E shtune, 27.04.2024, 10:05 PM (GMT+1)

Faleminderit

Topi dekoron Camajn me "Nderi i Kombit"

E diele, 31.10.2010, 06:27 PM


Shfaqet "Princess 100" e Martin Camajt

 

Jorida Pasku, Shekulli

 

Objektet personale të shkrimtarit vijnë nga Gjermania për t'u ekspozuar në Qendrën e Studimeve Albanologjike, bashkë me fotografi familjare dhe udhëtimesh. Ekspozita vetëm sa e ngacmon kureshtjen, nuk e shuan atë

 

"Sikur të isha i shtrënguar me e mbajtë Dranjan si shtazë shtëpiake, do t'i jepja vetëm dromcat e kafshatës sime". Këto fjali shkruhen në faqen e parë të ditarit të tij Martin Camaj, në vitet '80, për prozën poetike të tij "Dranja".

 

Ditari, bashkë me objekte të tjera personale të Camajt, ekspozohet 8 vite pas vdekjes së tij në Qendrën e Studimeve Albanologjike, me rastin e dhënies së Urdhrit "Nderi i Kombit" nga Presidenti i Republikës.

 

Këndi më tërheqës i ekspozitës ishte ai i objekteve personale që zonja Camaj ka sjellë me vete në Tiranë nga Arkivi i Familjes në Gjermani.

 

Është një makinë shkrimi, një stilolaps me veshje ngjyrë argjendi, rruzarja me Krishtin e kryqëzuar dhe tri palë syze që ndryshojnë në madhësi e ngjyra. Të parat shquhen syzet e errëta me skelet të zi, tip të cilin Camaj është parë t'i mbajë në publik, nëpër konferenca po në takime me miqtë.

 

Makina e shkrimit "Princess 100", duket objekti më i vyer i këtij koleksioni. Erika Camaj tregon se me "Princeshën", Martini ka punuar dekada për veprën e tij letrare e studimore. Ishte me vlerë kjo makinë për të sepse "ishte e pajisur me shkronja të alfabetit ndërkombëtar fonetik".

 

Në vitrinat e sendeve personale janë ekspozuar libra nga biblioteka personale e Camajt, ato që lexuesi brenda kufijve të Shqipërisë i ka pak të njohura dhe që i takojnë veprave studimore të botuara në Itali dhe Gjermani. Kemi studimin e vitit 1993 "La parlata arbëreshe - di San Costantino Albanese in provincia di Potenza", shkruar nga Camaj, dhe tjetri, "Racconti Popolari", studim i drejtuar nga Ernest Koliqi dhe i përgatitur nga Camaj.

Nga letërkëmbimi i shkrimtarit shqiptar që jetoi gjithë jetën në ekzil, kemi vetëm tri letra dhe ato me zor deshifrohen.

 

Më e qarta është ajo e shkruar në vitet '90, ku Camaj i shkruan përkthyesit dhe mikut të tij Hans-Joachim Lunksch, në kohën kur vepra e tij po bëhej e njohur në Tiranë e Shkodër dhe kur sapo ishte krijuar "Lidhja e lirë e Intelektualëve të Shqipërisë". Anëtarët e lidhjes i bën një ftesë për bashkëpunim Camajt. Albanologu shprehet i shqetësuar për "konsumimin" e veprës së tij nëpër qarqet intelektuale të Tiranës.

 

"Veprat e mia letrare po hyjnë në Shkodër e në Tiranë në pjesën intelektuale dhe po "konsumohen" në mënyrë të ndryshme, reakcionet më komunikohen përmes letrave dhe tash edhe përmes shtypit. Disa interpretime të veprës sime më irritojnë, bile më mungojnë nervat t'i akceptoj: andaj edhe shqetësimi im për të cilin të fola në telefon", shkruan ai.

 

Po në këtë letër, ai i shkruan Lankschit, arsyen se përse nuk pranon të marrë pjesë në "Lidhjen e intelektualëve të lirë të Shqipërisë". Ja çfarë shkruan:

 

"Një ndër probleme të tyne ashtë botimi sidomos gjermanisht i autorëve shqiptarë të ndaluem, disa nga ata edhe tash të burgosun, si Kasëm Trebeshina, një rival i Kadaresë në vitet '60. U thashë se unë s'përzihem në grindje të mbrëndshme, kusht për mue ndamja e letërsisë nga politika dhe vlerësimi i vlerave të vërteta".

 

Këto ishin sende personale që Erika Camaj kishte sjellë nga Gjermania në Shqipëri. Të tjerat ishin fotografi familjare në shtëpinë në Lenggries dhe veprimtaria e Camajt në Universitetin e Mynihut.

 

Fotografitë e tjera rrëfejnë për lidhjen e shkrimtarit me

me shqiptarët e Kosovës, arbëreshët e Italisë dhe shqiptarët e Diasporës së Amerikës, nëpër konferenca, takime dhe simpoziume shkencore. Nuk shihen fotografi të Camajt në vendlindje, në Temal, apo kohës së shkollës në kolegjin jezuit të Shkodrës.

Erika Camaj e vizitoi e vetme vendin e tij të lindjes në vitet 1994-1996.

 

Ekspozita, e hapur dje në Qendrën e Studimeve Albanologjike, me rastin e dekorimit të Martin Camajt me titullin "Nderi i Kombit" qëndron e hapur deri më 10 nëntor. Pritej që pas ceremonisë së dekorimit, ekspozitën ta vizitonte edhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, por kjo vizitë u anulua. Mendohet që ky prezantim të shtegtojë edhe në Shkodër, Elbasan, Vlorë, Prishtinë.

 

Pse "Nder i Kombit"

 

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoron me urdhrin "Nderi i Kombit" (pas vdekjes), Martin Camajn, me motivacionin: "Personalitetit të mirënjohur që dha një kontribut të rëndësishëm në studimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare dhe në njohjen e shkencave albanologjike në botë; shkrimtarit të shquar që krijoi nga veprat më të mira të letërsisë moderne shqipe". Në aktivitet ishte e pranishmja e shoqja e shkrimtarit, njerëz të letrave, albanologë, studiues.

 

Ky titull i jepet shkrimtarit me rastin e 85-vjetorit të lindjes, një përvjetor që u kujtua me një konferencë shkencore nga Qendra e Studimeve Albanologjike, u botua vepra e plotë letrare në 10 vëllime nga Dega e Albanologjisë në Universitetin e Mynihut dhe u hap kjo ekspozitë me objekte personale e fotografi e hapur dje në Qendrën e Studimeve Albanologjike, duke mbyllur itinerarin e aktiviteteve për Camajn.

 

_______________

 

Martin Camaj: Nuk dua të ngatërrohem me debatin Kadare-Trebeshina

 

Fatmira Nikolli, Gazeta Shqiptare, 27/10/2010

 

Martin Camaj dje u bë më i afërt me ne. Fotografitë e tij familjare e bënë më të prekshëm, më të dashur e më të afërt. Stenda me imazhet e tija patën zënë vend dje në hollin e Qendrës së Studimeve Albanologjike. Ato imazhe patën fiksuar momente të caktuara nga jeta e shkrimtarit, nga rinia, martesa, takimet me miqtë në Gjermani, Kosovë, Amerikë, pjesëmarrje në konferenca, shtrëngime të përzemërta duarsh, puna në studio, momente të jetës së përditshme, fotografi me bashkëshorten, Erikën, në një kopsht me lule, fotografi në shtëpinë e tij, brenda saj por edhe jashtë ndanë trëndafilave, por edhe foto të familjes së tij lënë në Temal të Shkodrës, motrës, vëllait, fshatit ku lindi, shtëpisë së fëmijërisë, shkollës.... Përmes këtyre imazheve mundëm të shihnim edhe banesën ku ai jetoi në Gjermani mbas ikjes. Dhomat e saj duket të kenë qenë shumë të ngjashme me ato të banesave karakteristike në Shqipëri, atdheun e tij të largët. Një shtëpi dykatëshe që ruante brenda arkivin që la pas vdekjes, dhomën e muzikës, por edhe një dhomë shqiptare për nga kompozimi e objektet që kishte. Në të kishte qilima e oxhak, ndërsa muret qenë të veshur me veshje tradicionale shqiptare. Afër stendave me fotografi, kishte edhe një stendë tjetër, me dorëshkrime të tijat. Ndërsa nga ana tjetër e hollit, kishte objekte të tijat personale. Në një anë qëndronin disa numra të revistës "Shejzat", në një tjetër cep disa blloqe ku dallohej shkrimi i tij i dorës. Më tutje kishte libra me studime të kryera prej tij, syzet e Martin Camajt, stilolapsi me të cilin ka shkruar. Prej dje, Camaj është edhe "Nderi i Kombit", titull që iu dha nga Presidenti, Bamir Topi. Pas promovimit të veprës së plotë në 85-vjetor, pas dhënies së titullit "Qytetar Nderi" i Shkodrës, më në fund erdhi dita e vlerësimit me "Nderi i Kombit" pas vdekjes. Emrin e tij për këtë nderim e ka propozuar Qendra e Studimeve Albanologjike. Me këtë rast u bë një ceremoni në presidencë ku u vlerësua si shkrimtar, e më tej, një aktivitet përkujtimor në Qendrën e Studimeve Albanologjike ku u ekspozuan fotografitë e jetës së tij, objektet personale, një dokumentar i realizuar nga TVSH-ja dhe disa dorëshkrime. Të pranishëm në këtë ceremoni që u hap nga drejtori i QSA-së Ardian Marashi, ishin njerëz të artit e letërsisë, studiues të tij, botuesi Bujar Hudhri, e shoqja Erika Camaj, mbesa e tij Natalia, dhe të afërm të tjerë.

***

Këtë herë, nga Gjermania kishte ardhur edhe përkthyesi, ish-studenti dhe miku i tij Hans-Joachim Lanksch. E jo më kot! Përveç atyre sa thamë më lart, në ekspozitë ishte sjellë prej Erikës edhe makina e tij e shkrimit. Ndanë saj, ishte edhe një letër që fillonte me fjalët "I dashun Hans-Joachim..." Siç na tregon në intervistë vetë Lanksch, ajo ishte shkruar në kohën që Camaj ishte i sëmurë. Mbase ajo është edhe letra e fundit e tij që Camaj ka shkruar. Kjo nuk dihet! Në radhët e saj mundemi të mësojmë më shumë prej mendimeve të shkrimtarit, shqetësimet e tij e jo vetëm kaq, por edhe mosdëshirën e tij për t'u përfshirë në debate që zienin në Shqipëri. Siç shprehet ai në një letër miqësore dërguar Lanksch rëndësi për të kishte vetëm "ndamja e letërsisë nga politika". Por kur u shkrua kjo letër dhe cila ishte rëndësia e saj? Pse s'është bërë publike më parë dhe ç'domethënie ka? Hans-Joachim Lanksch na zbulon detajet, teksa flet në gegnisht, ashtu si sikur e mësoi profesori i tij nga Shkodra...

Z.Lanksch, në tërësinë e fotografive dhe letrave që u shfaqën në ekspozitën për Camajn, bie në sy një letër që ai ua dërgonte ju. Pse e sollët atë?

Po është një letër që ai ma ka dërguar shumë vite më parë. E solla në Shqipëri sepse doja të përmbushja dëshirën e profesor Ardian Marashit, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike, i cili më pati kërkuar të sillja një letër. Ai donte të kishte së paku një letër origjinale të Camajt, sepse shumica e dorëshkrimeve që ka sjellë zonja Camaj janë të fotokopjuara e jo origjinale. Pra, e bëra që të plotësoja një dëshirë të Marashit. Nga ana tjetër, e zgjodha sepse në këtë letër, Martin Camaj prekte disa gjëra, disa pika shumë të rëndësishme. Për shembull, ai kërkon ndarjen e letërsisë prej politikës. Më tej ai është shprehur në mënyrë shumë kritike edhe për vlerësimet dhe interpretimet e veprës së tij në Shqipëri.

Në ç'vit ua ka dërguar këtë letër?

Letra nuk është e datuar dhe unë datën e saktë të saj nuk e kam, nuk e mbaj mend. Megjithatë, me sa di unë ka qenë ose viti 1990 ose viti 1991. Kjo, sepse ai shkruan se ka qenë i sëmurë dhe vuante shumë prej saj dhe shkruante se nuk e dinte se si do të jetë e nesërmja. Pra, janë fillimvitet 1990.

Është hera e parë që e ekspozoni?

Po është hera e parë. E kam pasur në Gjermani, që nga koha kur ai ma ka dërguar e deri më sot. Domethënë unë e kam sjell prej andej dje (pardje).

Ju keni qenë student, mik e përkthyes i tij. Si e mbani mend atë në Gjermani dhe çfarë ju bënte më shumë përshtypje tek ai?

Ai megjithëse ishte shkrimtar i madh dhe titullar i Albanologjisë në Universitetin e Mynihut, ishte njeri shumë modest, shumë i mirë, shumë i qetë. Megjithëse në çështjet letrare kishte një mendim të rreptë dhe shumë të vendosur, ai nuk fyente asnjeri. Mendoj se fjala më e përshtatshme për të përshkruar Martin Camajn është "shumë i zbutë".

Kur e keni takuar për herë të parë?

Në Universitet. Unë kisha dëshirën e "çuditshme" të mësoja gjuhën shqipe, ndaj u takova me të.

Çfarë menduat asokohe për këtë shqiptar?

Më impresiononte sepse ishte në mes të studentëve si këshilltar. Të jepte mendime dhe këshilla për çdo pyetje, për çdo çështje.

Prej Camajt e keni mësuar gjuhën shqipe në gegërisht?

Jo, jo aspak. Me Camajn unë mësova gjuhën shqipe të njësuar, atë standarde, sepse kisha dëshirën të dija gjuhën zyrtare, ky ishte qëllimi im. Vetëm më vonë, mbasi e përktheva librin me poezi, "Njeriu më vete e me të tjerë", befasisht konstatova se e kuptoja edhe gegnishten. Unë kisha shumë kontakte me shqiptarë nga Kosova, të cilët nuk e kuptonin fare gjuhën e njësuar. Martin Camaj kishte një ide shumë të mirë. Që unë të mësoja se si të merresha vesh me shqiptarët e Kosovës, studionim përralla. Kështu unë mësova gegnishten dhe mësova të kuptoj edhe kosovarët.

 

____________

 

Topi dekoron Camajn me "Nderi i Kombit"

 

Gazeta Shqiptare, 27/10/2010

 

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi dje në presidencë, në një ceremoni të veçantë, shkrimtarin dhe albanologun, Martin Camaj (pas vdekjes), me urdhrin "Nderi i Kombit". Në ceremoni ishin të pranishëm bashkëshortja e të ndjerit, Erika Camaj, kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, Zëvendësministrja e Arsimit dhe e Shkencës, Nora Malaj, shkrimtarë, albanologë, përkthyes, studiues, personalitete të ndryshme të fushës së gjuhësisë e letërsisë. Presidenti Topi, në fjalën e mbajtur me këtë rast, pasi citoi vetë shkrimtarin u shpreh "jam i bindur që sot bashkohemi të gjithë në një zë për të thënë: Po, ti je i yni dhe ne jemi krenarë për ty! Ne jemi të tutë, kemi qenë gjithmonë të tillë, edhe atëherë kur diktatura me dhunën dhe zhurmën e saj të mbulonte me harresë, edhe sot më shumë se kurrë, kur kuptojmë sa shumë na ke dashur, duke e dërguar kulturën shqiptare drejt Evropës përpara se Shqipëria t'i afrohej asaj". Urdhri i lartë "Nderi i Kombit" iu dha Camajt me motivacionin "Personalitetit të mirënjohur, që dha një kontribut të rëndësishëm në studimin e gjuhës dhe të kulturës kombëtare, si dhe në njohjen e shkencave albanologjike në botë; shkrimtarit të shquar që krijoi nga veprat më të mira të letërsisë moderne shqipe". Pasi shprehi mirënjohje për vlerësimin, në emër të familjarëve përshëndeti zonja Erika Camaj, e cila tha "sot e nderuat burrin tim me dekorimin më të lartë që mund t'i japë vendlindja e tij. Dhe me këtë, po e nderoni në vend të shumë bashkatdhetarëve të tij që kishin ide të njëjta, të ngjashme, si Martin Camaj. Shumë faleminderit!"

 

___________

 

Gazeta SHQIP: Dhoma shqiptare e Camajt

 

Në hollin e Qendrës së Studimeve Albanologjike, me rastin e dhënies së titullit “Nderi i Kombit”, mbahet sot edhe një ekspozitë modeste, më së shumti me fotografi, por që të familjarizojnë më shumë me Camajn, i cili jetoi larg Shqipërisë. Fotografitë sjellin të fiksuara momente të caktuara nga jeta e Martin Camajt, nga rinia e tij, martesa, takime me miq, pjesëmarrje në konferenca, puna në studio, momente të jetës së përditshme e deri te vdekja

Këto kohë është folur për Martin Camajn. U desh një përvjetor për ta kujtuar. Pas promovimit të veprës së plotë në 85-vjetor, pas dhënies së titullit “Qytetar Nderi” i Shkodrës, vjen sot edhe ceremonia e titullit “Nderi i Kombit” që i dorëzon sot Presidenti Bamir Topi pas vdekjes. Emrin e tij për këtë nderim e ka propozuar Qendra e Studimeve Albanologjike, e cila organizon sot edhe një ekspozitë modeste në kujtim të shkrimtarit. Në fakt më herët, disa intelektualë shqiptarë dhe të huaj, njohës të veprës së Camajt iu drejtuan Ministrisë së Kulturës që në këtë përvjetor ta njihte vitin 2010 si vitin e Martin Camajt. Në prani të bashkëshortes, Erikës, të personaliteteve dhe studiuesve të veprës së tij, jepet çmimi “Nderi i Kombit”. Në hollin e Qendrës së Studimeve Albanologjike mbahet edhe një ekspozitë modeste, më së shumti me fotografi, por që të familjarizojnë më shumë me Camajn, i cili jetoi larg Shqipërisë. Fotografitë sjellin të fiksuara momente të caktuara nga jeta e Martin Camajt, nga rinia e tij, martesa, takime me miq, pjesëmarrje në konferenca, puna në studio, momente të jetës së përditshme e deri te vdekja e një vajtim mbi teshat e tij në Shqipëri në mungesë të trupit. Janë edhe pak fletë të fotokopjuara të dorëshkrimeve. Përmes fotove ndërtohet edhe shtëpia ku ai jetoi. Një shtëpi dykatëshe që ruan brenda arkivin që la pas vdekjes, dhomën e muzikës, por edhe një dhomë shqiptare. Një ambient i ndërtuar me objekte tipe si qilime, oxhakë dhe veshje tradicionale të varura në mur. Këto dhe videot që do të shfaqen janë sjellë nga arkivi i familjes. Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, duke iu referuar botimit të plotë të veprës së tij letrare thotë se ka më tepër se sa kaq, sepse ka vepra antologjike e gjuhësore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora