E enjte, 01.05.2025, 05:21 PM (GMT+1)

Mendime

Flet për Çështjen Çame akademiku Beqir Meta

E enjte, 23.12.2010, 10:02 PM


Politika e nënshtrimit ndaj Moskës shkak themelor  që pengoi zgjidhjen e problemit çam

 

Nga Albert ZHOLI

 

 Para disa ditësh në ambietet e Hotel “Rogner” u zhvillua Konferna “Çështja çame dhe situata e sotme”. Në këtë Konferencë morën pjesë akademikë, profesorë, studiues, politikanë dhe shumë persoanlitet nga komuniteti çam brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në këtë Konferencë të drejtuar nga Instituti për Studimet Çame dhe PDI u paraqitën shumë kumtesa që hodhën dritë mbi shumë të panjohura mbi historinë e këtij populli martir, sikundër u parashtruan dhe shumë alternativa për zgjidhjen e kësaj çështjeje kaq të rëndësishme jo vetëm për këtë komunitet por edhe për vendin tonë.

 

Kur ndodhi aneksimi i trojeve shqiptare çame nga Grqeia?

 

Aneksimi i trojeve  shqiptare  nga Greqia  ndodhi në momentin  kritik  kur  shqiptarët  po  përpiqeshin të çliroheshin  nga zgjedha osmane dhe të shpallnin  pavarësinë e tyre kombëtare. Mbrojtja e këtij  territori i vuri  ata  përballë  forcave  pushtuese greke. Qysh prej  kësaj kohe  e në vazhdim  në aktivitetin  e institucioneve kombëtare  shqiptare, çështja  çame  do të ishte e  pranishme si një subjekt i rëndësishëm për t’u trajtuar nga institucionet shqiptare, por edhe si një  tregues  që do të dëshmonte  efektivitetin e tyre, karakterin  dhe nivelin e përmbajtjes dhe performancës  kombëtare të tyre. Qeveria e Vlorës  bëri çmos  që ta mbronte  Çamërinë  nga pushtimi grek. Ajo u angazhua  në një  betejë diplomatike  të cilën  e kryesonte  vetë  kryeministri I. Qemali  dhe biri i madh i Çamërisë, diplomati shqiptar  i nivelit  të lartë fatkeqësisht pak i njohur  deri më sot, Rasih Dino. Nga ana tjetër ajo u bë organizatore e qëndresës së armatosur  të shqiptarëve për të mbrojtur Çamërinë nga pushtimi grek.

Pavarësisht se nuk mundi ta mbronte  Çamërinë  nga  pushtimi  grek  dhe nuk mundi  të shmangte  shkëputjen  e saj nga  trungu  amtar, veprimtaria  e qeverisë së Vlorës  pati një rëndësi të madhe historike  për disa arsye  themelore: së  pari, ajo dha shembullin  dhe modelin historik të  sjelljes së institucioneve  dhe të një shteti  të spikatur  kombëtar, i cili edhe  në  momentet  më të vështira, më të vështirat që ka kaluar shteti  janë  deri  më sot,  pati  energji, forcë, karakter  dhe  dinjitet të sillej  si  një shtet – komb  me  prerogativa  dhe kapacitete  të spikatura  kombëtare; së dyti, duke  vepruar me energji  për mbrojtjen e Çamërisë dhe territoreve  të tjera kombëtare, qeveria e Vlorës afirmoi në  arenën ndërkombëtare, jo vetëm  të drejtat e shqiptarëve për Çamërinë, jo vetëm  karakterin  e pastër etnik shqiptar  të kësaj  krahine, por  edhe  vetë  karakterin e spikatur kombëtar të shtetit  që po  ndërtonin shqiptarët; së treti, kjo veprimtari  e qeverisë së Vlorës shërben  si një  cak  historik i arritur qysh në ditët e para të jetës së shtetit të  pavarur shqiptar dhe në kushtet  më të vështira  të ekzistencës së tij.  Për këtë arsye  standardi  i angazhimit  politik të qeverisë  së Vlorës  shërben  si një  kriter për të gjykuar  mbi administratat e mëvonshme  shqiptare.

 

Po nën drejtimin e Princ Vidit, a ndikoi shteti shqiptarë për zgjidhjen e kësaj çështjeje?

 

Shteti shqiptar nën Princ  Vidin nuk e demonstroi këtë energji dhe  këto  karakteristika. Të ndodhura  nën një kontroll të fortë  ndërkombëtar, të  paralizuara  dhe të deformuara  nga ndërhyrja e huaj, qeveria dhe institucionet  shtetërore të kësaj periudhe nuk mundën  as ta  artikulonin mbrojtjen e shqiptarëve  të Çamërisë  nga dhuna dhe shtypja greke.

Sigurisht paralizimi i një aktiviteti të tillë  në dobi të mbrojtjes së interesave kombëtare  erdhi edhe  si rezultat i rebelimeve  antikombëtare siç ishte ai  i Shqipërisë së Mesme, kryengritja “vorio-epirote”, etj. Këto ngjarje  provuan  se dobësitë në  krijimin e  një ndërgjegje të spikatur  kombëtare në  Shqipërinë politike, dëmtonin dhe  deformonin institucionet përfaqësuese  dhe  paralizonin vullnetin apo  kapacitet e tyre  për mbrojtjen e çështjes kombëtare.

           

Kush përbën rast tjetër interesant ndër qeveritë shqiptare për ngritjen e kësaj çështjeje?

 

Një rast interesant  përbën  qeveria e Durrësit, pas  përfundimit të Luftës së I Botërore, e cila  ndonëse kishte  prerogativa  të kufizuara  si  rezultat i kontrollit italian, gjeti  hapësirën  e nevojshme dhe parashtroi në Konferencën e Paqes të  drejtat e shqiptarëve të Çamërisë  për t’u  bashkuar me shtetin shqiptar dhe  për të gëzuar  mbrojtjen  nga politikat asimiluese  greke. Sigurisht kjo liri ndikohej edhe nga fakti se interesat italiane  nuk e pengonin artikulimin e kësaj politike në mbrojtje të Çamërisë. Institucionet kombëtare  shqiptare  të dala  nga Kongresi i Lushnjes deri në vitin 1924 rifitojnë  në një shkallë të re dimensionin e spikatur  kombëtar dhe të pavarur. Kjo i bëri  ato të dallueshme nga institucionet e viteve  1913-1915 dhe qeveria e Durrësit. Nga ana tjetër, ndonëse kanë  të  njejtin  karakter të  spikatur kombëtar si qeveria e Vlorës, ato kanë hapësirë dhe mundësi  më të gjëra për  të mbrojtur çështjen çame dhe çështjen kombëtare në përgjithësi.

 

Po me futjen ne Shqipërisë në OKB, si u trajtua ky problem?

Kur Shqipëria pranohet si anëtare e Lidhjes së Kombeve dhe njihet nga fuqitë  më të mëdha të  kohës. qeveritë shqiptare të kësaj periudhe  duke shfrytëzuar  këtë pozitë  vihen menjëherë në mbrojtje të  shqiptarëve të Çamërisë dhe të shqiptarëve të tjerë të mbetur  jashtë kufijve politikë  të shtetit shqiptar. Qysh në përurimin e pranimit  në Lidhjen e Kombeve përfaqësuesi shqiptar  dëshmoi  përcaktimin e shtetit shqiptar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë.

            Madje në vitet 1921-1924 mbrojtja e shqiptarëve të Çamërisë ishte prioritare edhe në  raport me mbrojtjen  e shqiptarëve në Jugosllavi. Së pari, kjo ndodhi  se politika greke u fut në rrugën e zbatimit konkret të platformës për spastrimin etnik të Çamërisë, së dyti,  në të njëjtën kohë  Greqia  po ushtronte  një presion të gjithanshëm për të aneksuar  Shqipërinë e Jugut dhe për të konservuar  e fuqizuar  helenizmin  dhe institucionet  themelore të tij  në këtë rajon.  Për  këtë arsye qeverisë shqiptare  ju desh që përveç të tjerash, t’i  mëshonte  fort  mbrojtjes  së të drejtave  themelore të shqiptarëve  të Çamërisë edhe për të kundërbalancuar  presionin nacionalist grek.  Ndërsa nga ana e saj  Jugosllavia,  ndonëse po projektonte dëbimin e shqiptarëve, ende  nuk kishte  hedhur hapa  madhorë  konkretë në  këtë drejtim.  Gjithashtu ajo nuk kishte ato mundësi brenda në  Shqipëri  që të shtynte  një  fushatë  serioze për  forcimin e sllavizmit. Megjithëse duhet  nënvizuar  se ajo u përpoq  të përfitonte  maksimalisht nga çdo element  sllav  apo mbeturinë e  ortodoksisë sllave në Shqipëri, madje nuk nguroi të  bënte përpjekje për të përdorur  edhe katolikët shqiptarë në  funksion të projekteve  ekspansioniste serbe.

A pati rezultate konkrete në këtë periudhë?

            Angazhimi  këmbëngulës  i institucioneve shqiptare  në mbrojtje të popullsisë  shqiptare të Çamërisë arriti disa suksese të pjesshme. Ato arritën të bllokojnë projektet për shkëmbimin e popullsisë shqiptare të Çamërisë me popullsinë  greke të Azisë  së Vogël, ndërkombëtarizuan  problemin çam dhe e detyruan  Greqinë të njihte  zyrtarisht minoritetin shqiptar në Greqi. Nga ana tjetër  qeveria shqiptare nuk arriti të pengonte  shkëmbimin dhe dëbimin e shqiptarëve  të  Maqedonisë (Kosturit, Follorinës, Voshtinës,  Konicës etj.,, ) si dhe  të 5000 shqiptarëve të Çamërisë, gjithashtu  nuk arriti që të mbronte  të drejtat e tjera të shqiptarëve të Çamërisë si të  drejtën e  pronës, shkollës në gjuhën  shqipe,  të drejtën  e përfaqësimit politik etj.

Ky rezultat i kufizuar  lidhej në radhë të parë  me pozitën  ndërkombëtare të Shqipërisë përballë presionit dhe politikave  shovene  greke. Por sigurisht  në këtë proces  është rasti të japim një vlerësim të shkurtër  për performancën  e institucioneve shqiptare në mbrojtjen e shqiptarëve të Çamërisë. Që në krye të radhës  duhet theksuar  se ato  u treguan  tepër të angazhuara  në mbrojtjen e popullsisë çame. Për  vendosmërinë dhe karakterin e sinqertë të angazhimit të tyre flet edhe fakti se në një  moment tepër kritik, kur Greqia  po këmbëngulte  në  avancimin e procesit  të  spastrimit etnik të Çamërisë, ata kërcënuan  se do të kërkonin shkëmbimin e shqiptarëve me  minoritetin e vogël  grekofon në Shqipëri. Kjo është një  provë e rëndësishme e vendosmërisë dhe shpirtit patriotik të qeverisë e institucioneve shqiptare e cila nuk do të shihet  e vërtetohet në të ardhmen  kur procesi  i spastrimit etnik  do të çohet përpara nga grekët. Gjithashtu  ndikim pozitiv pati fakti se në këto institucione  si në Ministrinë  e Jashtme, përfaqësitë  shqiptare në  Greqi, në Lidhjen e Kombeve (Gjenevë) dhe në  kryeqytetet e mëdha të Evropës si Londër, Paris, Romë etj., në Ministrinë e Arsimit ishin caktuar  personalitete të  jetës politike, kulturore e arsimore shqiptare, patriotë të  shquar shqiptarë me një  profil të lartë arsimor e kulturor, me një përvojë  të çmuar në mbrojtjen  e çështjes kombëtare shqiptare, para dhe pas  krijimit të shtetit shqiptar. Të tillë  ishin Mehdi  Frashëri,  Mithat Frashëri, Lec Kurti,  Rauf Fico. Një format  i tillë i cili u vërejt  edhe në periudhën  1925-1939 nuk do të arrihej  më në të ardhmen  në institucionet  respektive shqiptare.

Megjithëse në fazën e  parë të organizimit të tyre, gjë që padyshim krijonte  vështirësi këto  institucione  zhvilluan një aktivitet shumë  intensiv  dhe efektiv. Nga ana tjetër ata ndeshën  edhe vështirësi  të shumta  si përshembull  mungesa e mjeteve financiare e materiale për të kundërgoditur  politikën  dhe propagandën greke;  mungesa në disa raste e ekspertizës  juridike për të mbrojtur të drejtat e popullsisë çame etj.

 

Kush ishin dobësitë e institucioneve kombëtare që penguan ngritjen më me forcë të kësaj çështjeje?

Një  dobësi e theksuar  e institucioneve kombëtare në këtë kohë ishte ajo që  lidhej me  faktin se kjo periudhë  ishte periudha e një  destabiliteti të skajshëm  politik. Ky faktor  ka ndikuar  mjaft dhe  i ka penguar  qeveritë dhe institucionet  shqiptare që, me gjithë  vullnetin e tyre pozitiv, të ishin më efektive në mbrojtjen e të drejtave të  shqiptarëve të Çamërisë. Tipik është rasti  i qeverisë  së Nolit, i cili megjithëse bëri shumë  përpjekje për të mbrojtur  shqiptarët e Çamërisë,duke  qenë  një qeveri e ardhur në pushtet përmes dhunës, dhe e palegjetimuar  ajo u  izolua  në Lidhjen e Kombeve  dhe nuk mundi t’i realizonte në shkallën e duhur objektivat e saj në këtë drejtim.

Komente të ndryshme ka për këtë çështje edhe në regjimin e Zogut. Cili është komneti juaj për këtë çështje në këtë regjim?

            Vendosja e regjimit të Zogut, krijimi i një stabiliteti  relativ në vend dhe  në këtë  kuadër  stabilizimi  dhe fuqizimi i institucioneve  solli  një etapë të re  në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë e Jugosllavisë. Tashmë frenohet procesi i spastrimit të vrullshëm  etnik  të Çamërisë dhe nëpërmjet  kompromiseve  që bëri  qeveria  shqiptare  fillon procesi i  hapjeve  të shkollave shqipe  në Çamëri dhe përgjithësisht  avancohet  procesi i afirmimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve të Çamërisë.

            Qeveria e Zogut u tregua  praktike, pragmatiste  dhe realiste  në trajtimin e  çështjes çame dhe  politikat e saj duke i gjykuar në kontekstin e mundësive  të asaj kohe,  ruanin karakterin kombëtar.

Krejt e kundërta  ndodhi me politikat e  regjimit komunist, i cili qysh në  fillimet e veta  u përball me problemin madhor  dhe  shumë kritik për gjithë  interesat kombëtare, shqiptare atë të  spastrimit të plotë etnik  të Çamërisë.  Qeveria  komuniste bëri fare pak  për të  mos thënë asgjë  për ta zgjidhur këtë  problem i cili ishte krijuar  në vigjiljen e ardhjes së saj në pushtet.

Së pari,  ajo, ndryshe nga qeveritë e mëparshme, ia nënshtroi  këtë problem  interesave të saj  të  ngushta  për të ruajtur  pushtetin politik.

Së dyti, duke shkatërruar institucionet e mëparshme  shtetërore të cilat  kishin fituar  përvojë dhe kishin kapacitete  e tradita  të rëndësishme për mbrojtjen e çështjes çame  ajo i shkaktoi  një dëm të madh asaj.  Institucionet e reja të regjimit komunist  nuk kishin as përvojën dhe as  kapacitetet njerëzore  me vlerat e tyre kombëtare, arsimore e profesionale që do ta  mbronin këtë çështje.

Së treti, deformimi, politizimi  i skajshëm  dhe ideologjizimi  komunist i institucioneve shtetërore dhe jo shtetërore ndikoi thellësisht  që çështja çame të injorohej dhe të mos  vlerësohej  ashtu siç  ishte, një  problem  madhor kombëtar e njerëzor  me pasoja  të  jashtëzakonshme politike, strategjike e morale  për gjithë  kombin shqiptar. Pra niveli i ulët  arsimor i institucioneve  komuniste dhe politizimi  i tyre ekstrem,  në bazë  të parimeve  të internacionalizmit  komunist,  prodhoi një indiferencë  madje  edhe  armiqësi  të spikatur institucionale  ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe çështjes çame  që nuk ishte  ndeshur kurrë më parë.

Së katërti,  politika e nënshtrimit ndaj Beogradit dhe Moskës  ishte një  shkak tjetër themelor  që pengoi zgjidhjen e problemit çam kur shanset  u krijuan në OKB  në vitin 1948 për të arritur  një marrëveshje me Greqinë për kthimin e refugjatëve dhe respektimin  e minoriteteve  respektive. Presioni  i Kremlinit, të cilit i interesonte vazhdimi  i mbështetjes  politiko-logjistike  të forcave komuniste  greke në luftën  civile,  pengoi  arritjen e kësaj marrëveshjeje. Qeveria  komuniste e Enver Hoxhës, duke vënë si prioritet themelor  mbajtjen e pushtetit të vet  diktatorial  ju nënshtrua  presionit rus dhe mbi çështjen  madhore çame, vuri  atë të  ndërhyrjes  aktive  në  Luftën Civile  greke, politikë e cila përveçse  varroste  zgjidhjen e çështjes çame, rrezikonte edhe tërësinë territoriale  të Shqipërisë, veçanërisht Shqipërinë e Jugut dhe cenonte rëndë  edhe interesat e tjera  kombëtare  shqiptare.

 

Nga kjo del se në regjimin komunist kjo çështje u mbulua?

 

Pas kësaj kohe dhe deri në vitin 1991, administrata dhe qeveria  komuniste  u kujdesën maksimalisht  që ta  mbulonin çështjen çame me pluhurin e harresës së historisë.

Administratat postkomuniste  të periudhës së tranzicionit deri në ditët tona u treguan pak të angazhuara në përpjekjet për zgjidhjen e çështjes çame. Pas një periudhe relativisht  më të angazhuar në vitet 1992-1995 ata do të mbanin  vazhdimisht  një pozicion të tërhequr  në trajtimin e këtij problemi. Mendojmë se kjo çështje  kërkon  një analizë më të gjerë  por  këtu  po përpiqem  të jap  disa nga arsyet  kryesore, të cilat,  sipas  gjykimit tim, kanë ndikuar  në këtë qëndrim.

Së pari, administratat postkomuniste, duke filluar  qysh nga qeveria  e deri tek  institucionet  më pak përgjegjëse, mbartnin  dukshëm profilin e administratës  së mëparshme komuniste. Kjo dukej  në disa drejtime si: niveli  i formimit politik  dhe kombëtar, i cili ishte i deformuar si rezultat i kufizimeve të shkollës  dhe institucioneve  të tjera  gjatë  komunizmit; ruajtja e politizimit  dhe militantizmit  partiak në këto administrata dhe vijimi i respektimit, deri diku, të modulit  të shëmtuar  komunist  i cili  ja nënshtronte  çështjet  madhore  kombëtare, interesave të mbajtjes apo  fitimit të  pushtetit politik apo interesave  të tjera politike të çastit;  mungesa  e një afinacioni shpirtëror dhe e një  njohje  profesionale  adekuate  e problemit çam nga pikëpamja  historike, politike, juridike, strategjike etj., nga  institucionet kryesore që duhej  të merreshin me këtë problem si dhe mangësi të tjera.

Së dyti,  tranzicioni postkomunist  u karakterizua  nga një luftë e ashpër politike  brenda vendit, nga kriza, trazira  dhe një destabilitet i konsiderueshëm  gjë që ka  demoralizuar grupet politike  qeverisëse për të avancuar përpjekjet  për zgjidhjen e çështjes çame dhe nga ana tjetër i ka shtyrë  grupet  opozitare  që donin të vinin në pushtet ta injoronin atë  për hir të  avancimit  të tyre  politik drejt pushtetit.

Politikës postkomuniste  i ka munguar  një cilësi e spikatur  kombëtare, qoftë për arsye  të trashëgimisë  komuniste  qoftë për arsye të presioneve të jashtme.

Të zhytura  në këtë  muzg interesash  të ngushta  dhe tensioni politik,  institucionet shqiptare as  brenda vendit  nuk u kujdesën që të paktën të financonin dhe organizonin studimin  historik, juridik, politologjik dhe strategjik të çështjes çame  në kuadrin  e sistemit të sotëm  evropian  dhe ndërkombëtar  të mbrojtjes së minoriteteve. Kjo ndoshta  është shfaqja  më flagrante  e papërgjegjshmërisë  së tyre  ndaj çështjes çame dhe gjithashtu një tregues  i profilit të tyre  të ulët  kombëtar e kushtetues, si institucione  që kanë për detyrë  të mbrojnë  interesat e shtetit dhe qytetarëve  shqiptarë.

Së treti, politikat e qeverive shqiptare  ishin thellësisht  disproporcionale  ndaj atyre  greke  në trajtimin e  çështjeve  të minoriteteve. Qeveria  shqiptare i akordoi  të gjitha të drejtat minoritetit grek në Shqipëri, pa kërkuar  asnjëherë si këmbim  nga qeveria  greke  plotësimin, qoftë edhe të një kërkese minimale  të shqiptarëve të Çamërisë. Për më tepër, qeveritë  shqiptare u bënë  lëshime të mëdha  e të padrejta pretendimeve  greke dhe shtrirjes së  helenizmit  në Shqipërinë e Jugut  dhe cenuan statusin e Kishës  Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pa kërkuar  si këmbim  asgjë për zgjidhjen e çështjes çame dhe  të interesave më të gjera  shqiptare në Greqi.

Në këtë profil politik, aspak  dinjitoz  dhe të drejtë, kanë ndikuar  përveç faktorëve  të lartpërmendur  subjektivë edhe  një sërë faktorësh  objektivë  të cilët  do t’i  rendisim  shkurtimisht më poshtë, por që duhet  ta theksojmë se ata nuk e justifikojnë  plotësisht  politikën  që kanë  ndjekur  institucionet  shqiptare  deri më sot.

1. Pozita e privilegjuar e  Greqisë  në Bashkimin Europian  dhe në NATO  dhe presionet e saj të forta  e sistematike  për të bllokuar  përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në këto organizma; disbalanca e madhe  politike strategjike midis Shqipërisë dhe Greqisë  në arenën ndërkombëtare; disbalanca  në  forcën, kapacitetin  dhe stabilitetin e qeverive  e institucioneve  respektive të dy vendeve;  profili  politik i ndryshëm  i dy administratave, administrata greke  me profil  shumë  më të spikatur  nacionalist, me përvojë e kapacitete të  larta  institucionale  e njerëzore; niveli i zhvillimit ekonomik dhe të demokracisë etj.

2.  Ka ndikuar  edhe kriza e Kosovës, e cila  i angazhoi  me prioritet kryesor përpjekjet  e shtetit  dhe institucioneve  shqiptare për zgjidhjen e  saj  veçanërisht  deri në vitin 1999. Por gjithsesi  edhe pas  pavarësimit të Kosovës në vitin 2008  nuk kemi  parë ende një energji të re  të shtetit shqiptar  për të zgjidhur  çështjen çame.

3. Ka ndikuar  edhe harresa historike dhe fakti që spastrimi etnik i Çamërisë ishte bërë fakt i kryer dekada më parë.

Gjithsesi  siç e theksuam  më lart, këta faktorë megjithëse kanë qenë  pengesa kryesore  nuk kanë  qenë  të vetmit për mungesën e  progresit  të zgjidhjes  së çështjes çame dhe nuk  mbulojnë  dobësitë  e lartpërmendura  të institucioneve  shqiptare.

Mbetet  për t’u parë  se si këto  institucione do të reagojnë  në të ardhmen, kur shumë  nga  pengesat objektive  tashmë  janë kapërcyer me shpalljen dhe afirmimin e pavarësisë së Kosovës, pranimin  e  Shqipërisë në NATO,  dhe me progresin e bërë drejt  afrimit  me BE, veçanërisht pas liberalizimit  të vizave.

Logjikisht tashmë institucionet  tona kanë shumë më tepër rrethana  favorizuese për  të mbrojtur  të drejtat e pamohueshme të shqiptarëve të Çamërisë. Ne shpresojmë  dhe urojmë  që ata do ta  rimodelojnë  në sens  pozitiv  qëndrimin e tyre ndaj kësaj  çështje në të ardhmen



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx