E enjte, 01.05.2025, 09:35 PM (GMT+1)

Mendime

Selim Hasanaj: Cili asht ligji në Dardani (Kosovë)

E diele, 19.12.2010, 10:59 PM


CILI ASHT LIGJI NË DARDANI (KOSOVË)

 

Nga Selim Mustafë Hasanaj

 

Para një jave kishim Zgjedhjet e Përgjithëshme në Dardani. Tashma asht i njohun opinioni si shkuen ato. Në komunat e lidërve të partive të dala nga lufta kishte ma së shumti ankesa për parregullsi. KQZ-ja ma në fund u detyrue të marrë vendim për përsëritjen e tyne në Skenderaj, Drenas dhe Deçan.

 

Në këtë shkrim të shkurtë nuk kam ndërmend të merrem shumë me zgjedhjet, me parregullsitë e tyne, por do të doja që në radhë të parë të baj publik një fakt të trishtueshëm, që më çuditi edhe pse deri më sot asnjë nga zyrtarët shtetnorë të ngarkuem me mbarëvajtjen e zgjedhjeve nuk e ka përmendë; pikërisht për këte arësye mendova t'i baj një koment.

 

Një miku im nga një fshat afër Klinës, në Dukagjin, më dergon me e-mail një shkrim dhe së bashku me shkrimin edhe fotot e disa pamfleteve që i kishte shpërnda gjithandej nëper Prishtinë (e ndoshta në gjithë Dardaninë) i ashtuquejtuni Forumi Rinor Islamik i Kosovës. Ky burrë i Anadrinit, atdhetar dhe intelektual, i kishte pa, dhe me telefonin e tij celular, kishte ba fotografimin e pamfleteve. Mesazhin që më dërgon bashkë me filmimet i kishte titullue: "JA DERI KU KEMI ARRIJTË....".

 

Meqenëse ato thirrje do t'i shihni ju lexues të ZSH-së, sepse unë po i dërgoj për botim edhe ato bashkë me shkrimin tim, nuk do të përshkruej përmbajtjen e tyne këtu; ate le ta lexoni e ta komentoni vetë, prandaj po përqendrohem t'i baj një analizë qendrimit të institucioneve shtetnore të Dardanisë.

 

Me sa e di unë, ashtu si edhe çdo qytetar i Dardanisë, Kosova asht shtet laik dhe feja nuk guxon t'i perzihet shtetit, janë të ndamë.  Prandaj unë shtroj pyetjen: Ku asht shteti, ku janë institucionet e shtetit, ku asht Policia e Kosovës që nuk u interesuen e të merreshin me hetimet se cili asht ky i ashtuquejtun Forum Islamik, që shperndan thirrje se cilët kandidatë të partive politike të Dardanisë për deputet në Parlamentin e saj nuk preferohen me i votue? Arsyetimet për këto janë aq të liga, janë aq të ulta, sa patjetër shteti duhej t'i zbulonte shpërndasit dhe t'i vinte ata para ligjit dhe drejtësisë. Në fakt unë u tregova i butë kur thash se PREFEROHEN. Realiteti asht se me ato trakte të mirëfillta shantazhi kërcënoheshin votuesit shqiptarë të besimit islam që asesi të mos i votonin personat e caktuem, fotografitë e të cilve i kishin mbulue me një " X " të madh dhe nën foto kishte një tekst arsyetimi banal për mosvotim të këtyne njerëzve.

 

Personalisht e pergëzoj mikun tim nga Anadrini, që kishte pas guximin dhe ndjeshmëninë qytetare dhe kishte ba fotografimin e këtyne thirrjeve; ai shumë lehtë ka pasë mundësi të ishte viktimë e sulmit të ndonjë mjekrroshi pantollnshkurtë, prandaj edhe nuk po ia permend emnin, pikërisht nga frika që mund ta ekspozoj para mjeranëve islamistë dhe ta rrezikoj.

 

Rri e vras mendjen: Vallë, a ka ligj në Dardani? Në Skenderaj dalin fletvotime ma shumë se sa ka qytetarë. Poashtu edhe në Drenas (Gllogovc). Hiç ma mirë as në Malishevë, në Lipjan. As në Deçan, gjegjësisht në disa qendra votimi të kësaj komune, nuk asht ma mirë.

 

Po baj një analizë. Skenderaj e Drenasi, bastion i PDK-së, edhe këtë herë tregojnë se Drenica asht peng e shumëçkaje: e vorfnisë, e mbrapambetjes, e trysnisë politike.E pra pasanikët dhe miliarderët ma të mëdhej jo vetem të Dardanisë, por edhe të rajonit, janë pikërisht nga Drenica. Janë lidershipi i vetzgjedhun dhe i vetemnuem mbas luftes, i cili, në emën të luftes, gjoja se kishte luftue, uzurpoi institucionet dhe me ndihmen e frikës dhe të tytave të pushkëve, të ndihmuem nga SHIKU, përvetësuen pothuej gjithçka prej pronave shtetnore, ashtu edhe atyne private, kur pronari nuk ka qenë i pranishëm për shkaqe se asht ikë diku jashtë shteti, ose asht vra e nuk jeton ma.

 

Në kushte të tjera pra, jo në ethet e zgjedhjeve, po të bisedojë njeriu me qytetarin drenicak, ai i flet njëmijë të zezat për lideret e vet, bile edhe ma keq se sa unë kam bindjen dhe po e them pa ndruejtje këtu për këta pseudolider. Mirëpo, kur po vijnë zgjedhjet, për inat të LDK-së së Ibrahim Rugovës, për të cilin këta kanë një urrejtje patologjike, që ua ka futë në krye lidershipi i LPK-së dhe SHIKu drenicak, këta e votojnë PDK-në, nga frika mos po fiton LDK-ja. Kjo tregon se sa asht niveli i shkollimit, ai moral, ai njerëzor dhe atdhetar i drenicakëve të mashtruem. Ata e votojnë Thaqin dhe partinë e tij për inat ndaj LDK-së, e jo pse jetojnë mirë nën sundimin e kësaj partie dhe lidershipit të saj.

 

Keqvotime kishte edhe në disa vende në Malishevë, prap bastion i PDK-së. Në Lipjan poashtu bastion i PDK-së, por gjithmonë i rrezikuem nga LDK-ja. Dhe tash vjen pyetja: Vallë, a thue janë lideret lokalë të këtyne zonave apo komunave Skenderaj e Drenas që mashtrojnë qytetarët, apo janë qytetaret aq të poshtë me vetëdije dhe votojnë si t'u thuhet? E se  çka u thuhet dihet. Ndërsa isha tue shkrue këto radhë, papritmas m'u lajmrue me MSM ai anadrinasi që ma ka dërgue atë shkrim me pamfletet islamike. E ndërpreva shkrimin për pak dhe bisedova me të. Ai më tha se, sa i perket pamfletit me parulla islamike, kjo ka qenë si fletushkë dhe se asht shpërnda gjithandej nëper gjithë Dardaninë. Tanë ditën ka qenë kolonat e njerëzve para xhamisë në Klinë për ta marr atë pamfletë, që do t'i udhëzonte si me votue. Asht shpërnda mbasi dy apo tri ditë ma parë Hashim Thaqi ishte takue me kryemyftiun Naim Ternava. Kjo verteton bashkpunimin e kryeministrit të shtetit me liderin fetar musliman, i cili, simbas Kushtetutës, nuk duhet as nuk mund të guxojë të perzihet në politikë. Asht kryeministri që i jep atij sinjalin e gjelbër dhe mandej, pse jo, i ashtuquejtuni Forum Islamik i Kosovës ban fletushkën, që pa asnjë dyshim ka ndikue me të madhe në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

 

PDK - istët nga disa fshatna të Anadrinit, simbas një burimi që mora nga njoftimin, kanë marrë 40 magjupë të familjes Tarllamishi dhe i kanë çue për krahu deri te kutija e votimit. Ja, pra, se si i ka marrë në Klinë 40 vota PDK-ja e Hashim Thaqit. Burimi im po më thonte se kurrë nuk e kam dijtë që paska aq shumë magjupë të familjes Tarllamishi në RUDICA.

 

Krejt kjo për mue nuk do ishte aq e randësishme, sa më intereson fakti tjeter. Përsëri simbas të dhanave nga terreni, ministri në ikje, Dr. Enver Hoxhaj, nuk mori numrin e pritun të votave në zonën e tij të Suharekës. Dhe nëse kjo asht e saktë, padyshim se papfleti kundër Enver Hoxhajt, i publikuem nga Forumi Islamik i Kosovës, ka ba efektin e vet. I vetmi "mëkat" i z. Hoxhaj asht se ai pat sjellë një ndalim të përdorimit të mbulesave për nxanëset dhe studentet në shkollat dhe Universitetet e Dardanisë. Tash ky ministër asht në thumbin e sulmeve dhe bojkotimit të islamistëve shqipfolës.

 

Unë nuk ua shoh për të madhe këtyne, por çuditem se si lejoj shefi i zotit Hoxhaj, kryeministri në largim Hashim Thaqi, që kaq poshtersisht t'i nëpërmëkambet kolegu dhe nënkryetari i tij?!

 

Nga ato pamflete, padyshim, e ka pësue edhe z. Ilir Deda, sepse edhe atë e kishin sulmue ashpër. Mirë që nuk e kishin quejtë KAURR.

 

Nga krejt kjo del se PDK, si parti në pushtet, për ta rimarrë serishmi atë pushtet, veç pislleqeve e marifetleve të tjera që perdori, ka përdorë edhe karremin islamik të përgatitun nga Bashksia Islamike e Kosovës, sepse përndryshe nuk ka pasë pse të bante Hashim Thaqi takimin me Kryemyftiun Naim Tërnava në prag të zgjedhjeve. Nga ai takim ka dalë edhe ideja e përgatitjes dhe e shpërndamjes së pamfleteve islamke e antikombtare, nëpërmjet të cilvve sulmoheshin deri në denigrim mizor kandidatët për deputet të Parlamentit të Kosovës si z. Enver Hoxhaj, Ilir Deda etj, etj. 

 

Si qytetar kërkoj përgjigje pse ndodhi kjo, si u lejue nga shteti dhe pushteti përziemja e fesë islame, gjegjësisht e një sekti ekstrem të kësaj feje, në votimet për Deputetë të Parlamentit të Dardanisë.

 

Kush sundon në Dardani, Kushtetuta dhe Ligji, apo Forumet islamike e xhamitë turko-arabe?!

 

Selim Mustafë Hasanaj

Sarpsborg

Norvegji

18.12.2010

 

 



(Vota: 46 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx