Kulturë
Agim Gashi: Unë me nënën bisedoj
E premte, 12.11.2010, 09:57 PM

Agim Gashi
Unë me nënën bisedoj
O moj nënë e dashur nënë
Më mori malli me folë me Ty,
Kam marr foton tënde nënë 
T’i bëj ca llafe sot me ty. 
Po si të kam o nëna ime,
Me shëndet e me halle tjera?
S’mundem me ardhë me të pa Ty
Pa shkue dimri e me dalë pranvera.
Ja kam frikën o zemra ime 
Këtij dimri që pleqt´ i merr,
Më beso për Ty mendoj
Pa të heqë nga mendja asnjëherë.
Më thanë o nënë se je ftohur
E nga pak po ke zjarmi,
Kur kollitesh nënë n´Kosovë
Atë kollë n´kurbet unë ta ndi!
Këtu në foto ku je Ti
Na rri babi të dyve pranë,
Na shikon i buzëqeshur e me habi 
E rrallë flet me ne moj nënë. 
Uh! Shuej bir mos je n´kllapi?
Babi yt kaherë ka vdekë!
Më ka lënë të mjerën me duar në gji 
Por për mua është në jetë.
II.
Ju atje larg ku gjëmon vendlindja
E keni larë dhe e keni veshë,
Qëndron në varre si kullë nga guri 
Me prindërit e vetë atje është ndeshë.
Ia dhatë lamtumirën
Për t’fundit herë e puthët n´ball´,
Ndersa unë nuk ja pashë fytyrën 
Tani jetoj për te me mall´!
Gjithmonë mendoj se ai s’ka vdekur
Veç ka marrë një rrugë pa kthim,
Dhe do vjen një çast patjeter
Kur të jemi në një takim.
III.
Ah o nënë sa më ka marrë malli
Të rri me ty të heqë mërzi 
Me ti puthë rrudhat e ballit
Me të qitë kafe e me të dhënë qershi.
Me bisedue për kohra t´shkuara
Kur unë isha ende fëmij,
Kur më jepje bukë të elbit
Pjatën mbushur me turshi.
Kur me laje me lule e hitha
Në ditë Shëngjergji për lulëzim,
Kur ma këndoje atë këngë të bukur
„Rritu, rritu biri im“!
E sot kaq larg e kaloj jetën
Me plot halle e me mërzi,
Po pse na ndau nënë e bir
Kurbeti i poshtër dhe i zi!?
Nuk të fajsoj ty nëna ime 
Që sot jetoj me vaj e n´zi,
I mbaj mend ato thërrime 
Kur më jepje me dashuri. 
IV.
Thua se për inati ja bëra vetit 
Sharki e penë nuk më linin rehat 
Sot me dhembje e vaj këndoj 
Në tokë shqiptare kur derdhet gjak.
Këndoja, shkruaja, kritikë trathtarëve, 
Me ndjenjë të pastër e të dlirë,
Me ua qit t´kqijat vrastarëve
T´kërcnonin se s‘u vinte mirë.
Na u kallën ditët o nënë si kashtë 
Kohrat e këqija e me plot gjak,
Po vetëdijësohet populli im i lashtë
Plot siguri pak e nga pak!
V.
Tani ti lëmë nënë këto fjalë 
Pa më trego moj loke si je, 
A ke zjarmi që t’djeg në ballë 
Ah çatinë nënë si e ke. 
Pse po ndalesh e pse s‘më flet?
Sa nënë bujare në foto je 
Porsi lotin tënd të pastër 
Dashurinë nga unë e ke.
Ndal ta puthi atë sy malli 
Që ka nisë me u verbu,
Ndal se jeta keq më kalli 
Pa ty loke s’muj m’u gëzu. 
Ndal t´përqafi me mall t´pa shuar
O moj nënë engjëll m´je ti!
Më mbesin duart të shtanguara 
Kur ju përqafojë në fotografi. 
VI.
Po më ngulfat vaji e trishtimi 
Zemra e shpirti zjarr kanë marrë,
Është larg nëna dhe gëzimi 
Zemra e saj flakë ka marrë . 
Mu shtangën duart e dridhem në vaj 
Sa kohë vajtova më unë nuk di 
Por s’ka ditë që me lot s’e laj
Nënën time n´fotografi!

Agim Gashi
10.11.2010-Düren

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










