E enjte, 01.05.2025, 03:33 PM (GMT+1)

Mendime

Mithat Hoxha: E dua Platonin, por jo aq sa të vërtetën

E marte, 28.12.2010, 08:57 PM


E dua Platonin, por jo aq sa të vërtetën

 

Nga Mithat Hoxha

 

Unë jam i ati i Ermirit, i Ermir Hoxhës, të cilit pak ditë më parë i keni publikuar në website-in tuaj shkrimin “E thjeshta e komplikuara shami”. Kur vendosa t’i bëj një koment shkrimit të tij ose, më saktë, të bëj një koment rreth shkrimit të tij, u nisa nga parimi sipas të cilit “Platonin e kam mik, por më mik kam të vërtetën!” Veç kësaj, meqë opinioni publik që e njeh veprimtarinë time përkthyese dhe autoriale të mbi pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit në fushë të besimit dhe fesë islame, pret nga unë një mendim kompetent, për rrjedhojë, të saktë, më duhet të mos e zhgënjej këtë opinion pavarësisht nga mospëlqimet e mundshme të individëve të veçantë.

 

Nga ana tjetër ose mbi gjithçka, mua më duhet të veproj dhe shprehem me përgjegjësi para Zotit tim. Në Kur’an i cili është i vetmi tekst i pakontestueshëm në fenë islame, në postulatet mbi mbulimin e meshkujve dhe femrave për ruajtjen e nderit, përgjithësisht, dhe gjatë riteve, posaçërisht (shih. Kur’ani, 24:30 dhe 33:59), nga femrat kërkohet që të mos i ekspozojnë “hiret”, domethënë, t’i mbulojnë në një farë mënyre, kurse nuk përmenden askund as shamia, as perçja, as çarçafi, ferexheja apo çfarëdolloj tjetër mbulese që haset nëpër popullata islame në vende të ndryshme të botës. Të gjitha llojet konkrete të mbulesave të femrës, që njohim, ose kanë ekzistuar si elementë etnokulturorë të popullatave përkatëse para islamit, ose janë sajuar, nën presionin apo imitimin e tyre, nga shkollat doktrinare-juridike islame pas katër kalifëve të parë të mbiquajtur “rashidinë”, “të pjekur, të matur, të udhës së drejtë” (Ebu Bekr, Omer, Osman, Ali), veçanërisht gjatë kalifateve omejadë dhe abasidë. Kur kalifati kaloi në duar të osmanëve, formimi i të drejtës juridike-kanonike islame kishte marrë fund me kohë. Si konkluzion mbi mbulimin e femrës muslimane, duhet thënë: Nuk ekziston asnjë lloj mbulese e femrës e përcaktuar qartë si formë dhe si detyrim besimor (në Kur’an) dhe fetar-institucional (në të drejtën islame), moszbatimi i të cilit të pasohet me sanksione juridike materiale dhe sanksione besimore shpirtërore. Mbulesa dhe mbulimi në islam (në Kur’an) nuk janë kushte të besimit. Ato mbështeten mbi parime morale universale e të përjetshme. Çfarëdolloj konsiderate dhe konkluzioni fetar-institucional që, në emër të mbrojtjes dhe forcimit të besimit, del jashtë kuadrit të parimeve morale universale e të përjetshme të Kur’anit, është konsideratë dhe konkluzion, të paktën, mbështetur mbi një interpretim që e revizionon tekstin dhe frymën e përgjithshme të Kur’anit.

 

Ndërkaq, ashtu siç vërehet edhe në fe, shoqëri dhe institucione të ndryshme, edhe në fenë, shoqërinë dhe institucionet islame ekzistojnë rregulla që, në kushte të caktuara, e bëjnë të detyrueshme mbulesën e femrës. Përgjithësisht, nëse femra muslimane e ndjen si parim moral të përgjithshëm dhe detyrim respekti të saj ndaj Zotit të vet që të mbulohet, askush nuk mund ta paragjykojë apo ta ndalojë të mbulohet. Eshtë pothuaj e njëjta gjë mbi lirinë e femrës për të dalë me rroba banje në rërën e plazhit. Mirëpo, ndërkaq, në raport me të drejtat dhe liritë e personave të tjerë, midis mbulimit dhe zhveshjes (lakuriqësisë) nuk mund të vihet shenjë barazimi. Ndërsa mbulesa (optimale, e natyrshme, estetike, pra, e pranueshme) e një femre nuk cënon të drejtat e një personi tjetër me të cilin ajo ndodhet në të njëjtin mjedis publik, e njëjta gjë s’mund të thuhet për zhveshjen. Kështu, femra e mbuluar mund të dalë në bulevard, por femra me rroba banje, jo! Këtu vijmë në çështjen e moralit dhe rregullit publik dhe institucional ku esenciale dhe kryesore nuk është dëshira dhe liria e individit, por ajo e shoqërisë përkatëse dhe institucionit përkatës.

 

Me gojën e Shvejkut, shkrimtari Jarosllav Hashek ka thënë se në çmendinë (brenda mjediseve të çmendinës) mund të zhvishesh lakuriq, mund të shtrihesh përtokë, mund të lehësh, të ulërish, etj., por këto s’mund t’i bësh në “shëtitjen e mbrëmjes në bulevard”! Pra, ekzistojnë dy morale krejt të kundërta: morali i çmendinës ku përsillen të çmendurit “me liri të pakufizuara” dhe ai i bulevardit (ose mjedisit publik) ku përsillen njerëz normalë me mend në kokë, por “me liri të kufizuara”, në sajë të të cilave janë dhe mbeten njerëz me kuptimin e vërtetë të fjalës.

 

Kjo vlen edhe për perversitetin e mbulimit të femrës muslimane, për fat të keq, në emër të besimit! Përfytyroni një femër të mbuluar me perçe apo çarçaf apo kush e di se çfarë banaliteti tjetër si shëtitëse në bulevard, si mësuese në shkollë apo pedagoge në universitet, si infermiere apo mjeke në klinikë, si sportiste, si ministre, si police, etj. Ky është koncepti i dytë i gabuar mbi detyrimet e individëve në mjediset publike. Presidenti mund të rrijë me pizhama në shtëpi, por nuk mund të shkojë me pizhama në presidencë! Mësuesi i fshatit mund të ecë me opinga në fushë si fshatar, por nuk mund të shkojë me opinga në shkollë! Ndërsa mësuesi, ta zëmë, i letërsisë, historisë, matematikës, etj., duhet të hyjë detyrimisht në klasë me kostum, këmishë të bardhë, kollare dhe këpucë të lustruara, do të ishte absurde dhe qesharake që mësuesi i edukimit fizik të dilte me një veshje të tillë para klasës në palestër apo në fushën sportive! Në shkollat e sistemit të arsimit të përgjithshëm dhe laik nuk mund të përdoren nga askush as në paraqitjen e institucionit dhe as në veshjen e trupit mësimor dhe nxënësve simbole fetare. Përkundrazi, këto duhet detyrimisht të mbizotërojnë në shkollat fetare përkatëse, të cilat, veç kësaj, duhet ta kenë pranë edhe xhaminë ose kishën për të mësuar dhe kryer ritet përkatëse…

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx