E shtune, 27.04.2024, 04:41 PM (GMT+1)

Faleminderit

Halil Haxhosaj: Bedri Dedja, zë i artë i letërsisë për fëmijë

E marte, 09.11.2010, 11:00 PM


Në 80-vjetorin e lindjes së Prof. Bedri Dedjes-Akademik:

 

BEDRI DEDJA,  ZË I ARTË  I  LETËRSISË  PËR  FËMIJË

          

Nga: Halil Haxhosaj

arsimtar e shkrimtar-Gjakovë

 

Këto “dromca”, sado të vogla të kujtimeve të mia për Bedri Dedjen, mbase, janë të pamjaftueshme, duke e njohur ndihmesën, vlerën dhe cilësinë e punës dhe krijimtarisë letrare e shkencore të këtij kolosi të letrave shqipe. Por, besoj dhe madje jam i bindur, se edhe këto janë “dromca” të mira, për të përkujtuar diçka të panjohur, deri tash, për jetën e tij.

Një ditë qershori të këtij viti, duke biseduar në internet me mikun, krijuesin, publicistin dhe njeriun e njohur të letrave tona, Prof. Murat Gecajn, përkujtuam një çast të takimit tim me Prof.Bedri Dedjen-Akademik, në Tiranë, në fillim të këtij shekulli. Pasi që biseda e jonë, kryesisht, zhvillohej për letërsinë, për poetët, shkrimtarët dhe krijuesit e tjerë, ndër të tjera, vërejtëm se ajo po varfërohet, sepse disa nga penat e njohura po i rrëmben vdekja. Kjo, mbase, ndodhi sepse përkujtohej shkrimtari ynë i njohur Agim Deva, në përvjetorin e vdekjes së tij.

Ky qe rasti, që të zhvillojmë, shkurtimisht, bisedën tonë konkrete për kolosin e letërsisë sonë bashkëkohore për fëmijë, Bedri Dedjen.

Për Prof. Dedjen dhe veprën e tij kisha dëgjuar qëkur isha nxënës i shkollës Normale të Gjakovës. Madje, poezitë e tij i kam dëgjuar edhe në valët e Radio-Tiranës dhe Radio- Kukësit, që ishin dritaret e vetme të njohjes sonë me letërsinë përtej kufirit. Kur e kreva shkollën Normale, u hap Shkolla e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri” në Gjakovë. Pas një viti shkollor u regjistrova aty, në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Studimet në këtë lëndë, sidomos ligjëratat nga lënda “Letërsia fëmijërore”, ma zgjeruan edhe më shumë këndin e njohjes së veprës letrare të shkrimtarëve shqiptarë dhe sidomos të Bedri Dedjes. Meqë nuk kisha kushte të mira ekonomike në familje, u detyrova të punoja arsimtar i gjuhës shqipe në shkollën fillore të fshatit Cërmjan të Dushkajës. Këtu u njoha edhe më shumë dhe më detajisht me krijimet brilante të Dedjes, sepse disa nga librat për fëmijë ishin përfshirë në libra leximi të klasave, nga e pesta e deri në të tetën, ku unë isha mësimdhënës. Bile, edhe sot, kur takohem me ndonjë ish-nxënës timin të kësaj kohe, që tash janë burra të pjekur, madje edhe të moshuar, ata i identifikoj sepse me thërrasin “mësues” , sepse u kam dhënë mësim, në ato vite. Në mendje më kanë mbetur veprat e Bedri Dedjes, sidomos  “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, që ishte libri më i dashur dhe më i lexuar për fëmijë. Por, nuk mungonte edhe ndonjë tjetër, që ishte lexim i detyruar, në shkollat e atëhershme fillore.

 

Prof.Bedri Dedja-Akademik, “Mjeshtër i Madh”
Prof.Bedri Dedja-Akademik, “Mjeshtër i Madh”
Pas takimit dhe njohjes me Murat Gecajn, në pranverën e vitit 2000 në Gjakovën e pasluftës, filloi një njohje nga afër edhe fizike me shumë krijues të Shqipërisë, të cilët nuk i kisha takuar më parë, duke i shkëmbyer veprat me njëri-tjetrin, tash pa censurë dhe frikë. Kjo ndodhi edhe me mua, ngase ia dhashë disa kopje të librit tim me poezi “Hija e orëligës”, që sapo ishte botuar, për disa krijues të njohur nga Tirana e më gjerë, në mesin e tyre edhe për Prof. Bedri Dedjen. Zoti Gecaj na falënderoi shumë dhe, pas njohjes me poetin Din Mehmeti, bëri një fotografi me ne, që na mbeti kujtim i paharruar. Takimet tona të para, Murati i ka përfshirë në librin “Si e pashë unë Kosovën”, botuar nga botimet “Erik” në vitin 2000, në Tiranë.

Pas disa ditësh, miku i Bedri Dedjes, veterani i arsimit nga Gjakova, zotëri Qazim Bytyçi, i cili nuk jeton më, më konsultoi dhe më kërkoi ndihmë, sepse Bedriu ia kishte dërguar 3.000 copë libra të romanit të tij të njohur “Një udhëtim i rrezikshëm”. Kuptohet se ishin falas, për nxënësit dhe lexuesit e Gjakovës e të Kosovës, sidomos për bibliotekat shkollore dhe publike, ku shumica syresh kishin pësuar djegie dhe shkatërrim nga agresori serb, para dhe gjatë luftës. Ai e kërkoi këtë ndihmë nga unë, sepse në atë kohë isha kryetar i Degës së Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, në Gjakovë. Libri u shpërnda shpejt, në bashkëpunim me Drejtorinë për arsim, shkencë e kulturë të Gjakovës edhe në mbarë Kosovën. Për këtë rast, u organizua një manifestim letrar e poetik edhe nga shkrimtarët e Gjakovës, anëtarë të Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” dhe anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Kështu, ky gjest njerëzor i shkrimtarit-kolos Bedri Dedja, bëri jehonë të madhe në Gjakovën dhe Kosovën e djegur, të rraskapitur dhe të molepsur nga lufta, por tanimë të çliruar nga thundra disashekullore serbe. Poashtu, duhet përmendur edhe manifestimin letrar me rastin e vdekjes së tij, më 2004, me shkrimtarë, krijues, intelektualë dhe të tjerë, organizuar nga Biblioteka rajonale dhe publike e Gjakovës. Aty u fol me nderim e respekt për jetën dhe veprën e shkrimtarit në fjalë dhe u recituan vargje, nga poezia e tij për fëmijë.

 

Në bibliotekën time, ende të pasistemuar mirë që nga lufta, fatmirësisht, këto ditë gjeta veprën e Bedri Dedjes “Republika e 1100 çudirave”, botuar në vitin 1997, nga Botimet “Toena”. Kjo, mbase, nuk do të ishte aq e rëndësishme, por, kur e hapa faqen e parë të librit, aty lexova përkushtimin e bukur dhe të paharruar: “Halil Haxhosajt, i cili më ka mrekulluar me vjershat e veta”. Nënshkrimi i Bedri Dedjes dhe data e shkrimit të përkushtimit: 03.03.2001. U ndala, mora frymë thellë dhe m’u kujtua takimi im i parë, mbase edhe i fundit, me pedagogun e psikologun dhe shkrimtarin e shquar, Prof. Bedri Dedja.

Menjëherë, e kujtova rastin e dhurimit të librit tim me poezi, me përkushtim për Bedri Dedjen. Pasi që isha në Tiranë, për një kontrollim mjekësor në klinikën urologjike të Universitetit të Tiranës “Nënë Tereza”, e thirra në telefon M.Gecajn, që të takohemi për të biseduar dhe pirë kafe. Murati i gëzua shumë dhe më tha që të shkoja në lokalin-kafe, të ish-Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, sepse aty do të takoheshim. Pas pak, mbërrita aty. Në tavolinë e pashë mikun tim, me një person tjetër, të cilin nuk e njoha. Pasi u përshëndetëm, ai na paraqiti, duke thënë: “Ky është shkrimtari Bedri Dedja”, ndërsa atij iu drejtua: “Profesor, ky është poeti nga Gjakova, Halil Haxhosaj”. Pas përshëndetjes, u ulëm dhe bashkëbisedimi filloi. Kuptohet se biseda nisi me pyetjet për shkrimtarët nga Kosova, Gjakova e më gjerë. Fjalë pas fjale, Bedriu shikonte dhe buzëqeshte. Siç dukej, kishte një arsye. Nuk vonoi shumë dhe iu drejtua Muratit:

“Murat, Halili qenka më i moshuar se sa e kam menduar. Ia kam parë ditëlindjen e shënuar në librin me poezi “Hija e orëligës”, që ma ke sjellë ti nga Gjakova, me përkushtim. Jam mrekulluar me ato poezi dhe vargjet e tyre, por , duke i lexuar poezitë e tij, kam menduar se Halili është më i ri”, -tha dhe më shikoi, duke menduar se unë do ta kundërshtoja. Nuk fola asgjë, njëherë. Por, pak më vonë, e mbaj mend mirë, se i kam thënë që ne, në Kosovë, na kishte mplakur lufta. Pastaj biseda është kthyer prapë, duke diskutuar për letërsinë, format letrare, për veprimtarinë tonë të kohës së socializmit në Shqipëri dhe Kosovë. Bedriu ishte njohës i mirë, andaj kisha kënaqësinë ta dëgjoja. Ai, përveç shkrimtar, mbi të gjitha, ishte njeri, krijues, humanist dhe, sidomos, pedagog i mrekullueshëm, sepse ligjëratat e tij shkencore dhe pedagogjike, ende, kujtohen nga ish-studentët e tij.

Këto “dromca”, sado të vogla të kujtimeve të mia për Bedri Dedjen, mbase, janë të pamjaftueshme, duke e njohur ndihmesën, vlerën dhe cilësinë e punës dhe krijimtarisë letrare e shkencore të këtij kolosi të letrave shqipe. Por, besoj dhe madje jam i bindur, se edhe këto janë “dromca” të mira, për të përkujtuar diçka të panjohur, deri tash, për jetën e tij. E kuptoj se, duke e ditur dhe vlerësuar veprën e Prof. Bedriut, më duken të vogla këto, që i thashë.   

Bedri Dedja nuk do të harrohet kurrë. Ai do të jetojë, madje edhe do të gjallërojë në veprat: “Kallëzimet e gjyshe pastërtores”, “Përralla e tre vëllezërve”, “Bariu i vogël në mal të thatë”, “Shkolla e pyllit”, “Patoku në plazh”, “Kapiteni i shtrëngatës”, “Përralla e lepurit dhe e breshkës”, “Kërcënimi i thonjve kozmikë” ... e të tjera. Madje, ai jeton, lexon, frymon dhe luan e merr nota të mira, kudo në Kosovë edhe me veprat e tij, që janë lexime shkollore, nga klasa e dytë dhe deri te e nënta, si: “Përrallat popullore mbi kafshët”, “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Kalamajtë e Pallatit tim”, “Një udhëtim i rrezikshëm”, “Republika e 1100 çudirave” e të tjera.  

 Ai frymon me personazhet e këtyre veprave. Është aty dhe bisedon me lexuesit e vet besnikë. Kjo është përjetësia e krijuesit Bedri Dedja (20 nëntor 1930-13 prill 2004).

 



(Vota: 22 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora