E shtune, 27.04.2024, 09:52 AM (GMT+1)

Faleminderit

Murat Gecaj: Ferid Imami - një arsimtar kosovar, me ideale demokratike

E marte, 14.12.2010, 10:59 PM


Përvjetor:

 

NJË ARSIMTAR  KOSOVAR,  ME  IDEALE   DEMOKRATIKE

 

(“Mësuesi i  merituar”  Ferid Imami)

 

Nga: Prof.as.Dr. MURAT GECAJ

Publicist e studiues-Tiranë

 

1.Ndër nismëtarët për shkollën shqipe, në Gjakovë

           

            Në vitin l9l5, një gazetë e kohës shkruante edhe këta rreshta: ''Një grup mësuesish, kryesisht gjakovarë, me në krye Niman Ferizin e Sali Morinën, vendosi që të shfrytëzojë situatën dhe të hapë shkollën shqipe në Gjakovë.Vendimi u muar në shtëpinë e Niman Ferizit dhe prezencën e mësuesve patriotë: Niman Ferizi, Ferid Imami, Sali Morina, Ibrahim Fehmiu, Qazim Bakalli, Ibrahim Kolçi, Man Osa, Isuf Puka, Murat Muhaxhiri e Lush Noca...Mësuesit punonin vullnetarisht, pa pretendim, por me qëllimin e lartë të edukimit të fëmijëve me frymën kombëtare".1)

            Për këtë ngjarje të rëndësishme dëshmon edhe një foto e rrallë e asaj kohe, që fikson nxënësit e vitit arsimor l9l5-l9l6. Ata janë 25 djem, të gjithë me qeleshe në kokë, të ulur bashkë me mësuesit e njohur atdhetarë: Ferid Imami, Niman Ferizi e Sali Morina.Tek ata duket krenaria e gatishmëria për ta përmbushur me sukses misionin e nisur, për t'u pajisur me dije e kulturë në shkollën e sapoçelur në gjuhën amtare shqipe.

            Vitet kalonin dhe mësuesi veteran i arsimit tonë kombëtar, Ferid Imami, si dhe kolegët e tij, e kujtonte përherë atë ngjarje të rëndësishme për arsimin e shkollën shqipe në Kosovë, pra çeljen e shkollës së parë në Gjakovë. Se ai ishte ndër të parët nismëtarë të kësaj vepre të paharruar atdhetare.

            Mësues Feridi me kolegët e tij , ishin nismëtarë edhe për ngritjen  e shoqërisë  "Besa Kombëtare", e cila ndihmoi për përhapjen e arsimit dhe për njohjen e traditave më të mira të popullit tonë, që nga lashtësia. Vetë ai punonte ditën në shkollë dhe mbrëmjeve përpiqej të zhdukte analfabetizmin ndërmjet të rriturve në Gjakovë. Synim tjetër i asaj shoqërie, pra dhe i Ferid Imamit me kolegët, ishte përgatitja e mësuesve të rinj dhe sa më të aftë për t'i dërguar në shkollat shqipe,  që u çelën në Pejë, Mitrovicë, Vuçiternë etj.2)

           

2. I pajisur me diplomën e shkollës Normale...

 

            Ferid Mehmet Imami kishte lindur në qytetin e Gjakovës, më 6 prill l892, djep i njohur i shqiptarizmit në Kosovë. Që në vegjëli ishte mëkuar me ndjenja atdhetare, me dëshirën për ta folur e shkruar gjuhën e bukur shqipe. Gjyshërit e tij kishin patur të drejtën e imamnisë në xhaminë më të vjetër të atij qyteti, në atë të Hadumit dhe këtë traditë e rujtën brez pas brezi, treqind vjet. Me vdekjen e të jatit, Mehmetit, mori fund dhe e drejta e ushtrimit të kësaj detyre. Bijtë e tij veshën rrobën e mësuesit të gjuhës amtare shqipe. Në vendlindje Feridi mori mësimet e para, në shkollën fillore e plotore. Në moshën l5-vjeçare,si shume kosovarë të tjerë moshatarë, u nis në rrugë të largët, me dëshirën e zjarrtë të bëhej mësues.

            Në vitin l908 u regjistrua  nxënës në shkollën Normale të Shkupit. Aty pa për herë të parë atdhetarin e dëgjuar Bajram Curri, i cili kryesonte klubin shqiptar të atij qyteti. Me shumë dëshirë Feridi mësoi alfabetin  e gjuhës shqipe me shkronja latine, bashkë me shokë të tjerë. Pushtuesit osmanë nuk e lejonin një gjë të tillë.  Por i nxiste mësuesi i gjuhës shqipe, në Normalen e Shkupit, biri i Pejës, Mësuesi i Popullit  Sali Gjukë Dukagjini dhe kolegu i tij, atdhetari i njohur Bedri Pejani. E Feridi gjithnjë do të kujtonte vështirësitë, që kishin kaluar në atë shkollë. "Feridi më tregonte se si, me 2-3 shokë të tij, ikën nga ajo shkollë fshehurazi dhe zunë vend në një hotel. Nuk donin të merrnin mësime në gjuhë të huaj. Kur e mori vesh Bajram Curri këtë gjë, shkoi menjëhërë atje dhe i takoi. I pyeti: - Pse u larguat nga shkolla ?- Feridi iu përgjigj pa ndrojtje: - Nuk merremi vesh me drejtorin, as gjuhën e huaj nuk e kuptojmë !... Bajrami i përkëdheli e u tha me dashamirësi:- Mirë, mirë. Por ju shkoni atje, se fola me drejtorin. Edhe shqip do të mësoni. - Megjithëse ishin ende të vegjël, ata kishin dëgjuar për emrin e nderuar të Bacë Bajramit dhe bënë siç i porositi ai. Më pas, ata nisën të mësonin shkronjat e albfabetit të shqipes...".3)

            Vitet kaluan shpejt dhe me diplomën e shkollës Normale në xhep, Ferid Imami u kthye  në Gjakovë, më l9ll, i gatshëm t'i vinte  dijet e tij në shërbim të mësimit dhe edukimit të brezit të ri. U emërua kryemësues i shkollës modelore plotore të Gjakovës. Nga ana tjetër, fshehurazi nga qeveritarët osmanë, plot gëzim dhe entusiazëm nisi t'i mësonte rinisë gjakovare shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe. U rrënjoste atyre në zemrat e njoma dashurinë për  Atdheun e Flamurin tonë Kombëtar.

            Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor l9l2, me qëllim që të aftësohej më mirë si mësues dhe të përvetësonte më tej gjuhën shqipe, Feridi erdhi në një kurs 6-mujor të shkollës Normale në Berat, të cilin e mbaroi me sukses. Aty u  takua përsëri me mall e mori mësime në gjuhën shqipe nga ish-mësuesi i shkollës Normale të Shkupit, atëherë drejtor i arsimit për qarkun e Beratit, atdhetarin Sali Gjuka. U njoh edhe me mësuesit veteranë të arsimit kombëtar : Babë Dudë Karbunara, Sali Nivica  e të tjerë.

            Kur përfundoi kursin e mësipërm, Ferid Imamin e caktuan mësues në një shkollë të Tiranës, pra në vitin  shkollor  l9l3-l9l4. Ngjarje e rëndësishme për mësuesit dhe kolegët e tij ishte pjesëmarrja në Kongresin e Arsimtarëve të Kosovës, i cili i zhvilloi punimet në vitin l9l7. Aty u fol për punën, që ishte bërë për përhapjen e arsimit e çeljen e shkollave shqipe dhe u diskutua për detyrat e shumta, që  u dilin mësuesve, prindërve dhe gjithë kosovarëve në të ardhmen.

            Më vonë, në vitin l92l, Ferid Imamin e gjejmë mësues në një  shkollë të vogël të Va Spasit, në rrethin e Kukësit. "Kur pash  një film për arsimin në një zonë të thellë malore,-tregonte bashkëshortja e Feridit, nënë Behixhe Imami, me  banim në Tiranë,-m'u kujtua koha, kur Feridi ishte mësues në Va Spas. Shkolla atje ishte çelur në kasollen me gardh të një fshatari të varfër. Aty banonim edhe ne. Feridit i vinte keq pa masë për ata vocrrakë të xhveshur e të zbathur, që vinin në borë, ngrica e në shi, plot dëshirë për të mësuar. Prandaj  ai kujdesej që të  zinte me baltë çdo vrimë të gardhit  dhe të bënte zjarr për nxënësit e tij, pasi të ftoftit i mpinte".4)

            Si mësues e drejtues në shkollën fillore të qytetit të Kukësit, në Golaj dhe më pas në atë të Bicajt të Lumës, ku shërbeu deri në fundin e vitit l924, Ferid Imami u shqua për zellin në mësimdhënie, për edukatën e shëndoshë që u jepte nxënësve, për lidhjet e ngushta me malësorët etj.

           

3. Në mbrojtje të  demokracisë

 

            Ferid Imami qendroi me armë në dorë në mbrojtje të idealeve të demokracisë. I freskët mbeti në kujtesën e popullit të Lumës qendrimi i  palëkundur i tij kundër kërcënimeve e presioneve të qeveritarëve. Ishte ndër agjitatorët më të flakët për zgjedhjen e demokratit revolucionar, kryetarit të shoqërisë "Bashkimi", Avni Rustemi, deputet i prefekturës së Kosovës (rrethet Kukës e Tropojë). Ndodhej në radhët e para të  manifestuesve dhe të protestave të zgjedhësve të dytë e popullit të Lumës, kur u vra Heroi i Popullit Avni Rustemi. Me këtë rast, ai ngriti flamurin kombëtar në gjysëm shtize, në shkollën e Bicajt, ku shërbente.

            "Sapo u muar vesh se u vra Avniu, -kujtonte një ish-nxënës i Feridit -u mblodh e gjithë shkolla, nën kryesinë e Ferid Imamit me shokë dhe u mbajt një minutë zi. Ishin plot edhe nga populli i Bicajt. Para tyre foli mësues Feridi...Folësi e mbaroi fjalën kështu:--Kryetarin e djalërisë e të shoqërisë "Bashkimi" e vranë njerëzit e shitur...Kjo është një humbje e madhe. Populli shqiptar kërkon hak dhe, me siguri, do ta marrë hakun e tij".5) 

            Në radhët e para të Revolucionit të Qershorit l924, Ferid Imami dha shembull trimërie, kur qendra e Lumës, Bicajt, u muar nga  forcat e xhandarmërisë e bashibozukët mercenarë. Ai qëndroi për 24 orë në shkollën e tij, i vendosur të vdiste, por jo të dorëzohej. Dhe populli thuri vargje për qëndresën e tij: "N'derë të shkollës,në të dalë,/po lufton një trim i rrallë". Qeveritarët e arrestuan atë në Bicaj dhe e dërguan në burgun e Shkodrës, si një nga luftëtarët e kundërshtarët  më të vendosur.

            Nuk ishte e rastit që mësuesin trim Ferid Imami, armiqtë e dënuan me vdekje. Tregojnë se  ata  e veçuan nga të tjerët dhe deshën ta ekzekutonin shpejt. Kryelartë, Feridi deklaroi: "S'ka ç'më duhet jeta, kur ujqit e Beogradit sundojnë!...". Por me ndërmjetësinë e disa njerëzve me influencë në Shkodër, atë e liruan, pas një viti burg.6) Ndjekjet e burgimet ndaj Ferid Imamit bëheshin edhe sepse ai ishte i lidhur ngushtë me Plakun e Maleve, demokratin e madh Bajram Curri. Një gazetë e kohës shkruante se ky mbante pranë disa shkrimtarë, politikanë e mësues, ndërmjet të cilëve dhe Ferid Imamin e Niman Ferizin, si djem besnikë, si demokratë të vendosur, që kishin dhënë prova.7)

           

4. Pesë herë i pushuar nga puna

 

            Në vitet l928-l93l Feridi u shkëput nga arsimi. Punoi si llogaritar në Bashkinë e Gjakovës. Por përsëri mendjen e kishte te shkolla, te arsimimi i bijve e bijave të popullit. Prandaj kërkoi të rikthehej në arsim, dëshirë që iu plotësua, duke e dërguar në fillim në shkollën "Naim Frashëri" të Tiranës dhe më pas në shkollën fillore të  qytetit të Kukësit, ku ishte mësues dhe vëllai i tij, Ahmet Imami.

            Një mësues veteran kujton: "E mbaj mend në vitin shkollor l93l-l932, kur Feridi shërbeu në Kukës. Në biseda më nxënësit dhe të rriturit thoshte se shkolla shqipe dhe përhapja e gjuhës amtare në Kosovë e kudo në Shqipëri, shërbenin për zhvillimin kombëtar  dhe afirmimin tonë në botë. Për ndjenjat e tij përparimtare dëshmon edhe fakti se shtëpia e tij, në kohën kur shërbeu në Tiranë si mësues i shkollës "Naim Frashëri", ishte bazë ku shkonin Ali Kelmendi, Emin Duraku, Asim Vokshi, Hajdar Dushi etj., që i kishte patur nxënës  dhe    bashku bisedonin për t'u ngritur me armë në  dorë  kundër rregjimit".8)

            Për ndjekjet e parreshtura, që i janë bërë Ferid Imamit  gjatë kohës që ka shërbyer si mësues, dëshmon edhe një dokument arkivor i vitit l93l. Aty vetë  shënonte se është pushuar pesë herë nga puna: Në Gjakovë (më l9l2), kur vendi u pushtua nga malazezët; në Tiranë (më l9l4), në kohën e kryengritjes esadiste; në Gjakovë (më l9l8), ripushtimi jugosllav; në Bicaj të Kukësit ( më l925) nga qeveria dhe prapë në  Gjakovë (më l926), për arsye administrative.9)

           

5. Në Kastriot të Dibrës

 

            Një periudhë e rëndësishme e jetës së tij ishte koha, kur Ferid Imami shërbeu në shkollën-internat "Kastrioti" të Dibrës. Shkoi atje pasi kishte punuar si mësues e kryemësues në Kukës, pra që nga nëntori l93l e deri në dhjetor l933. Në propozimin e emërimit të tij si zevendësdrejtor për institucionin e mësipërm, pohohet se një detyrë të tillë e meritonte plotësisht,"mbasi është arsimtar i vjetër e i ka cilësirat e duhura".10) Për cilësitë e tij të larta, flasin edhe kujtimet e ish-nxënësve të tij. Njëri nga ata shkruante për një ngjarje të vitit l935. Kur kishin nisur mësimet, u paraqitën në zyrën e  drejtorit të shkollës. Pastaj shpjegonte: "Aty ishte një burrë i pjekur, i cili na priti mjaft mirë, me fjalët më të ngrohta, duke na thënë se në shkollë do të mësonim, do të bëheshim të ditur, për veten tonë, për familjen , për Atdheun. Fjalët e tij të ngrohta na gëzuan zemrën... Ky ishte mësuesi e drejtori ynë i parë, që nuk do ta harrojmë kurrë".11)

            Në konviktin e Kastriotit Feridi shfaqi  talentin dhe njenjat e një mësuesi e të një prindi të mirë e të pasionuar për detyrën. Nënë Behixhe Imami kujtonte: "Në Kukës e Kastriot kemi qenë bashkë, ku ai shërbeu si mësues. Interesohej shumë për nxënësit. Në konviktin " Dibra" të Kastriotit kishte ngritur një farmaci të vogël. Më thërriste mua nga shtëpia që t'i mjekoja nxënësit, kur kishin nevojë, me ato pak ilaçe që kishim. Edhe për t'i harnuar rrobat e nxënësve, shokë të Besimit tonë ( dëshmori Besim Imami,-shënimi im, M.G. ), më kërkonte ndihmë. Pastërtinë e kishte shumë merak Feridi. E kam parë vetë, duke ua prerë nxënësve thonjtë. Sigurisht, së pari, ai interesohej që nxënësit e tij të mësonin mirë. Në Kastriot ne banonim në shkollë. Por edhe pas mësimit nxënësit nuk ndaheshin, po vinin aty si në shtëpinë e tyre dhe Feridi i ndihmonte në përvetësimin e mësimeve për ditën e nesërme. Shkolla kishte dhe konvikt. Ai kujdesej për ushqimin dhe shëndetin e konviktorëve. Nuk përtonte të ngrihej në netët e dimërit të egër dhe të kontrollonte gjendjen e nxënësve. Shpesh ankohej për pakujdesitë e rregjimit të  kohës në  rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Këtë unë e kuptova më mirë pas vdekjes së Feridit. Kur kërkova pension për të, qeveritarët m'u përgjigjën me paturpësi:- Këtë gjë mos e prit kurrë nga ne. Emrin e Feridit e kemi të nënvizuar me laps të kuq !"12)

            Për meritat e tij si mësues dhe drejtues i arsimit, dëshmojnë dhe shënimet që kanë lënë për të elementët përparimtarë, që ishin në poste drejtuese. Ish-drejtori i Internatit  "Dibra" në Kastriot, Mësuesi i Popullit Sali Morina  ka shkruar për Feridin, kur ky ishte zevendësdrejtor : '' Është i pajisur me një kulturë të shquar dhe është kompetent në kryerjen e detyrës, në përshtatje me parimet pedagogjike e metodike të kohës së tanishme, mbasi qyshë nga viti shkollor l9ll-l9l2, bën pjesë në arsim, sidomos prej vitit shkollor l9l3-l9l4 në Arsimin Kombëtar. Gëzon sjellje e karakter shembullor".13)

           

6. Kujdes i përhershëm  për mbarëvajtjen e arsimit

 

            Ferid Imami tregonte kujdes edhe për mbarëvajtjen e shkollave të tjera,në krahinat ku shërbeu,që ia kishin caktuar në kujdestari. Si kryemësues në Kukës dhe drejtor i Internatit  "Dibra" në Kastriot, ai shkonte herë pas here në fshatra të ndryshme për të parë se si funksiononin shkollat, si ishte vijimi i nxënësve dhe realizimi i programit, a kishte libra e fletore, orendi të  mjaftueshme shkollore etj.  Kontrollonte përgatitjen individuale të mësuesve për mësim dhe u jepte atyre këshillat e nevojshme, në bazë të përvojës së tij të pasur,  të fituar ndër vite.

            Duke shfletuar një raport të tij, dërguar Ministrisë së Arsimit për vitin shkollor l932-l933, për shkollat e ish-qarkut të Kosovës (rrethet kukës e Tropojë), përveç shkollave verore në Ploshtan e Zapot, vihet re se ai jep të dhëna të mjaftueshme edhe për l4 shkolla të tjera. Aty raportonte për vijimin e kalimin e nxënësve, gjendjen e lokaleve e të mjeteve mësimore etj. Por edhe nuk ngurronte të ngrente ato probleme, që ishin më shqetësuese. Prandaj ai kërkonte me ngulm : "Të pasurohen shkollat me figura të ndryshme, me harta gjeografie e me tjera mjete mësimi".  Ndër l2 kërkesat e tij: për problemet e vijimit të nxënësve, sigurimin e banesës dhe ngrohjen për nxënësit e mësuesit, dërgimin e rrogave në rregulle etj.  është dhe ajo për organizimin e një pune të programuar për kualifikimin e mësuesve:  "Mësuesit e qarkut, dy a tri herë në vit, të mbajnë konferenca për lëndët e mësimit, që në atë vit shihet nevoja të zhvillohen e mbi çeshtje tjera shkollore, të cilat do të shkaktonin mbarëvajtjen e përparimin arsimor të qarkut".14)

            Ndërsa për mbarëvajtjen e arsimit në qarkun e Dibrës dërgoi raporte në Ministrinë e Arsimit edhe për vitin shkollor l933-l934, ku tregonte gjendjen e vijimit e përparimit të nxënësve, të lokaleve e  kuadrit etj., sipas informacioneve të vetë shkollave dhe "nga shënimet, që kemi mundur të përmbledhim rrotull vitit shkollor". Të dhënat janë për l3 shkolla dimërore e 4 verore dhe kërkonte që të çeleshin, të paktën edhe 5-6 shkolla të reja në fshatra, për vitin tjetër  arsimor. Interesim të veçantë tregonte Feridi për nxënësit konviktorë, gjë që duket qartë në propozimet, që u bënte organeve eprore për t'ua plotësuar kushtet edhe për argëtimin e tyre: "Nxënësit malësorë, sidomos internatistët, për ta zbutë zemrën dhe shpirtin e ashpër të tyre, është shumë e dobishme të kenë një radio e një oskestër" dhe shënon aty se sa mund të kushtojnë ato.15)

            Ferid Imami ishte mësues me horizont e interesa të gjëra. Në vitin l923 , për shembull, ishte anëtar i shoqërive arsimore e kulturore "Shkëlzeni" e  “Dobia", në Krumë të Hasit dhe në Bicaj të Lumës.16) Ai gjithnjë studionte e hulumtonte që të ishte sa më i përgatitur si mësimdhënës dhe edukator. Në mes të librave të tij, që ruan familja, janë dy dorëshkrime me interes: "Dheshkronja", e shoqëruar me harta-skica dhe "Gjergj Kastrioti- Skenderbegu"( historia e jetës së tij). Disa numra  revistash, që ruhen nga ajo kohë me shënimet e tij, dëshmojnë se mësues Feridi ishte i pajtar dhe lexonte rregullisht botimet e përkohshme arsimore e letrare, si: "Revista pedagogjike", "Edukata e re", "Normalisti",  "Kopshti letrar ", "Mësuesi" etj. Ai kishte lexuar me dëshirë dhe librin e prof. Aleksandër Xhuvanit "Kritikë mbi fjalorë të shqipes" (l936), në të cilin gjenden shënime me dorë nga vetë Feridi.

            ... Vitet e shërbimit si mësues në krahina të ndryshme, si dhe vuajtjet e shumta nga mungesa e ushqimit , burgimi etj., kishin bërë që Ferid Imamit t'i shfaqej sëmundja e tuberkulozit. Dalëngadalë, ai i breu mushkëritë në moshë të re këtij mësuesi të paharruar, deri sa e ndau përgjithnjë  nga jeta, në Tiranë, më l7 dhjetor l937. Para çlirimit emri i tij u la në harresë të plotë. Kuptohet, sepse kishte qenë kurdoherë kundërshtar i  armiqëve të Kombit. Ndërsa në vitet e fundit ai u vlerësua me titullin ''Mësues i merituar" dhe është shkruar për të në shtyp, në ndonjë rast përvjetori të  tij. Sidoqoftë, ai la një emër të nderuar në historinë e arsimit tonë kombëtar.

______________________

1) Gaz."Mësuesi", 19.04.1972,faqe 8. 

2) Nga fjala te varri i F.Imamit, Tiranë, dhjetor 1937; dok. e ruan familja.

3) Kujtime nga Behixhe Imami, bashkëshortja e Feridit,Tiranë, 05.04.1985; i ruan autori.   

4) Po aty.

5) Libri "rev. i Qershorit në kujtimet e bashkëohësve",Tiranë, 1974, faqe 82.  

6)Rifat Spahiu, gaz."Mësuesi", 03.07.1964, faqe 4.   

7) Sami Ferizi, gaz."Mësuesi", 19.04.1972,faqe 8.

8) Rexhep Shpendi, Radio-Tirana, 09.09.1982.

9) AQSH i RSH, MA, D.21 e personelit-shkronja F-122.

10)Po aty.

11) Kujtim i R.Nelajt, 55-vjetori i Internatit "Dibra", 07.03.1979; e ruan familja e Feridit.

12) Behixhe Imami, cituar.

13) AQSH i RSH, MA, Dosja 21 e personelit, shkronja F, f.122.

14) AQSH i RSH, MA, 1933, D.11, f.184 e 186.    

15) Po aty, D.129, f.185 e 187. 

16) Isa Halilaj, rev."Arsimi Popullor", nr.6, 1971, faqe 157.           

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora