| E enjte, 23.12.2010, 10:02 PM |
Politika e nënshtrimit ndaj Moskës shkak themelor që pengoi zgjidhjen e problemit çam
Nga Albert ZHOLI
Para disa ditësh në ambietet e Hotel “Rogner” u zhvillua Konferna “Çështja çame dhe situata e sotme”. Në këtë Konferencë morën pjesë akademikë, profesorë, studiues, politikanë dhe shumë persoanlitet nga komuniteti çam brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në këtë Konferencë të drejtuar nga Instituti për Studimet Çame dhe PDI u paraqitën shumë kumtesa që hodhën dritë mbi shumë të panjohura mbi historinë e këtij populli martir, sikundër u parashtruan dhe shumë alternativa për zgjidhjen e kësaj çështjeje kaq të rëndësishme jo vetëm për këtë komunitet por edhe për vendin tonë.
Kur ndodhi aneksimi i trojeve shqiptare çame nga Grqeia?
Aneksimi i trojeve shqiptare nga Greqia ndodhi në momentin kritik kur shqiptarët po përpiqeshin të çliroheshin nga zgjedha osmane dhe të shpallnin pavarësinë e tyre kombëtare. Mbrojtja e këtij territori i vuri ata përballë forcave pushtuese greke. Qysh prej kësaj kohe e në vazhdim në aktivitetin e institucioneve kombëtare shqiptare, çështja çame do të ishte e pranishme si një subjekt i rëndësishëm për t’u trajtuar nga institucionet shqiptare, por edhe si një tregues që do të dëshmonte efektivitetin e tyre, karakterin dhe nivelin e përmbajtjes dhe performancës kombëtare të tyre. Qeveria e Vlorës bëri çmos që ta mbronte Çamërinë nga pushtimi grek. Ajo u angazhua në një betejë diplomatike të cilën e kryesonte vetë kryeministri I. Qemali dhe biri i madh i Çamërisë, diplomati shqiptar i nivelit të lartë fatkeqësisht pak i njohur deri më sot, Rasih Dino. Nga ana tjetër ajo u bë organizatore e qëndresës së armatosur të shqiptarëve për të mbrojtur Çamërinë nga pushtimi grek.
Pavarësisht se nuk mundi ta mbronte Çamërinë nga pushtimi grek dhe nuk mundi të shmangte shkëputjen e saj nga trungu amtar, veprimtaria e qeverisë së Vlorës pati një rëndësi të madhe historike për disa arsye themelore: së pari, ajo dha shembullin dhe modelin historik të sjelljes së institucioneve dhe të një shteti të spikatur kombëtar, i cili edhe në momentet më të vështira, më të vështirat që ka kaluar shteti janë deri më sot, pati energji, forcë, karakter dhe dinjitet të sillej si një shtet – komb me prerogativa dhe kapacitete të spikatura kombëtare; së dyti, duke vepruar me energji për mbrojtjen e Çamërisë dhe territoreve të tjera kombëtare, qeveria e Vlorës afirmoi në arenën ndërkombëtare, jo vetëm të drejtat e shqiptarëve për Çamërinë, jo vetëm karakterin e pastër etnik shqiptar të kësaj krahine, por edhe vetë karakterin e spikatur kombëtar të shtetit që po ndërtonin shqiptarët; së treti, kjo veprimtari e qeverisë së Vlorës shërben si një cak historik i arritur qysh në ditët e para të jetës së shtetit të pavarur shqiptar dhe në kushtet më të vështira të ekzistencës së tij. Për këtë arsye standardi i angazhimit politik të qeverisë së Vlorës shërben si një kriter për të gjykuar mbi administratat e mëvonshme shqiptare.
Po nën drejtimin e Princ Vidit, a ndikoi shteti shqiptarë për zgjidhjen e kësaj çështjeje?
Shteti shqiptar nën Princ Vidin nuk e demonstroi këtë energji dhe këto karakteristika. Të ndodhura nën një kontroll të fortë ndërkombëtar, të paralizuara dhe të deformuara nga ndërhyrja e huaj, qeveria dhe institucionet shtetërore të kësaj periudhe nuk mundën as ta artikulonin mbrojtjen e shqiptarëve të Çamërisë nga dhuna dhe shtypja greke.
Sigurisht paralizimi i një aktiviteti të tillë në dobi të mbrojtjes së interesave kombëtare erdhi edhe si rezultat i rebelimeve antikombëtare siç ishte ai i Shqipërisë së Mesme, kryengritja “vorio-epirote”, etj. Këto ngjarje provuan se dobësitë në krijimin e një ndërgjegje të spikatur kombëtare në Shqipërinë politike, dëmtonin dhe deformonin institucionet përfaqësuese dhe paralizonin vullnetin apo kapacitet e tyre për mbrojtjen e çështjes kombëtare.
Kush përbën rast tjetër interesant ndër qeveritë shqiptare për ngritjen e kësaj çështjeje?
Një rast interesant përbën qeveria e Durrësit, pas përfundimit të Luftës së I Botërore, e cila ndonëse kishte prerogativa të kufizuara si rezultat i kontrollit italian, gjeti hapësirën e nevojshme dhe parashtroi në Konferencën e Paqes të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë për t’u bashkuar me shtetin shqiptar dhe për të gëzuar mbrojtjen nga politikat asimiluese greke. Sigurisht kjo liri ndikohej edhe nga fakti se interesat italiane nuk e pengonin artikulimin e kësaj politike në mbrojtje të Çamërisë. Institucionet kombëtare shqiptare të dala nga Kongresi i Lushnjes deri në vitin 1924 rifitojnë në një shkallë të re dimensionin e spikatur kombëtar dhe të pavarur. Kjo i bëri ato të dallueshme nga institucionet e viteve 1913-1915 dhe qeveria e Durrësit. Nga ana tjetër, ndonëse kanë të njejtin karakter të spikatur kombëtar si qeveria e Vlorës, ato kanë hapësirë dhe mundësi më të gjëra për të mbrojtur çështjen çame dhe çështjen kombëtare në përgjithësi.
Po me futjen ne Shqipërisë në OKB, si u trajtua ky problem?
Kur Shqipëria pranohet si anëtare e Lidhjes së Kombeve dhe njihet nga fuqitë më të mëdha të kohës. qeveritë shqiptare të kësaj periudhe duke shfrytëzuar këtë pozitë vihen menjëherë në mbrojtje të shqiptarëve të Çamërisë dhe të shqiptarëve të tjerë të mbetur jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar. Qysh në përurimin e pranimit në Lidhjen e Kombeve përfaqësuesi shqiptar dëshmoi përcaktimin e shtetit shqiptar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë.
Madje në vitet 1921-1924 mbrojtja e shqiptarëve të Çamërisë ishte prioritare edhe në raport me mbrojtjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Së pari, kjo ndodhi se politika greke u fut në rrugën e zbatimit konkret të platformës për spastrimin etnik të Çamërisë, së dyti, në të njëjtën kohë Greqia po ushtronte një presion të gjithanshëm për të aneksuar Shqipërinë e Jugut dhe për të konservuar e fuqizuar helenizmin dhe institucionet themelore të tij në këtë rajon. Për këtë arsye qeverisë shqiptare ju desh që përveç të tjerash, t’i mëshonte fort mbrojtjes së të drejtave themelore të shqiptarëve të Çamërisë edhe për të kundërbalancuar presionin nacionalist grek. Ndërsa nga ana e saj Jugosllavia, ndonëse po projektonte dëbimin e shqiptarëve, ende nuk kishte hedhur hapa madhorë konkretë në këtë drejtim. Gjithashtu ajo nuk kishte ato mundësi brenda në Shqipëri që të shtynte një fushatë serioze për forcimin e sllavizmit. Megjithëse duhet nënvizuar se ajo u përpoq të përfitonte maksimalisht nga çdo element sllav apo mbeturinë e ortodoksisë sllave në Shqipëri, madje nuk nguroi të bënte përpjekje për të përdorur edhe katolikët shqiptarë në funksion të projekteve ekspansioniste serbe.
A pati rezultate konkrete në këtë periudhë?
Angazhimi këmbëngulës i institucioneve shqiptare në mbrojtje të popullsisë shqiptare të Çamërisë arriti disa suksese të pjesshme. Ato arritën të bllokojnë projektet për shkëmbimin e popullsisë shqiptare të Çamërisë me popullsinë greke të Azisë së Vogël, ndërkombëtarizuan problemin çam dhe e detyruan Greqinë të njihte zyrtarisht minoritetin shqiptar në Greqi. Nga ana tjetër qeveria shqiptare nuk arriti të pengonte shkëmbimin dhe dëbimin e shqiptarëve të Maqedonisë (Kosturit, Follorinës, Voshtinës, Konicës etj.,, ) si dhe të 5000 shqiptarëve të Çamërisë, gjithashtu nuk arriti që të mbronte të drejtat e tjera të shqiptarëve të Çamërisë si të drejtën e pronës, shkollës në gjuhën shqipe, të drejtën e përfaqësimit politik etj.
Ky rezultat i kufizuar lidhej në radhë të parë me pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë përballë presionit dhe politikave shovene greke. Por sigurisht në këtë proces është rasti të japim një vlerësim të shkurtër për performancën e institucioneve shqiptare në mbrojtjen e shqiptarëve të Çamërisë. Që në krye të radhës duhet theksuar se ato u treguan tepër të angazhuara në mbrojtjen e popullsisë çame. Për vendosmërinë dhe karakterin e sinqertë të angazhimit të tyre flet edhe fakti se në një moment tepër kritik, kur Greqia po këmbëngulte në avancimin e procesit të spastrimit etnik të Çamërisë, ata kërcënuan se do të kërkonin shkëmbimin e shqiptarëve me minoritetin e vogël grekofon në Shqipëri. Kjo është një provë e rëndësishme e vendosmërisë dhe shpirtit patriotik të qeverisë e institucioneve shqiptare e cila nuk do të shihet e vërtetohet në të ardhmen kur procesi i spastrimit etnik do të çohet përpara nga grekët. Gjithashtu ndikim pozitiv pati fakti se në këto institucione si në Ministrinë e Jashtme, përfaqësitë shqiptare në Greqi, në Lidhjen e Kombeve (Gjenevë) dhe në kryeqytetet e mëdha të Evropës si Londër, Paris, Romë etj., në Ministrinë e Arsimit ishin caktuar personalitete të jetës politike, kulturore e arsimore shqiptare, patriotë të shquar shqiptarë me një profil të lartë arsimor e kulturor, me një përvojë të çmuar në mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare, para dhe pas krijimit të shtetit shqiptar. Të tillë ishin Mehdi Frashëri, Mithat Frashëri, Lec Kurti, Rauf Fico. Një format i tillë i cili u vërejt edhe në periudhën 1925-1939 nuk do të arrihej më në të ardhmen në institucionet respektive shqiptare.
Megjithëse në fazën e parë të organizimit të tyre, gjë që padyshim krijonte vështirësi këto institucione zhvilluan një aktivitet shumë intensiv dhe efektiv. Nga ana tjetër ata ndeshën edhe vështirësi të shumta si përshembull mungesa e mjeteve financiare e materiale për të kundërgoditur politikën dhe propagandën greke; mungesa në disa raste e ekspertizës juridike për të mbrojtur të drejtat e popullsisë çame etj.
Kush ishin dobësitë e institucioneve kombëtare që penguan ngritjen më me forcë të kësaj çështjeje?
Një dobësi e theksuar e institucioneve kombëtare në këtë kohë ishte ajo që lidhej me faktin se kjo periudhë ishte periudha e një destabiliteti të skajshëm politik. Ky faktor ka ndikuar mjaft dhe i ka penguar qeveritë dhe institucionet shqiptare që, me gjithë vullnetin e tyre pozitiv, të ishin më efektive në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë. Tipik është rasti i qeverisë së Nolit, i cili megjithëse bëri shumë përpjekje për të mbrojtur shqiptarët e Çamërisë,duke qenë një qeveri e ardhur në pushtet përmes dhunës, dhe e palegjetimuar ajo u izolua në Lidhjen e Kombeve dhe nuk mundi t’i realizonte në shkallën e duhur objektivat e saj në këtë drejtim.
Komente të ndryshme ka për këtë çështje edhe në regjimin e Zogut. Cili është komneti juaj për këtë çështje në këtë regjim?
Vendosja e regjimit të Zogut, krijimi i një stabiliteti relativ në vend dhe në këtë kuadër stabilizimi dhe fuqizimi i institucioneve solli një etapë të re në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë e Jugosllavisë. Tashmë frenohet procesi i spastrimit të vrullshëm etnik të Çamërisë dhe nëpërmjet kompromiseve që bëri qeveria shqiptare fillon procesi i hapjeve të shkollave shqipe në Çamëri dhe përgjithësisht avancohet procesi i afirmimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve të Çamërisë.
Qeveria e Zogut u tregua praktike, pragmatiste dhe realiste në trajtimin e çështjes çame dhe politikat e saj duke i gjykuar në kontekstin e mundësive të asaj kohe, ruanin karakterin kombëtar.
Krejt e kundërta ndodhi me politikat e regjimit komunist, i cili qysh në fillimet e veta u përball me problemin madhor dhe shumë kritik për gjithë interesat kombëtare, shqiptare atë të spastrimit të plotë etnik të Çamërisë. Qeveria komuniste bëri fare pak për të mos thënë asgjë për ta zgjidhur këtë problem i cili ishte krijuar në vigjiljen e ardhjes së saj në pushtet.
Së pari, ajo, ndryshe nga qeveritë e mëparshme, ia nënshtroi këtë problem interesave të saj të ngushta për të ruajtur pushtetin politik.
Së dyti, duke shkatërruar institucionet e mëparshme shtetërore të cilat kishin fituar përvojë dhe kishin kapacitete e tradita të rëndësishme për mbrojtjen e çështjes çame ajo i shkaktoi një dëm të madh asaj. Institucionet e reja të regjimit komunist nuk kishin as përvojën dhe as kapacitetet njerëzore me vlerat e tyre kombëtare, arsimore e profesionale që do ta mbronin këtë çështje.
Së treti, deformimi, politizimi i skajshëm dhe ideologjizimi komunist i institucioneve shtetërore dhe jo shtetërore ndikoi thellësisht që çështja çame të injorohej dhe të mos vlerësohej ashtu siç ishte, një problem madhor kombëtar e njerëzor me pasoja të jashtëzakonshme politike, strategjike e morale për gjithë kombin shqiptar. Pra niveli i ulët arsimor i institucioneve komuniste dhe politizimi i tyre ekstrem, në bazë të parimeve të internacionalizmit komunist, prodhoi një indiferencë madje edhe armiqësi të spikatur institucionale ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe çështjes çame që nuk ishte ndeshur kurrë më parë.
Së katërti, politika e nënshtrimit ndaj Beogradit dhe Moskës ishte një shkak tjetër themelor që pengoi zgjidhjen e problemit çam kur shanset u krijuan në OKB në vitin 1948 për të arritur një marrëveshje me Greqinë për kthimin e refugjatëve dhe respektimin e minoriteteve respektive. Presioni i Kremlinit, të cilit i interesonte vazhdimi i mbështetjes politiko-logjistike të forcave komuniste greke në luftën civile, pengoi arritjen e kësaj marrëveshjeje. Qeveria komuniste e Enver Hoxhës, duke vënë si prioritet themelor mbajtjen e pushtetit të vet diktatorial ju nënshtrua presionit rus dhe mbi çështjen madhore çame, vuri atë të ndërhyrjes aktive në Luftën Civile greke, politikë e cila përveçse varroste zgjidhjen e çështjes çame, rrezikonte edhe tërësinë territoriale të Shqipërisë, veçanërisht Shqipërinë e Jugut dhe cenonte rëndë edhe interesat e tjera kombëtare shqiptare.
Nga kjo del se në regjimin komunist kjo çështje u mbulua?
Pas kësaj kohe dhe deri në vitin 1991, administrata dhe qeveria komuniste u kujdesën maksimalisht që ta mbulonin çështjen çame me pluhurin e harresës së historisë.
Administratat postkomuniste të periudhës së tranzicionit deri në ditët tona u treguan pak të angazhuara në përpjekjet për zgjidhjen e çështjes çame. Pas një periudhe relativisht më të angazhuar në vitet 1992-1995 ata do të mbanin vazhdimisht një pozicion të tërhequr në trajtimin e këtij problemi. Mendojmë se kjo çështje kërkon një analizë më të gjerë por këtu po përpiqem të jap disa nga arsyet kryesore, të cilat, sipas gjykimit tim, kanë ndikuar në këtë qëndrim.
Së pari, administratat postkomuniste, duke filluar qysh nga qeveria e deri tek institucionet më pak përgjegjëse, mbartnin dukshëm profilin e administratës së mëparshme komuniste. Kjo dukej në disa drejtime si: niveli i formimit politik dhe kombëtar, i cili ishte i deformuar si rezultat i kufizimeve të shkollës dhe institucioneve të tjera gjatë komunizmit; ruajtja e politizimit dhe militantizmit partiak në këto administrata dhe vijimi i respektimit, deri diku, të modulit të shëmtuar komunist i cili ja nënshtronte çështjet madhore kombëtare, interesave të mbajtjes apo fitimit të pushtetit politik apo interesave të tjera politike të çastit; mungesa e një afinacioni shpirtëror dhe e një njohje profesionale adekuate e problemit çam nga pikëpamja historike, politike, juridike, strategjike etj., nga institucionet kryesore që duhej të merreshin me këtë problem si dhe mangësi të tjera.
Së dyti, tranzicioni postkomunist u karakterizua nga një luftë e ashpër politike brenda vendit, nga kriza, trazira dhe një destabilitet i konsiderueshëm gjë që ka demoralizuar grupet politike qeverisëse për të avancuar përpjekjet për zgjidhjen e çështjes çame dhe nga ana tjetër i ka shtyrë grupet opozitare që donin të vinin në pushtet ta injoronin atë për hir të avancimit të tyre politik drejt pushtetit.
Politikës postkomuniste i ka munguar një cilësi e spikatur kombëtare, qoftë për arsye të trashëgimisë komuniste qoftë për arsye të presioneve të jashtme.
Të zhytura në këtë muzg interesash të ngushta dhe tensioni politik, institucionet shqiptare as brenda vendit nuk u kujdesën që të paktën të financonin dhe organizonin studimin historik, juridik, politologjik dhe strategjik të çështjes çame në kuadrin e sistemit të sotëm evropian dhe ndërkombëtar të mbrojtjes së minoriteteve. Kjo ndoshta është shfaqja më flagrante e papërgjegjshmërisë së tyre ndaj çështjes çame dhe gjithashtu një tregues i profilit të tyre të ulët kombëtar e kushtetues, si institucione që kanë për detyrë të mbrojnë interesat e shtetit dhe qytetarëve shqiptarë.
Së treti, politikat e qeverive shqiptare ishin thellësisht disproporcionale ndaj atyre greke në trajtimin e çështjeve të minoriteteve. Qeveria shqiptare i akordoi të gjitha të drejtat minoritetit grek në Shqipëri, pa kërkuar asnjëherë si këmbim nga qeveria greke plotësimin, qoftë edhe të një kërkese minimale të shqiptarëve të Çamërisë. Për më tepër, qeveritë shqiptare u bënë lëshime të mëdha e të padrejta pretendimeve greke dhe shtrirjes së helenizmit në Shqipërinë e Jugut dhe cenuan statusin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pa kërkuar si këmbim asgjë për zgjidhjen e çështjes çame dhe të interesave më të gjera shqiptare në Greqi.
Në këtë profil politik, aspak dinjitoz dhe të drejtë, kanë ndikuar përveç faktorëve të lartpërmendur subjektivë edhe një sërë faktorësh objektivë të cilët do t’i rendisim shkurtimisht më poshtë, por që duhet ta theksojmë se ata nuk e justifikojnë plotësisht politikën që kanë ndjekur institucionet shqiptare deri më sot.
1. Pozita e privilegjuar e Greqisë në Bashkimin Europian dhe në NATO dhe presionet e saj të forta e sistematike për të bllokuar përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në këto organizma; disbalanca e madhe politike strategjike midis Shqipërisë dhe Greqisë në arenën ndërkombëtare; disbalanca në forcën, kapacitetin dhe stabilitetin e qeverive e institucioneve respektive të dy vendeve; profili politik i ndryshëm i dy administratave, administrata greke me profil shumë më të spikatur nacionalist, me përvojë e kapacitete të larta institucionale e njerëzore; niveli i zhvillimit ekonomik dhe të demokracisë etj.
2. Ka ndikuar edhe kriza e Kosovës, e cila i angazhoi me prioritet kryesor përpjekjet e shtetit dhe institucioneve shqiptare për zgjidhjen e saj veçanërisht deri në vitin 1999. Por gjithsesi edhe pas pavarësimit të Kosovës në vitin 2008 nuk kemi parë ende një energji të re të shtetit shqiptar për të zgjidhur çështjen çame.
3. Ka ndikuar edhe harresa historike dhe fakti që spastrimi etnik i Çamërisë ishte bërë fakt i kryer dekada më parë.
Gjithsesi siç e theksuam më lart, këta faktorë megjithëse kanë qenë pengesa kryesore nuk kanë qenë të vetmit për mungesën e progresit të zgjidhjes së çështjes çame dhe nuk mbulojnë dobësitë e lartpërmendura të institucioneve shqiptare.
Mbetet për t’u parë se si këto institucione do të reagojnë në të ardhmen, kur shumë nga pengesat objektive tashmë janë kapërcyer me shpalljen dhe afirmimin e pavarësisë së Kosovës, pranimin e Shqipërisë në NATO, dhe me progresin e bërë drejt afrimit me BE, veçanërisht pas liberalizimit të vizave.
Logjikisht tashmë institucionet tona kanë shumë më tepër rrethana favorizuese për të mbrojtur të drejtat e pamohueshme të shqiptarëve të Çamërisë. Ne shpresojmë dhe urojmë që ata do ta rimodelojnë në sens pozitiv qëndrimin e tyre ndaj kësaj çështje në të ardhmen