E enjte, 24.07.2025, 10:38 PM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: Nekrologjia e një komunikimi

E diele, 12.12.2010, 08:50 PM


NEKROLOGJIA  E  NJË   KOMUNIKIMI

 

Nga Fadil LUSHI

 

Të nderuar lexues! Është e drejtë e çdonjërit që shkrimet e gazetave t’i lexojë me inat, disa me kureshtje (jo) të veçantë, sa për të hetuar gjymtime në drejtëshkrim a per te kërkuar “qime në vezë”. Disa do mundohen që nëpërmjet këtyre opinioneve të ndërtojnë komunikim sui generis me autorët si unë, që mëtoj që këtë shkrim ta filloj me një segment nga privatësia e kolegut, I.., i cili prej ditës që ka fituar statusin e gjyshit ka ngelur jashtë çdo komunikimi familjar, respektivisht është në “aut”, mos të themi është i “papërfillshëm”, madje: i nënpërfaqësuar. E gjithë kjo është produkt i foshnjes, ndaj të cilës e gjithë familja përkujdeset dhe ai vet që e dashuron çmendurisht. Dhe ky, një ditë i ankohet doktoreshës se foshnja nuk ka të ndalur së qari? Shihe ti këtë!, ia kishte kthyer hazër-xhevapin doktoresha Remzije (të cilën fëmijët dhe nënat e tyre e kanë për xhan), Mos vallë ti I.., deshe që foshnja të këndojë “llajf”?! Tekefundit, fëmijët e kësaj moshe (që pa fije dyshimi ia shtojnë vlerat morale familjes shqiptare) me rrethin më të ngushtë familjar komunikojnë duke qarë, thjesht bëjnë një komunikim fillestar (primitiv), gjegjësisht një komunikim sui generis, jo të njëanshëm, të sinqertë dhe pa hile, ndonëse ata që nuk e kuptojnë këtë, do thonë se ky komunikim është jashtë çdo standardi, i zbehtë dhe kinse si i tillë nuk mund të konceptohet si institucion psikik e as fizik. Përkundrazi, në instancë të fundit, ky komunikim i kësaj foshnje është një komunikim joverbal por që përcjell mesazhe të qarta dhe humane, mesazhe këto që mund t’i lexojnë dhe t’i kuptojnë vetëm prindërit biologjikë, specialistët e Psikologjisë fëmijërore si dhe mjekët e kësaj kategorie.

   Në krahasim të foshnjes së lartpërmendur dhe të tjerëve të tillë si ajo që s’do mend janë nismëtarë e “ndërtimit” të filleve të komunikimit të sinqertë dhe të drejtë, partitë politike shqiptare gjithandej trevave  të Shqipërisë londineze, komunikimin e tyre do ta arkitektojnë në emër të protagonistëve të vjetër të rinjë, jo të besueshëm, jo të qëndrueshëm dhe në instancë të fundit është një komunikim që më shumë i përngjan një komunikimi të bashkëshortëve të inatosur që presin para dyerve të gjykatës së korruptuar, për tu divorcuar, një çift që dialogon me ndihmën e avokatëve. Është një komunikim kryekëput denigrues, zhurmues, djallëzor, mohues dhe akuzues ku përjashtohet çdo hapësirë për tolerancë, përjashton fajtorët dhe xhentëllmenët politik, një komunikim që do të karakterizohet me sjellje ofenduese dhe kërcënuese, një komunikim toptan i zhveshur nga kostumi edhe asaj pak etike që i ka mbetur.Janë protagonistë politikë të cilët lëre që do ta çzyrtarizojnë platformën politike të partisë së tyre por edhe do ta çnatyrojnë gjuhën, verdiktin dhe votën e lirë (deliberative) të votuesit të tyre. Kështu siç “ndërtohet” ky komunikim jologjik dhe jonatyral, ndërmjet partive politike shqiptare, të lë përshtypjen se është i përjashtuar nga çdo rregull e mirësjelljes.

    Në kuadër të këtyre komunikimeve të sajuara dhe të gjymtuara, shqiptarët, nuk do të harrojnë të betohen për Zot, ca të tjerë do të betohen për hazreti Muhamed, ca të tjerë për Krisht e kryq, disa për vatan, ca për doktorin e disa për mjekrën e Fatos Nanos, kosovarët do betohen për institucionin e familjes së Jasharajve, ca të tjerë ashtu, heshturazi dhe ndër dhëmbë, do të betohen për marksizëm, leninizëm, enverizëm dhe komunizëm e tjerë lloje dhe formula betimesh!?  Njerëzit e rëndomtë që mëtojnë ta njohin teorinë e politikës, do u besojnë edhe politikanëve, në veçanti të atyre të Shqipërisë politike dhe Kosovës, politikanë, të veshur me të njëjtin kostum politik, të cilët në vijimësi do aktrojnë politikanin aristokrat, të tjerët politikanin komunist dhe të tjerët politikanin e  moderuar-evropian, toptan do të aktrojnë çmendurinë, dhe megalomaninë, vë mënjanë Albin Kurtin dhe “Vetvendosjen” e tij. Andaj, ata edhe më gjithë këto gjymtime të vërtetuara, do të vazhdojnë t’i referohen përvojës dhe filozofisë së retorikës së tyre, gjegjësisht, retrospektivës së tyre kompromentuese, adoleshente dhe diletante!? Pos këtyre komunikmeve “standarde”, në kryeqendrën e Shqipërisë politike do të hetohet edhe i ashtuquajturi komunikim politik ndërpartiak, i njëanshëm dhe dominues, në atë nën-kryeqztet  ku të tjerëve nuk u jepet mundësi ta thuajnë llafin autokton, jo vetëm politik po edhe kulturor dhe gjeografik pavarësisht se në vijimësi transmetojnë një politikëbërje krejt tjetërfare, filozofi, etikë dhe transparencë.

     Një komunikim tjetër, që hetohet këtu në shtetin biblik Maqedonas, konceptohet ashtu thjesht si amorfe, shterpe dhe nuk shkon përtej oborrit të gjeografisë së tij. Në komunikimin verbal (qoftë ai medial apo i shkruar) të partive politike në Kosovë, hetohen  më shumë aspekte emocionale se sa racionale dhe ajo që është racionale i takon “Vetvendosjes”!  Në të gjithë këto komunikime do të evidentohet dimensioni i urrejtjes së tërbuar, dimensioni i absurdit, atij të korrupcionit të organizuar, dimensioni i pseudopatriotizmit, dimensioni i folk-patriotizmit, dimensioni i premtimeve “jallane”, joreale, shterpe dhe të rreme dhe, fare pak, dimensioni i vizionit dhe ai i vetëdijes-ndërgjegjes kombëtare. Në kuadër të këtyre komunikimeve, pos thashethemeve, fjalëve te vrazhdëta dhe fjalëve veresie, nga ndonjëherë të merr malli të dëgjosh një fjalëbutë, një fjalë qytetarie, një llaf serioz e tjerë llafe!??

    Gojëkëqinjtë, sehërxhinjtë, sherrxhinjtë, recidivistët provincial si dhe njerëzit që janë laik të politikës do vazhdojnë me avazin e vjetër, t’i “besojnë” të gjithë djallëzive dhe buzëqeshjeve tinëzake të politikanëve gjithandej trevave shqiptare. Disa do të thonë se gjithë ky komunikim ndërshqiptar, ndërpartiak po edhe ndërkrahinor kinse  është i kurdisur nga qarqe politike antishqiptare!? Ku ta dijë njeriu? Unë nuk e di, sepse për këtë më mungojnë faktet dhe provat po le të jenë ato edhe prova bindëse.

Të gjithë komunikimet e deritanishme mes partive politike shqiptare, padyshim se janë karakterizuar me një sjellje skajshëm agresive, një komunikim që edhe definitivisht do ta përdhunojë atë perspektivën e qartë dhe te ndritur, karshi bashkimit kombëtar gjegjësisht krijimit të Shqipërisë natyrale. Edhe kritika e specializuar (gjithsesi ajo neutrale) që do mëtoj të merret ma analizën e politikave krahinore të shqiptarëve, do ngel jashtë lojës gjegjësisht në “aut” si gjyshi i këtij shkrimi thjeshtë, nuk do arrij dot të jap një shpjegim të arsyeshëm për prezancen e inateve histerike ndërshqiptare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx