E shtune, 27.04.2024, 09:51 AM (GMT+1)

Faleminderit

Shën Nikolla i Madh, Ipeshkvi i Mirës

E merkure, 08.12.2010, 10:06 PM


përkthyer dhe përgatitur nga Illiricum Sacrum

http://nenaekeshillittemire.blogspot.com/

 

Si pulsamur Incommodis, Nicolaus ingeminatur.

Në rreziqe, t'i lutemi me besim të madhit shën Nkollë.

 

Shën Bernardi, sermone.

 

Kisha katolike e Lindjes ose Bizantine nuk njeh ipeshkëv më të zellshëm për Fenë, më të shkëlqyer në virtyte apo më të lavdishëm në mrekulli sesa shën Nikolla, shèjti Shën Nkollë, ipeshkëvi i Mirës në Lici. Një prej etërve të Kishës katolike bizantine, shën Gjon Krizostomi, kishte aq shumë nder dhe respekt për të saqë e vendosi emrin e shën Nikollës në liturgjinë e tij, Liturgjia e shën Gjon Krizostomit, duke e quajtur ipeshkin e Mirës rregulla e Fesë, shembulli i butësisë dhe mësuesi i pastërtisë morale. Shën Gjoni shton se Zoti e lartësoi shën Nikollën për shkak të përvujtërisë së tij dhe e pasuroi atë për shkak të varfërisë dhe shkëputjes së tij nga gjërat materiale të kësaj bote.

 

Shën Pjetër Damiani shkruan se shën Nikolla ka qenë i zgjedhuri i Zotit që në barkun e nënës, shenjt që në fëmijëri, lavdia e të rinjëve, nderi i të moshuarve, shkëlqimi i meshtarëve dhe drita e ipeshkëve. Ai shton se e gjitha bota mbarë e lavdëron, dhe se deti e toka shpallin kudo mrekullitë e tija. 

 

Në liturgjinë e saj, Kisha katolike universale e quan ipeshkvin e Mirës, Shën Nikolla i Madh dhe në lutjet e Meshës në ditën që i kushtohet atij, me 6 Dhjetor, ajo dëshmon për mrekullitë e panumërta që Zoti ka bërë me ndërmjetësinë e këtij ipeshkvi të lavdishëm.

 

Shën Nikolla u lind ne Patare, qytet i Licisë, e cila ishte një provincë në Azinë e Vogël. I ati quhej Euphémius, njeri i pasur por jashtëzakonisht i devotshëm dhe bujar. Nëna e tij quhej Ana dhe ishte motra e arqipeshkvit të Mirës, i cili quhej Nikollë. Fëmija erdhi në këtë botë disa vite pas martesës, në një kohë kur ata nuk shpresonin më të kishin fëmijë. Bujaria e madhe e prindërve ndaj të varfërve ia solli atë që natyra ia kundërshtonte. Një lajmëtar qiellor i solli këtë lajm të gëzueshëm duke i premtuar atyre një gëzim në pleqëri dhe duke i thënë që t'ia vinin emrin Nikollë, ashtu si emri i xhaxhait të tij ipeshkëv.

 

Mbas lindjes së fëmijës, kur e vendosën në banjë për t'a larë, ai u ngrit vetë në këmbë dhe qëndroi ashtu rreth 2 orë me duart e mbledhura në lutje dhe sytë e drejtuar nga Qielli. Sipas shën Denis le Chartreux, Zoti i kishte dhënë arsyen shën Nikollës që në atë moshë, kurse shën Mikel Arkimandriti thotë se Zoti e kishte shenjtëruar shën Nikollën para se të lindte. Ai filloi të agjëronte që në djep : normalisht ai pinte gji nga e ëma disa herë në ditë, kurse ditën e Mërkure dhe të Premte, që ishin ditë agjërimi në Kishën katolike Bizantine, fëmija shenjt kërkonte gji vetëm një herë në mbrëmje.

 

Këto veprime të jashtëzakonshme paralajmëronin një shenjtëri të madhe në të cilën Zoti do t'a ngrinte shën Nikollën.

 

Në një vizion qiellor, xhaxhai i tij, ipeshkvi i Mirës, pa se fëmija i lindur do të ishte një ditë një diell që do të ndriçonte të gjithë tokën, se Zoti do t'i dhuronte atij hire shumë të mëdha dhe se një numër i pafundëm mrekullish do dilnin nga duart e tija.

Duke parë këto premisa, prindërit dhe mësuesit e fëmijës e edukuan atë jo vetëm në shkencat hyjnore dhe njerzore por edhe në praktikën e të gjitha virtyteve.

Shenjtëria e fëmijës u duk që kur shkoi në shkollë, kur ai shëroi një grua të çalë.

 

Që në fëmijërinë e hershme prindërit e tij vdiqën nga sëmundja e murtajës duke e lënë atë jetim. Por kjo humbje nuk shkaktoi asnjë ndryshim në sjelljen e fëmijës. Në të kundërt, ai u largua akoma më shumë nga illuzionet e kësaj bote, u bë më i ndalur dhe iu kushtua më tepër uratës dhe shërbimit të Zotit.

Mbasi kuptoi se Zoti e thërriste në shërbimin kishtar, ai filloi të jepte lëmoshë të gjitha pasuritë që prindërit ia kishin lënë.  Në këtë periudhë vlen të përmendet një rast që sot njihet kudo.

 

Një ditë shën Nikolla mori vesh se një banor i nderuar i qytetit nuk kishte mundësi financiare t'i martonte e as t'i ushqente tre vajzat e tija dhe kështu kishte vendosur t'i dërgonte ato si prostituta. Ky lajm makabër e tmerroi shën Nikollën i cili mori një qese me monella ari nga trashigimia e tij dhe shkoi një natë fshehurazi tek shtëpia e atit të vajzave. Nga një dritare e gjetur hapur, shenjti hodhi në dhomën e tij qesen me flori dhe u largua me vrap. Ai veproi kështu nga përvujtëria por edhe për t'a shpëtuar nga turpi të atin e mjerë. I ati i vajzave u habit nga dhuratat që Zoti po i jepte familjes së tij dhe me ato para martoi vajzën e madhe.

Një natë tjetër, shën Nikolla shkoi përsëri fshehurazi dhe i hodhi një qese tjetër me flori, me të cilën i ati martoi vajzën e dytë. Megjithatë duke dashur të dijë se si i vinin këto para, i ati e zuri shën Nikollën një natë të trete duke i hedhur një tjetër qese me flori për vajzën e tretë dhe e ndoqi nga pas shejtin që po largohej.

Së fundi, ai e kuptoi fajin e tij të mosbesimit në Providencën e Zotit dhe u pendua për mendimet e tija kriminele kundër vetë vajzave të tija. Ai i ra në gjunj shenjtit, i premtoi se do të bëjë pendesë dhe se nuk do të lërë vend pa treguar për bujarinëe e tij. Shenjti e porositi me insistim që të heshtë por ishtë e kotë se ngjarja u muar vesh menjeherë jo vetëm në qytet dhe provincë por në të gjithë botën.

 

Kjo histori u bë shkas që më vonë, në shumë vende katolike, të krishterët të mendonin se në Natën e Krishtlindjes, me 24 Dhjetor, shën Nikolla do të zbriste nga Qielli për t'i sjellë dhurata fëmijëve katolikë të sjellshëm. Kjo legjendë ka ndikuar shumë që fëmijët të ishin katolikë të mirë dhe të devoçëm.  Por djalli dhe armiqët e KIshës Katolike duke pasur në urrejtje çdo gjë katolike dhe duke dashur të zhdukin çdo traditë të krishterë, me anën e shoqërive sekrete, filluan zëvendësimin e kësaj legjende të mirë katolike, me legjendën djallëzore anti-katolike të Babait të Krishtlindjes apo Babait të Vitit të Ri. Kështu sot në vëndet frankofone, Babai i Krishtëlindjes, apo "Père Noël" është një personazh jo fetar që nuk ka lidhje as me Krishtlindjen e as me shën Nikollën. E njëjta gjë ndodh edhe me personazhin e "Santa Claus" ne vendet anglofone dhe gjermanike.

 

Arqipeshkvi i Mirës, xhaxhai i shenjtit, duke parë shenjtërinë dhe virtytet e nipit, e shuguroi atë meshtar dhe e vendosi superior të Manastirit Shën-Sion, afër qytetit metropolitan të Mirës.

Mbas vdekjes së xhaxhait, shën Nikolla vendosi të shkëputet nga çdo lidhje me njerëzit dhe të harrojë gjithçka nga kjo botë për të shërbyer Zotin sa më përsosmërisht. Por Zoti kishte menduar ndryshe për të.

 

Më vonë shenjti vendosi të bëjë një pelegrinazh në Tokën e Shenjtë. Para se të nisej, shën Nikolla i parashikoi timonierit të anijës se djalli do të ngrinte një stuhi të fuqishme. Dhe ashtu ndodhi. Udhëtarët menduan se gjithçka mori fund, por shën Nikolla iu lut Zotit për to, largoi djallin dhe qetësoi detin.  Shenjti e ka bërë këtë mrekulli disa herë gjatë jetës dhe pas vdekjes, prandaj detarët e marrin atë për patronin dhe mbrojtësin e tyre të cilit i lutën në udhëtime mbi ujra.

 

Në anijë, shenjti ngjalli edhe një djalë që kishte rënë i vdekur nga maja e direkut.

Thuhet se kurr mbërriti në Alexandri, nga fjalët e ekuipazhit, popullsia i sillte shenjtit një numër të madh të sëmurësh të cilët shën Nikolla i shëronte.

Në Tokën e Shenjët, ai vizitoi Kalvarin, Kopshtin e Gjetsemanit dhe ato vende që Krishti Zot i kishte larë me Gjakun e Tij të paçmueshëm. Shenjti ecte zbathur, pa kapele dhe disa herë gjunjazi.

 

Mbas kthimit të tij në manastir, ai bëri një tjetër mrekulli për punëtorët që po ndërtonin një Kishë aty afër. Shën Nikolla shumoi një copë bukë aq shumë saqë kishte mjaft për të ngrënë për 83 vetë.

 

Në atë kohë, ipeshkëvi që kishte zëvendësuar xhaxhain e shenjtit në Arqipeshkëvinë e MIrës vdiq dhe ipeshkëvinjët e provincës u mblodhën për të zgjedhur arqipeshkvin e ri. Pjesmarrësit ishin të ndarë në zgjedhjen e tyre. Zgjidhja erdhi nga më i vjetri prej tyre, i cili, mbas një zbulimi hyjnor, mësoi se arqipeshkvi i ri duhej të caktohej personi i parë me emrin Nikollë që do të vinte të nesërmen në Kishë. E kështu ndodhi. Shën Nikolla, pa ditur asgjë, erdhi të nesërmen në Katedrale, herët në mëngjes, para të gjithëve njerëzve. Ipeshkevinjtë e panë, e pyetën për emrin dhe pastaj unanimisht e zgjodhën për arqipeshkëv. Mbas Meshës pontifikale, një grua iu afrua arqipeshkvit të ri me një fëmij të vdekur në duar, i cili kishte rënë në zjarr dhe kishte humbur jetën. Shën Nikolla bëri shënjen e Kryqës mbi fëminë dhe fëmija erdhi në jetë. Që atëherë, shën Nikolla lutet veçanërisht në aksidentet e zjarrit.

 

Ky njeri i madh, i ngritur tashti në një tjetër detyrë, harroi gjithçka që kishte ndodhur më parë dhe filloi të shërbente Zotin me një zell të ri. Urata dhe këndimi i Psalmeve ishin punët e tija të preferuara. Ai asistonte në shërbimet hyjnore në Kishë aq sa ia lejonte detyra e tij pastorale. Nuk flinte pothuajse fare dhe një pjesë të madhe të natës qëndronte me përvujtëri dhe respekt në praninë e Zotit. Ishte ai që zgjonte të tjerët në mëngjës për lutje. Zjarri i dashurisë për Zotin digjte aq shumë zemrën e tij saqë shpesh, e kryesisht gjatë Meshës Shenjte, fytyra e tij gati ndizej flakë dhe shkëlqehej nga një dritë qiellore. Kujdesi i tij pastoral përfshinte të gjitha nevojat e popullit e kryesisht nevojat e të vafërve, të burgosurve, të sëmurëve, të veve, të jetimëve, etj.

Që në fillim të jetës së tij, shën Nikolla kishte agjëruar dy herë në ditë. Më pas, në vitet e rinisë, ai agjëronte 3 herë në ditë, kurse kur u bë ipeshkëv, ai filoi të agjëronte çdo ditë, duke ngrënë vetëm një vakt nga mbrëmja. Gjatë ushqimit i lexoheshin Shkrimet Shenjta ose ndonjë libër tjetër fetar. Për shtrat ai kishte një rrogoz, një dërrasë ose tokën e thatë. 

 

Ky njëri i pakrahasueshëm luftoi shumë kundër heretikëve dhe paganëve. Perandori Licinius, nën shembullin e Diokletianit dhe Maximianit, shtriu persekutimin kundër të krishterëve edhe në Lindje. Kështu ai nisi në qytetin e Mirës oficerë për të rikthyer paganizmin dhe për t'i detyruar të krishterët, me të gjitha mënyrat, të mohinin Fenë katolike. Oficerët vranë, burgosën, plaçkitën dhe internuan shumë prej katolikëve por  arqipeshkvi nuk u fsheh e as nuk u arratis. Ai qëndroi në mes të trupës së besimtarëve për t'i dhënë guxim dhe kurajo. Ky qëndrim bëri që edhe shën Nikolla të burgosej dhe të turturohej. Por persekutimi i të krishterëve po mbaronte dhe me konvertimin e Konstantinit të Madh, shenjti doli nga burgu dhe u kthye në Kishën e tij në Mirë.

 

Në atë kohë, kur liria e Fesë katolike u garantua më së fundi nga vetë Perandori, shën Nikolla predikoi në të gjitha anët pa pushim dhe bëri mrekulli të panumërta për të dëshmuar hyjninë e Jezu-Krishtit. Perandori Leoni VI shkruan se shën Nikolla nuk ka bërë më pak sesa shën Pali për të përhapur dritën e Fesë Katolike dhe për të shpërndarë errësirën e idolatrisë,  e kjo në periudhën pas daljes së tij nga burgu. Nga ana tjetër, shën Nikolla riparoi kishat e dëmtuara dhe ndërtoi të reja.

 

Një herë disa detarë ishin duke u mbytur në det nga një furtunë e madhe. Ata iu lutën me devocion shenjtit i cili iu paraqit menjëherë në anije, mori timonin në duar, urdhëroi detin të qetësohej, ktheu anijën me detarët shëndosh e mirë në port dhe më pas u zhduk.

 

Një herë tjetër, shenjti ngjalli 3 fëmijë që një tregtar babar i kishte mbytur dhe prerë copa-copa për t'i shitur si mish të zakonshëm.

 

Shenjti kishte një dhunti të veçantë për të shpëtuar njerëz të pafajshëm të dënuar padrejtësisht në gjyq. Shumë kanë shpëtuar për mrekulli nga vdekja e sigurtë prej ndërhyrjes së shën Nikollës.

 

Ndër dhuntitë që ky shenjt i madh kishte marrë prej Zotit, aftësia për të njohur gjërat e largëta, aftësia për të njohur mendimet më të fshehta të zemrës dhe parashikimi i ngjarjeve të ardhshme ishin gjërat më normale për shën Nikollën. Për më tepër, ai kishte një shikim aq të butë dhe tërheqës, fytyra e tij ishte e mbuluar me një dritë aq të pastër dhe me një pamje aq të shenjtë dhe të admirueshme saqë kushdo që kishte privilegjin të bisedonte me të kthehej nga Zoti. Heretikët prekeshin dhe shpesh konvertoheshin duke parë një shkëlqim të mistershëm që dilte nga sytë e tij.

 

Në kohën kur çifuti Arius filloi të përhapte herezinë e Arianizmit, e cila mohonte hyjninë e Jezu-Krishtit, shën Nikolla së bashku me shën Alexandrin, Patriarkun e Alexandrisë, e luftoi ashpër këtë heretik dhe më pas ai ishte një prej 318 ipeshkve që morën pjesë në Konçilin e Nicesë, ku Arius u dënua publikisht si heretik.

 

Por kjo tokë nuk meritonte të mbante më gjatë këtë shenjt të madh. Para vdekjes, Zoti i deklaroi se pelegrinazhi i tij në këtë tokë po i afrohej fundit dhe se po vinte koha për të të merrte shpërblimin hyjnor.

Shën Nikolla e merr me gëzim të madh këtë lajm. Mbas një Meshe pontifikale, ai i dha lamtumirën popullit të tij dhe u përgatit për momentin suprem duke u tërhequr në Manastirin e Shën-Sionit, ku vite më parë xhaxhai i tij e kishte caktuar superior. Shën Mikel Akimandriti, religjioz i këtij manasteri, shkruan se mbas ethesh të lehta, në praninë e engjëjve, arkengjëjve dhe patriarkëve shenjtë, që iu paraqitën në mënyrë të dukshme në dhomë, shën Nikolla doli nga kjo botë në vitin 342 duke rrecituar një pjesë të Psalmit XXX : "Në duart e Juaja, o Zot, po lë shpirtin tim."

 

Mbas vdekjes, trupi i tij u vëndos në Kishën e Manastirit të tij, në një varr mermeri. Menjëherë mbas varrimit, nga varri i tij filloi të dilte një lëng që më vonë do zbulohej se kishte veti të mrekullueshme kuruese. Lëngu është parë të kullonte edhe në vitin 1719. [Ky infromacion ështe marrë nga një libër i publikuar në vitin 1878]. Nuk numërohen mrekullitëe arritura nga përdorimi me devocion i këtij lëngu. Të panumerta janë edhe mrekullitë e ndryshme të ndodhura me ndërmjetsinë e shenjtit pas vdekjes.

 

Ja pra, të nderuar lexues, një rrëfim i shkurtër i jetës së një prej shenjtërve më të dashur dhe më të festuar në trevat shqiptare. Edhe populli shqiptar e ka provuar ndërmjetësinë e tij të fuqishme, që nga mbrojtja e Kalase së Rrozafes në luftën kundër turqve e deri në ditët e errta të komunizmit. Po i përfundoj këto rreshta, në këtë natë të madhe të shën NKollit duke ju uruar të gjithëve që arqipeshkvi i lavdishëm i Kishes Katolike të ndërmjetsojë dhe të kërkojë për ju nga Krishti Zot me ndërmjetsi të Zojës së Bekuar hirin, dashurinë, paqen e Zotit në këtë jetë dhe lumturinë e pafundme në jetën tjeter. Ashtu kjoftë. Shèjti shën Nkoll lutuni për ne!

 

Kanga e Shën Kollit

 

 

Sa punë të mëdhaja e mrekulli

Qi ka bâ Shejti Shën Nkollë,

Difton qiella me lumni

E gjithë bota s’pranë tue folë.

Lundërtari tue vozitë

e skamnori që lypë bukë,

kangë e lavde s’rrinë pa qitë;

Si shtegtari që ban rrugë.

Si i pasë, si ai që s’ka,

N’pasët ndoj smundje a çdo idhnim,

Fill te i lumi pa ia dá

N’ ujë t’ Shën Nëkollit gjenë shërim.

Qysh se leu n’ kët botë ky fmí,

Kje si hylli që shkelxen,

Kje si drita tanë mirsí

Gjindja u mbushen me gazmend.

Ai kje i pastër si bilur,

I dha trupit të madh shtërngim

E n’e prende e n’e merkurr

gji nuk merr, ban agjinim.

Tue u rritë me shumë urtí,

Shpejt e ngjiten prindja në shkollë;

E nji të madhe mrekullí

Hin e ban Shejti Shën Nëkollë.

Kur prej shkollës po kthente n’ shpí

Hasë nji grue që ish’ tue dekë

E ky djalë plot me dashtëní

tue i bâ kryq prej dekës e hjekë.

Adeodati, djalë dishiri,

Kje grabitë e çue në mergim

E i Shën Nëkolli prej Misiri

Për ajrí e çon në lirim.

Tri kuleta janë dërgue

Ndër tri vajza mbetun shkret,

Prej dritorjet shkon me i çue,

E ato me nderë i qet.

Tre fmí të mbytun prej mizorit,

Shtî n’ nji sheke copë e grimë,

I ktheu në jetë pa kurrfarë zorit

I Shën Nëkolli me ‘i bekim.

Fushë e male, tokë e dét,

Uj e zjarm e diell e hanë,

Sa fuqí mbi dekë e jetë

Ka Shën Nëkolli, diftue e kanë.

Dridhet ferri prej idhnimit,

Kur Shën Nëkolli n’ ball flakron,

Hikë shejtani pre tmerimit

Kur i k’shteni ndihmë kërkon.

Por nji të madhe porosí

O i Shën Nëkollë, nji të madhe nderë

Na fal t’ gjithve si dhantí

Ndore tande t’ jemë përherë.

E n’at ditë që të jetë shenjue

Prej kso jete na me u hjekë,

Ndore tande kjoshim lshue

Ku gjithmonë na kjeme pshtetë.

O i Shën Nëkollë plot me dashtní,

Shpirtënt tonë ti na i kujtò,

Prap po të bâjmë ket porosi:

ti n’at’ jetë të gjith na pshtò!

 

 

Bibliografia :

 

* Mgr Paul Guérin, Les petits bollandistes, 17 volumes, Paris, 1878.

 

* Tradition in Action, St. Nicholas, December 6, http://www.traditioninaction.org/SOD/j050sdNicholas12-6.htm.

 

* Santi e Beati, San Nicola di Mira (di Bari) Vescovo, http://www.santiebeati.it/dettaglio/30300.

 

* Forumi Katolik Rinor, http://www.forumikatolik.net/

 

5 Dhjetor 2010

 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora