E shtune, 27.04.2024, 08:17 AM (GMT+1)

Faleminderit

Myrteza Mara: Medalje Argjendi me titullin “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”

E hene, 29.11.2010, 10:59 PM


Vilhelme Haxhiraj, djathtas,në kompani të presidentit Bamir Topi dhe bashkëshortes së tij, Zonja Teuta Topi
Vilhelme Haxhiraj, djathtas,në kompani të presidentit Bamir Topi dhe bashkëshortes së tij, Zonja Teuta Topi

 

Medalje Argjendi me titullin “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”

 

Shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj ka lindur para 66 vitesh në Kaninë të Vlorës. Origjina e hershme e saj i ka rrënjët në lisat e thellë, atje ku kanë çelur sytha e lastarë të patriotizmit, kulturës dhe atdhedashurisë, pinjolle e familjes së princit Gjergj Arianiti.

 

Nga Myrteza Mara*

 

       Të nderuar miq dhe dashamirë! Sot është ditë e vaçantë për mbarë botën letrare shqiptare. Pikërisht sot, më 25 nëntor 1913, lindi kolosi i letrave shqipe, Nderi i Kombit, biri i Dhërmiut të Vlorës, Petro Marko. E kujtojmë me nderim të thellë veprën e tij, për vuajtjet e tij, për amanetet e tij. Klubi ynë mban këtë emër, jo vetëm me krenari, por edhe me përgjegjësi të madhe qytetare, kulturore dhe atdhetare. Sot, në këtë ditë të veçantë, dy nga protagonistët më në zë në fushën e letrave dhe të artit, znj. Vilhelme Vranari (Haxhiraj) dhe zt. Luan Toto, vlerësohen nga Kryetari i Bashkisë,z. Shpëtim Gjika, me titullin e nderuar “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës” shoqëruar me Medalje Argjendi. Ndaj dhe ne zgjodhëm këtë ditë, 25 Nëntor 2010,  për ta legjimituar si ditën e organizimit të shoqatës sonë  dhe shndërrimin e emërtimit në “KLUBI I SHKRIMTARËVE PETRO MARKO–VLORË.

 

         Duke nisur nga sot, 25 nëntori i çdo viti do të kujtohet me respekt e admirim të veçantë për këto ngjarje të shënuara, për shkrimtarët, për kontribuesit, për krijuesit si dhe për zt. Shpëtim Gjika, i cili me atributet dhe kopetencat që ia jep ligji, miratoi propozimin tonë për të nderuar me këtë titull znj. Vilhelme dhe zt. Luan. Qytetit tonë i kanë hijeshi jo vetëm deti, ullinjtë, Karaburuni dhe Sazani, magjia e  isopolifonisë, arti dhe sporti, mëria, lavdia dhe historia, por edhe njerëzit që japin vlera në fusha të ndryshme, ku edhe ata që dinë dhe duan të promovojnë vlera të tilla.  Është i vetmi qytet në Shqipëri  që ka një “pronë “, si dëshim ekzistence, një lulishte në Skelë, përbri Universitetit “Ismail Qemali”, ku qëndron një pllkatë, dhuratë e bërë më 2006 pikërisht nga z. Shpëtim Gjika.

 

      Nëse përmenda disa herë emrin e Kryetarit të Bashkisë, kjo nuk ka asgjë të përbashkët me elozhe formale, por me fjalë e mirënjohjeje, plotësisht  të merituar. Kemi gjetur përherë mirëkuptim dhe përkrahje të plotë për  çështje të ndryshme, duke u ndjerë të përfillshëm dhe të respektuar. Sot është ditë ceremoniale e dhënies së titullit të nderuar, ku fjalët do të kenë më tepër karakter urimi, pasi për punën e të dy protagonistëve  flasin veprat e tyre, flasin tiparet dhe  vlerat e tyre qytetare. Siç theksova, unë do të flas shkurtimisht për zonjën e nderuar, shkrimtaren e mirënjohur Vilhelme Vranari Haxhiraj

 

     Vilhelme Vranari ka lindur gati 66 vite më parë në Kaninë të Vlorës. Origjina e hershme e saj i ka rrënjët në lisat e thellë, atje ku kanë çelur sytha e lastarë të patriotizmit, kulturës dhe atdhedashurisë, pinjolle e familjes së princit Gjergj Arianiti. Vilhelme Vranari është sot një zë i respektuar në letërsinë shqipe, ashtu si dhe shumë të tjerë që kaluan në fusha e pyje të tilla nëpërmjet urave që solli demokracia dhe liria e munguar. Ajo po ashtu është edhe veprimtare në lëvizjet e nxehta të kohës, duke parë më shpejt se shumë të tjerë dritën e perspektivës. Veprimtare  aktive në formimin e LDG dhe drejtuese e saj për shumë vite, duke synuar përherë arritjen dhe zbatimin e standarteve të gruas bashkëkohore evropiane për emnacipimin dhe formimin qytetar , dhe si rrjedhojë edhe të shoqërisë.

 

    E gjithë kjo ngarkesë emocionale, shpirtërore, patriotike dhe artistike, gjeti shprehje në oazin e madh të letrave, ku shpaloset në dimensione të admirueshme: pasioni, kultura dhe përgjegjësia e saj si qytetare dhe si shkrimtare. Vendime të tilla të rëndësishme nuk vijnë nga një frymëzim i çastit, por nga misioni që merr përsipër cilido, nga thellësia dhe gjerësia e këndvështrimit, për të kapur “rob” motive dhe subjekte letrare që i shërbejnë edukimit të shoqërisë, memorjes së kombit dhe fazave të tranzicionit historik. Gjurmët dhe fijet e krijimtarisë së shkrimtares Haxhiraj bulëzuan qysh në bankat e shkollës, por siç dihet kafazi i hekurt nuk i la të gjithë zogjtë të fluturojnë dhe të puthin qiellin e Shqipërisë.

 

       Dhe ja ku shfaqet pena e saj nëpër udhët e lodhura të tranzicionit, me artikuj të ndryshëm, mes tyre në mars 1992 shkruan në media artikujt mbi të drejtat dhe liritë e gruas, duke qenë njëkohësisht e para grua që i paraqiti Kuvendit të Shqipërisë një peticion për të drejtat dhe liritë e gruas, pjesëmarrja e saj në jetën politike, administrative dhe juridike, si dhe për legalizimin e emigrantëve.  Karriera e zonjës Vranari (Haxhiraj) është e mbushur me emocione dhe lodhje njëko- hësisht, por frytet e punës së saj gati katërmbëdhjetëvjeçare, janë jo vetëm të dukshme, por edhe të vlerësuara nga kritika e mirëfilltë, dhe ata që dinë të vlerësojnë e të  thonë fjalën dhe mendimin e duhur, në vendin dhe kohën e duhur. Prodhimtaria e suksesshme e shkrimtares Vranari e ka burimin jo vetëm te puna këmbëngulëse, plot sakrifica, por edhe te besimi se do t’i arrijë objektivat që i vë vetes çdo krijues i pjekur: “Të shkruaj natën, për të ndriçuar errësirën e ditës!”             

 

       Njëzetetre vepra letrare  në disa gjini, ku një vend të rëndësishëm zenë romanet me tema që rrezatojnë mesazhe për dje, sot dhe nesër. Vend të konsiderueshëm zë edhe letërsia për fëmijë, ku autorja shkruan në përputhje me veçoritë psikike të moshës dhe  me synim edukimin e tipareve dhe kërkesave të kohës, zhvillimit të shoqërisë dhe infrastukturës kulturore të nevojshme. Vilhelme Vranari (Haxhiraj) ka qenë përherë anëtare aktive e grupimit të shkrimtarëve të qytetit dhe më gjerë.Mendimi i saj estetik, qytetar dhe i pasur me kulturë, ka shërbyer për mirëlkuptim mes krijuesish dhe lëvizjeve emancipuse brenda grupit. Për punën e saj është vlerësuar me çmime të ndryshme, si brenda dhe jashtë vendit:

 

Në nëntor 2006 vlerësohet me çmimin “Petro Marko” Për Dilema e së nesërmes(roman). Më 21 prill 2007 vlerësohet    “Poezia e mirëinterpretuar”. Më 24 dhjetor 2008 vlerësohet “Personazh i Vitit 2008” për romanin “Unaza e Prangosur”. Më 18 prill 2009, në Torino të Italisë nderohet me Çmimin kombëtar  “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Më 11qershor  2009 vlerësohet në Kosovë me “Mirënjohje e Lidhjes së Prizrenit”. Më 29 korrik 2009, Qeveria Shqiptare e vlerëson shkrimtaren Haxhiraj me Pension të Posaçëm. Më 1 shkurt 2010  vlerësohet si Personazh i Vitit 2009 nga sondazhi mediatik Vlora Channe. Më 3 prill 2010 Shoqata  Atdhetare  Kulturore Kanina dhe Komuna Qendër e vlerëson me “Mirënjohjen e Kaninës” nga Qyteza. Më 18 nëntor 2010 dekorohet me Diplomë Mirënjohjeje nga Instituti i Librit dhe Procionit Toena&Klubi i Shkrimtarëve” Drita” në Athinë, për “Rrugë pa kthim”. Më 25 nëntor 2010 vlerësohet me Medalje Argjendi me titullin ”Mirënjohje e Qytetit Vlorë”, nga Bashkia e Vlorës.

 

Pas gjithë këtij rrugëtimi të gjatë letrar, lexuesi e shikon shkrimtaren Vranari me një mal krijues mbi supe., tëcilat janë: Tre vëllime poetike, një i përkthyer /dygjuhësh : shqip/rumanisht, 3 vëllime me novela, tregime dhe skica letrare, 11 romane të botuara dhe -1- në botim, ndër të cilat përfshihet trilogjia “Vështroni Meduzën”, si dhe  6  libra për fëmijë (përralla, fabula dhe gjëza).Nuk duhen lënë pas dore 3 përkthime nga italishtja, skenar për fëmijë, publicistikë & ese (libri i parë në botim) si dhe shumë që presin dritën e botimit. E gjithë kjo punë voluminoze , plot përkushtim, flet duke i dhënë dritë portretit krijues  të shkrimtares.

 

Qysh në krijimet e para studiues, kritikë dhe shkrimtarë të afirmuar, si: Odhise Grillo, Adriatik Kallulli, Visar Zhiti, Xhevahir Spahiu, Fatmir Terziu, Eshref Ymeri, Uran Butka, Mexhit Prençi, Fisnik Sina, Bujar Leskaj, Mujë Buçpapa, Fatime Kulli,Thanas Jani, Baki Ymeri, Meto Hoxha, janë shprehur me konsiderat vlerësuese për  gjithë arshivën krijuese të zonjës Vranari. Këtë e tregon fakti se është e përfshirë në  6 antologji( Shqipëri/, Kosovë, Rumani, Itali , Angli), gjithashtu edhe në  Krittika Ndryshe (Londër dhe Rumani). Pjesëmarrja në 11 panaire të librit në Tiranë, Gjirokastër, Saranadë, Vlorë...e bëjnë të njohur krijimtarinë e shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj, si brenda dhe jashtë vendit., gjë që flet për kualitetin krijues të saj, ku ajo thotë fjalën e vet përmes një pune voluminoze.

 

E gjithë krijimtaria e Vilhelme Vranari (Haxhirajt) ka në bosht luftën për dritë dhe drejtësi, për mirëqënie dhe dashuri, për besë dhe Atdhe, për kulturë dhe prosperitet. Në krijimet e saj autorja e vë gishtin mbi plagët e majisura të shoqërisë, duke treguar shtigjet ku kalon mirësia dhe urtësia e popullit. Duke veçuar trilogjinë me romanet “Prolog Jete”, Vështroni Meduzën”, “Dilema e së Nesërmes” , si dhe romanet” Zonja me \karafila të bardhë“, Jetë në udhëkryq”, “Dhembje nëne”, “Ringjallur si Krishti”, “Rrëfim në të Perënduar”, “Unaza e prangosur” etj., deri tek romani i fundit ”Dritëhijet e medaljes enigmë“, themi pa drojtje, me plotë gojën jo vetëm urime tradicionale, por urime profesionale të merituara!

 

    Fuqia krijuese dhe prodhuese e shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj i ngjan një lokomotive në hekurudhë malore,  e cila sa më shumë rrugë bën, aq më shumë i afrohet lartësive. Kanë folur e shkruar, do flasin dhe do shkruajnë mendjet e ndritura sa herë nga shpirti i krijuesëve do dalin diej që shndrisin artin dhe letërsinë, kulturën, kohën dhe shoqërinë. Aq herë do të jenë të gatshëm edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal e qëndror për të vlerësuar e inkurajuar arritje të tilla, të cilat përmirësojnë jo vetëm klimën e mirëkuptimit, por edhe respektin dhe bashkëpunimin e ndërsjelltë individ & pushtet. Me këtë rast u uroj të dy personazheve të vlerësuar suksese, shëndet dhe krijimatri të frytshme! Faleminderit të gjithëve! Në emër të Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko”, shpreh falenderimet Kryetarit të Bashkisë, zt. Shpëtim Gjika, për mirëkuptimin dhe vlerësimin e dy anëtarëve të Klubit tonë!

 

Post Scriptum

 

Autori i këtij shkrimi, Myrteza Mara, është Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko”. Mesazhi i tij në origjinal fillon me këtë tekst: Të nderuar N/kryetar të Bashkisë Vlorë: zt. Eduard Banushi & zt. Edmond Leka! I nderuar zt. Besim Ndregjoni, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Përndjekurve Politikë! I nderuar zt. Bujar Leskaj!  E nderuara znj. Arta Musaraj, Rektore e Universitetit Pavarësia! Të nderuar pjesëmarrës! Ju faleminderit për praninë  Tuaj në këtë takim vlerash letrare! Sot vlerësohen dy persona, Vilhelme Haxhiraj dhe Luan Toto. Për Luanin do të  flasë Piktori i Merituar ,Agron Dine, kurse unë do të flas për zonjën Haxhiraj.  (Baki Ymeri)

Vilhelme Haxhiraj dhe Xhevahir Spahiu
Vilhelme Haxhiraj dhe Xhevahir Spahiu



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora