E shtune, 27.04.2024, 03:27 PM (GMT+1)

Faleminderit

Aurel Plasari: Martin Camaj si shelbues i të tijve

E enjte, 28.10.2010, 09:11 PM


Martin Camaj si shelbues i të tijve

 

Nga Dr. Aurel Plasari

 

Kur e merr të përmbledhur në një botim veprën e shkrimtarit, d.m.th. kur e ke atë...

...në dorë “një copet”, shtohen edhe mundësitë që fenomenit Camaj t’i qasesh prej drejtimesh të ndryshme, që mbi fenomenin e ndërlikuar që përbën vepra e tij, gjuha e tij, personaliteti dhe, sidomos, fati i tij, të mendosh më në thellësi.

Kam përshtypjen se njërin ndër vështrimet me interes të këtij fenomeni do ta përbëjnë marrëdhëniet specifike mes krijimit letrar të Camajt dhe rrethanave të pazakonta nëpër të cilat iu desh kulturës shqiptare, posaçërisht asaj të Veriut, të kalonte për gati një pesëdhjetëvjetësh, aq sa pati qenë përafërsisht edhe krijimtaria e shkrimtarit. Prej një kësi vështrimi, njëri nga leximet e mundshme të veprës së tij do të ishte edhe leximi si një akt shelbues, çfarë do me thënë shpëtimi, rifitimi nëpërmjet një shpërblimit (lat. redemptio). “Shelbim” emërtohet në terminologjinë e mistereve të krishtera ai akt që parakupton shpëtimin (lat. salvatio), fitimin përsëri të gjinisë njerëzore nga ana e Krishtit, “shelbues i njerëzve”. Në parantezë kujtoj se të shtënit në aparatin kritik e një koncepti të huajtur nga religjioni quhet diçka “normale” në teorinë e letërsisë ose nëteoritë e arteve; një pjesë e mirë e termave themelorë në to, si frymëzim, rrëfim, krijim, krijues etj. rezultojnë të marra prej sferës religjioze, sikurse edhe vetë aparati konceptual i religjionit ka ardhur duke u pasuruar me terma prej këtyre teorive. Në një kuptim parimor, edhe vetë shkrimtari ka kallëzuar se “fund e maje vepra ime ka Provaninë e Perëndisë mbrendë”.

Po të ndjekësh rrugën analitike, pra mbrapavajtëse, aktin shelbues të Camajt do të duhet ta lidhësh pikësëpari tek ai grup shkrimtarësh me të cilët Camaj si shkrimtar ka marrëdhëniet më të afërta, thuajse gjenetike. Është ai grup shkrimtarësh (kryesisht) të Shkodrës, që duke dalë (figurativisht) prej saj, punuan për ta shthurur neoklasicizmin tradicional jo vetëm në shtypin e qytetit të tyre, por sidomos në atë të Tiranës (revistat Illyria, Minerva, Shkëndija etj.), ndonjëherë edhe të emigracionit. Ky grup, që bartte në letërsinë shqipe të viteve ’30-’40 modernizmin e Mallarmé-së dhe Valéry-së, dekadentizmin baudelairean e dannunzian, precioz e estetizant, deri edhe neosimbolizmin belg, përvijoi në letërsinë shqipe konturet e një avangarde letrare. Prirja u ndie shumë më e përmbajtur te shkrimtarë si Palaj ose Shantoja, por më e shpërfaqur nga Koliqi te Gaspër Pali edhe më i ri. Nga ky vështrim, prej kryeveprës së Camajt, Dranja, për shembull, mund të bëhet një depërtim interesant, gjithnjë nëpërmjet leximit, te Pasqyrat e Koliqit e deri tek autorët që këtij i kanë shërbyer si gurra.

Nga ana e saj kjo avangardë – ose dhe gjysmavangardë në daçi – lidhet tek ajo periudhë që mund të quhet “mosha e artë e letërsisë shqipe”. Periudha përurohej prej dy shkollave letrare të Shkodrës: asaj të jezuitëve dhe asaj të françeskanëve; e para e mbërrinte lulëzimin e vet maksimal me Mjedjen, e dyta kishte për kulm të vetin Fishtën. Pa u futur në imtësitë e specifikave të këtyre shkollave (ato i ka përshkruar më së miri Koliqi), mund të thuhet se, pavarësisht që në pikëpamje arsimimi Camaj delte prej Kolegjit Saverian (d.m.th. të Etërve Jezuitë), në pikëpamje të traditës letrare më ngjan se ai ndikimin e pësoi të shartuar: prej të dyja shkollave. Prej këtyre të dyjave, me gjithë specifikat e tyre – më vonë të rrafshuara përdhunshëm nga buldozeri i historisë zyrtare të letërsisë shqipe – çfarë konkretisht do të lexohet nëpër shkrimin e Camajt?

Një përgjigje e plotë do të jepet mbas studimesh të përimtuara kushtuar veprës së tij, në poezi e në prozë, por ajo çfarë pa dyshim vërehet është shpërfaqja e kësaj tradite nëpër një proces “magjie të tekstit” (Camaj), të funksionalizuar si tek ekzegjeza e lashtë fetare, ashtu edhe në tekstologjinë e sotme, nëpër procesin e palimpsestit, prej të cilit vetë shkrimtari “fascinohej”: tekste të shlyera nga pergamena për t’u mbishkruar së rishti e së rishti. Kështu, nga specifikat e “shkollës së jezuitëve” duket të ketë trashëguar, nga njëra anë, prirjen apostolike, me gjasë edhe neutralitetin ndaj lëvizjeve politike; nga ana tjetër, shijen për klasiken, neoklasiken deri te klasikegjantja (“në të gjitha poezitë e mia ka principe metrike të fshehta…”), prirjen për pastërtinë në gjuhë, në mos edhe pozicionin  elitist, gati-aristokratik, të poetit i cili, i kushtëzuar pikësëpari nga një realitet politik negativ, në rastin e Camajt fshik ndonjëherë kufijtë e asaj që quhet “poetikë negative”. Ndërsa impakti i letërsisë popullore, kërkesa për shprehësi të gjallë të fjalës, hulumtimi i mendësisë malësore gjithë kontraste ngjajnë të jenë pikërisht të gurrës tjetër, asaj të “shkollës françeskane”.

Më përthellë kohës, mund të thuhet edhe se Camaj, si të gjithë shkrimtarët e mirë ballkanas, pavarësisht nëse shkruajnë në Vjenë, Londër a Paris, nuk u ka shpëtuar dot lidhjeve intime me letërsinë gojore. Për shkrimtarë të këtillë – të mirë – kjo mbetet një kontingjencë e pashmangshme. Te Camaj ajo amplifikohet edhe më prej vetë karakteristikave të Dukagjinit të tij: “Kam lindë në një vis të egër, ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit, kaq i thyeshëm ashtë ky vend…”.  Është fjala për një zonë të njohur si ultrakonservative: një “botë më vete”, me një shoqëri heroiko-patriarkale deri në fillim të shek. XX; një rezervat tipik i së drejtës dokesore shqiptare të stërlashtë, formuluar edhe ajo në një frymë epike, me fuqi shprehëse të jashtëzakonshme, mbrujtur prej një mendësie arkaike; një zonë që pati shërbyer, sidomos për shkrimtarë të Veriut, si arsenal mitesh, ritesh prej epokash nga më të moçmet, kozmogonish primordiale, besimesh e bestytnish, ku çdo majë, çdo luginë e çdo pyll ka orën e vet mbrojtëse; me buaj që e fshehin fuqinë ndër “brina” e me drangoj si “persona të lindun me këmishë”; një depozitë legjendash të malësorëve që janë mjeshtër formulimesh sintetike e eliptike, ku gati çdo burrë këndon e i bie një vegle muzikore. Dukagjini i Camajt përfillej edhe si një nga zonat-bërthamë të epikës legjendare, ku bashkëdikonin motive ndër më të rrallat të epikave të lashtë europiane, mbetëza këngësh të qëmoçme, fragmente të hapërdara epitalamësh, gjamësh a elegjish si – ndoshta – askund tjetër në Shqipëri.

Kur ta kemi vënë si duhet në dukje atë shumicë fijesh që e lidhin artin e Camajt për këtë “botë”, atëherë edhe modalitetit “hermetik” të poezisë së tij, për të cilin është folur me të tepërt, do të jemi në gjendje t’ia zbulojmë zanafillën më të plotë, pa e lidhur në mënyrë të thjeshtuar me një Ungaretti, një Montale ose një Quasimodo. Të mbahet parasysh, paraprakisht, se lëvizja hermetiste nuk u konstituua si shkollë dhe nuk përbëri një rrymë, nuk pati një program dhe nuk botoi një manifest letrar. Faktit që poeti ynë ndoqi ligjëratat e Ungaretti-t atëherë do të dimë t’i japim vendin e duhur në interpretimin e tekstit. Nëse nuk harrohet që qendra rrezatuese e hermetizmit italian pati qenë Firencja (“njëfarë qyteti i rrethuar, njëfarë ishulli i veçuar”), atëherë do të jetë më i lehtë hetimi i “Firences” shqiptare të Camajt: “Aty si tash para se me ardhë fiset/ ishe/ me tambël në plasaritjen e currave/ e me themele në ujin e njelmë”. Sidomos, mandej, po të vijosh rrugën pesë kilometra në veri-lindje të saj duke kapërcyer ngrehinën e moçme venedikase që e quajmë “Ura e Mesit”. Mbasi ta kesh përfytyruar poetin duke mbajtur vesh në një nga rreshtat e parë në një aula magna mbushur përplot me dëgjues të Universitetit të Romës, në një orë muzgu, ndërsa në podium hermetisti plak italian ligjëron, duhet të jesh në gjendje të rindërtosh edhe një vizion tjetër. Për shembull: ta përfytyrosh poetin e ardhshëm shqiptar në një mbasdite pranvere në Dukagjinin e tij, pranë burrave të shtëpisë X. Në oborr të një kulle ata presin tek mbërrin së largu, nga mesi i një pylli ahesh, një figurë jo e zakontë: vjen i ulët nga shtati, i lëviz krahët në mënyrë paksa qesharake dhe nën rrezet e fundit të diellit i vizllon jeleku i kuq i qëndisur n’ar. Ky është “Orfeu i Dukagjinit”, i panjohur jo vetëm për kryeqytetet letrare të Europës, por edhe për të shumtën e shqiptarëve. Për të thuhet se e flet shqipen e Maleve si askush tjetër. Bashkëkohësit dëshmojnë se shprehet me një lehtësi marramendëse: i përpiktë në frazë, i pastër në shqiptim, tregon me një art të përkryer tregimtari. Është i pamohueshëm ndikimi i Giuseppe Ungaretti-t mbi poetin tonë, për shembull, për sa i takon intelektualizimit të “mesazhit poetik”, por është njëkohësisht e pamundur të mos vësh re se jo vetëm te Një fyell ndër male, por edhe te Lirika midis dy moteve, Vargje të shpërndame, Njeriu me vete e me të tjerë, madje deri te Nama dhe Buelli, diapazoni poetik i Camajt ka diç që vjen dhe e tejkapërcen horizontin ungarettian, sikurse – pak a shumë – e ka pasë vënë re Arshi Pipa.  Të hulumtuarit e kësaj specifike ka gjasa të shpjerë pikërisht tek ajo odë burrash, ku burri më i çuditshëm është ulur këmbëkryq mbi qilim. Me lëvizje të përngadalësuara, thuajse kinematografike, ai ka mbështetur fundin e lahutës mbi këmbën e tij të mbathur me një çorape leshi të bardhë qëndisur me të kuq e me fill ari. Kur fillon t’i bjerë veglës, e afron veshin e majtë te dora, gishtat e së cilës lëvizin shpejtësisht mbi kordë. Ndërsa ligjërime të Ungaretti-t, si edhe recitime të tij nga Radhoi i një plaku, kanë mbetur thesar i regjistruar i kulturës italiane e europiane, të cilin ke mundësi ta shijosh edhe sot e gjithë ditën përmjet regjistrimeve televizive, ballafaqimin e Camajt me artin e “të tijve” vetëm sa mund ta rindërtosh hipotetikisht. Kënga e këngëtarit tek oda e burrave është një lloj recitativi, në krye i ngadaltë, mandej gjithnjë më i shpejtë. Këngëtari i shqipton dhjetërrokshat gjithë bravurë, duke ruajtur qartësinë edhe kur intensiteti i deklamimit e detyron të mbërrijë një shpejtësi të pabesueshme fjalësh. Vargjet janë të nginjura në metafora, vende-vende të jashtëzakonshme për nga harmonia imitative. Këngëtari ka një ndjeshmëri të mrekullueshme: gjatë këngës herë e ngre vetullën e majtë dhe e ul të djathtën, herë i mbërthen sytë te trarët e tavanit. Këngëtari quhej Gjergj Pllumi, virtuozi i Dukagjinit në vitet ’30-’40 të shek. XX. Veç përshkrimit që na ka lënë për të Koliqi, i cili e shfrytëzoi për tezën e vet të doktoraturës, një artikulli të botuar diku në një revistë prej At Palajt dhe një komenti të At Cordignano-s, si edhe ndonjë shënimi tjetër pa rëndësi, ai tani thuajse është krejt i panjohur për shqiptarët. Megjithëkëtë, çfarë mund të thuhet me siguri është që, nëpërmjet një arti të tillë si ky i Camajt edhe Gjergj Pllumi vjen i shelbuar. Metaforat vizlluese të këngëtarit, që dukeshin se i mori era, janë qëmtuar e shpëtuar. Shqipja e moçme e gjysmë-shkrimtarëve dhe gjysmë-mistikëve të Veriut, gjuha e një letërsie lindur prej liturgjisë romake dhe mbrujtur me mendim të sajin, lirika e një jezuiti të madh dhe satira e një françeskani po aq të madh, të gjitha janë shelbuar prej atij që quhet Martin Camaj. Dhe, tok me të, jetojnë edhe ata: “Ky libër lëkure i përngjet një populli/ i cili nuk qet asgjâ në harresë”.

Ç’është e vërteta, shpesh deklaratat e shkrimtarëve të njëhershëm për sigurinë e leximit të tyre deri në amshim, për mbijetesën nëpërmjet artit të krijimeve të tyre, na duken si mburrje a vetëlavdërime. Por realiteti i fakteve historiko-letrare vërteton se nuk qenkëshin të tilla. Kalimet e fshehta nga një poet te tjetri, ky bashkim – dhe jo ngatërrim – realizohet në mjedisin e gjuhës. Luan rol në këtë mes edhe aftësia e habitshme e gjuhës për të rrokur si të kohshmen (temporalen) ashtu edhe të pakohshmen (atemporalen) e njerëzve. Gjuha regjistron mënyrat kalimtare të të menduarit dhe të të ndierit, karakteristikat e qëndrimit të çdo brezi historik në çastin që atij i është dhënë të jetojë. Kështu gjuha e Camajt dëshmon kohën kur ai jetoi por, përpos se si shprehje e kohës së tij, e së kohshmes, ajo na jep të regjistruar edhe të shkuarën e shqipes e (me gjasë) edhe diç nga e ardhmja e saj, shkurt: të pakohshmen. Camaj vetë, kur ia vlerësuan lart veprën e tij, arriti të pohonte ndoshta pa qenë i vetëdijshëm se çfarë pohonte: “...nëse qenka kështu, atëherë merita asht e gegnishtes që përdori”. Për Camajn shqipja ishte sa mjet komunikimi aq edhe objekt studimi. Shkrimtari që shkroi një nga poezitë dhe prozat më moderne të letërsisë shqipe ishte, për shembull, edhe njëri ndër më të mirët specialistë të Mesharit buzukian. Kurrfarë habie nuk është që prej një kësi specialisti të presësh vargje si: “…jam pelikan zog i truom ndë rrenoje/ turmec i egrë gjamuos… ndë shkretii”, të cilat nuk vijnë veçse si një “apokrif” tekanjoz i tekstit autentik nga libri më i moçëm i gjuhës shqipe: “U-bâshë ëmbë shembelltyrë por-si pelikani ëmbë shkretiit… por-si turmeci i egrë qi bân herdhen përmbii të ëmbëluomet të shtëpiisë” (Psalmi 101,7). Edhe një kontingjencë e tillë vërteton se gjuha e sotme e një poeti gjallërohet, përsëritet e përtëritet me gjuhën e gjithë të djeshmëve të poezisë, që tek e sotmja bëhen të pranishëm. Kështu gjuha e Camajt, si dhe e çdo shkrimtari si Camaj, shkon duke i mundur kohët që, gjithsesi, i mbart Brenda vetes.

Këtë privilegj për të sintetizuar ndryshimet e kohëve, si bazë e konceptimit të poetit Brenda traditës, e ka formuluar Thomas S. Eliot-i kur thotë: “Njeriu shkruan jo vetëm me brezin e tij ndër eshtra, por me ndjenjën se gjithë letërsia e Europës, prej Homerit dhe, brenda saj, edhe letërsia e vendit të vet, ka një ekzistim simultan dhe përbën një rend simultan […] Në këtë kuptim, asnjë poet as artist nuk ka domethënie të plotë ai vetë. Domethënia e tij, vlerësimi i tij është vlerësim i marrëdhënieve të tij me poetët dhe artistët e kaluar”. Nëpërmjet këtij parimi mbërrihet tek ajo çfarë, simbas Eliot-it, përbën “të kaluarën e së kaluarës” (the pastness of the past), sekretin me anë të cilit shkrimtari i siguron vetes mbijetesën. Atëherë, sa ç’mund të shprehej i lumtur Camaj që në jetën e vet pati fatin të dëgjonte, fjala vjen, Gjergj Pllumin, po aq i lumtur do të ishte edhe “Orfeu i Dukagjinit” që pati fatin të dëgjohej prej shkrimtarit të ardhshëm. Sa ç’mund të jetë fatlum djaloshi që u ushqye te gurrat e Shantojës e Koliqit, të Prennushit e Palajt, të Mjedjes e Fishtës, të Budit e Buzukut, virtualisht gjithaq fatlumë do të qenë edhe këta shkrimtarë që u patën lexuar prej atij që një ditë do të bëhej Martin Camaj.

 

(Fjalë e mbajtur  më 14 qershor 1997 në veprimtarinë e organizuar nga ish-Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Gruas me rastin e 5-vjetorit të vdekjes së Martin Camajt dhe të botimit të veprës së tij në seri prej shtëpisë botuese “Apolonia”).

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora