E shtune, 27.04.2024, 09:28 AM (GMT+1)

Faleminderit

Selim Daci: Skënder Rizaj - një jetë në shërbim të edukimit kombëtar

E diele, 12.12.2010, 08:59 PM


Një jetë në shërbim të edukimit kombëtar

 

Prof. Dr. Skënder Rizaj, ‘‘Mësues i merituar’’

 

Për popullin e tij shkroi histori dhe për popullin e tij mbeti në histori

 

Nga Prof. Dr. Selim DACI

 

Prof. Dr. Skënder Rizaj u lind në Pejë më 14 mars 1930. Në vendlindjen e tij përfundoi shkollimin fillore dhe të mesëm, kurse studimet për histori i përfundoi në Shkup. Ndërsa studimet e magjistraturës dhe të doktoraturës i mbaroi në Sarajevë në vitin 1965, duke u bërë kështu doktori i parë i shkencave të historisë në Kosovë.

Punën pedagogjike për të edukuar nxënësit në frymën kombëtare dhe për të ngritur vetëdijen kombëtare e për të krijuar tek ata idenë e pavarësisë dhe krijimin e shtetit të Kosovës e filloi në vitin 1948 duke shërbyer si mësues në shkollën e Gllaviçicës, për të vazhduar në Pejë deri në vitin 1956. Pastaj, duke qenë një nga kuadrot më të përgatitura nga fusha e historisë dhe një punëtor i dalluar në arsimimin e gjeneratave në Kosovë, në vitin 1956 punësohet në gjimnazin e Pejës si profesor i lëndës së historisë për të vazhduar deri në vitin 1961. Mandej, me qenë se në Kosovë kishte nevojë për kuadro profesionale dhe shkencore, atëherë Prof. Skënder Rizaj posedonte përvojë pedagogjike dhe profesionale, kështu u angazhua në Degën e Historisë në Fakultetin Filozofik në Prishtinë për të ligjëruar lëndën e historisë nga periudha e Kohës së Re deri në vitin 1984, të cilën e themeloi së bashku me Prof. Ali Hadrin.

Prof. Skënder Rizaj, kishe sens në edukimin e gjeneratave dhe studimin e historisë kombëtare. Po kështu me qenë se ishte rritur dhe edukuar në një rreth familjar që kishte frymuar kombëtarisht, kjo ndikoi edhe më shumë që Prof. Skënder Rizaj qysh në moshën rinore të orientohet dhe të angazhohet në veprimtarinë patriotike kombëtare. Në moshë 17-vjeçare angazhohet në ilegalitet, ku mbante pseudonimin ”Fishkëllima” dhe i takonte organizatës ilegale “Besa Kombëtare”. Gjykata e Qarkut në Prizren në nëntor të vitit 1946 i shqiptoi dënimin me 1 vit burgim të rëndë, në bazë të nenit 3/1 të ligjeve të atëhershme në fuqi. Me qenë se përfundoi studimet për histori, Prof. Skënder Rizaj u angazhua të punonte në ndriçimin e fakteve historike dhe në argumentimin e tyre mbi bazë të dokumenteve arkivore. Kjo punë e tij ndeshte në kundërshti të historiografisë serbe e cila ishte në aksion të falsifikimit të ngjarjeve dhe periudhave më të rëndësishme të historisë shqiptare. Prof. Skënder Rizaj i filloi hulumtimet në arkivat evropiane për të mbledhur dokumentacion origjinal mbi ngjarjet kryesore historike që ishin pika kyçe në historiografinë shqiptare. Këtu duhet veçuar studimet e tij dhe të dhënat shkencore që sjellë në librin Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII, pastaj mbi të ashtuquajturën Dyndje e Madhe Serbe, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit etj. Me përkushtim profesional ishte angazhuar që të zbardhte mitin mbi Betejën e Kosovës (1389), që të paraqiste me argumente shkencore të drejtën historike të shqiptarëve për vetëvendosje dhe mbi të gjitha që të shembte falsifikimet e historiografisë serbe për Kosovën. Kësisoj një rëndësi të posaçme kishte kumtesa e tij ‘‘Burimet osmane nga shekulli XV deri në shekullin XVIII për banorët e Deçanit dhe të rrethinës’’ që u prezantua në simpoziumin shkencor të organizuar nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës të mbajtur në Beograd dhe Deçan, në të cilën shfaqi hapur mendimin e tij të ndërtuar mbi dokumentacionin arkivor se Manastiri i Deçanit është autentik shqiptar dhe se banorët shqiptarë e ndërtuan dhe u përkujdesën për të. Duke prezantuar të vërtetën shkencore për Manastiret dhe kishat mesjetare në Kosovë në shumë sesione, simpoziume dhe konferenca ndërkombëtare me karakter shkencor, Prof. Skënder Rizaj bëri jehonë si në opinionin vendor dhe atë ndërkombëtarë. Ai ishte i ftuari kryesor dhe me kompetenti për të referuar në çdo aktivitet shkencor brenda dhe jashtë vendit me shumë origjinalitet dhe argumente shkencore për ngjarjet kryesore në historinë e shqiptarëve në Kosovë. Poashtu, botoi disa libra me karakter shkencor dhe universitar si dhe dhjetëra punime profesionale në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit. Me veprat e tij la shembull se si punohet dhe zhvillohet intelektuali i mirëfilltë, kurse kontributi i tij me publikimin e rezultateve shkencore në studimin e historisë vuri bazat e historiografisë në Kosovë. Por, të gjitha këto dhe të tjera të vërteta shkencore që solli Prof. Skënder Rizaj, e penguan pushtetin e atëhershëm dhe e shtyn Sekretarin e Organizatës Themeltare të Lidhjes Komuniste që të merrte vendim për largimin nga puna të Prof. Skënder Rizaj në vitin 1984, me arsyetimin për ‘‘pakujdesi’’ në interpretimin e të ashtuquajturës Dyndje e Madhe Serbe dhe ngjarjeve të tjera historike. Megjithëkëtë, Prof. Skënder Rizaj nuk u frikua dhe nuk u demoralizua që të ndërpres punën e tij profesionale dhe shkencore, ai mbi të gjitha u motivua edhe më shumë për të punuar dhe për të vazhduar kërkimet e reja shkencore për historinë kombëtare shqiptare.

Prof. Skënder Rizaj edukoi gjenerata të shumta në Degën e Historisë, duke transmetuar tek ata në mënyrë profesionale njohuritë për historinë botërore dhe kombëtare. Ai udhëhoqi me shumë profesionalizëm studentë në tema diplomash, magjistraturash dhe doktoraturash, duke i dhënë vendit shumë kuadro të përgatitura profesionalisht. Gjithashtu tek studentët e tij Prof. Skënder Rizaj, ç’është më kryesorja krijoi ndjenjën, ngriti vetëdijen dhe ushqeu idenë për të krijuar shtetin e Kosovës. Ky mesazh i tij u bë realitet pikërisht nga studentët e tij të cilët filluan veprimtarinë patriotike për të organizuar celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të ishin përfaqësues kryesor politik për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Studentët e tij ishin anëtarë të organizatave ilegale dhe të dënuar politik, ishin organizatorët kryesorë të demonstratave studentore, ishin ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës disa prej tyre tani dëshmorë, ishin përfaqësuesit politik të UÇK-së për të nënshkruar çlirimin e Kosovës, ishin përfaqësuesit e zgjedhur të popullit për të shpallë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran në vitin 2008 dhe tani përfaqësuesit e institucioneve kryesore të Republikës së Kosovës. Studentët më mirë se çdo kush të japin vlerësimin që e meriton, andaj studentët e tij e vlerësuan lartë kontributin e Prof. Skënder Rizaj duke i dhënë çmimin ‘‘Mësues i merituar’’. Një nga këta studentë dhe më pastaj edhe asistent i tij pata fatin të isha edhe unë.

Sot, ai ndjehet krenar dhe është i nderuar për faktin se puna e tij arsimore dhe shkencore çmohet, mesazhi i tij që u kishte dhënë studentëve gjatë ligjëratave ka arritur në destinacionin e duhur dhe kryesorja tani jeton në Republikën e Kosovës të njohur ndërkombëtarisht për të cilën punoi një jetë të tërë. 

Prandaj, në fund këtë shkrim për Profesorin tim të nderuar dhe të mijëra studentëve tjerë, do ta përfundoj me fjalët e tij prej një urtësie që gjithmonë i thotë, ‘‘Unë duke ndejt me ju, po rinohem, kurse ju po plakeni’’. Me të vërtetë ai gjithmonë po rri me ne me veprat e tij dhe kështu do të mbetet i rinuar vite me radhë...

 

 (autori është profesor në Departamentin e Historisë në UP)

 



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora