Mendime
Bedri Tahiri: Drenicë (s’)jemi me ty!!!
E enjte, 16.12.2010, 10:59 PM
Paradokset tona
Drenicë (s’)jemi me ty!!!
Nga Bedri TAHIRI
Gjatë ditëve të “nxehta”, të fushatës parazgjedhore në Repulikën e Kosovës, njerëzit normalë e me dy kokrra mendë, në orët e mbrëmjes, o e kapnin kokën me duar e i mbyllnin sy e vesh, o i fiknin televizorët fare.
E pse, do të thuash ti i habitur, vëllaçko i nderuar ?!
Eh, sa punë e lehtë për ta ditur. Për të mos parë e dëgjuar banalitete e primitivizma paramesjetarë.
Dhe, kë shanin se?!
Shanin e shfrenin mbi ata që, me gjak e sakrifica, ua sollën Ditën e Bardhë- Lirinë. Shanin Drenicën, së cilës, para dhe gjatë gjithë luftës së fundit çlirimtare, i përkuleshin deri në tokë e i bënin temena si Krishti me temjan para Altarit të kryqëzimit.
Shanin gojëkëqinjtë, mendjemykurit e trutharët, ata që deri dje kishin zhvatur pamëshirshëm, si hijenat në skërma, nga kurrizi i popullit të shkretë. Obobo, sa keq!!! Kjo shfryrje e padrejtë e tekanjoze, si gjithë babagjanët zemërmirë, po më neveriste edhe mua tej mase.
Siç duket kështu e paska kjo jetëshkreta, me hile e me naze. Disa paskëshin qejf gjithëmonë e jetës të shkuakan kaluar. Ah, jo, zotërinj kokëkrisur, jo. Bota është e rrumbullakët dhe, siç tha Galileu, ajo rrotullohet. Pse shkuam aq larg ore, ja ku e kemi Mjedjen tonë mendjendritur që shkruante:
Bylbyl ky shekull
Orë e ças ndërrohet
Bien poshtë të naltit
E i vogli çohet…
Vallë, mos kaq shpejt e harruan historinë sehirxhinjtë që kakariseshin aq zhurmshëm, si pula kur e lëshon vezën, që s’vlen as pesë para e botën e çon në këmbë?! Apo, mos u ka hyrë djalli në shpirt dhe i ka trazuar e janë xhindosur saqë, nga mllefi e urrejtja, edhe e bardha u duket e zezë!
Mbase, po!!!
Veçse, kujdes, kjo nuk është mirë, sepse historia që harrohet, detyrimisht, përsëritet.
Sidoqoftë, mbamendja kombëtare na rikujton se Drenica, përherë, e mbajti ndezur flakadanin e lirisë.
A nuk qe Milosh Kopiliqi ai që ia nguli mu në zemër hanxharën Muratit I, i cili, më 1389, me hordhitë e përtej Dardaneleve na e përdhosi virgjinitetin e trojeve tona stërgjyshore?!
A nuk qenë drenicarët ata që ia dhanë flakën Sarajit turk më 1891 dhe Kahriman beun e bën të flasë me vete?!
Po Ahmet Delia, që me sëpatë i la pa kokë e pa mend cerberët e përtej Tunës më 1912?!
A nuk qe Hasan Prishtina, Truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, atdhetari e mendimtari që e përgatiti shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe, paskëtaj, nga smira e xhelozia, nuk e pranuan kryeministër më shumë së katër ditë?!
Po Azem e Shotë Galica, të cilët për 12 vjet rresht u qëndruan përballë tri perandorive më të mëdha të kohës dhe, atëbotë, më 1923, arritën ta formojnë bërthamën e parë shtetërore me emrin “Arbëria e Vogël”?!
E, në fund të Luftës së Dytë Botërore, a ishin Shaban Palluzha e Mehmet Gradica ata që ua thyen turinjtë brigadave serbo-partizano- çetnike”?!
A nuk qe Tahir Meha ai që më 1981 theu mitin e krijuar serb se policia serbosllave është e paprekshme?!
Po Adem Jashari, që ktheu dinjitetin e nëpërkëmbur të shqiptarëve dhe ndërroi rrjedhën e gjithë globit?!
Dhe, fare në fund, a nuk qe Hashim Thaçi ai që priu në Rambuje e në proceset më të rendësishme shtetformuese dhe ia grisi vellon e nusërisë Pavarësisë së Kosovës?!
Vargoi me dëshmi historike për zemrën e shqiptarisë, Drenicën, po qe nevoja, mund të zgjatet deri në pafundësi…
Por, ç’e do, të shkretën, kur tharmi ynë qenkësh zënë në kapërcyell të kontraverzitetit absurd!
Në fronte e në beteja, Drenica e drenicarët, gjithmonë të parët!!!
Në paqe e në liri, Drenica e drenicarët, gjithmonë të fundit!!!
Një paradoks apokaliptik.
Megjithatë, kësaj here, Fatthënat vepruan drejt e vendosen ndryshe.
Dhe, u doli fort mirë e mbarë.
Drenica dhe drenicarët ditkan edhe për të udhëhequr. Po, ore po. Ata nuk qenkeshin vetëm për luftë. Koha i vërtetoi besnikërisht të gjitha. Por, smirëzinjtë e babëzitur për pushtet e para, nuk po e honepseshin dot këtë marifet të mrekullueshëm. Shikuar hollë e hollë, nuk kishin edhe aq faj mjeranët. Jo, jo, nostalgjikët e mynxyrave të shkuara nuk mund të pajtoheshin dot me realitetin. Ata, të keqen vëllai, denbabaden ishin mësuar t’i shihnin ndryshe sivëllezërit drenicarë: të përgjakur, të përbaltur, të leckosur, të pashkolluar, të izoluar, të anatemuar…
Sakaq, zëra të çjerrë, që deri dje thërrisnin me të madhe: Drenicë, jemi me ty!, sot zunë të çirreshin: Drenicë, s’jemi me ty!
Hajde botë, hajde!!!
O tempora, o mores!- do të thoshin latinët e vjetër.
Mirëpo, sovrani POPULL është i pagabueshëm.
Fjala e popullit- fjala e Zotit!!!
Dhe, më 12 dhjetor 2010, Ai e dha VERDIKTIN e vet të plotfuqishëm e të paluajtshëm. Fitorja u takoj të merituarëve, ndërsa ndëshkimi fjalamanëve, të cilët mund të vazhdojnë edhe më me të shara e me të palara…
Një fjalë e urtë thotë: Kush mbjell erën, korr furtunën!