Mendime
Dorian Koçi: Misioni fisnik i Lëvizjes Vetëvendosja
E merkure, 15.12.2010, 10:59 PM
Misioni fisnik i Lëvizjes Vetëvendosja
Nga Dorian Koçi
Zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën në Kosovë në 12 dhjetor kanë tërhequr dhe do të vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e komunitetit botëror. Një grumbull analizash dhe parashikimesh vërshuan në shtypin e shkruar për të analizuar qartë jo vetëm përqindjet që do të marrin partitë e ndryshme politike, aleancat e mundshme që do të krijohen pas zgjedhjeve dhe mbarëvajtjen e tyre si një provë e sistemit demokratik liberal në Kosovë por dhe impaktin e tyre në shoqërinë e brishtë të Kosovës dhe fillimin e profilizimit të partive politike që pasi kanë zgjidhur qartë çështjen e shpalljes dhe njohjes së pavarësisë nga komuniteti ndërkombëtar do të fillojnë të qartësohen në bazë të alternativave të tyre partiake dhe ideologjive përkatëse. Në këtë mënyrë ashtu si besohet gjerësisht nuk do të mund të shohim sërish qeveri të ndërtuara në bazë të interesit shtetëror për konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe njohjen e pavarësisë por do të kemi qeveri që do të fillojnë të mendojnë seriozisht për vënien në zbatim të platformave të tyre partiake sipas konceptit modern të të qeverisurit ku ata që qeverisin në emër të zgjedhësve të vet përveç angazhimit politik për të çuar përpara kauzat do u duhen të japin dhe llogari njëherë në katër vjet përballë elektoratit të vet.
Në pamje të parë kjo duket është ecuria e një procesi të gjatë që nisi me ndërhyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë më 1999 dhe fillon e hedh shtat në Kosovën e pas pavarësisë më 2010. Duke vëzhguar me kujdes ecurinë e këtyre viteve një vëzhgues i jashtëm mund të nxjerrë përfundimin se demokracia ka filluar të punojë dhe do të japë frytet e saj të parë. Gjatë kësaj kohe partitë politike kosovare janë maturuar për të arritur shpesh herë konsensus dhe kompromiset e nevojshme për problematikën e veçantë që ka pasur vendi. Të gjitha partitë politike në Kosovë kanë rënë dakord se prania ndërkombëtare në Kosovë ka bërë të mundur që kjo klimë të mbisundojë në mjedisin politik kosovar pasi shpesh herë ajo ka qenë dhe pagëzuesja dhe kumbari i këtyre kompromiseve. Asnjëherë në programet e partive politike në Kosovë nuk ka pasur shenja bezdisëse ndaj kësaj ndërhyrje apo nervozizëm të shprehur drejtë për së drejtë , në të kundërt ka ekzistuar një ekzaltim dhe ndonjëherë adhurim të tepruar që shpesh herë ka marrë dhe doza servilizmi. Shpesh herë në emër të kësaj pranie janë justifikuar dhe politika të mbrapshta duke i përkthyer ato si vullnet i ndërkombëtarëve, duke shprehur herë-herë keqardhje se do të donin të vepronin ndryshe por nuk mundin. Për më tepër të gjitha partitë politike kosovare kanë rënë dakord që modelin e shtetit më të ri të Evropës ta ndërtojnë në bazë të modelit shumëkombësh dhe këtë model ta sanksionojnë në kushtetutën e tyre edhe pse lëvizjen e tyre gandiste në vitet 90 dhe më pas kryengritjen e armatosur e kishin bërë për të siguruar aspiratat e kombit të vet që numëron 92% të popullsisë të shtetit të Kosovës.
I vetmi zë i kundërt dhe i veçantë në gjithë këtë kinse idil zbatimi të demokracisë së drejtë për së drejtë është lëvizja Vetëvendosja me platformën e vet. Lëvizja Vetëvendosja në Kosovë ka habitur një pjesë të madhe të opinionit vendas dhe të huaj pasi në kundërshtim me atë çka mund të prisnin shumë analistë dhe vëzhgues të ngjarjeve në Kosovë pas një investimi të madh të bashkësisë ndërkombëtare për ndërtimin e një shoqërie shumëkombëshe e përfaqësuar dhe në flamurin e republikës së Kosovës ka filluar për herë të parë në këto dhjetë vjet të lirisë kosovare të artikulojë saktë mendimin tjetër politik kosovar. Tashmë qytetarët e Kosovës kanë para tyre një alternativë të ndryshme nga politika zyrtare e deritanishme e Prishtinës pasi Vetëvendosja po përçon mesazhin e ri e bashkimit kombëtar të shqiptarëve andej e këndej kufirit dhe kërkesën e llogarisë ndaj pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Të dyja këto hapa bazohen në logjikën e thjeshtë të ngjarjeve dhe situatave se nëse do të administrosh një territor , së pari duhet ta zotërosh atë dhe së dyti ai qeveriset nëpërmjet vullnetit të shumicës së popullsisë që banon aty. Këtë mesazh, Vetëvendosja po e përcjellë me një gjuhë të drejtë për së drejtë dhe jashtë klisheve të detyruara të gjuhës së drunjtë të zgjidhjeve të detyruara dhe heshtjes totale ndaj një nga problemeve kryesore që nisi e gjithë përpjekja fisnike e lirisë në vitet
Në fakt ky është zhvillimi më i rëndësishëm historik i ngjarjeve shumë më tepër se përllogaritja e përqindjes së marrjes së votave në zgjedhje nga lëvizja Vetëvendosja. Edhe pse sondazhet e fundit e përllogaritën atë si forca e tretë në vend, numri i zgjedhësve që do ta votonin mesazhin e saj me zemër dhe jo me preferenca partiake si votojnë zakonisht shqiptarët, mund të jetë shumë më i madh në Kosovë. Sigurisht që këtu nuk bëhet fjalë për karizma personale si mundohen disa analistë ta lidhin popullaritetin e Vetëvendosjes me emrin e Albin Kurtit, por për mesazhin që përmban në vetvete kjo lëvizje. Një qind e tridhjetë vjet më parë Fuqitë e Mëdha filluan ta riformatojnë hartën e Ballkanit në përmjet bombardimit të qytetit të Ulqinit për të zbatuar një nga vendimet e mbrapshta të Kongresit të Berlinit që ishte dorëzimi i qytetit me popullsi shqiptare mbretërisë së Malit të Zi. Ishin po këto pasardhëse të këtyre Fuqive të Mëdha që njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet më vonë bombarduan Beogradin për t’u sjellë lirinë e mohuar atyre që aq lehtë u kishin sakrifikuar fatin historik në Konferencën e Londrës. Kombi shqiptar i të dy anëve të kufirit sigurisht që është mirënjohës këtij vendimi fisnik të rikthimit të lirisë së munguar por ashtu si në fjalët e heroit kombëtar të shqiptarëve që na vinë përmes Barletit që “lirinë nuk e kish sjellë Ai(Gjergji) por e kish gjetur mes shqiptarëve” ka ardhur koha që liria mes shqiptarëve të të fillojë të lulëzojë. Misioni fisnik i Lëvizjes Vetëvendosja është një gur themelor drejt lirisë.