Mendime
Arbëresh Dalipi: Konvertimi i votës dhe shitja e shqiptarit
E premte, 17.12.2010, 10:58 PM
Konvertimi i votës dhe shitja e shqiptarit
Nga Arbëresh Dalipi
Në një situatë normale, pas rezultateve preliminare, do të merrja në telefon këdo nga pjesëmarrësit në garën zgjedhore për t'i uruar fitoren. Këtë nuk e bëra, për disa arsye.
Realisht, nuk di kë të uroj më parë: fshatarët, lopët, dhitë, apo kandidatët! Këta të fundit assesi, sepse nuk arrij të bëj një ndarje, e cila mendoj se është esenciale. Nuk di për cilën pjesë të rezultatit t'i uroj! Për atë pjesë që kanë vjedhur, për atë që kanë paguar apo për atë që realisht kanë marrë nga qytetari!
Nëse deklarimet e partisë që pretendon se ka fituar numrin më të madh të votave bazohen në fitore të pastër nga vota e lirë e qytetarit, kjo është e pranueshme për mua vetëm nëse jemi pajtuar me faktin se votat e blera dhe ato të vjedhura janë bazamenti i kësaj partie dhe pas tyre votat e qytetarit janë ato të cilat e nxjerrin atë si fituese mbi të tjerat.
Tek ne, mjerisht, ka devalvuar dinjiteti njerëzor. Shqiptari nuk është më ai që ka qenë, ose s'ka qenë kurrë ky që është sot. Shqiptari po shitet për pak pare! Partia që u krekoska me votat, po harron se ka bërë një krim shumë të madh, një krim mbi dinjitetin e shqiptarit.
Kriminelë, militantë të partisë, me veturat e shtetit, bënë prostitucion me votuesit në ditën e zgjedhjeve. Në shkëmbim të favoreve, blenë vetëm për një natë, moralin dhe dinjitetin e shqiptarëve. E blenë shqiptarin sepse e gjetën të varfër, të nënshtruar dhe të frikësuar, për të cilën gjë përsëri janë përgjegjës.
Nuk do t'i akuzoja kurrë se i blenë votat me nga dhjetë euro. Blerja e votës si numër, nuk është brenga ime. Brenga ime është blerja e shqiptarit. Bosët e krimit të organizuar, në këto zgjedhje, blenë shqiptarë me nga dhjetë euro.
Këta analfabetë, me zhvillim të vonuar mendor, e me të kaluar të dyshimtë patriotike, bënë që shqiptari të shitet, dhe për këtë vetëm ata janë të lumtur.
Për sa kohë shqiptari të mbetet i nënshtruar, i varfër dhe i kërcënuar, kriminelët janë të lumtur se mund të blejnë edhe vota të tjera. Këta hajna e tradhtarë të kombit, e kanë sjellë shqiptarin në këtë ditë, që ai të shitet për dhjetë euro. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e popullit shqiptar...
Ju them hapur se ata blenë edhe vëzhguesin që kisha dërguar në emër të partisë, një shqiptar të varfër me dinjitet të përdhosur, të cilin e kisha dërguar për të ruajtur votat e mia.
Ata blenë edhe shokët e mi më të ngushtë, të cilët ma kishin fotografuar votën për të më bindur se më kanë shok, porse nuk guxonin ta deklaronin hapur sepse ai po u jepte para për ta mbështetur.
Ata blenë edhe djalin e axhës tim, për të cilin nuk mendoja se do shitej deri kur shtëpinë e tij e pashë të mbështjellë me posterët e mëdhenj të kandidatit që vodhi drogën në polici. Me fotot e kandidatit, që në shtabin e tij zgjedhor kishte së paku katër persona të dënuar më parë për trafikim droge.
Shtoi kësaj edhe dyshimin për vetë kandidatin, ish-ministrin e policisë, i cili ishte përgjegjës për rastin e drogës në polici! Si mund të luhej fer, a si mund të fitoja nga ky bos i karteleve të drogës?! Si mund të luaja kundër bosëve me vetura qeveritare, të cilët me para në dorë blinin votuesit nga jashtë qendrës dhe dikë që s'arrinin ta blinin edhe e kërcënonin?!
Me çka nuk u ndërrua vota me 12 dhjetor. Me 3 euro mbushje telefoni, me 10 euro kesh, me shtrim zhavorri para shtëpisë në ditën e zgjedhjeve, me një rezervuar benzinë e cila jepej me kuponin me vulën e partisë, me fidanë, me darka, me vaj, me pak miell e me gjëra të tilla qesharake si dhi e lopë.
Pyes veten dhe të tjerët, ku mbetet vlera e qytetarit si votues, kur vota e tij shkëmbehet me një lopë!... Nuk e kuptoj se a vendosi lopa për të votuarin, apo vendosi votuesi për lopën! Në këtë plan humbet tërësisht marrëdhënia "votues-i votuar", sepse në këtë proces kemi lopën në mes! Në këtë proces, ka një gjë të dukshme - fshatarët votuan dhe tani i kanë lopët!
Në anën tjetër, s'arrij t'i kuptoj as fshatarët që dhanë një votë për të marrë një dhi! A votuan për dhinë apo për partinë?! Është relevante për mua, që s'kisha dhi në zgjedhje, që të di t'i ndajë votat e atyre që dua t'i uroj për fitoren, sa vota i kanë me dhi e sa i kanë pa dhi! Për ato që i kanë pa dhi, do t'i uroj me gjithë zemër, por qe do që i kanë futur në një kuti votat me dhi e votat pa dhi...
Kjo parti, që kishte dhi, edhe në zgjedhjet e kaluara mori vota me dhi edhe në këto zgjedhje, ka për të marrë vota me dhi edhe në të ardhmen. Nga ky fakt, nuk jam optimist se me përsëritjen e zgjedhjeve do të zgjidhet gjë. Këta njerëz prapë munden me dhi... se ky popull do dhi, jo shtet!..
(Autori ishte kandidat në listën e partisë FER dhe është anëtar i Këshillit Drejtues të kësaj partie. Në këtë shkrim, qëndrimet e tij janë personale dhe nuk paraqesin qëndrimin e partisë)