, madje të kam sjellur edhe njerëz për të fuqizuar pushtetin tënd mbretëror dhe këtë gjë ti e di mirë, prandaj edhe mund të më kuptosh.” Ndërkohë, ndërsa luani po dëgjonte me vëmendje, grupit “arushi-lepurushi-ketrushi” i kishte ikur çerja e surratit, nuk e di pse. Gjithsesi, milingona vazhdon të ankohet duke thënë që atje ku ka ushqimin për familjarët, miqtë dhe bujarinë e tij është e pamundur që të grumbullohet gjë, me pak fjalë i bie kështu i nderuar luan “shko puno, por se ku nuk di gjë”. “Po jua them një gjë të tillë që ta dini, se atje ku është ushqimi ka ngre karabina trimi”, e mbyll ligjëratën e saj milingona. Pas këtyre fjalëve që të gjithë u larguan nga “ndërmarrja” një nga një pas hapave të luanit, ndërkohë që pas këtij të fundit vinte edhe grupi “arushi-lepurushi-ketrushi” të cilët dukeshin shumë të inatosur me milingonën dhe i fundit që doli nga “ndërrmarrja” i tha: “Çfarë na bëre! Na more në qafë përpara luanit. Karabinaja është e grupit tonë. Do e kesh keq. Nuk di pse fole ashtu. Familja dhe “ndërmarrja” jote po ecnin për bukuri ore qyqar, ç’tu desh të merrej me fatin e bubajkave, mizave, grethave, ushujzave etj etj”, ndërsa përgjigjia e milingonës ishte kuptimplotë: “Dikur edhe unë isha lua, por një lua i cili dinjitetin e çdo shtrese dhe kategorie e kam dërguar në vendin që meriton, duke dhënë shembullin e një qeverisjeje të drejtë.”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx