E premte, 02.05.2025, 09:48 AM (GMT+1)

Mendime

Erjus Mezini: Vrasja e Identitetit

E hene, 13.12.2010, 08:31 PM


Vrasja e Identitetit

 

Nga Erjus MEZINI

 

"Jam vrasësi i identitetit, më thuaj çfarë identiteti ke?"

Nëse dikush ju drejtonte dikur një pyetje të këtij soji, do kishit guximin t'i përgjigjeshit? Jo, është përgjigja e duhur. Por ja që vrasësit e identitetit po planifikojnë këtu e gjashtë vjet një regjistrim popullsie ku çdokush ka të drejtën t'i shfaqi identitetin një shteti pa identitet. Ata na premtojnë se çdo gjë do bëhet në mënyrë të lirë dhe sekrete. Këtu pikërisht ndodhet edhe thelbi i problemit. Si mundet identiteti të kthehet në diçka sekrete? Domethënë nëse dikush është rom apo shqiptar me ngjyrë dhe nuk e fsheh dot identitetin e tij për shkak të tipareve fizike, çfarë bën shteti shqiptar për ta mbrojtur atë? Nëse romët nuk gjejnë mundësi të punësohen në sektorin privat apo publik për shkak të identitetit të tyre si mundet ky shtet të sigurojë kultivimin normal të traditave dhe të identitetit të këtij grupi social?

Qeveria shqiptare nuk ka asnjë lloj përgjigje mbi këto pyetje. Nëse vërtet doni të dini se çfarë bën shteti shqiptar për romët dhe shqiptarët me ngjyrë pyesni vetë romët dhe shqiptarët me ngjyrë. Ja vlen të shënohet se shumë nga këta individë me ngjyrë që i rastis nganjëherë duke gërmuar koshat e plehrave në Tiranë, kanë vetëm një kombësi e një fe. Janë shqiptarë-myslimanë. Kjo ishte edhe fatkeqësia tyre më e madhe në Shqipërinë moderne. Meqenëse të qënurit shqiptar nuk të siguron pothuajse asgjë përveçse një karte identiteti që e paguan nga xhepi yt (ndërkohë kur bamirësit islamik, në kundërshtim me ata kristianë, janë çrrënjosur nga sipërfaqja shqiptare për shkak të masave anti-terrorizëm), këtyre shqiptarëve me ngjyrë shteti iu jep dy alternativa:

1) të vrasin veten

2) të vrasin identitetin e tyre

Mungesa e guximit për të vrarë veten dhe paaftësia për të ndryshuar identitet për shkak të tipareve fizike i lejon disa romëve të vazhdojnë jetën e tyre, por kësaj radhe duke gërryer kazanët e Tiranës dhe duke lypur përdhe -gjysmë shqip dhe gjysmë greqisht- aty tek kisha e Janullatosit në Rrugën e Kavajës. Kjo me pak fjalë është mënyra sesi shteti shqiptar të siguron mbrojtje të plotë të lirisë së identitetit. Mjafton, që identiteti yt, në kundërshtim me identitetin e romit, të ruhet dhe të deklarohet vetëm në mënyrë sekrete. Por nëse ti bën gabimin dhe shpreh identitetin tënd haptazi, atëhere shteti shqiptar ngre duart lart dhe të lë në fatin tënd. Siç është identiteti shqiptar një koncept sekret dhe abstrakt ashtu është edhe mbrojtja që ofron shteti shqiptar.

Pra nëse ke dëshirë të shprehësh identitetin tënd ti duhet t'i drejtohesh konsullatës greke, sheikut arab, shtetit italian, ambasadës amerikane, pastorit kanadez, por edhe vet kryeministrit rumun. Ky i fundit kreu edhe një vizitë në Shqipëri vetëm për të vëzhguar nëse kishte mbijetuar ndonjë etnik rumun midis komunitetit arumun të Shqipërisë. I njëjti person kur vizitoi Athinën disa ditë më pas qepi gojën dhe nuk nxori asnjë nga ato fjalimet e bukura që dëgjuam në Tiranë, megjithëse në Greqi jeton komuniteti më i madh arumun i gjithë Evropës. Me sa duket Athina nuk mbron identitetin sekret si Tirana por vetëm identitetin e deklaruar nga shteti.

Po si do mundej fundja shqiptari, greku, arumuni, serbi, kristiani, myslimani, ateisti, homoseksuali etj., t'i ankohen shtetit shqiptar se identiteti i tyre nuk mbrohet mjaftueshëm kur ky i fundit simbolizon mungesën e identitetit? Nëse ky shtet është shteti i shqiptarëve, pse dy të tretat e shqiptarëve nuk jetojnë në Shqipëri? Nga buron kjo e drejtë të flasësh në emër të shqiptarisë kur shqiptarët janë të ndarë në katër apo më shumë shtete, ndërsa shtetasit e Shqipërisë detyrohen të braktisin vendin? Është shqiptaria vetia e këtij shteti, apo thjesht justifikimi? Nëse Shqipëria është shtet mysliman pse kushtetuta shqiptare nuk përmend asnjë fe? Nëse ky shtet është kristian pse kemi kaq shumë myslimanë? Nëse ky shtet është laik pse kjo mani me shenjtoren Tereza (kur kontributi i saj mbi popullin shqiptar është një pikëpyetje e madhe)? Pse në këtë shtet laik mundet çdokush importoj helmin e tij sektar?

Dikush po ashtu do pyeste me vend: çfarë mbrojtje identiteti mund të presësh nga një shtet që udhëhiqet nga njerëz pa identitet?

Nga gjithë deputetët shqiptarë vetëm për dy persona mund të flitet me saktësi se çfarë identiteti kanë: për grek-ortodoksin Vangjel Dule dhe për katolikun Nard Ndoka. Për nder, sigurisht, i qoftë të dyve. Normalisht do të ketë edhe disa të tjerë që e shprehin identitetin haptazi, por moda në politikën shqiptare është "as mish as peshk". Në Shqipëri ti mund të quhesh Ismail dhe të jesh predikues i Biblës, por mund të të quajnë edhe Sokol dhe të recitosh pjesë kuranore para gazetarëve. Moda evropiane është që politikanët të mos marrin pozicione fetare, por sidoqoftë identiteti i politikanëve është i njohur tek qytetarët. Gjithashtu në disa raste kryetarë partish nuk ngurojnë të deklarojnë edhe homoseksualitetin e tyre. Është tjetër gjë të mos tregosh përralla me Zotin -siç e kanë zakon presidentët republikanë në Shtetet e Bashkuara- dhe tjetër gjë të mashtrosh qytetarin për besimet e tua. Nëse dikush në parlamentin shqiptar, për shembull, i beson një sekti që predikon se bota do përmbyset në 2012-tën, unë si votues do të kisha dëshirë ta dijë emrin e tij dhe të votoj dikë tjetër që ka një plan më optimist për Shqipërinë e vitit 2012. Duket disi absurde, me pak fjalë, që qeveritarët t'i kërkojnë qytetarit të deklarojë identitetin e tij fetar kur vetë ata nuk bëjnë diçka të tillë.

Faktikisht, problemi me politikanin shqiptar është akoma më i thellë. Ai jo që nuk ka identitet fetar por ai nuk ka as ideologji. Mjafton dikush të shikoj aleancën që udhëheq sot vendin e të kuptoj se çfarë ideologjie kanë këta njerëz. Akoma më ekzemplar është rasti i "martirëve" të PBDNJ. Kjo parti që nuk pushon kurrë së akuzuari Tiranën për shtypje të minoritetit grek, nuk para vështirësohet të krijoj koalicione qeveritare dhe fronte elektorale si me PS-ën ashtu edhe me PD-ën. Bile justifikimi i tërheqjes nga koalicioni me PD-ën në votimet e fundit ishte se Partia Demokratike bëri kompromis me Partinë për Drejtësi dhe Itegrim që mbron të drejtat e komunitetit çam. Ajo që harruan zotërinjtë e PBDNJ-ës të sqarojnë ishte se ç'lidhje kishte aleanca PD dhe PDI me të drejtat dhe pozicionin e minoritetit grek në Shqipëri? Domethënë nëse Berisha (që PBDNJ e ka kthyer në simbol të "grekëngrënësit" siç bën edhe me Enverin) vazhdonte akoma politikat anti-minoritare, Dule me Bollanon nuk do e kishin problem të bashkëpunojnë me të, por meqenëse aleanca PD dhe PDI shkakton ankth në Athinë atëhere ky bashkëpunim është i palejueshëm. Ky pra na qënka edhe identiteti i politikanëve të PBDNJ-ës.

Ultimatumi i Komisionit Evropian kundrejt vendeve të Ballkanit, duke përfshirë edhe Greqinë, që të kryejnë këtë regjistrim të popullsisë ka ngjallur polemika dhe stres në të gjitha shtetet pa përjashtim. Në rastin shqiptar besimi se minoritetet do duken më të mëdha se ç'janë është krejt i gabuar. Shteti shqiptar dhe PBDNJ nuk kanë bërë pothuajse asgjë që minoriteti grek, për shembull, të kthehet në tokat dhe shtëpitë e veta. Dhe kur flitet për minoritetin grek nuk duhet harruar që bëhet fjalë për atë segment të shoqërisë shqiptare që ka emigruar më shumë se çdo grup tjetër. Gjithashtu, autobusët falas të Athinës dhe Omonias mund të ndryshojnë votimet lokale ku postet bashkiake luhen për disa vota, por nuk mund të ndryshojnë numrin total të minoritarëve në shoqërinë shqiptare. Athina ka çdo shkak që të druhet se regjistrimi i popullsisë do tregoj rritjen e minoriteteve në Greqi. Por në Tiranë një frikë e tillë është e tepruar.

Problemi i regjistrimit të popullsisë nuk është se do duken grekët, ortodoksët, apo ndonjë grup tjetër, më të mëdhenj në numër. Problemi është se Komisioni Evropian po pyet shqiptarët mbi diçka që ata nuk e njohin mirë. Identiteti tek ne është diçka e huaj. Në Evropë identiteti u krijua nga forca të brendshme, në Ballkan dhe trojet shqiptare identiteti u krijua nga forca të jashtme. Ne jemi shqiptarë sepse nuk na pëlqen të na thërrasin turk, grek, ose serb. Por ja që nganjëherë dalin disa himariotë dhe i thonë vetes grek vetëm sepse nuk iu pëlqen t'iu thërrasësh shqiptar. Midis këtij aspektit konfliktual e të qenurit shqiptar, grek apo diçka tjetër, ata zgjedhin identitetin grek sepse nga ky dyluftim greku duket më "i fortë" se shqiptari. Por kushërinjtë e himariotëve në Kalabri e gjetkë, megjithëse emigruan atje në shekullin e 17-të dhe të 18-të, vazhdojnë akoma edhe sot duke i thurur këngë shqipe Skënderbeut dhe gjithë Arbërisë. Ata jo që nuk i detyroi njeri të flasin shqip, por ata vetë detyruan shtetin italian që të njohi gjuhën e tyre arbëreshe si gjuhë lokale. Themeluesit e Qendrës Studimore-Gjenealogjike Arbëreshe (Centro Studi Genealogia Arbereshe), në një projekt serioz që ka zgjatur mbi pesëmbëdhjetë vjet, kanë hartuar pothuajse të gjitha origjinat krahinore të arbëreshëve dhe aty ka shumë komunitete me prejardhje nga Himara, dhe nga fshatra e qyteza të Shqipërisë apo Greqisë ku Shqipja sot është praktikisht e vdekur dhe banorët urrejnë çdo simbol shqiptar.

Me pak fjalë himariotët e Kalabrisë dhe Siçilisë, në kundërshtim me ata të Shqipërisë dhe të Greqisë, ndoqën modelin italian të identitetit por jo atë ballkanas. Në Itali mund të jesh edhe Arbëresh edhe Italian, edhe Napolitan edhe Italian etj. Në Ballkan këto gjëra janë të palejueshme. Midis konfliktit të ritit grek dhe kombit shqiptar, himariotët e Bollanos thirren të zgjedhin ose njërën ose tjetrën. Të dyja bashkë, në gjuhën e Bollanos, nuk bëhen. Ky gjithashtu ishte edhe fati i mirë i ortodoksëve arbëresh. Kisha e tyre bizantine administrohet nga Vatikani dhe jo nga Patriarkana, e cila ka përqafuar nacionalizmin grek përgjatë dy shekujve të fundit. Që të bindet dikush mbi këtë mjafton të shikoj problemet që kanë krijuar klerikët grek edhe në shtete të tjera ku ka popullsi që praktikojnë ritin bizantin. Gjithashtu ky fakt duhet të na qetësoj me kuptimin që në Athinë nuk ka politikë të ndryshimit të kufijve. Thjesht Athina, ashtu si Tirana, nuk është në gjendje të kontrolloj diasporën e vet apo qarqet e ndryshme nacionaliste.

Në mbyllje të këtij shkrimi do shtoja se Olli Rehn dhe komisionerët e tjerë presin nga Shqipëria identitetin me shifra. Në Prillin e ardhshëm Komisioni Evropian do marri atë çka pret. Por Shqipëria me deklarimin e shifrave nuk e ka zgjidhur problemin e saj. Ne nuk duam shqiptarë e grekë që ekzistojnë vetëm në numra. Ne duam një shtet serioz ku çdokush zhvillon lirshëm identitetin dhe aktivitetin e tij, ndihmon komunitetin e tij dhe bëhet kështu faktor zhvillimi dhe emancipimi. Minoriteti grek i ka ofruar shumë shërbime Shqipërisë dhe do mundej t'i ofroj akoma më tepër. Duke krijuar një shtet shtypës ose gjysmak që nuk ofron të drejta sociale dhe edukim të duhur, minoritarë dhe individë me eksperienca të caktuara largohen kurse pjesa tjetër e popullsisë ligështohet dhe krijon një situatë konfliktuale dhe irracionale. Në këtë lloj shoqërie identiteti nuk zhvillohet por shtypet dhe tjetërsohet. Bashkimi Evropian dhe Shqipëria, fatkeqësisht, nuk përdorin të njëjtën gjuhë kur i referohen identitetit.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx