E shtune, 27.04.2024, 12:57 PM (GMT+1)

Faleminderit

Teuta Shala: Kontributi i Sali Ramës në komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës

E shtune, 11.12.2010, 09:00 PM


KONTRIBUTI I  SALIH RAMËS NË KOMITETIN  MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS

 

Nga MA. Teuta SHALA

 

Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës ka luajtur rol të rëndësishëm në mbrojtjen e interesave të popullit shqiptar në përgjithësi. Duke marrë parasysh veprimtarinë politike të tij, ky Komitet  pas themelimit në Shkodër në vitin 1919,  e shtriu veprimtarin e vet edhe në viset tjera shqiptare si dhe më gjerë duke organizuar degët e tij. Ky Komitet mblodhi rreth vetës veprimtarë të dalluar të çështjes kombëtare. Një rol të rëndësishëm në Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës luajtën  edhe  rugovasit të cilët u dalluan sidomos në luftërat e shumta të zhvilluara kundër malazezëve.

Njëri ndër luftëtarët më të dalluar të Rugovës padyshim   ishte edhe  Sali Rama, i cili me angazhimin e tij dha ndihmesë të madhe për çështjen kombëtare në përgjithësi e në veçanti në kuadër të Komitetit MKK.   

Salih Rama u lind në vitin 1882 në fshatin Bog të Rugovës. Ishte njëri  ndër luftëtarët më të dëgjuar të Rugovës. U dallua sidomos në luftërat e shumta të zhvilluara kundër malazezëve. Ishte aktiv pothuajse në të gjitha ngjarjet e rëndësishme që e karakterizojnë historinë e popullit tonë gjatë kohës sa jetoi dhe veproi.

Kryengritjes së vitit 1912 një ndihmesë të madhe i dhanë edhe luftëtarët rugovas. Padyshim se një ndihmesë të madhe me këtë rast dha edhe Sali Rama i cili së bashku me Ker Sadrin iu prinë forcave vullnetare të Rugoves.[1]

Vlen të theksohet se në kohën kur veproi Lëvizja Kaçake, Sali Rama  u dallua për kontributin e dhënë në kuadër të kësaj lëvizjeje. Në kohën kur ishte në skenë kjo lëvizje  rugovasit, në krye me Ker Sadrinë e Sali Ramën, bënë rezistencën më të madhe.[2]

Në kuadër të lëvizjes kaçake Sali Rama së bashku me Ker Sadrin ishte në krye të kaçave rugovas që vepronin në rajonin e Rugovës. Kështu, gjatë vitit 1920 komanda ushtarake serbe vazhdoi aksionin e çarmatimit në Rugovë. Në këtë rast ishin bërë plaçkitje të mëdha nga ana e ushtrisë. Një sjellje e tillë i kishte detyruar shumë rugovas të dalin maleve. Nga regjistri që prefekti i Qarkut të Pejës ia dërgonte Ministrisë së Brendshme konstatohej se Rugova edhe më tutje kishte 78 kaçakë të cilët vepronin në këtë trevë, kurse në mesin e krerëve të këtyre kaçakëve përmendet edhe Sali Rama.[3]

            Veprimtaria patriotike dhe atdhetare e Sali Ramës ishte e gjerë, atij i takon merita edhe për ndihmesën e dhënë në  Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, në kuadër të të cilit kanë vepruar patriotët më të shquar.

Në kuadër të këtij Komiteti, Sali Ramës i takon merita  për organizimin e të gjithë aktivitetit në krahinën e Rugovës.[4] Në shkurt të vitit 1919 Plava dhe Gusia ndodheshin në një gjendje mjaftë të rëndë si pasoj e sulmeve të ushtrisë serbe dhe asaj malazeze. Në ato qaste kritike për Plavën dhe Gusinë, Komiteti MKK me anë të veprimtarëve të vet mori masa për ti dalë në ndihmë këtyre dy trevave.  Për këtë qellim Komiteti MKK e njoftoi edhe parinë e Rugovës. Sali Rama atje mblodhi popullin dhe u mor vendim qe të zbatoheshin urdhrat e Komitetit të Kosovës. Pra, me repartin e Plavës dhe Gucisë u bashkuan 200 burra të Rugovës nën udhëheqjen e Sali Ramës.[5]   

Në veprimtarin e Sali Ramës në kuadër të Komitetit MKK vlen të përmendim edhe fakti se në vitin 1919 Komiteti e caktoi për vëzhgimin e kufirit të Shqipërisë. Sali Rama në këtë pozitë u caktua pas kërkesës së bërë nga komandantët italo-francez që ndodheshin në Shkodër të cilët më 1919  kërkuan disa shqiptarë për vëzhgimin e kufirit të Shqipërisë, Komiteti MKK,  i cili pranin e kësaj ushtrie në Shkodër e konsideronte si mundësi të mirë për të vënë kontakte me përfaqësuesit evropian, me kërkesën e bërë nga komandantët e lartpërmendur propozoi dhe caktoi edhe Sali Ramën për krahinën e Rugovës.[6]

Pas shpërthimit të kryengritjes në Rugovë në janar-shkurt të vitit 1919, filloi menjëherë përgatitja për një kryengritje të përgjithshme. Komiteti i Kosovës i dha përkrahje kryengritjes në Rugovë në aspektin ushtarak si dhe filloi përgatitjet për kryengritjen e përgjithshme e cila ishte paraparë që të fillonte në pranverë. Në pranverën e vitit 1919 ishin caktuar 15 zona operative të cilat do të vepronin në kuadër të kësaj kryengritjeje. Për secilën zonë ishin caktuar edhe udhëheqësit, kështu komiteti i Kosovës për zonën e Pejës kishte paraparë dhe caktuar edhe Sali Ramën si udhëheqës të kësaj zone.[7]   

Në Zonën Neutrale te Junikut e cila shërbeu si vendstrehim i luftëtarëve të lirisë nga të gjitha viset e Kosovës, rol të rëndësishëm luajti edhe Sali Rama i

Komiteti Mbrojtja Kometare e Kosoves, 1.Sali Rama, 2. Bajram Curri, Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, etj
Komiteti Mbrojtja Kombetare e Kosoves, 1.Sali Rama, 2. Bajram Curri, Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, etj
cili gjatë qëndrimit në këtë zonë kontribuoi në  organizimin e çetës së Rugovës.

Për veprimtarin dhe kontributin e Sali Ramës në Zonën Neutrale të Junikut dëshmon edhe  një dokument i cili mban datën 10.3. 1920, drejtuar komitetit MKK, në të cilin  thuhet e janë dhe disa të Rugovë: si një Sali Rama e disa te tjerë, por se këta njerëz kur asht dimri vinë e rrinë këtu dhe ecin sipas programit,[8] pra sipas programit të Komitetit MKK.

Për veprimtarin e tij patriotike pushteti i atëhershëm nuk e pa me sy të mirë. Në periudhën kohore 1918-1941, pushteti i asaj kohe kishte paraparë likuidimin e shumë personave të rëndësishëm që kontribuuan në favor të çështjes kombëtare, e në veçanti kërkohej që Sali Rama të likuidohej me çdo kusht.[9]

Në vitin 1941 Sali Rama ishte udhëheqës i forcave vullnetare të Rugovës përkatësisht i një grupi të fshatarëve nga fshati Bog ku bashkë  me ta merr pjesë në luftën e cila u zhvilluan në Smilovicë.[10]

Veprimtarinë e vet patriotike  në të mirë të çështjes kombëtare Sali Rama e vazhdoi deri në vitin 1946 ku pikërisht në këtë vit burgoset, me ç’rast dënohet me vdekje-pushkatim, por në ndërkohë ky dënim iu ndryshua  duke e dënuar me heqjen e lirisë  me punë të mundimshme në gjatësi prej 20 viteve,si dhe humbjen e të drejtave qytetare si :të drejtën e votës,të drejtën e fitimit dhe kryerjes së funksionit në organizatat shoqërore dhe shoqëritë,të drejtën e udhëtimit të hapur,të drejtën e bartjes së emërimeve të ndershmërisë,të dekorimit dhe  dekoratave si dhe të drejtën e pensionit në gjatësi prej 5 viteve.[11]

Marrë në përgjithësi Sali Rama me kontributin e tij që dha në luftë për çlirimin dhe bashkimin kombëtar pa dyshim zë vend meritor në mesin e figurave të ndritura të historisë sonë kombëtare, duke shërbyer si shembull model tek gjeneratat e ardhshme në rrugën që duhej të ndiqnin për tu çliruar nga zgjedha e huaj.

 

1.Sak Faslia, 2. Kolë Bibë Mirakaj, 3. Bajram Gashi, 4. Shaban Basha, 5. Sali Rama
1.Sak Faslia, 2. Kolë Bibë Mirakaj, 3. Bajram Gashi, 4. Shaban Basha, 5. Sali Rama

[1] Lush Culaj, Keri i Sadri Bardhit-Jeta dhe vepra, Prishtinë, 2007,f.55.

[2] Po aty, f.7.

[3] Shukri Rrahimi, E kaluara historike e Rugovës, në Rugova-monografi etnografike, Prishtinë 1987,f.29.

[4] Lush Culaj, Keri i Sadri Bardhit...,f.91.

[5] Elmaz Plava, Plava dhe Gucia në lëvizjen kombëtare shqiptare(Kujtime dhe dokumente historike), Tiranë 2002, f. 146.

[6] Lush Culaj, Keri i Sadri Bardhit..., f.92.

[7] Liman Rushiti, Lëvizja kaçake dhe Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, në Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës(Përmbledhje kumtesash), Tiranë 2004, f.95-96.

[8] Hakif Bajrami, Komiteti mbrojtja kombëtare e Kosovës dhe qeveritë e Tiranës për krimet serbe ndaj shqiptarëve 1918-1941, Prishtinë, 2008.

[9] Hakif Bajrami, Politika serbe për rikolonizimin e Kosovës me sllav 1945-1948, Prishtinë, 2002,f. 29.

[10] Arkivi i Kosovës, fondi: Prokuroria  ushtarake e Kosovës,  nr. 143/47-13.

 

[11] Po aty.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora