E diele, 28.04.2024, 08:24 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ramadan Pllana: Metush Krasniqi - Simbol i rezistencës dhe i ribashkimit kombëtar

E diele, 07.11.2010, 09:59 PM


DËSHMI TË KOHËS -METUSH KRASNIQI – SIMBOL I REZISTENCËS DHE I RIBASHKIMIT KOMBËTAR

 

« La liberté consiste à choisir entre deux esclavages : l’égoisme et la conscience. Celui qui choisit la conscience est l’homme libre. »

(Victor Hugo)

« Liria qëndron në zgjedhjen në mes dy skllavërive : në atë të egoizmit dhe të ndërgjegjes. Ai i cili e zgjedhë ndërgjegjen është njeri i lirë. »

(Victor Hugo)

 

METUSH KRASNIQI – SIMBOL I REZISTENCËS DHE I RIBASHKIMIT KOMBËTAR

 

Nga Ramadan PLLANA

 

Metush Krasniqi, ishte njëri ndër atdhetarët më me dinjitet kombëtar  në Kosovë dhe Viset tjera shqiptare  të ish-Jugosllavisë që mbetën  në riokupimin serbo-sllav, të periudhës së pas  Luftës së Dytë Botërore. Kaherë, e ndiej një detyrim shpirtëror për ta kujtuar e respektuar me një shkrim historik, sa më objektiv e të paanshëm, me qëllim që gjeneratat e reja, sidomos historianët, të njihen me të vërtetën e tij. Kushtet objektive e subjektive nuk më kanë mundësuar, deri më tani, që të mbledhë fakte për të në terren, që të takohem me familjarët, miqtë, kolegët dhe bashkëveprimtarët e tij. Njëri nga miqtë e tij, Shefqet Jashari, pra, njëri  nga bashkëpunëtorët  e bacës Metush, njëkohësisht edhe imi, më ka dhënë çdo material që ka pasur për të dhe më ka treguar gjithë biografinë e tij, aq sa ka pas njohuri për të.
Veprimtaria e tij është një thesar historik për të cilën duhet të hulumtohet shumë. Të flitet, të shkruhen kujtime apo histori për biografinë e tij, të xhirohen filma dokumentarë apo filma artistikë për veprimtarinë, vuajtjet dhe qëndresën e tij titanike, të ngritën lapidare apo përmendore, sikur për çdo dëshmorë të lirisë dhe të bashkimit kombëtar, pa u realizuar amaneti i tij, bashkimi i Mitrovicës me Kosovën, në veçanti, dhe bashkimi i trojeve etnike shqiptare, në përgjithësi, për ne bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët e tij, prapë do të mbetet zbrazëti dhe mosplotësim i amanetit të tij dhe amanetit të mbarë dëshmorëve të kombit. Bacë Metushi ishte një Vigan kombëtar. Ai, ishte njeri me ndërgjegje të lartë kombëtare e njerëzore, një trashëgimtar ideologjik i Hasan Prishtinës. Emri, shembulli dhe veprimtaria e tij patriotike do të jenë udhërrëfyese e përhershme për çlirim e ribashkim kombëtar. Adem Jashari , komandanti ynë legjendar, dhe UÇK-ja ishin për te një ëndërr dhe dëshirë e kahershme, sepse ai kishte bindjen se :
« Me çetnikët veç me pushkë, se tjetër politikë nuk ka ! »
Në pyetjen që ia kam shtruar bacës Adem Demaçi për Metush Krasniqin, ai, përveç tjerash më thotë :
“METUSHI KA QENË MË I MIRI PREJ NESH” !

 

BIOGRAFIA E METUSH KRASNIQIT

 

Metush Krasniqi, u lind në fshatin Dajkoc, komuna e Dardanës, më 19 gusht të vitit 1928. Lindja e tij ishte një gëzim i madh për familjen Asllan Krasniqit sepse, ishte djali i parë pas tri vajzave. Pas tij do të lindnin edhe vëllai i tij Osmani dhe një motër. Shkollën fillore, katër klasëshe, e kryen në Hodonoc në gjuhën serbe, para Luftës së Dytë Botërore. Familja e tij ka qenë me tradita atdhetare. Babai i Metushit Asllani, një bashkëluftëtar i Idriz Seferit, më 1912 ishte dënuar në gjykatën turke të Gjilanit me 101 vjet burgim. Familja e tij ka qenë e njohur si shembull, kurdoherë, në luftën për çlirim e bashkim kombëtar. Pas okupimit të Shqipërisë dhe Kosovës nga Italia fashiste, kur profashistët shqipfolës, e quanin "Shqipëri e Madhe"...kurse, Ilirida mbetej nën okupimin bullgar dhe Mitrovica me rrethinë me minierën "Trepça" në zonën e nediqëve…
Kur u hapën shkollat shqipe edhe në Gjilan, kreu shkollën e plotë fillore semimaturën dhe disa kurse pedagogjike. Martohet në moshën 16 vjeçare, pa dasmë, shoqëri dhe miq, nga se, kështu ishin martesat në rrethana luftës. Ishte shumë zemërgjerë, i dashur dhe kishte një zgjuarsi të jashtëzakonshme. Kishte një ndërgjegje të lartë kombëtare e njerëzore, pos okupatorëve serbo-sllavë që i urrente ai ndiente edhe një neveri të madhe për tradhtarët dhe shërbëtorët e verbër e cinikë.
Fjalët e tij të jepnin shpresë dhe besim për rrugën dhe luftën e domosdoshme kah çlirimi dhe bashkimi kombëtar. M´u për këtë domosdoshmëri historike të popullit tonë të shumëvuajtur ai, përveç gatishmërisë fizike që kishte, i kishte shtruar vetes detyrë që të pajiset edhe me një armë tjetër, atë të ngritjes intelektuale, sepse vetëm me pushkë dhe me pendë, ashtu siç na kishin mësuar vëllezërit Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Ismajl Qemali, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Avni Rrustemi etj, për të cilët kishte konsideratë të madhe.
Edhe pse në kushte e rrethana të vështira ekonomike e politike ai arriti që të shkollohet dhe të bëhet njëri ndër intelektualët dhe ideologët më të njohur të ndërgjegjes sonë kombëtare, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Kështu, gjatë viteve 1947-1949 Metushi, e kreu me sukses kursin pedagogjik në Pejë dhe Gjakovë, diplomon në vitin 1950 në Shkollën Normale të Gjakovës. Punësohet, si mësues, në shkollën fillore të Shipashnicës së Epërme në vitin 1950. Pastaj, ka punuar edhe në disa fshatra të Anamoravës, si në Strezovc, në Hogosht, Muçivërc, Koretin, Roganë, ku emërohet si drejtor i parë i kësaj shkolle. Ka punuar edhe në rrethin e Shkupit. Si mësues dhe edukator i popullit, përpos mësimit të rregullt kishte organizuar kurse për të mësuar shkrim-lexim për të rritur dhe për vajza të fshatrave ku punoi.
Nga viti 1967 jetoi në Prishtinë. Regjistrohet në fakultetin Juridik të Prishtinës, të cilin e kryen me sukses, punësohet në Shkollën e Mesme Teknike,
« 19 Nëntori » në Prishtinë, si referent për çështje të nxënësve.
E largojnë nga puna, me pretekstin për bindjet e tij nacionaliste, më 1976. Pastaj, me ndihmën e shokëve punësohet, si jurist, në Drejtorinë e Transportit Hekurudhor në Fushë-Kosovë.
Ka vdekur nga pasojat e dhunës që ia bënë UDBA-shët shqipfolës, xhelatët; Selim Brosha dhe Zymber Zymberi, më 15 tetor të vitit 1986 në spitalin e Prishtinës.
Ka lënë pas vetes familjen e ngushtë me këta anëtarë. bashkëshorten, Havishën, djemtë Xhevatin, Mitatin dhe Besnikun, vajzat Teutën dhe Lulën, si dhe nipat dhe mbesat që i ka dashur shumë.
                                                    
VEPRIMTARIA PATRIOTIKE E METUSH KRASNIQIT
  
"…Kujdesuni për mendimin tuaj, sepse jeni përgjegjës para historisë…" (Hasan Prishtina)
  
-Më pëlqen shumë ky amanet dhe kjo këshillë e të madhit Hasan Prishtina, ideologut tonë të bashkimit kombëtar, mendime të cilat mundohem t’i zbatoj në vlerësimet e mia për personalitetet dhe ngjarjet të cilat i kam mësuar ose që kam qenë një dëshmitar i tyre. Kështu, edhe për Metush Krasniqin, Bacën Metush, për të cilin kam pasur një konsideratë të madhe, dhe ruaj një kujtesë sublime për të, do të përpiqem, për aq sa mundem e sa di, ta plotësoj një zbrazëti për personalitetin dhe veprimtarinë e tij.
Kisha dashur që, nëse shkojmë në shpjegime e analiza në kohë e hapësirë, ku kemi qenë, të jemi të sinqertë sepse, pastaj nuk do të gabojmë shumë.
Metush Krasniqi, përjetoi shumë ngjarje të shekullit të njëzet,kishte jetuar në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë, në kohën e okupimit fashist gjermano-italian 1941-1945, gjatë riokupimit jugosllav të Kosovës me viset tjera shqiptare. Ky atdhetar i paepur kurrë nuk u gjunjëzua, as nuk u mashtrua, por gjithnjë mbeti konsekuent në të qëndruarit shqiptar i pamposhtur.
Atdheu mbi të gjitha!
-Kjo, ishte bindja e tij që e shoqëroi, iu përkul dhe veproi tërë jetën, deri në vdekje!
Metush Krasniqi, i kishte kuptuar, me mish e me shpirt, tradhtitë që na i kishin bërë Fuqitë e Mëdha dhe Serbia e shtetet fqinje, Greqia, Mali i Zi, Bullgaria duke na i gllabëruar tokat tona ndër shekuj.
Gjithnjë, në veprimtarinë e tij do të demaskonte tradhtinë, si nga Kongresi i  Shën Stefanit e ai i Berlinit më 1878, Konferenca e Londrës më 1913, tradhtinë ndaj Mbledhjes së Bujanit, mbajtur më 31 dhjetor 1943 e 1 e 2 janar 1944, Mbledhjen famëkeqe të Prizrenit më 1945, Shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi, mashtrimet pas Plenumit të Brioneve të vitit 1966 etj, duke ngritur vetëdijen e popullit për çlirim nga okupatorët sllavë të të gjitha kohërave e ngjyrave, çetnike e sllavo-komuniste. Ai, do të jetë një nga frymëzuesit dhe flamurtarët e të gjitha lëvizjeve çlirimtare, në ish-RSFJ.
Ai, ishte vizionari e udhëheqësi ynë, shpirti dhe mishërimi i popullit shqiptar. Kontaktet e para me organizatat ilegale i merr me Gjon Sereqin, themeluesin e Organizatës Nacional – Demokratike Shqiptare (NDSH) i cili kishte qenë mësues në Gollak e Anamoravë. Në Hogosht lidhi miqësi me mësuesin e gjuhës shqipe, Ndue Nekajn dhe me Mark Gashin. Regjimi i Beogradit ndaj shqiptarëve nuk kishte ndryshuar aspak nga  ai  i mëparshëm, kishin rifilluar shpërngulet e shqiptarëve për Turqi. Pas dekonspirimit dhe shpartallimit të NDSH-së, si dhe të pushkatimit të themeluesve të saj, Gjon Sereqit, Ajet Gërgurit, etj. Metushi, bisedon me disa shokë dhe anëtarë të NDSH-së, në vitin 1950, formon organizatën ilegale në Shipashnicë të Epërme me emrin,
« Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë » më tutje RBTSHSHA. Në këtë organizatë ishin Mark Gashi, Sejdi Kryeziu, Qemajl Kallaba, Mehmet Dërmaku, etj. Kjo organizatë i kishte shtruar vetes shumë detyra, kurse si parësore ishin këto :
       1. Si detyrë imediate kishte kundërvënien  ndaj shpërnguljeve të shqiptarëve në Turqi që ishte intensifikuar  nga regjimi Tito-Rankoviq,
 
2. Përgatitjen e popullit për një luftë nacionalçlirimtare dhe
 
3. Që këtë luftë të domosdoshme për liri e pavarësi ta njihnin përfaqësuesit e konsullatave e ambasadave të huaja, sidomos ato angleze e amerikane, në Shkup e Beograd. 
 
Metushi, kishte marrë përsipër që të udhëhiqte agjitacionin politik kundër regjimit shtypës jugosllav ndaj shqiptarëve, që nuk dallonte nga regjimet fashiste, duke shkruar edhe trakte proklamata, parulla e afishe.
Mark Gashi, kishte detyrë të bënte lidhje me diplomatët e huaj dhe t’i njoftonte për aktivitetet e Organizatës. Sejdi Kryeziu dhe Qemajl Kallaba ishin caktuar për shpërndarjen e materialeve dhe punë të tjera me karakter organizativ për të depërtuar sa më shumë tek masa e gjerë.
Nga Gjilan, Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj, etj. Tani ishin krijuar kushtet për të formuar edhe formacione ushtarake. Për një kryengritje të armatosur. Ishte krijuar Brigada Shqiptare, forcë ushtarake e Anamoravës Lindore. Këtë strategji e kishte bërë Metush Krasniqi me idenë se veprimtaria politike e diplomatike pa organizimin ushtarak, do të dështonte. Megjithëse RBTSHSHA, vepronte në një ilegalitet të thellë dhe me një konspiracion të fortë UDB-ja e zbuloi aktivitetin e tyre dhe i arrestoi në nëntor të vitit 1958.
Metushi, u arrestua në Shkup më 5 nëntor të atij viti. Pastaj, e burgosën edhe Mark Gashin, Sejdi Kryeziun, Mehmet Dërmakun dhe Mehmet Ajetin. Materialet e Organizatës ishin  gjetur te Mehmet N. Dërrmaku të cilit iu kishte besuar ruajtja dhe fshehja e tyre. Para hetuesisë Metushin e kishin ballafaquar  me Mehmet N. Dërmakun, por besniku e trimi e i pathyeshmi Metush Krasniqi, asgjë nuk kishte pranuar.
 Metush Krasniqi,  edhe pse u rrah e u dërmua shpeshherë për vdekje, asnjë fjalë nuk e foli për kolegët e punës dhe bashkëpunëtorët e vet dhe asnjëri prej tyre nuk u arrestua me atë rast. Gjatë hetuesisë ndaj të burgosurve e sidomos ndaj Metush Krasniqit (të cilit edhe pse ishte në çeli ia vunë prangat e hekurta 25 kg. të rënda), kohë pas kohe i lëshonin minj të mëdhenj për ta kafshuar trupit dhe për ta tmerruar e thyer psiqikisht, mirëpo ai i përballoi me stoicizëm edhe kësaj mizorie antinjerëzore.
Pas katër muaj hetimesh, prej 1-7 mars 1959 në Gjykatën e Qarkut në Gjilan u mbajt gjykimi i 6 anëtarëve të "Partisë Revolucionare...". Trupin gjykues e përbënin: Ratomir Patërnogiq-kryetar, Mustafë Hoxha-gjykatës, Vehbi Mehmeti, Sejfë Sherifi e Tuna Tomiqi - anëtarë, ndërsa aktakuzën e përfaqësonte Tahir Ibrani - prokuror i Gjyqit të Qarkut në Gjilan.
Gjatë seancave gjyqësore, Metush Krasniqi në mënyrë argumentuese, foli për arsyet që e kanë shtyrë ta themelojë këtë organizatë, duke e mbrojtur në mënyrë dinjitoze të drejtën e popullit shqiptar për të jetuar në një shtet të përbashkët shqiptar në Ballkan. Në bazë të "provave" të nxjerra gjatë hetuesisë dhe akuzave të prokurorit Tahir Ibrani, më 7 mars 1959, trupi gjykues i të pestëve, në "emër të popullit" dënoi:
-Metush Krasniqin - me 18 vjet burg të rëndë e 3 vjet kufizim të të drejtave qytetare,
- Mark Gashin e Sejdi Kryeziun - me nga 10 vjet burg të rëndë e 2 vjet kufizim të të drejtave qytetare,
- Mehmet Nuredin Dërrmakun - me 2 vjet burg të rëndë,
- Qemajl Kallabën e Mehmet Ajetin - me nga një vit e gjysmë burg të rëndë .
Pas 18 muajsh izolimi të plotë, në maj 1960 Metushin e transferojnë në burgun e Nishit, prej nga del me 3 nëntor 1966, pas një amnistie të bërë pas rënies së Rankoviqit.
Metush Krasniqi, edhe në vitet e 70-ta do të bëhej promotor i lëvizjes e qëndresës shqiptare në Kosovë e në viset tjera etnike,që ishin nën pushtimin serbo-maqedono-malazezë.
Burgosjet e Metush Krasniqit :
-    Më 5 tetor 1956 e arrestojnë për herë të parë, por në mungesë të fakteve e dënojnë me 2 muaj burg për delikt verbal.
- Më 5 nëntor 1958 e arrestojnë dhe dënohet me 18 vjet burg të rëndë, lirohet më 3 nëntor 1966.
- Më 29 nëntor 1968 e arrestojnë për demonstrata, por në mungesë të fakteve e lëshojnë pas 24 orëve.
- Më 4 maj 1981 e arrestojnë dhe në mungesë të fakteve e lirojnë pas 6 muajve.
- Më 4 nëntor 1985 e arrestojnë dhe torturojnë në mënyrën më shtazarake deri më 16 qershor 1986, torturohet nga xhelatët shqipfolës Selim Brosha dhe Zymer Zymeri, nga pasojat e torturave nuk do të ketë shërim dhe vdes më 16 tetor 1986.
 
Metush Krasniqi, ishte atdhetar revolucionar dhe intelektual me pikëpamje të demokracisë popullore që çështjen e atdheut e vente mbi të gjitha.
Ai, ishte për një pluralizëm demokratik të mirëfilltë sipas parimit të Vetëvendosjes së kombeve. Mendimet e tij politike edhe sot e kësaj dite nuk e kanë humbur aktualitetin e tyre. Ai, nuk e ndalonte kurrë aktivitetin e vet, megjithëse ishte i përcjellur, deri në vdekje, nga spiunët e zuzarët e UDB-ës.
 
Menjëherë pas daljes nga burgu, ai pati shumë takime me shumë shokë, miq e simpatizues nga Kosova e nga të gjitha viset tjera shqiptare të ish Jugosllavisë.
Me qëndrimet e tij heroike, në gjyq e në burg, ai kishte fituar besimin dhe simpatinë e shumë shqiptarëve që e kishin njohur dhe të atyre që kishin dëgjuar për të. Metushi, do të jetë shembull i tolerancës dhe bashkimit kombëtar në biseda e në organizime. Për t; -do të jenë shokë e miq të dashur atdhetarët e të gjitha rrymave  të ndryshme politike e  ideore, të djathta e të majta. Të gjithë ata që kishin treguar vetëmohim në veprimtarinë patriotike ishin të afërm e të dashur për të.
Do të takohet me mikun dhe bashkëveprimtarin e vet më të ngushtë, me Sejdi Kryeziun, pastaj me bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë të të gjitha rrymave ideologjike e politike, me Mulla Ramë Govorin,Rexhep Abdullahun, NDSH-ist të njohur, Ali Boletini e Hyrije Hanën, Sadik Tafarshikun, luftëtarë kundër pushtimit nazi-fashist gjatë LDB, Hasan Dërmakun, Ismajl e Osman Dumoshin, Ahmet Haxhiun, Fehmi e Rexhep Elmazin, Hetem e Rafet Bajramin, Sabri e Selatin Novosellën, Adil Pirevën, Hilmi Rakovicën, Shefqet Jasharin, Adil e Iljaz Pirevën, Afrim Loxhën, Ilmi Malokun, Rexhep Malën, Skënder e Isa Kastratin, Njazi Korçën, Kadri Zekën, Ethem e Fehmi Bajramin, Azem Beqirin, Sadri Fetiun, Isa Demajn, Zymer Nezirin, Jusuf e Zeqir Gërvallën, Sabit Ratkocerin, Hyda Dobrunën, Hizir Shalën, Zenun Beqën, i cili ia mundësoi punësimin në NT » Hekurudha » në
Fushë-Kosovë, si jurist, e shumë të tjerë.
Kështu, në demonstratat e Nëntorit të 1968 edhe Metush Krasniqi do të jetë njëri ndër frymëzuesit dhe orientuesit e demonstruesve. Me këmbënguljen e Osman Dumoshit, njërit nga organizatorët kryesor, Metushi dhe Ismajl Dumoshi  do të qëndrojnë si këshilltarë të të rinjve me qëllim që të ruheshin nga arrestimi, për të vazhduar veprimtarinë e tyre, pa u zbuluar nga UDB-ja.

Ai, do të jetë këshilltar i Grupit të të Rinjve nëpërmjet Sabri Novosellës e Shefqet Jasharit.

vazhdon pjesa e dyte...

 

E VËRTETA PËR KRIJIMIN E « LËVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS DHE E VISEVE TJERA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI » (LNÇKVSHJ)

 

 

 

Në shumë shkrime e kujtime nga veprimtarë e autorë që janë marrë me historikun dhe ndriçimin e formimit të LNÇKVSHJ-së shkruhen datat të pasakta, madje edhe emërtimi i ndryshëm dhe jo i plotë i saj, pastaj edhe për themelimin e Lëvizjes sonë kemi dhënë deklarata jo të sakte edhe ne që ishim në udhëheqësinë e saj, Sabri Novosella, Shefqet Jashari e unë, Ramadan Pllana. Arsyeja kryesor është se kemi qenë shumë konspirativë dhe se nëqoftëse ka dokumenta të shkruara për datën e saktë të themelimit të organizatës sonë, ato duhet t’i ketë fshehur iniciatori dhe themeluesi i saj, Metush Krasniqi. Për datën e themelimit nuk ka qenë i sigurt as Jusuf Gërvalla, dëshmori ynë kombëtar, ideologu dhe promotori kryesor i LNÇKVSHJ-së.

 

Në shumë shkrime historike thuhet se në vitin 1976 Metush Krasniqi vihet në krye të Organizatës"Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi" LNÇKVSHJ, dikush shkon edhe në vitin 1975, dikush më 1978, etj. Në bazë të hulumtimeve të mia konstatoj se themelimi dhe emërtimi i « LËVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS DHE E VISEVE TJERA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI » është bërë në verën e vitit 1977.

 

Dëshmitë që vërtetojnë këtë konstatim janë deklaratat që shënohen më poshtë :

Sabri Novosella, në NJËRI NGA ATA

( Rrëfim në veten e tretë), botuar në ”Bota sot”.

 

Në pushimet verore të vitit 1977, në shtëpinë e Sabri Novosellës, u mbajt Mbledhja Themeluese e LNÇK- së. Mirëpo, siç u cek më lartë, kësaj Mbledhje i kishin paraprirë konsultat e pandërprera mes Metushit, Sabriut, e Shefqetit, sidomos, ato pas dënimit me 15 vite burg të Adem Demaçit në vitin 1975. Se ky proces gjyqësor ishte i montuar, për këtë skishte dilemë fare. Ndaj Metushi, Sabriu dhe Shefqeti morën vendimin dhe e themeluan Organzatën Kombëtare “Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës“. Qëllimi i organizatës ishte i qartë, ashtu siç kishin qenë objektivat e organizatave në të cilat kishin vepruar edhe më parë: Çlirimi i viseve shqiptare nga Jugosllavia dhe bashkimi dhe i këtyre viseve me Nënën Shqipëri...

 

Më vonë, me zgjerimin e organizatës jashtë kufijve të Kosovës, u kërkua që të zgjerohet dhe emri i saj në: - Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare nën Jugosllavi (LNÇKVSHJ)...

 

Shefqet Jashari, në ”Mësuesi i atdhedashurisë”( Metush Krasniqi, shënimi im) në ”Zëri i Kosovës” Nr. 35, 17 tetor 1996: ”...Duke qenë i bindur se me vdekjen e Titos Jugosllavia do të shkatërrohet, vendos të konsultohet me veprimtarë dhe kështu me 1977 e formojnë Lëvizjen Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare që në momentin e duhur populli ynë të jetë i gatshëm për ta fituar lirinë. »

Dhe unë, Ramadan Pllana, në intervistën dhënë « Albaniapress »it, më 17 mars 2009

Siç e ceka më lartë, unë kisha kontakt me Shefqet Jasharin, i cili, nga gjysma e vitit 1977, më informoi se i kishin intensifikuar radhët e LNÇKVSH-së, që ishte vazhdimësi e LRBSH-së, të themeluar në vitet e gjashtëdhjeta nga Adem Demaçi me shokë, dhe, në bazë të vlerësimit të punës të grupit tonë, për të cilën ishin në dijeni, ata, ishin të pajtimit që të “shkriheshim”, në gjirin e Lëvizjes. Ne, si grup, në një konsultim formal, me gëzim të madh e pranuam këtë propozim, kështuqë, nga Nëntori i vitit 1977, ne, si grup u shkrimë në Lëvizje.

 

Pra, këtu kemi deklarata që përputhën plotësisht njëra me tjetrën dhe ndriçojnë të vërtetën e themelimit të LNÇKVSH-së.

Mirëpo tani mbetet të vërtetohet se a ishte vërtetë kjo si organizatë vazhdimësi e LBRSH-së së Adem Demaqit, siç thoshte Sabri Novosella e siç shkruajnë shumë autorë. Ne mund të themi se të gjitha përpjekjet e popullit tonë për çlirim e ribashkim kombëtar janë vazhdimësi e Lëvizjeve qysh nga Komiteti i Stambollit. Ato ishin vazhdimësi e traditës së organizimit politik në historinë e re shqiptare që nga Komiteti i fshehtë i Stambollit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja e Pejës, komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, Komiteti i Çlirimit të Kosovës i Hasan Prishtinës, Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare e Halim Spahisë e Gjon Serreqit, Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë e Metush Krasniqit, Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Trojeve Shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë i Kadri Halimit dhe Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve e Adem Demaqit, etj.

 

Por, nuk ishte si vazhdimësi e drejtpërdrejt e konkrete, me porosi, në ketë rast krijimi i LNÇKVSH-së nga porosia e Adem Demaqit. Metush Krasniqi ishte me moshë dhe me organizim më i hershëm se Adem Demaqi, prandaj, për mua, sa kemi të drejt të themi se kjo organizatë është vazhdimësi e LBRSH-së, e Adem Demaqit, aq kemi të drejt të themi se është edhe vazhdimësi e PRBTSHSHA, e Metush Krasniqit.

 

Mirëpo, për fatin e mirë historik, tani ka lindur një e vërtetë tjetër historike që dëshmon se, nga një marrëveshje e fshehtë, Metush Krasniqi e Adem Demaqi ishin marrë veshë që t’i lënë anash ndasitë ideologjike dhe të bashkëpunojnë në një Lëvizje të bashkuar me një platformë të vetme kombëtare. Kjo ishte ideja për formimin e « Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të Kosovës », nga e cila ide « Grupi Revolucionar » e shkruan traktatin për këtë organanizatë. Asnjëri nga ne të LNÇKVSH-së nuk e kemi ditur për këtë mbledhje të fshehtë. Ja, çfarë shkruan Ilmi Ramadani në lidhje me këtë :

 

 “ADEM DEMAÇI – IDEATOR I LËVIZJES KOMBËTARE”

  

“Unë, me këtë rast, do të theksoj, një aspekt të kontaktimit dhe bashkëpunimit midis dy personaliteteve të Lëvizjes sonë, për çlirim e bashkim kombëtar, të cilët, për dekada me radhë ishin dhe mbetën ideatorë, frymëzues, koordinatorë dhe drejtues të Lëvizjes: Adem Demaçit dhe Metush Krasniqit. Fjalën e kam për takimin midis Adem Demaçit dhe Metush Krasniqit, në shtëpinë e këtij të dytit, në Dajkoc të Dardanës më 2, 3 dhe 4 qershor të vitit 1974. Dy ditët edhe netët e para isha edhe unë i pranishëm. Këtë takim e ka përgatitur dhe ideuar atdhetari llapjan, Mulla Ramë Govori. Në Dajkoc Adem Demaçi ka ardhur me atdhetarët - Ahmet Haxhiun dhe Mulla Ramë Govori si dhe me atdhetaren Hyrije Hana, motra e dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare, Xheladin Hanës. Ne të tjerët na kishte ftuar Metush Krasniqi: babën tim Selman Ramadanin, Fehmi Bajramin-i burgosur politik nga Gjilani dhe mua-atëherë student i Fakultetit Ekonomik.

 

Të gjitha këto analiza kishin qenë si hyrje për atë që ishte organizuar ky takim. Ishte konstatim i të pranishmëve se për një organizim dhe organizëm të gjerë dhe të përbashkët, së pari, kërkohej që vet Ademi Demaçi dhe Metush Krasniqi të pajtoheshin në ide. Për Metushin, thoshin shokët e tij, se ishte më “djathtist”, demokrat e pro perëndimor, ndërsa për Ademin thoshin që kishte evoluar në “majtist”, revolucionar e pro marksizmit. Por, e vërteta ishte se edhe Ademi edhe Metushi, ishin me tërë qënjet e tyre për bashkimin e Kosovës me Amën- Shqipëri!
Kjo marrëveshje me rëndësi historike, prandaj, ishte leva kryesore që filloi ta stabilizoj Lëvizjen Ilegale për brenda radhëve të veta. Si rezultat konkret dhe i parë i kësaj Marrëveshjeje, në mes të Metush Krasniqit dhe Adem Demaçit, ishte hartimi i Traktit të Organizatës Grupi Revolucionar, që është shpërndarë në natën 3 e 4 korrikut 1974, me nënshkrimin Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës.”

 

Me zbulimin e këtyre traktateve arrestohen shumë atdhetarë të devotshëm dhe u montua procesi i njohur kundër grupit Adem Demaqit, prej 19 vetëve dhe i Adem Rukiqit, prej 12 vetëve, më 1975. Grupi gjykohet më 7 shkurt 1976 Gjykata e Qarkut në Prishtinë. Për lexuesin e opinionin kombëtar dihet ky proces, nuk po e zgjasë më shumë. Po e jepi vetëm një dëshmi të dëshmorit Rexhep Mala në lidhje me këtë proces në « Kujtime nga Burgu » :

Nga 19 veprimtarë të përfshirë në Procesin gjyqësor të Prishtinës, në vitin 1975, drejtpërdrejt në shkrimin dhe shpërndarjen e trakteve dhe shkrimin e parullave anti-jugosllave, ishin të përfshirë vetëm Rexhep Mala dhe Ilmi Ramadani.

 

Gjatë hetimeve të tmerrshme, as Rexhepi as Ilmiu, nuk do të pranojnë as edhe një fjalë të vetme me çka do të dënoheshin edhe 17 të arrestuarit e tjerë në krye me Adem Demaçin. Poashtu, as gjatë procesit gjyqësor Rexhep Malaj nuk do të pranojë se i ka kryer aktivitetet për çka po gjykoheshin 19 veta. Në burgun e Idrizovës, në Maqedoni, në vitin 1977 e pyesin shokët Rexhep Malën: “Pse Rexhep nuk e ke pranuar se ti dhe Ilmiu i keni kryer ato veprime dhe të liroheshin 17 të burgosurit e tjerë nga ky proces i montuar politik”. Rexhepi përgjigjet: “Kam qenë i bindur se si e pranova se unë dhe Ilmi Ramadani jemi kryes të veprave për të cilat dënoheshim, kurse 17 të tjerët nuk kanë të bëjnë asgjë me këto aktivitete, pra Adem Demaçi dhe shokët e tjerë, ata do të gjykoheshin patjetër. Por, do të përfundojë Rexhep Mala -"sikur edhe gjysmën e Kosovës ta kishin burgosur dhe ta kishin qitur në bankën e zezë, nuk do të kisha shkelur fjalën e dhënë për ruajtjen e sekretit”

Siç vërtetohet këtu e ka burimin formimi i LNÇK, e njohur si „Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës“ (1975) i kryesuar nga Adem Demaçi dhe grupi i Adem Rukiqit. Unë, mendoj se kësaj duhet ti shtohen edhe Rexhep Mala e Ilmi Ramadani si një nga bartësit praktik, të shkruar, në rrjedhat historike të kësaj organizate. Pra, pas këtij gjykimi, Metush Krasniqi përpiqet që ta zbatojë marrëveshjen historike të lartpërmendur edhe pse Adem Demaqi ishte arrestuar e dënuar me 15 vjet burg. Kështu, do të konsultohet me Sabri Novosellën e Shefqet Jasharin, nga viti 1976, si dy ish anëtarë të LBRSH-së, në të cilët kishte besim sepse me kishte lidhje pas dalës nga burgu, siç e cekëm më lartë, kishte bashkëpunuar, si këshilltar, në përgatitjen e demonstratave të vitit 1968.

Bindja e Metushit, e dëshmuar edhe përpara me veprimtari për një organizatë që do të përfshinte gjithë trojet shqiptare të riokupuara nga ish-Jugosllavia e shtyu për një emërtim të tillë, në « Lëvizjen Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare » në verën e vitit 1977, siç e caka më lartë, dhe kjo është e vërteta historike e formimit të kësaj organizate gjithëkombëtare.

 

Pikëpamjet ideopolitike të LNÇKVSHJ-së dhe të Metush Krasniqit

 

 

Më lart e theksova se, Metush Krasniqi kishte ide dhe përcaktim të demokracisë pluraliste dhe këtu nuk ka asnjë dilemë. Mirëpo, ai ishte kategorik kundër dallimeve ideo-politike në Lëvizjen tonë e edhe në jetën e përditshme. Ai, me një fjalë, ishte i pikëpamjeve të Rilindasve tanë se « feja e shqiptarit është shqiptaria », dhe në këtë kuptim edhe në organizatën tonë mund të aderonin atdhetarë me pikëpamje të ndryshme, pa dallim feje, ideje a krahine.

 

Bacë Metushin, e kisha njohur rastësisht, në vitin 1970, nëpërmes një hoxhe, Imer Rafunës, po në atë vit kisha njohur edhe djalin e tij Xhevatin si dhe djalin e vëllaut të tij, Osmanit, Nevzatin me të cilët shëtitnim nganjëherë në korzonë e Prishtinës, anën shqiptare. Qysh atëherë më kishte lënë përshtypjen e një njeriu zemërgjerë e të thjeshtë, po me një shpirt kombëtar. Më vonë, kur e kuptova, në fillim të vitit 1977, nga Shefqet Jashari, se ai e kishte lexuar pamfletin tim « Përpara për krijimin e Partisë së Punës së Kosovës », unë i pranova vlerësimet e tij dhe pritsha sinjalin për të bashkëpunuar me të. Gjatë aktivitetit tim i kam njohur edhe Eminin, Fuatin, të afërm të tij, kurse me Besnikun njihej vëllau im Selimi, të cilët ishin studentë në shkollën e lartë komerciale. Me këtë dua të them se baca Metushi, më njihte si një enverist dhe nuk kishte kurrfarë pengese për të bashkëpunuar. Nga arsyeja e konspiracionit që e kam përmendur më lartë, nuk u takuam kurrë nga afër, gjatë aktivitetit tonë në kuadër të LNÇKVSHJ-së, mirëpo na lidhte veprimtaria jonë e përditshme, që të dyve na lidhnin shumë simpatizues, sidomos nga N.T. « Hekurudha », dhe nëpërmes tyre shkëmbenim mendime e këshilla, për këtë do të shkruaj një kujtim tjetër të veçantë.

 

Njëri nga udhëheqësit tanë, Sabri Novosella i ka shkruar gjithashtu kujtimet e veta me titull « Njëri nga ata », ( Rrëfim në veten e tretë), botuar në ”Bota sot”, ku flet edhe për LNÇKVSHJ-në e Metush Krasniqin. Me akrobacitë e veta politike organizata jonë dhe baca Metush na dalkan (paskan qenë) kundër Shqipërisë socialiste e posaçërisht kundër Enver Hoxhës. Edhe në lidhje me ketë shkrim e me të tjera që lidhën me historikun e mëtejshëm të Lëvizjes sonë, të bashkimit e të formimit të LRSSHJ-së, LPRK-së e LPK-së do të dalë më vonë. Tani, për tani në këtë kontekst, në lidhje me pikëpamjet ideo-politike të organizatës sonë, për ta demantuar pohimin e Sabri Novosellës se Metush Krasniqi ishte kundër Shqipërisë së Enver Hoxhë; po shërbehem me disa dëshmi të veprimtarëve tanë. Reagime më të shpejta e më bindëse ndaj shtrembërimeve të historikut të veprimtarisë së Lëvizjes sonë, që i bënë Sabri Novosellës,e edhe ndaj Abdullah Prapashtica etj., është Faredin Tafallari, njëri nga udhëheqësit e Lëvizjes sonë dhe nga bashkëpunëtorit më të ngushtë të Jusuf Gërvallës, i cili thotë që ta shkruajmë të vërtetën ashtu siç ka qenë në realitet. Kurse, Xhafer Durmishi, njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Jusuf Gërvallës, njëkohësisht edhe i Sabri Novosellës,në librin “Protesta dhe Aspirata”, Prishtinë, 2006, në faqen shtatë, pos të tjerave e thotë edhe këtë « Me këtë rast dua të them se E. Hoxha, për mua dhe për Atë (për Jusuf Gërvallën, shënimi im) që e çmoj më së shumti në këtë jetë, ka qenë një nga inspiruesit e frymëzuesit në luftë kundër pushtetit serb. Në atë periudhë të jetës time, (gjer në vitin 1985) Kosovës, mund të thuhet, se nuk i ka ardhë asnjë e keqe prej E. Hoxhës por vetëm të mira. Duke u bazuar në numrin e tytave të topave e pushkëve, Shqipëria ka qenë mbrojtësja konstante, besnike dhe e guximshme e Kosovës dhe shqiptarëve nën Jugosllavi. »

 

 

Tani, dua të shërbehem me vetë fjalët e Sabriut në lidhje me qëndrimet e Metush Krasniqit ndaj Shqipërisë së Enver Hoxhës, ku thotë: « Ashtu siç thoshte Metush Krasniqi, këta djem janë patriotë të flaktë, ndaj e duan Shqipërinë dhe Kosovën me Vise, i duan kryeqytetet e tyre: Tiranën dhe Prishtinën. Duke e dashur Shqipërinë e tërë, është e vetëkuptueshme se e duan dhe i besojnë pa fije rezerve prijësit që është në krye të Atdheut, pra Enver Hoxhës”.

 

Pika e parë dhe themelore është se dëshmori ynë, Metush Krasniqi e dha jetën e vet për çlirim e ribashkim kombëtar, pra për Atdhe, për Nënën Shqipëri, e jo për parti e ide. Gjithë ata që mundohen që ta vënë atë, qoftë në të djathtë, qoftë në të majtë, nuk e çmojnë e nuk i bëjnë nder kësaj figure madhore të çështjes sonë kombëtare.

 

Dallimi thelbësor në mes Metush Krasniqit dhe organizatave të djathta, atyre që ishin organizuar në Perëndim, ishte se Metushi, si demokrat i vërtetë nuk e luftoi sistemi socialist,edhe pse nga ndonjë aspekt nuk pajtohej me të, ai ishte në gjendje të bashkëpunojë edhe me « djallin » vetëm e vetëm që Kosova dhe viset tjera shqiptare që gjendeshin në okupimin serbo-sllav t’i bashkohen shtetit amë, gjë që dokumentohet me vetë pagëzimet e dy organizatave që i themeloi, atë të « Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë » dhe « LËVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS DHE E VISEVE TJERA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI ». Besoj se nuk duhet të bëjmë më komente në lidhje me ketë.

 

Kurse, e djathta « demokratike » bashkëpunonte edhe me « djallin » vetëm e vetëm për ta shkatërruar shtetin shqiptar. Këta, e djathta në Perëndim, bënin sikur vjehrra e keqe që thotë « Për inati të resë më vdektë djali » që do të thotë se « për inati të socializmit le të vdesë edhe shteti shqiptar »…Për këto flasin shumë e shumë fakte historike…

Mendoj se, për bacën Metush duhet të hulumtohet sa më shumë që të jetë e mundshme e të shkruhet sa më realisht. Për plotësime të mëtejshme presim nga bacë Adem Demaqi, nga Hydajet Hyseni, nga Emin Krasniqi dhe nga bashkëpunëtorët tjerë që kishin lidhje më të ngushta në veprimtarinë e tij ilegale. Unë, nuk do të ndalëm me ketë shkrim, deri sa të kam mundësi do të mbledhë të dhëna e argumente që të plotësojnë ende një boshllëk në veprimtarinë e tij konsekuente, të palodhshme e titanike ndaj Shqipërisë Etnike.

 

Metush Krasniqi, do të jetë gjithmonë shembull frymëzimi e unifikimi për të gjithë ata veprimtarë, politikanë, të djathtë a të majtë, që duanë ti shërbejnë çështjes së mirëfilltë kombëtare, gjegjësisht ribashkimit të Shqipërisë Etnike.

 

LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË METUSH KRASNIQIT!

autor, Ramadan Pllana / Zvicër / Nëntor, 2009

 



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora