E hene, 29.04.2024, 01:54 AM (GMT+1)

Mendime

Meri Lalaj: Engjëjt ngjiten lart në qiell, djalli mbetet në tokë

E enjte, 23.12.2010, 10:58 PM


Engjëjt ngjiten lart në qiell, djalli mbetet në tokë

 

Nga Meri Lalaj, Shkrimtare

 

Hapa rastësisht televizorin tek stacioni “News 24”. (Ky stacion mban këtë emër e të duket sikur u mbaruan fjalët e gjuhës shqipe apo sikur shesim mend se dimë ca anglisht!) Në emisionin e drekës “Me zemër të hapur” merrte pjesë “ai burri”, i cili u bë shkaktar për tragjedinë e Sukthit ku humbën jetën katër vogëlushët dhe tani më në fund u kujtua për rolin e babait. Me sa kuptova “ai burri” fajësonte ish-gruan se nuk u kujdes ashtu siç duhej për fëmijët e saj. Pasi dëgjova disa fjalira nga drejtuesja, psikologia dhe avokati, unë rrëmbeva telefonin për të dhënë mendimin tim. Njëra nga ato vajzat (që nuk e dinte fare përse bëhej fjalë në emisionin përkatës apo e porositur) më pyeti: “Me kë je ti?” “Jam me Zanën...” thashë. “Nuk ka kohë...,”  tha. “Po mbaron emisioni.” Edhe kur telefonova për së dyti, ndonëse tregova emrin tim, sërish nuk më lejuan të flas.

           Seç pata një përshtypje sikur gjithçka ishte e kurdisur. “Ai burrë” vinte aty në atë emision për të larë duart, për të shpëtuar veten nga mëkatet, por nuk besoj se ndien ndonjë peshë faji përderisa mundohet t’ia hedhë të gjitha ish-gruas duke rrokullisur gurë e baltë përmbi të. Dhe mendimi menjëherë më shkoi tek ajo gruaja e bukur iraniane, që e kemi parë në lajmet televizive, për të cilën është marrë vendim gjykate për ta vrarë me gurë. 

            E dashur Suzana, të kam parë vetëm disa çaste në televizor, por unë jam me ty. Nuk ka fjalë në asnjë gjuhë të botës që të të ngushëlloj për gjëmën që të ka rënë mbi kokë, por ti më e pambrojtura nga askushi, u detyrove të mbështillje me dashurinë e nënës katër fëmijët e tu. Unë të kuptoj fare mirë, kam rritur edhe unë një fëmijë në një kasolle si e jotja, diku aty afër Sukthit. Pastaj u ndava nga bashkëshorti, jo për shkak të dhunës siç të ndodhi ty. Të kuptoj fare mirë ty sepse je shqiptare, je bashkëkombësja ime dhe për nga mosha mund të ishe ime bijë. Ti ishe e detyruar, tmerrsisht e detyruar pa asnjë rrugëdalje që të punoje dhe të bëje atë punë, e cila nuk i pëlqen atij “ishit” tënd. Edhe sikur ti të prostituoje do të ishe shumë më e nderuar nga të tjerat sepse do të shisje trupin tënd për të ushqyer fëmijët e tu. Dhe kjo më kujton zogun e bardhë liqenor me emrin nosit, ai çan gjoksin për të ushqyer me gjakun e tij zogjtë e uritur: “Se vijnë-urtuar zoqtë-e mi, /Dh’u jap ushqim me dashuri- / Një dashuri për llaftari.” Më kujtohet se në Bibël shkruhet për ata burra që e gjykojnë keq e përflasin dhe e përbuzin Maria Magdalenën, ndërsa Krishti u thotë se kundër saj duhet ta hedhë gurin i pari ai burrë që nuk ka mëkatuar kurrë. Askush nuk ngriti dorën. Vetëm se në këto kohë moderne ne kemi harruar të arsyetojmë si qenie njerëzore.

 Dëgjova se Henri Çili të ofroi një strehë. Mirë bëri. Nuk duhet të harrojmë se para së gjithash jemi njerëz.

            Po ku janë këto OJQ-të dhe OJF-të a si quhen, që nuk të ofrojnë një mbrojtje? Ti ende je e rrezikuar prej atij “farë burrit” unë e pashë rrezikun tek vështrimi i egër i syve të tij dhe tek mënyra se si kërkon të dalë i larë nga tërë kjo tragjedi. Nga ana tjetër si mund të harroj kënaqësinë, cinizmin, ligësinë e gazetarucëve tek të intervistonin në ditën e tmerrshme duke pandehur se po bënin “scoop”, ndërsa ti ndodheshe në jerm gjysmë e vdekur nga fatkeqësia. Ai “ishi” duhet të dalë i fituar të ta hedhë ty fajin sepse e tillë është shoqëria jonë maskiliste, që u jep të drejta vetëm burrave, që përdhunojnë femra, vjedhin banka, mashtrojnë nëpër biznese e të tjera. Ende nuk janë mbushur dyzetë ditë nga ikja e  vocërrakëve të tu nga jeta, e sipas gjasave e të të gjitha feve shpirtrat e tyre ende fluturojnë rrotull nesh, janë me ne këtu në tokë e “ai burrë” guxon të kërkojë pa pikë turpi mbrojtje nga shteti. Çfarë kërkon “ai” nga shteti shqiptar? Përse nuk e kërkoi ndihmën më parë, aq më shumë se e dinte si jetonin ata fëmijë. Dhe kush kërkon “ai”, që nuk u kujdes kurrë për fëmijët e vet? “Ai” me siguri kërkon një tjetër grua ta ketë pronë që ta dhunojë, të pjellë ca kalamaj të tjerë dhe pastaj t’i masakrojë.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora