Mendime
Bardhyl Mahmuti: Regjimi terrorist i Nikolla Gruevskit
E marte, 28.12.2010, 08:15 PM
Përmes mjeteve të informit publik!
Reagim ndaj arrestimit të i Velija Ramkovskit!
Regjimi terrorist i Nikolla Gruevskit
Nga Bardhyl Mahmuti
Atyre që kanë përcjellur me vëmendje shpartallimin e Federatës jugosllave u kujtohet kur Ivan Stambolliqi, në vitin 1987 si kryetar i Republikës së Serbisë u angazhua maksimalisht që në krye të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë të vendosë mikun e vet personal, Sllobodan Millosheviqin. Pas një përpjekje të madhe treditore I. Stambolliqi arriti të kalonte kandidaturën e S. Millosheviqit….
Nuk vonoi dhe Millosheviqi filloi procesin e instalimit të diktaturës së vet, të kamufluar me « revolucionin antiburokratik ». Arrestimet dhe spastrimet në Vojvodinë dhe Kosovë ishin uvertura e një tragjedie që do të përfshijë tërë vendin...Se çka ndodhi me ketë logjikë dihet... siç dihen edhe pasojat e kësaj logjike diktatoriale...
Në këtë artikull po rikujtojmë faktin se ata që e ngritën në pushtet Millosheviqin apo që nuk e kundërshtuan me forcë kur ai filloi terrorin antishqiptar, përfunduan edhe vet si pasojë e kësaj logjike (Ivan Stamboliqi u ekzekutua nga Shërbimi Sekret Serb dhe mbeturinat e kufomës së tij u gjetën tek në vitin 2003 )
Duke u nisur nga fakti tani më i njohur në shkencat politike se “regjimeve terroriste” nuk u bëhet vonë se si do të përjetohen nga populli vendimet e tyre dhe përmes diktatit ata përpiqen të imponojnë vizionin e tyre dhe të aplikojnë masat drastike ndaj kundërshtarëve të vet, jam munduar të sensibilizojë opinionin demokratik, brenda dhe jashtë vendit, se VMRO-së paraqet rrezikun më të madh për procesin e demokratizimit të kësaj pjese të Ballkanit.
Që nga ardhja në pushtet e VMRO-së Nikolla Gruevski, në mënyrë të njëjtë si Millosheviqi, është përpjekur të instalojë diktaturën si formë të komunikimit dhe funksionimit në hapësirën e Maqedonisë.
Në funksion të kësaj strategjie fillimisht përmes koalicioneve qeveritare me PDSH-në (2006-2008) kjo parti despotike përdori të gjitha format dhe mekanizmat e dhunës ndaj shqiptarëve:
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH me mijëra shqiptarë u torturuan në forma të ndryshme;Karadaku, Pollogu dhe Malësia e Tetovës u përballën me format më të tmerrshme të terrorit shtetëror; terror në Tanushë, terror dhe vrasje në Vaksincë, terror dhe vrasje në Haraçinë, terror dhe vrasje në Odri, terror dhe vrasje në Tetovë, Masakër në Brodec.... Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH në vend të rishqyrtimit të proceseve të montuara gjyqësore dhe lirimit të shqiptarëve që padrejtësisht mbahen në burgje, burgosje të reja dhe montime të proceseve të reja gjyqësore.
Diktatura “multietnike” u vazhdua edhe me koalicionin qeveritar VMRO-BDI (2008-2010): me mijëra shqiptarë u torturuan në forma të ndryshme nga Kumanova në Shkup ngjatë periudhës së shtetrrethimit të pashpallur; dhunë dhe terror në tërë territoret e banuara me shqiptar; plaçkitje ekonomike të paparë; arrestime, procese të montuara gjyqësore dhe dënime me burg të përjetshëm ; vrasje, eliminime fizike dhe terror shtetëror që arriti kulmin me Rastin e Radushës II, ku regjimi terrorist i Shkupit ekzekutoi katër veprimtarë të shquar shqiptar.
Ideologët e regjimit terrorist të Nikolla Gruevskit janë të vetëdijshëm se diktatura e tij nuk mund të imponohet pa imponuar paraprakisht një terr informativ. Për këtë arsye, ky regjim terrorist shndërroi në objekt dëmtimi dhe asgjësimi mediat të pavarura nga ai.
Janë të freskëta aksionet e dhunës dhe të vandalizmit të diktaturave “shumetnike” VMRO-PDSH dhe VMRO-BDI si ndaj gazetarëve ashtu edhe ndaj mjeteve dhe instalimeve teknike të TV ALSAT, të TV ART, të gazetave “Lajmi”, “Fakti”etj.
Sulmi i fundit brutal ndaj A1 dhe arrestimi i Velija Ramkovski, pa marrë parasysh se me cilin argument po mundohen të justifikohet nga regjimi terrorist i Nikolla Gruevskit, nuk duhet të shihen të shkëputura nga të gjitha veprimet e dhunshme tanimë të njohura për opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo dhunë synon të krijojë një klimë frike dhe terrori që të imponohet më lehtë uniformizmi politik i këtij regjimi terrorist.
Në vazhdimësi kam ngritur shqetësimet e mija se indiferenca e demokratëve të mirëfilltë ndaj regjimit terrorist të Nikolla Gruevskit do t’ u kthehet si bumerang të gjithëve. Madje edhe atyre që dikur e mbështetën.
Rasti i Stamboliqit me Millosheviqin duhet t’u shërbejë si shembull atyre që mbështesin diktatorët ... Diktaturat funksionojnë ngjashëm siç e kanë edhe fundin e ngjashëm!
Bardhyl Mahmuti
Kryetar i Bashkimit Demokratik Shqiptar
26 dhjetor 2010
_____________
STOP REGJIMIT TERRORIST TË NIKOLLA GRUEVSKIT!
Sulmi policor i paradokohshëm ndaj A1 ishte paralajmërim se regjimi terrorist i Nikolla Gruevskit tenton të ngulfat çdo mendim që del jashtë kontrollit diktatorial të tij. Arrestimi i Velija Ramkovski, pa marrë parasysh se me cilin argument po mundohen të justifikohet nga ky regjim nuk duhet të shihen të shkëputura nga të gjitha veprimet e dhunshme tanimë të njohura për opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar që ushtrohen me qëllim të vendosjes së uniformizmit politik të VMRO-së. Montimi i proceseve gjyqësore dhe shantazhet e formave të ndryshme synojnë ngulfatjen e mendimit ndryshe.
Bashkimi Demokratik Shqiptar dënon politikën diktatoriale të VMRO-së dhe të partive politike shqiptare që kanë qenë dhe që janë argat dhe ndërmjetësues të përforcimit të pozitave antidemokratike të regjimit terrorist të Nikolla Gruevskit.
Bashkimi Demokratik Shqiptar e sheh si domosdoshmëri të kohës reagimin e forcave demokratike dhe të institucioneve ndërkombëtare që kësaj logjike diktatoriale t’i thuhet STOP!
Bashkimi Demokratik Shqiptar u bën apel forcave demokratike dhe institucioneve ndërkombëtare që unanimisht të kërkojnë amnistinë e përgjithshme dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara ndaj personave që kanë përjetuar tmerret e kësaj “politike gjyqësore”.
Bashkimit Demokratik Shqiptar
Bardhyl Mahmuti
Kryetar
26 dhjetor, 2010