E enjte, 01.05.2025, 10:58 PM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: Shtrembëruesi Bllazhe, viagra dhe enciklopedia

E diele, 19.12.2010, 08:58 PM


SHTREMBËRUESI  BLLAZHE, VIAGRA   DHE  ENCIKLOPEDIA

 

Nga Fadil LUSHI

 

      Të nderuar lexues, do të ishte e tepërt dhe joserioze  që këtë shkrim të radhës ta ndërtoj me  disa opinione djallëzore dhe të shtrembëruara të akademikëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Do të ishte edhe më shumë jokorrekte që këto opinione të përsëriten, sidomos,  kur kemi paraszsh kodin  dhe etikën e gazetës KOHA,  aq më tepër, kur dihet se po kjo gazetë një vit më parë, në rubrikën e saj “FORUM”, botoi jo më pak se 96 opinione, vështrime a reagime të lexuesve shqiptarë po edhe një shkrim të një gazetari maqedonas lidhur me “Enciklopedinë” (kontestuese) maqedonase. Dhe, sot pas një viti, shtrohet pyetja  se  ç’ishte e gjithë kjo vëmendje jona ndaj Enciklopedisë maqedonase, a mos vallë kjo (nuk) e meritoi këtë, ose vallë ishte ky një rebelim yni kolektiv (i përkohshëm) ndaj  Enciklopedisë maqedonase, prej së cilës krijuam një faktor opinial, një Enciklopedi, që sot e gjithë ditën e Perëndisë, është shndërruar në një zëdhënës medial të politikës djallëzore të AShAM dhe, njëkohësisht, më shumë i përngjan një fletore pune për nxënësit e klasës së parë fillore sesa një libri serioz shkollor a akademik, ndërkaq kaptina që llafos (kupto katranos) për shqiptarët u shëmbëllen shumë kanoqeve të boshatisura  të “... ??????? ? ?? ? ?????”? Të gjitha këto opinione të këtij karakteri, kohë më parë, njëherë e përgjithmonë u absolvuan nga analistët, historianët, intelektualët  dhe politikanët shqiptarë.  Megjithatë, mua nuk do më duhet që kësaj meseleje, t’ia bashkangjes paragrafin që llafos segmentin e shtrembërimit  dhe klandestimit të një të vërtetë të gjenealogjisë shqiptare, por do të më duhet ta diskutoj çështjen e “rikthimit  a të rishfaqjes” së Enciklopedisë maqedonase në tregun e “B.  Pazarit dhe të Kvantashkit”. Toptan shqiptarët e “sikletosur dhe të shqetësuar” do të thonë se rishfaqja e kësaj fletushke apo doracaku (që edhe vetë intelektualëve maqedonasë nuk hyn në punë) gjegjësisht e “MAKEDONSKA  ENCIKLOPEDIJA”, është një  m  e  s  e  l e  që shtron një provokacion  dhe arrogancë të radhës, për disa madje një provokacion jashtëyakonisht i ulët, provokacion i hapur dhe, thjesht, i kurdisur, shovinist, provincial, katundaresk, diletant, hamam dhe lesh provokacion..., shumë pak a aspak intelektual dhe akademik. Por ja që ne shqiptarët, duke u provokuar lehtësisht nga kjo fletushkë, edhe kësaj radhe do të biem në  grackat e akademikut  Bllazhe Ristov(skit)  dhe tajfës së tij, atij xhepashit dhe shtrembëruesit,  i cili është i specializuar për të vjedhur të vërtetat nga Historiografia shqiptare, një akademik i cili edhe kësaj radhe deshi që shqiptarëve të ua shes sapunin për djathë dhe LEXILIUM-in pesë miligramësh  për VIAGRA (pavarësisht se zoti Bllazhe kishte harruar se shqiptarët nuk e përdorin Viagrën, po qoftë edhe  atë bullgare që konsiderohet false e as atë greke që thonë se është Viagër origjinale..., s[do mend se pikërisht  kjo Enciklopedi (që vuan nga impotenca konjugaluse-paaftësia bashkëshortore) gjithsesi se  ka nevojë për një kokër Viagër)

     Ani, të themi se rishfaqja a rikthimi i Enciklopedisë, me të drejtë do t’i rebelojë shpirtrat e shqiptarëve në veçanti këtyre nga Maqedonia, ani edhe njëherë të themi se është një provokacion i papëlqyeshëm nga ana e maqedonasve, po ani të themi se është një provokacion serioz sidomos për partitë politike shqiptare këtej shtetit të Maqedonisë dhe nëse ky provokacion, vërtet është serioz, atëherë historia e kësaj enciklopedie o duhet të mbyllet, o duhet të anashkalohet. Tekefundit, kjo fatëkeqësi ose edhe paranojë etnopolitike (biblike) që del nga kjo fletushkë politike, nuk duhet të na përkojë neve, sepse logjikisht nuk mund të jetë fatkeqësi jona, dhe vërtet nëse sështë jona, atëherë pse neve na duhet të përballemi më këtë mesele, nga njëra anë dhe pse prej kësaj duhet ndërtuar gjithëfarë shkrimesh, analizash, kolumnesh dhe në instancë të fundit edhe ndoshta një “fjali me parantezë”, qoftë ajo edhe gazetareske, nga ana tjetër! Prej kësaj enciklopedie shqiptarët nuk kanë nevojë të ndërtojnë debate politike, shkencore a historike me historianët dhe kryeakademikët maqedonas,  për faktin se do të ishte humbje kohë. Shqiptarët sot kanë nevojë të ndërtojnë  një front  intelektual gjithsesi kolektiv dhe serioz  ndaj , humanizimit, emancipimit dhe mbrojtjes së vlerave  kombëtare, jo nga maqedonasit, por nga kombet që kanë kulturë dhe demokraci më të avansuar!

     Në kontekst të kësaj duhet të parashtrohet pyetja se pse ne shqiptarët  nuk provokohemi nga gjymtimet tona, gjymtime këto që në vijimësi  hetohen në përditëshmërinë tonë, sidomos në atë politike, gjuhësore  e tjerë. Dhe, nëse nuk shqetësohemi, atëherë pse  shtiremi sikur nuk kemi asnjë dert dhe sikur punët i kemi “krejt në terezi”, ose mos vallë ndoshta kemi shumë kohë të merremi me identifikimin  apo përcaktimin e lloj-lloj ngjyrash të kopertinave të enciklopedive të ashtuquajtura anonime maqedonase. Pse Enciklopedia e sajuar maqedonase po duheshka të na provokojë  ndaj hartimit të një enciklopedie tonë..., po sikur të mungonte ky provokacion, atëherë çka do të hartonin shqiptarët..., ndonjë hartim letrar, hartim ritregues apo edhe hartim me temë të lirë!??

        Pse nuk shqetësohemi edhe atëherë kur e nëpërkëmbim gjuhën tonë të shkruar e të folur, (standarde) pse nuk provokohemi nga mbishkrimet tona të denigruara e të ngjitura në hapësirat e bizneseve..., pse nuk parashtrojmë pyetjen se si komunikojmë, si i ndërtojmë vlerat tona arsimore, ato kulturore...,pse nuk na provokon “axhamillëku ynë akademik” po na provokon ajo fletushkë..., pse mua nuk më provokojnë llafet e Mondit nga Poradeci, (ai, i cili bën muzikë të mirëfilltë korçare këtu në Fushëpolllog) kur shpesh më thotë: “Ti Fadil, dhe të tjerë mësues tetovarë, e flisni gjuhën e nënës, si në “Kapalli Çarshi” të Stambollit!??..., pse një jabanxhi kur vjen në Tetovë nuk e koncepton atë si një qytet universitar, por e gjykon si një kasaba a si një katund të madh!??..., pse nuk qortohemi sa u përket gjymtimeve dhe heshtjeve tona qofshin ato personale po edhe kolektive, pse na mungon vetëkritika qoftë ajo selektive, po edhe kolektive. Pse nuk e qortojmë atë mësuesin mediokër të “Qafë Thanës”, të cilit moti i ka ikur lavdia, “mësuesi” që më parë kishte thënë: “...,unë nuk jam gjuhëtar dhe s’më intereson Drejtshkrimi  dhe Drejtshqiptimi i nxënësve të mi... dhe për këtë mua nuk më duhet Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe”!? “Mësuesi” këto llafe i kishte përnjëmend, sepse vërtet kishte një kod mendimor me nismë bythëprapë. Ndërkaq, ne tani aq  shumë  jemi dalldisur me rikthimin e enciklopedisë, saqë harrojmë të konstatojmë se “mësuesi” që nuk na qenka gjuhëtar, zotëron një profesion që ka pozicione publike, një profesion që nuk duron dualitete dhe papërgjegjësi. Nuk dalldisemi me alamet “mësuesin” që ka “..., gradë shkencore, edhe pse tetëvjeçaren e ka mbaruar me brekë nëpër këmbë, të mesmen me fener në dorë, kurse të lartën e ka mbaruar para tetëvjeçares”! Shi për  këtë , Enciklopedia, për “mësuesin” është brenda perceptimeve “pozitive” të tij, kurse e folmja (shqipe) e nxënësve është lënë jashtë vëmendjes, ndërgjegjjes dhe kujdesit të tij!?...,”mësuesi” i cili, lëre që nuk del në mbrojtje (të gjuhës standarde shqipe) të Kryefjalës dhe Ndërgjegjes së Kombit, përkundrazi do ta nëpërkëmbë atë. Ec e krahasoje tani këtë, me mësuesit e mirëfilltë. Hajde mendje, hajde! Aq shumë jemi dalldisur me padrejtësitë që na vijnë nga pala tjetër, sa që shpesh harrojmë të parashtrojmë pyetjen se pse na janë pakësuar intelektualët, pse heshtin ata dhe kush na i paska frikësuar!? Aq shpejt u provokuam nga Enciklopedia maqedonase, sa që “aty për aty” propaganduam idenë e hartimit të një Enciklopedie tonë shqiptare!?..., një Enciklopedi që mos dhashtë zoti, të na ngelë e papërfunduar? Shih, ti lexues i nderuar, po të mos kishte qenë ky provokim djallëzor i akademikëve maqedonasë, a thua vallë do shkruanim një të tillë shqiptare, a thua vallë po mos të ishte Enciklopedia, ne shqiptarët (nuk) do ta kujtonim Nënën e përbotshme Tereze, Abdyl Frashërin dhe vëllezërit e tij, nuk do ta kujtonim Ismail Bej Qemalin, Faik Bej Konicën apo edhe ndonjë figurë tjetër të ndritur shqiptare. Pse “shehërlinjtë” tetovarë, tok me katundarët bujarë, nuk u “sikletosën e sëkëlldisën” (përkundrazi me të “drejtë u provokuan”) kur një vit më parë i bënë një pritje madhështore Pollatit, atij aktorit turk, e një gjë të tillë (harruan) nuk ia bënë Ismail Kadaresë, atij shkrimtarit botor, të cilin më shumë e çmon dhe e respekton çarshia, sesa shtëpia. (Shqipëria politike dhe ajo londineze)        

      Në instancë të fundit, “argumentet, provat dhe të vërtetat” e kësaj enciklopedie të Akademisë të Shkencave dhe Arteve Maqedonase asnjëherë nuk do të jenë në krah të kapitullit ku hetohet elementi  shqiptar, një kre që kurrën e kurrës, shkencërisht dhe moralisht nuk do të mund të maturohet nga historianët maqedonas. Andaj, nëse kjo Enciklopedi vërtet është një provokim i zbehtë dhe provincial, një Enciklopedi që tallet me ndjenjat e shqiptarëve, nuk duhet “lexuar” atë dhe, nëse edhe më tej e lexojmë dhe e komentojmë, atëherë ne vetë do të tallemi me ndërgjegjjen tonë. Kemi gjëra më të mençura për të shkruar, për të lexuar dhe për të studiuar.

Të nderuar lexues të paanshëm të këtyre shkrimeve, unë nuk do shkruaj më për “Enciklopedinë” e zotit Bllazhe Ristov(skit), e sa për të tjerët s’e di..



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx