Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bedri Tahiri: Drenicë (s’)jemi me ty!!!

| E enjte, 16.12.2010, 10:59 PM |


Paradokset tona

 

Drenicë (s’)jemi me ty!!!

 

Nga Bedri TAHIRI

 

Gjatë ditëve të “nxehta”, të fushatës parazgjedhore    Repulikën   e Kosovës, njerëzit normalë e me dy kokrra mendë, në orët e mbrëmjes, o e kapnin kokën me duar e i mbyllnin sy e vesh, o i fiknin televizorët fare.

E pse, do të thuash ti i habitur, vëllaçko i nderuar ?!

Eh, sa punë e lehtë për ta ditur. Për të mos parë e dëgjuar banalitete e primitivizma paramesjetarë.

Dhe, kë shanin se?!

Shanin e shfrenin mbi ata që, me gjak e sakrifica, ua sollën Ditën e Bardhë- Lirinë. Shanin Drenicën, së cilës, para dhe gjatë gjithë luftës së fundit çlirimtare, i përkuleshin deri në tokë e i bënin temena si Krishti me temjan para Altarit të kryqëzimit.

Po, kush dhe pse shante, ore i uruar i Perëndisë, do pyesish sërish  ti vëllaçko me sinqeritetin e çilimiut të padjallëzuar?!

Shanin gojëkëqinjtë, mendjemykurit e trutharët, ata që deri dje kishin zhvatur pamëshirshëm, si hijenat në skërma, nga kurrizi i popullit të shkretë. Obobo, sa keq!!! Kjo  shfryrje e padrejtë e tekanjoze, si gjithë babagjanët zemërmirë, po më neveriste edhe mua tej mase. Po, po, madje me të madhe. Dhe, tek po meditoja në vetmi se si të përmbahesha nga shkarjet eventuale në  nivelet e tyre të ulëta e mediokre, me ra ndërmend një mesele drenicare, shënuar nga i urti Anton Çetta, me titull  “Dhia e delja”. Ah, sa i shkonte për shtati aktualitetit. Një ditë, derisa delja po e kapërcente shtegun, dhia ia pa nënbishtin dhe zuri të qeshte me qesëndi. Delja e qetë ia ktheu: Eh, mori dhi e bekuar, njëherë ma pe nënbishtin e po qeshesh, ndërsa  ti  tërë jetën je zbuluar e kurrë nuk të përqesha!

Siç duket kështu e paska kjo jetëshkreta, me hile e me naze. Disa  paskëshin qejf gjithëmonë e jetës të shkuakan kaluar. Ah, jo, zotërinj kokëkrisur, jo. Bota është e rrumbullakët dhe, siç tha Galileu, ajo rrotullohet. Pse shkuam aq larg ore, ja ku e kemi Mjedjen tonë mendjendritur që shkruante: 

 

Bylbyl ky shekull

Orë e ças ndërrohet

Bien poshtë të naltit

E i vogli çohet…

 

Vallë, mos kaq shpejt e harruan historinë sehirxhinjtë që kakariseshin aq zhurmshëm, si pula kur e lëshon vezën, që s’vlen as pesë para e botën e çon në këmbë?! Apo, mos u ka hyrë djalli në shpirt dhe i ka trazuar e janë xhindosur saqë, nga mllefi e urrejtja, edhe e bardha u duket e zezë!

Mbase, po!!!

Veçse, kujdes, kjo nuk është mirë, sepse historia që harrohet, detyrimisht, përsëritet.

Sidoqoftë, mbamendja kombëtare na rikujton se Drenica, përherë, e mbajti ndezur flakadanin e lirisë.

A nuk qe Milosh Kopiliqi  ai që ia nguli mu në zemër hanxharën Muratit I, i cili, më 1389, me hordhitë e përtej Dardaneleve na e përdhosi virgjinitetin e trojeve tona stërgjyshore?!

A nuk qenë drenicarët ata që ia dhanë flakën Sarajit turk më 1891 dhe Kahriman beun e bën të flasë me vete?!

Po Ahmet Delia, që me sëpatë i la pa kokë e pa mend cerberët e përtej Tunës më 1912?!

A nuk qe Hasan Prishtina,  Truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, atdhetari e mendimtari që e përgatiti shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe, paskëtaj, nga smira e xhelozia, nuk e pranuan kryeministër më shumë së katër ditë?!

Po Azem e Shotë Galica, të cilët për 12 vjet rresht u qëndruan përballë tri perandorive më të mëdha të kohës dhe, atëbotë, më 1923, arritën ta formojnë bërthamën e parë shtetërore me emrin “Arbëria e Vogël”?!

E, në fund të Luftës së Dytë Botërore, a ishin Shaban Palluzha e Mehmet Gradica ata që ua thyen turinjtë brigadave serbo-partizano- çetnike”?!

A nuk qe Tahir Meha ai që më 1981 theu mitin e krijuar serb se policia serbosllave është e paprekshme?!

Po Adem Jashari, që ktheu dinjitetin e nëpërkëmbur të shqiptarëve dhe ndërroi rrjedhën e gjithë globit?!

Dhe, fare në fund, a nuk qe Hashim Thaçi ai që priu në Rambuje e në proceset më të rendësishme shtetformuese dhe ia grisi vellon e nusërisë Pavarësisë së Kosovës?!

Vargoi me dëshmi historike për zemrën e shqiptarisë, Drenicën, po qe nevoja, mund të zgjatet deri në pafundësi…

Por, ç’e do, të shkretën, kur tharmi ynë qenkësh zënë në kapërcyell të kontraverzitetit absurd!

Në fronte e  në beteja, Drenica e drenicarët, gjithmonë të parët!!!

Në paqe e në liri, Drenica e drenicarët, gjithmonë të fundit!!!

Një paradoks apokaliptik.

Megjithatë, kësaj here, Fatthënat vepruan drejt e vendosen ndryshe.

Dhe, u doli fort mirë e mbarë.

Drenica dhe drenicarët  ditkan edhe për të udhëhequr. Po, ore po. Ata nuk qenkeshin vetëm për luftë. Koha i vërtetoi besnikërisht të gjitha. Por, smirëzinjtë e babëzitur për pushtet e para, nuk po e honepseshin dot këtë marifet të mrekullueshëm. Shikuar hollë e hollë, nuk kishin edhe aq faj mjeranët. Jo, jo, nostalgjikët e mynxyrave të shkuara nuk mund të pajtoheshin dot me realitetin. Ata, të keqen vëllai, denbabaden ishin mësuar t’i shihnin ndryshe sivëllezërit drenicarë: të përgjakur, të përbaltur, të leckosur, të pashkolluar, të izoluar, të anatemuar…

Sakaq, zëra të çjerrë, që deri dje thërrisnin me të madhe: Drenicë, jemi me ty!, sot zunë të çirreshin: Drenicë, s’jemi me ty!

Hajde botë, hajde!!!

O tempora, o mores!- do të thoshin latinët e vjetër.

Mirëpo, sovrani POPULL është i pagabueshëm.

Fjala e popullit- fjala e Zotit!!!

Dhe, më 12 dhjetor 2010, Ai e dha VERDIKTIN e vet të plotfuqishëm e të paluajtshëm. Fitorja u takoj të merituarëve, ndërsa ndëshkimi fjalamanëve, të cilët mund të vazhdojnë edhe më me të shara e me të palara…

Një fjalë e urtë thotë: Kush mbjell erën, korr furtunën!