E premte, 03.05.2024, 01:08 AM (GMT+1)

Mendime

INA: Intervistë me Bardhyl Mahmutin

E diele, 19.12.2010, 08:56 PM


Bardhyl Mahmuti dhe Hashim Thaçi
Bardhyl Mahmuti dhe Hashim Thaçi
INA:

Në telegramin tuaj të ngushëllimit lajmin e vdekjes së z.  Richard Holbrook e shpallët si një lajm i pikëllueshëm për diplomacinë amerikane, diplomacinë botërore dhe për të gjithë ata që kanë pasur fatin të njohin nga afër efikasitetin e këtij diplomati të shquar.

Ju, si udhëheqës i Grupit Diplomatik të  UÇK-së, që keni pasur rastin të takoheni disa herë me z. Holbrook  çka mund të sillni për lexuesin shqiptar  nga veprimtaria e këtij « Buldozer » të diplomacisë amerikane?

Bardhyl Mahmuti:

Qershori i vitit 1998 është muaji që hapi perspektivën e re të zhvillimeve në Kosovë.

Që të kuptohet rëndësia e këtij konteksti historik më duhet të rikujtoj për lexuesin shqiptar se para këtij muaji lufta e popullit shqiptar të Kosovë kualifikohej nga qarqet më relevante ndërkombëtare në botë dhe nga institucionet ndërkombëtare (OKB-ja, BE-ja) si destabilizuese e Ballkanit dhe se UÇK-ja cilësohej si “organizatë terroriste”. Nën arsyetimin banal të mos-ndryshimit të kufijve, statusi politik i Kosovës nuk dilte jashtë kornizës juridike të Serbisë: “Autonomi e ngushtë! ” apo “Autonomi e gjerë!” nën sqetull të Serbisë!

Takimet e Qershorit të vitit 1998 me një delegacion të nivelit  të lartë amerikan  të përbërë nga diplomat dhe ushtarak të Pentagonit dhe të udhëhequr nga Ambasadori Robert Gelbart  dhe takimi me ambasadorin Richard Holbrook shënuan kthesën diplomatike të UÇK-së

INA:

Në çfarë kuptimi mund të flitet për kthesë?

Bardhyl Mahmuti:

Në kuptimin e legjitimimit të luftës së armatosur të popullit shqiptar të Kosovës.

Pas takimeve me delegacionin e Departamentit të Shtetit Amerikan dhe të Pentagonit, zëdhënësi i atëhershëm i Departamentit të Shtetit, z. James Rubin deklaroi qëndrimin zyrtar të SHBA-ve se UÇK-ja nuk është “organizatë terroriste” dhe se bisedimet për statusin politik të Kosovës nuk mund të zhvillohen pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të UÇK-së .

Në përputhje me këtë qëndrim edhe Grupi i Kontaktit për Kosovën ( që përbëhej nga Ministrat e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Gjermanisë, Irlandës Veriore, Rusisë dhe Sekretares së shtetit të SHBA-ve) doli me deklaratë se në bisedimet për statusin politik të Kosovës duhet të përfshihet edhe UÇK-ja. Me një fjalë, këto takime legjitimuan luftën çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës.

Për derisa takimet e mëparshme hapën rrugën e legjitimimit të UÇK-së, takimi me ambasadorin Richard Holbrook shënon hapin e parë të një dinamike të re të qëndrimeve të personaliteteve dhe institucioneve ndërkombëtare ndaj statusit politik të Kosovës.

INA:

Bardhyl Mahmuti dhe Hashim Thaçi
Bardhyl Mahmuti dhe Hashim Thaçi
Ku u zhvillua takimi dhe për çfarë dinamike të re flitet?

Bardhyl Mahmuti:

Në Forumin Ndërkombëtar të  Crans-Montanas delegacioni amerikan përfaqësohej nga z. Richard Holbrook. Duhet të përmend se në mesin e shumë delegacioneve të larta ndërkombëtar Shqipërinë e përfaqësonte Kryeministri i asaj kohe, z. Fatos Nano.

Takimi i 29 qershorit të 1998 me z. Holbruk u sigurua falë angazhimit të madh të Kryeministrit Nano. Ai e kishte përgatitur terrenin që në një takim mbi katër orësh të shtroja Platformën e UÇK-së.

Të nesërmen, në Konferencën për shtyp ai e konfirmoi takimin që kishte pasur me mua si përfaqësues politik i UÇK-së dhe deklaroi se “SHBA-të nuk janë kundër pavarësisë së Kosovës, nëse deri te kjo ndarje nga Serbia do të arrihej në mënyrë analogjike siç kishte ndodhur ndarja në mes Çekisë dhe Sllovakisë”.

Ky qëndrim është qëndrimi i parë publik nga një diplomat i përmasave botërore që nuk e shihte ndarjen e Kosovës si burim destabilizimi të Ballkanit. Ishte “Fjalia Bombë!” që irritoi qarqet politike të Beogradit.

INA:

Një digresion të vogël...Në mediat e Kosovës dominon interpretimi i ngjarjeve ku figura politike e Fatos Nanos lidhur me Kosovën është e skalitur me matricën e takimit të Kretës...

Bardhyl Mahmuti:

Në luftën politiko-diplomatike të UÇK-së, roli i institucioneve shtetërore të Shqipërisë në përgjithësi dhe roli i Fatos Nanos në veçanti kanë qenë  të një rëndësie jashtëzakonisht të madhe. Kontributi i Kryeministrit Nano në këtë fazë është një kontribut jashtëzakonisht i madh, të cilin mund ta mohojnë vetëm ata që nuk kanë njohuri për zhvillimin real të ngjarjeve apo “bukë-përmbysësit”, që e dinë të vërtetën dhe për hir të konformizmit dhe servilizmit nuk kanë guxim ta thonë të vërtetën.

 

 

 

INA:

Ju shpalosni ndryshimin e qëndrimeve të diplomacisë amerikane ndaj UÇK-së dhe statusit politik të Kosovës. Ndër këto takime me personalitetet e shquara të diplomacisë amerikane a u kërkua diçka konkrete nga UÇK-ja që do të kushtëzonte mbështetjen?

Bardhyl Mahmuti:

Po. Kërkesa e tyre e parë dhe e pakompromistë ishte që UÇK-ja të mos pranonte asnjë formë komunikimi me grupet fundamentaliste islamike që mund të afroheshin në mënyrë të ngjashme siç ishin afruar në Bosnje. Në rast se u hapej rruga këtyre grupeve ekstreme fetare dhe nëse pranohej eventualisht ndonjë ndihme nga ta kjo do të na i mbyllte rrugët e perëndimit. Në të kundërtën, angazhimet e UÇK-së për krijimin e kushteve të një demokracie të mirëfilltë do të siguronin mbështetjen amerikane. Kjo mbështetje do të tërhiqte me vete mbështetjen e shteteve demokratike në botë që do të siguronte realizimin e aspiratave tona për liri dhe pavarësi.

Përcaktimi i Drejtorisë Politike të UÇK-së ishte i qartë dhe pa ambiguitet: lufta për krijimin e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës.

INA:

A do të kishit veçuar edhe ndonjë moment të veçantë nga takimet me z. Holbrook që do të kishte qenë me interes për lexuesin shqiptar?

Bardhyl Mahmuti:

Nga takimet e shumta mund të veçoj dy momente. Përgatitja e Komunikatës së UÇK-së për vetëpërmbajtje në Selinë e NATO-s në Bruksel në prezencë të ambasadorit Holbrook, Gjeneralit Clark dhe ambasadorit Rosin. Gjatë këtij takim u tha qartë se nëse Serbia vazhdon me dhunën ndaj shqiptarëve  goditja e NATO-s do të jetë e pamëshirshme.

Rëndësinë e mirëfilltë të kësaj Komunikate mund ta kuptojnë të gjithë ata që e dinë situatën e krijuar në terren në shtator të 1998. Kjo marrëveshje e papublikuar do t’i mundësojë UÇK-së të ristrukturohet dhe të forcohet në shumë aspekte.

INA:

Më falni për ndërhyrjen. Ku është shkruar Komunikata e UÇK-së? Në Bruksel?

Bardhyl Mahmuti:

Në Selinë e NATO-s në Bruksel. Tekstin e Komunikatës ia kam diktuar Kadri Veselit, anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Kadri Veseli me autoritetin e vet të pakontestueshëm në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm dhe në përputhje me përgjegjësitë që shtronte koha e shndërroi këtë tekst, me disa korrigjime të vogla, në Komunikatë zyrtare të UÇK-së.

INA:

Cili është momenti i dytë nga këto takime që deshët të ndanit me lexuesin shqiptar?

Bardhyl Mahmuti:

Është telefonata që ambasadori Holbrook më bëri rreth 7 orë para se të shpallej vendimi i NATO-se për bombardimet kundër Serbisë. Në këtë telefonatë z. Holbrook m’i përcolli 8 rekomandime për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, që lidheshin me modalitetet e veprimeve gjatë fazës së ardhshme të luftës. Në fund të bisedës telefonike z. Richard Holbrook mu drejtua me fjalët: të kam thënë se amerikanët e mbajnë fjalën e dhënë. Tani do të keni mundësinë të bindeni plotësisht!

Shqiptarët dhe gjithë bota ishin dëshmitarë se amerikanët e mbajtën fjalën: e ndalën politikën gjenocidale të Serbisë dhe hapën perspektivën e re demokratike për Kosovën dhe këtë pjesë të Ballkanit.

Fundi i luftës dihet siç dihet edhe përfundimi i statusit politik të Kosovës. Pavarësia e  shtetit të ri të Kosovës është një realitet që njihet nga fuqitë më të mëdha demokratike në botë.

Pavarësia është ndërtuar mbi sakrificat e mëdha të popullit shqiptar, të angazhimeve të Drejtorisë Politike të UÇK-së, të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të çdo ushtari të UÇK-së por edhe një meritë e diplomatëve të kalibrit të z. Holbrook që kishin një vizion shumë më të gjerë për të hapur perspektiva të reja historike.

INA:

Përkundër rezultateve të pakontestueshme në ndërtimin e një të ardhme të re në këtë pjesë të Evropës, tendencat e kthimit pas nuk kanë të ndalur. Si e shihni Raportin që parlamentari Dik Marty, përmes të cilit ai akuzon Hashim Thaçin dhe UÇK-në të implikuar në “trafikim me drogë, me armë, me organe njerëzore....”?

Bardhyl Mahmuti:

Të gjithë ata që kanë përcjellur me vëmendje luftën e Kosovës u kujtohet se pas përfundimit të luftës çlirimtare dhe tërheqjes së okupatorit nga Kosova një numër prokurorësh ndërkombëtar, në pamundësi që të arrestonin kriminelet serb që kishin kryer krimet më monstruoze kundër popullit shqiptar, morën për mision politik relativizmin e gjenocidit të ushtruar në Kosovë nga pushteti i Serbisë.
Në përputhje me këtë mision, ata filluan një fushatë të tmerrshme kundër UÇK-së. Akuza publike për gjoja “krimet e luftës që kjo ushtri çlirimtare kishte kryer kundër civilëve serb”;  Akuzat dhe shantazhet u forcuan gjithnjë e më shumë për të marrë formë konkrete me “spektaklet e arrestimeve politike” në momentin kur duhej të fillonte procesi i përcaktimit të statusit politik të Kosovës.

U arrestua z. Fatmir Limaj ( Shefi i Grupit parlamentarë të PDK-së në Kuvendin e Kosovës), u arrestua z. Ramush Haradinaj (Kryeministri i asaj kohe i Kosovës) , u arrestuan veprimtarë të shquar të rezistencës kombëtare shqiptare.
Të gjithë e dinë fare mirë se proceset në Hagë përfunduan me shpalljen e pafajësive për Fatmir Limajn, Ramush Haradinajn etj.

INA:

Përkundër lirimit të atëhershëm dhe shpalljes së pafajësive ata janë në rrezik të vazhdueshëm. Dhoma e Apelit” e Tribunalit të Hagës shfuqizon vendimin e këtij tribunali, i cili unanimisht në vitin 2008 shpalli pafajësinë e Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, ndaj Limajt akuza të një natyre tjetër tani akuza edhe ndaj Thaçit... Deri kur kështu? A kemi një barazim të kriminelit me viktimën?

Bardhyl Mahmuti:

Për të gjithë njohësit e situatës në Ballkan tani më është e ditur se Serbia, si gjenerator i krimeve më monstruoze të bëra në Evropën e pasluftës së dytë botërore, është shndërruar në Eldorado për kriminelët e Ballkanit! Në pamundësi që t’i imponojë këtij shteti kriminel që të dorëzojë kriminelët e vërtetë të Luftës në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës kurdis procese gjyqësore kundër personaliteteve që ishin bartës të rezistencës përballë politikës gjenocidale të Beogradit.

Në këtë situatë është shumë më keq se “barazim i kriminelit me viktimën”. Këtu kemi të bëjmë me një tendencë të përmbysjes së roleve: krimineli të paraqitet si viktime dhe heronjtë e një populli të shtypur të paraqiten si kriminel.

Kemi hyrë në dekadën e dyte pas luftës dhe mijëra shqiptarëve nuk u dihen as eshtrat, as gjymtyrët e as organet... Dikush ka paturpësinë që të trillojë një “shtëpi të verdhë” ku gjoja disa serbëve u paskan marrë organet! Kjo është fyerje për inteligjencën e njerëzve.

INA:

Pse ndodh kështu?

Bardhyl Mahmuti:

Asgjë nuk është e rastësishme. Nuk ishte e rastësishme që “Dhoma e Apelit” e Tribunalit të Hagës një ditë para se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të prononcohet lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës shfuqizoi vendimin e këtij tribunali, i cili unanimisht në vitin 2008 shpalli pafajësinë e Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij. Nuk është e rastësishme  as sot që pas fitores së PDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare ish prokurorë ndërkombëtarë  të veshur me mandatin e parlamentarëve të ëndërrojnë se institucionet e reja të Kosovës, do të mund të shantazhohen me konstruksione neveritëse!

Për fund.

Atyre që kanë harruar apo shtiren se nuk e dinë, po u kujtojmë faktin se për trafikim organesh dhe për “shtëpinë e verdhë në Shqipëri” më parë u akuzua z. Bernard Kouchner,  ish përfaqësuesi special për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. I irrituar nga shpifjet e ulta që synonin ta shantazhonin, ai iu përgjigj gazetarit: “a jeni të sëmurë? Ju duket që kam një kokë që mund të shes organe ... ju jeni të çmendur...ju u besoni lloj lloj budallallëqeve .. zotëri ju duhet të shkoni të kontrolloheni ...Nuk ka pasur shtëpi të verdhë, nuk ka pasur shitje organesh...njerëzit që thonë gjëra të tilla janë ndyrësira dhe vrasës...”

(ata që duan ta shohin në video këtë pjesë: ttp://www.youtube.com/watch?v=7Y5cLMl7ZcA&NR=1)

Pavarësia e Kosovës është një proces i përfunduar në raport me Serbinë dhe lufta e UÇK-së është sakrifica më sublime e popullit shqiptar, të cilën asnjë shpifje nuk mund ta njollosë.

 

17 dhjetor 2010



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora