E hene, 29.04.2024, 03:52 AM (GMT+1)

Mendime

Shefik Shkodra: Presidenti i Kosovës - Adem Demaçi

E hene, 27.12.2010, 08:58 PM


PRESIDENT I KOSOVËS – ADEM DEMAÇI

 

Nga SHEFIK SHKODRA

 

“Gjarpijt e Gjakut”, emërtim interesant. Ne disa, vërtet kemi jetuar gjithmonë me gjarpinj edhe praktikisht. Çfarë do të kishte pas këtij titulli të ballinës, si duket ai libër ?!

Atëherë ishte vështirë të gjendej ndonjë libër, çfarëdo qoftë vetëm shqip të jetë. Sa përkthimet të vështira e të pa ëndshme të autorëve botërorë e jugosllav kemi lexuar! Ishte herët një kohë kur bisedonim si nxënës se kush është e ky Adem Demaçi. Nuk më  kujtohet mirë në cilën klasë ishim, por ishte një dëshirë e madhe që ta gjenim “Gjarpijt e Gjakut”, një roman të vogël nga ky autor shqiptar në Kosovë. Çdo gjë që është e ndaluar, duket diç si e mistershme, prandaj edhe shumë kureshtare. Është kureshtare për të rinj e për më të vjetër. Po njeriu sa është i ri është edhe më guximshëm se të tjerët. Askush nuk mund t’ia thyej mendjen për ta zbuluar një ditë sekretin për çështjen që është i interesuar.

Do djem të fshatit që ishin në Shkollën Normale, thuhej se njëri e kishte dhe kjo nuk vonoi shumë e ky roman, kjo prozë e bukur u bë edhe pronë e fshehtë për disa, kështu më  dhe mua më ra në dorë. Pak si me drithërima e lexova dhe më thanë si në pëshpëritje se, nuk duhet të gjendet nëpër duar ky libër. Është i rrezikshëm. Mund të burgosin me të. Është i ndaluar! Unë nuk pash kurrfarë rreziku nga ai tekst. Askënd nuk kishte sharë as nuk e kishte kërcënuar. Ishte një prozë shumë e mirë dhe e lehtë për ta lexuar dhe për ta kuptuar. Ishte një realitet i kohës që përcillej te ne historikisht. – Jo, nuk është krejt thjesht puna, tha njëri, dhe vazhdoi, ky njeri që e ka shkruar këtë është në burg, i dënuar politikisht. Thuhet se, nuk e ka pranuar këtë regjim. Dhe as shkrimet e tija nuk duhet të lexohen dhe janë të kyçura e jashtë përdorimit. 

 

*

Zgjedhja e një presidenti që do t’i pëlqente më së miri të gjithë qytetarëve të Kosovës do të ishte vetë, Adem Demaçi. Dhe me siguri se udhëheqja nuk ka qenë dhe nuk do të jetë aq e dobët edhe prej këtyre partive që i kemi, megjithatë ende ka nevojë që të veprohet më me dinamikë dhe me një sens të një kursi shumë më refleksiv politik e historik për këtë vend, i cili është në këtë fazë të shtet formimit. Një vend i cili është përplot me probleme e që kërkohet të zgjidhen. Për këtë është mirë të kihet parasysh një personalitet me një stoicizëm dhe një vendosmëri në të gjithë lëmenjtë. Më e pakta është ajo që do të duhej, e ajo e para është, respektimi i kushtetutës dhe ligjet e aprovuara nga legjislacioni i Kosovës. Në këto rrethana është shumë vështirë për cilindo personalitet që të vihet në këtë karrige, të insistoj dhe të veproj pa u luhat nga ndikimet e jashtme dhe të brendshme.

Në këto rrethana, në mesin e krejt inteligjencës, partive dhe shoqatave të ndryshme është vështirë të gjendet personi me të gjitha cilësitë për ta marrë përsipër një obligim zyrtar të një presidenti të Kosovës.

Nuk ka njeri në botë i cili nuk do të kishte mangësi në qenien e tij. Kush më shumë e kush më pak. Gjithnjë do të duhej të kërkohet njeriu me më pak të meta e veti negative. Ai i cili është më pak ose fare i përfolur në afera të ndryshme. Duket se, Adem Demaçi është njeriu i tillë për këtë kohë që ta obligoj veten për ulësen e presidentit. Ai i ka meritat e kahershme, por edhe sot është mjaft vital e i pa luhatshëm. Do t’i ndihmonte shumë vendit po qe se të gjitha partitë do të ishin në marrëveshje e pa fjalë për inaugurimin e tij president.    

Për afro tridhjetë vite burgje të rënda në ish Jugosllavinë dhe mbijetimit të të gjitha të zezave që i janë sjellë nga Serbia dhe politika titiste, ai dha gjithë rininë e vet për këtë vend e këtë popull. Ai doli më në fund ngadhënjyes. Doli me të njëjtën vijë dhe vijon ende pa rrëshqit në as një hap. Dhe jeta e tij është përplot peripeci, por gjithsesi ai nuk ka ndërruar nga vetja asgjë. E sheh dhe dëgjon mirë krejt ecurinë e politikës shqiptare. Politikë, tashmë kjo e mendimit pluralist dhe pro perëndimore.

Për gjithë kushtet dhe rrethanat e sotme, do të duhej të lutej që Adem Demaçi ta pranojë vendin e presidentit. Bagazhi i tij është përplot me fakte të një personaliteti të veçantë; si intelektual, si atdhedashës, jolakmitar, madje edhe hero i qëndresës para një terrori të vështirë në këto troje. Një personalitet frymëzues i gati të gjitha breznive deri më sot. Pa ia numëruar të gjitha vuajtjet, kapërcimet e tyre nëpër kohë si dhe vetitë e tij prej njeriu të formuar, të paepshëm në momente delikate, të pa kërcënuar dhe të afërt me të gjithë qytetarët, për këtë e të tjera vlen të emërohet president i Kosovës me një konsensus të partive dhe personaliteteve tjera të vendit. Është pak i moshuar, por me një kujdes më të madh bindja del se, ky do të jetë në gjendje të udhëheq vendin pa anime, pa interesa personale e grupore, pa përkulje dhe servilizëm, gjithnjë me një moto të vetme – ngritja dhe zhvillimi politik, ekonomik e kulturor i Kosovës.



(Vota: 18 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora