Faleminderit
Mërgim Korça: Cilësori Shqiptar, në maja të larta të shkencave botërore falë Dr. Edor Kabashit
E merkure, 20.10.2010, 09:59 PM
Cilësori Shqiptar, në maja të larta të shkencave botërore falë Dr. Edor Kabashit
Shkruar nga: Mërgim Korça
Thënjet popullore e kanë gjithënjë një themel të vërtete të mbështetur në përvojën e viteve. Mirëpo gjithashtu, brezat bashkëkohës, i duan rrezatimet pozitive si rrjedhoj’e këtyre thënjeve, t’i shijojnë sa janë vetë gjallë e jo siç ngjet me ... prit gomar të mbijë bar.
Në rastin konkret të cilin dua t’a trajtoj, thënja popullore se ... mbas errësirës do të çfaqet drita, mua më gjeti së pari në kahjen ku fillimisht hyra në tunelin e errët e gjithënjë më të errët të diktaturës komuniste por, falë fatit tim, arrita të dilja nga ai tunel edhe përgjatë çapitjeve në kahun e ndritshëm të daljes tunelit, mendova se do të ballafaqohesha edhe me anën e ndritëshme të thënjes popullore dhe të shijoja vlerat që sjell me vete drita e demokracisë, drita e së vërtetës. Mirëpo si duket, (prap në vijim të thënjes se ... i bëra hesapet pa hanxhinë), diktatura e ka lënë nga pas atë tragë, (gjurmë), përgjatë së cilës me egërsín’e përbindëshme të një diktature egoiste, ajo deshi çdo notë shkëlqimi dhe vlerash të shkuara t’i zhdukte, (siç i zhduku po të kishin qenë kundërkomunistë). Kështu që përgjatë dritë-hijes me të cilën po ballafaqohemi mbas daljes nga tuneli korum i zi 47-vjeçar, demokracia e rivendosur në Shqipëri akoma nuk po arrin t’i rivendosë vlerat e bashkëkombasve që e nderojnë vëndin. Ësht’e vërtetë se janë nderuar njerëz me vlera që diktatura i përbalti, kjo nuk mohohet. Por në kuadrin e përgjithshëm mendësía egoiste e diktaturës vazhdon për plogëtí, (inercí), edhe e ushtron trysnín’e saj lidhur me mosvlerësimin e vlerave madhore kombëtare. Kjo sepse përgjatë thuajse gjysëm shekulli vetëm diktatori si edhe partia e gjithkundgjëndur dhe e gjithëditur ishin në krye të vlerave kombëtare.
Mirëpo tashti, mbas shkërmoqjes së komunizmit, ka marrë përparësí dhe po bëhet rregull i pashkruar që si shtypi në faqet e para edhe ekranet televizive në fillimet e të rejave të ditës, të mbushen me lajme që shkaktojnë ndijíme të menjëherëshme në lexuesin e shtypit ose shikuesin televiziv, por ama ndijime vlerash negative. E ç’ësht’edhe m’e keqja, fatkeqësisht fillimisht shtypi europian prej vitesh e dora, dorës edhe shtypi amerikan, sa vjen e më shumë po mbushen me bëma kriminale shqiptarësh !
Lexues i nderuar, nuk dua aspak të të ndikoj e as të shtroj para teje pyetjen e cila në këtë rast kishte me qenë pyetje thjeshtë retorike, por dua të pohoj se kjo kategori shqiptarësh të shquar për keq, si brënda Shqipërisë si edhe jashtë atdheut të tyre, nuk është gjë tjetër veçse ai njeriu i ri socialist, krijes’e diktatorit me gjithë partin’e tij të ndritur ! E pra këta fakte, tek i lexoj ose i shikoj në ekranet televizive, nuk kanë se ç’të bëjnë tjetër veçse të ma lëndojnë zemrën time. E teksa unë si edhe pjes’e madhe e atyre që jetojnë në diasporën shqiptare ndjehemi keq e të vrarë shpirtërisht, ndjej një kënaqësí të madhe të sjell para lexuesit një fakt tjetër, anën tjetër të medaljes, atë me të cilën shqiptarët si edhe Shqipëria kanë me se të mburren para të tjerëve.
Konkretisht në Kanada, punon një shkencëtar shqiptar i njohur, Dr. Edor Kabashi. Ky si udhëheqës shkencor në krye të një ekipi kompleks profesorësh e kërkuesish në fushën e Neuro-Gjenetikës të Universiteteve të Montrealit dhe Sorbonës së Parisit, kanë zbuluar se malformacioni i tetë geneve të zinxhirit gjenetik, janë shkaktarët e sëmundjes A.L.S.(Amyotrophic Lateral Sclerosis), e quajtur edhe sëmundja Lou Gehrig.
Dr.Edor Kabashin e përzgjodhën mes 21 kandidatëve nga e gjithë bota dhe e ftuan që të udhëheqë atë ekip shkencëtarësh të Institutit Europian të Neuro – Shkencës, (Institut i cili u përurua më 24 Shtator 2010 në Paris), që veç tjerave, sipas platformës Dr.Edor Kabashit do t’i thellojë kërkimet rreth ALS-së.
Instituti Kanadez i Kërkimeve të Shëndetit, këtij shkencëtari i akordoi në 2009-ën titullin “Brain Star Award”, (Tru Yll – M.K.). Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i akorduan njerin nga titujt më prestigjozë në fushën shkencore mjekësore, “Jerry Lewis”. Leksjonet e Dr.Edor Kabashit, i ftuar nga universitetet e Zurich-ut, Losanë-s, Munich-ut si edhe Romë-s janë ndjekur me vlerësim maksimal nga ajka e specialistëve të fushës Neuro – Gjenetikës Europiane.
Shqetësimin tim madhor do t’a shtroja si vijon : Si ka mundësi që ky shkencëtar me të tilla atribute niveli botëror, nderohet prej instancash nga më të lartat shkencore jashtë vëndit të tij ndërsa ... Atdheu i tij vazhdon e hesht ?
Lidhur me fillimet e sukseseve të këtij shkencëtari potencialisht tejet shpërthyes në njerën nga fushat më të ndërlikuara të shkencave mjekësore siç është Neuro – Gjenetika, e vetmja shënjë vlerësimi kanë qenë disa nisma personale përgjatë vitit 2008 si edhe një gjatë 2010-ës ku në disa gazeta i hidhej dritë këtij shkencëtari shqiptar punonjës institucioni shkencor në Kanada. Mbas këtyre nismave individuale informative, në vënd që të llamburinin sinjalet e alarmit pozitiv në Akademinë Shqiptare të Shkencave ... Dr.Edor Kabashi u fsheh mbas perdeve të skenës shqiptare ku në plan të parë dalin së rishmi trafikantët, kriminelët si edhe keqbërësit e çdo natyre qofshin !
Dr.Edor Kabashi nuk ka asgjë se ç’kërkon nga Shqipëria se të gjitha vlerësimet si edhe nderimet i a kanë dhënë të tjerët, të huajt. Kurse vëndi i tij nderohet në nivel botëror kur ai, krenar për prejardhjen e tij, e deklaron botërisht këtë fakt dhe jo vetëm kaq por edhe shprehet : “... Unë do të kisha shumë dëshirë të bashkëpunonim si dhe të shkëmbenim përvojat tona me shkencëtarët në Shqipëri dhe shpresoj që kjo të ndodhë në të ardhmen ... Uroj gjithashtu që edhe politika e rikthimit të trurit në Atdhé të jetë e suksesshme sepse jam i sigurtë se të dyja palët do të përfitonin”.
Mendoj se po të vazhdoja të shkruaja e të shtoja vlerësime, që plotësisht i takojnë këtij Truri Yll në fushën e Neuro – Gjenetikës botërore, veç do t’a mërzisja lexuesin. Prandaj i heshtur por krenar, si bashkëkombas sa u takon rezultateve të arritura nga Dr.Edor Kabashi, po mënjanohem dhe i a le të gjithë kënaqësínë lexuesit që edhe ai nga ana e tij, përgjatë vazhdës së shkrimeve rreth arritjeve të deritashme, t’u shtojë sukseseve të këtij personaliteti nivelesh botërore ndonjë gjë të re gjatë hulumtimeve që mund të bëjë rreth tij.
Do t’a mbyll këtë informacion me pohimin që më bëri një mik i imi tek i flisja me shumë mërzí lidhur me heshtjen e institucioneve shqiptare lidhur me figurën e ndritur të këtij shkencëtari. Ai u shpreh ... Dr. Edor Kabashi tashma e ka nise fluturimin e vet dhe, pervec Zotit, kurrkush nuk mundet me ia ndale.