Udhëpërshkrim
Annunziata Bua: U gëzua dhe uroi e Nënën e nderoi edhe Zef Serembe
E shtune, 30.10.2010, 08:00 PM
Kremte e madhe në nder të së Lumes Nënë Tereza në Strigar (San Cosmo Albanese):
U GËZUA DHE UROI E NËNËN E NDEROI EDHE ZEF SEREMBE
Kremtja e 100 Vjetorit të lindjes së Të Lumturuarës Nënë Tereza kishte dy pika kryesore:
· Promovimi i botimit italisht të librit “Ylli i Dardanisë rrezaton tokë e qiell” (“La Stella di Dardania irradia terra e cielo”) të autorit kosovar - Engjëll Koliqi
· Inaugurimi i ikonës së të Lumes Nënë Tereza, realizuar nga motra kosovare Sr Maria Grazia Uka.
Shkruan: Annunziata Bua
Strigari (San Cosmo Albanese) – Kalabri, 26 tetor 2010
Të dielën e kaluar, të 24 tetorit, Strigari (San Cosmo Albanese), kishte festë të madhe, Kushtuar Nënës së mbarë botës, bijës së Dardanisë e të Arbërisë, që mblodhi mijëra arbëreshë strigariotë dhe nga vende të tjera të Arbërisë në Kalabri, njerëz të institucioneve shtetorore e kishtare, studjues – pleqë, të rinj e fëmijë. Pra, këtu, në vendlindjen e poetit të dashurisë – Zef Serembes, u kremtua për Shenjtëreshën e Dashurisë. Pra, u kremtua 100 vjetorin e lindjes së të Lumturuarës Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, që u shënua me dy ngjarje të rëndësishme:
- Promovimi i librit të autorit kosovar Engjëll Koliqi-t “La Stella di Dardania irradia terra e cielo, si dhe
- Inaugurimi e bekimi i ikonës së Nënë Terezës, realizuar në një pikturë të bukur nga motra baziliane – poashtu kosovare – Sr Maria Grazia Uka.
Ishin ftuar shumë mysafirë dhe kishin ardhur shumë arbëreshë, edhe nga vende të tjera të
Kalabrisë, në kremten jashtzakonisht bukur të organizuar nga Administrata bashkiake e Strigarit dhe nga famullia e këtushme, ndihmuar dhe përkrahur edhe nga Administrata e Rrethit të Kozencës dhe nga Ipeshkëvia Arbëreshe e Ungrës (Lungros). Administrata bashkiake e Strigarit (San Cosmo Albanese) këtë manifestim e kishte organizuar në bashkëpunim me Sportelin Linguistik të Unionit të Arbërisë, dega e shkëputur në Strigari, duke i realizuar bukur ngjarjet e
përmendura më lartë, që ishin komponente përbërëse të shënimit të superjubileut – të 100 Vjetorit të Lindjes së të Lumturuarës Nënë Tereza. Drejtuese e Sportelit Linguistik të Unionit Arbëria në Strigari, është autorja e këtij reportazhi – Annunziata Bua, edhe redaktore e botimit italisht të librit që u promovua, respektivisht u prezantua në këtë manifestim.
Redaktorja e librit të Engjëll Koliqit “La Stella di Dardania irradia terra e cielo” – Annunziata Bua, duke paraqitur fjalën e hyrjes në promovim
Përkujtimi i Nënës së mbarë botës, posaçërisht të mbarë popullit shqiptar, nuk mund të injorohej nga komuniteti ynë arbëresh, sepse kjo shenjtëreshë e dashurisë, bashkë me Gjergj Kastriotin – Skënderbe, janë identiteti dhe identifikimi i çdo qenie njerëzore që në shpirt ndjen përkatësi arbërore. Do e përkujtonim me çdo kusht Bijën e farës sonë e Nënën e mbarë botës, që për të gjithë shqiptarinë është pika referuerse dhe shpëtuese me fuqi mrekullie, që na bekon dhe na ruan të gjithëve nga parajsa e amshuar, siç paraqitet edhe në librin e Koliqit, që u promovua me këtë rast. Bua i njoftoi të pranishmit, se i njëjti libër ishte botuar shqip, në qershor, në Prishtinë dhe se ishte lavdëruar dhe ishte quajtur shumëdimensional dhe tejet i rëndësishëm në këtë superjubile, nga kryebiografi i Nënë Terezës – Don Dr Lush Gjergji, i cili edhe ka shkruar një parathënie të bukur, në botimin shqip, që e kemi edhe këtu, në botimin italisht. Annunziata theksoi se çdo qenie arbërore ndjehen shumë krenari dhe me fat, që i përket kombit që ia dhuroi botës Shenjtëreshën e Dashurisë.
Në këtë solemnitet të bukur kanë marrë pjesë shumë njerëz, përplot auditoriumi bashkiak i Strigarit. Përveç redaktores Bua, kanë folur në superlativ për autorin e librit dhe për këtë libër shumë të bukur e të rëndësishëm, por edhe për Figurën e Shenjtë dhe të pazëvendësueshme të së Lumes Nënë Tereza, edhe: Kryebashkiaku i Strigarit – Z. Antonio Mondera, këshilltarja e kulturës dhe e minoriteteve gjuhësore të Rrethit të Kozencës – Znj. Maria Francesca Corigliano, Ipeshkëvi i Merituar i Ungrës (Lungro) – Imzot Ercole Lupinacci, Murgesha Baziliane – Sr Vincenza Pecoraro, e cila ishte një kohë të gjatë misionare në Indi, profesoresha e nderuar arbëreshe – Prof. Angela Castellano, famullitari i Strigarit – Papas Pietro Minisci e të tjerë. Vlen të përmendet dhe meriton lëvdata në superlativ edhe programi kulturo-artistik i realizuar nga fëmijët – Celeste Mondera, Rita Macri, Valeria Luzzi, Elsaida Kurraj, Francesco Salimana dhe Pierfrancesco Durante, që mrekullueshëm recituan dhe lexuan poezi dhe lutje të së Lumturuarës Nënë Tereza. Hijeshi të posaçme kësaj kremteje të 100 Vjetorit të Lindjes së Nënë Terezës, i ka dhënë e reja Francesca Sposato, e cila – e veshur në kostume arbëreshe, mysafirëve ua shpërndau nga një kopje të librit dhe kujdestaroi te piktura e Motrës Mari Grazia Uka (që është edhe në ballinën e librit), kur ajo u bekua nga Ipeshkëvi.
Udhëhjeqësja e Sportelit Linguistik të Komunës së Strigarit (San Cosmo Albanese), në rolin e redaktores së botimit italisht të këtij libri – Annunziata Bua, në fjalën e hyrjes, ndër të tjera ka thënë: “E kemi obligim historik dhe moral, të krenohemi me figurën madhore dhe të shenjtë të Gonxhe Bojaxhiut – së Lumturuarës Nënë Tereza, që gjithëherë dhe gjithkund në botë ka dëshmuar me krenari përkatësinë e saj arbërore. Sot duhet ta falënderojmë të gjithë, nga zemra, autzorin e këtij libri – Engjëll Koliqin, i cili ka pasqyruar shumë bukur përkatësinë e Nënës së Botës, shenjtërinë e saj, në përputhje me traditat arbërore. Le të jetë ky libër monumental krenari e të gjithë neve që i takojmë farës arbërore” – ka apeluar Doktoresha Bua, duke kërkuar nga të gjithë, që sa të mundemi t’i përngjajmë kësaj Nëne – kësaj Shenjtëreshe, me vepra të mira humanitare të dashurisë së mirëfilltë njerëzore.
Një pasuri e madhe e kësaj kremteje madhështore ishte ndërhyrja e Kryebashkiakut. Gjithashtu edhe kryebashkiaku i Strigarit – Z. Antonio Mondera e ka lavdëruar shumë këtë libër shumëdimensional të Koliqit dhe ka apeluar te të gjithë të pranishmit, që me jetën e tyre të jenë shembull i dashurisë shembullore për njeriun nevojtar dhe të krenohen me identitetin e njëjtë nacional me shenjtëreshën e dashurisë – Nënë Terezën. Ai poashtu ka shprehur krenarinë dhe kënaqësinë e jashtzakonshme që ky superjubile po shënohet kaq bukur në Bashkinë e tij.
Edhe famullitari i Strigarit – Papas Pietro Minisci ka shprehur kënaqësinë dhe krenarinë për këtë fat që ky jubile kaq i rëndësishëm të kremtohet në Famullinë që e drejton. Ipeshkëvi e Merituar i Ungros (Lungro) – Shkëlqesia e Tij Imzot Ercole Lupinacci, duke falënderuar autorin e zellshëm Engjëll Koliqin për këtë libër kaq të bukur, me krenari ka theksuar se ka nderin që në këtë libër të jetë pjesëmarrës me dëshminë e tij, nga ditët e bukura që ka kaluar në shoqërim të Nënë Terezës, në Shqipëri. Imzot Lupinacci ka bërë një analizë më të hollsishme të këtij libri, duke i dhënë një notë shumë të lartë të kritikës letrare.
Fjalë shumë të bukura, për kremten, për librin e më së shumti për Nënë Terezën, ka shqiptuar këshilltarja e kulturës dhe të minoriteteve gjuhësore të Rrethit të Kozencës – Znj. Maria Francesca Corigliano, e cila – edhepse në mungesë ka falënderuar autorin e librit dhe ka lavdëruar kryebashkiakun Mondera për këtë organizim kaq të bukur e të devotshëm për Nënën e Botës, që ishte motër e jona. Nuk kanë munguar lavdatat dhe shprehja e kënaqësisë dhe krenarisë, edhe nga përgjegjësja e akcionit katolik të Dioqezit të Ungrës (Lungro) – Prof. Angela Castellano Marchiano, e cila ka thënë se kjo shenjtore e farës arbërore meriton të jetë e pranishme dhe ndikuese në të gjitha qeniet tona.
Një ndërhyrje shumë të bukur e ka bërë edhe dirigjenti shkollor – Prof Francesco Plastina, i cili ka lavdëruar punën e madhe të autorit Koliqi, në këtë libër kushtuar Shenjtores dhe Nënës së Dashurisë. Ai ka lavdëruar edhe kryebashkiakun dhe famullitarin për këtë organizim kaq të bukur të shënimit të këtij superjubileu.
Autori i librit Engjëll Koliqi, me keqardhje të madhe, për shkak të problemeve shëndetësore, nuk ishte në gjendje të jetë i pranishëm në këtë ngjarje të madhe. Megjithatë, përmes e-mailit ai i dërgoi përshëndetjet e tij për të gjithë pjesëmarrësit në këtë kremte dhe promovim, duke shprehur simpatinë e tij dhe solidaritin për nismën e promovuar nga komuna. Sigurtë se do të jetë i pranishëm në të ardhmen në raste të tjera, dhe ngjarje kulturore në komunitetin tonë. Letra e tij përshëndetëse u mirëprit nga të gjithë të pranishmit, me duartrokitje frenetike.
Ishte çast shumë special dhe i këndshëm, kur Shkëlqesia e Tij Imzot Lupinacci bekoi pikturën ikonë të murgeshës kosovare Sr Maria Grazia Uka, pikturë që ishte edhe në ballinën e këtij libri. Piktura i mbeti dhuratë speciale kishës famullitare të Strigarit (San Cosmo Albanese).
Bukuroshja Francesca Sposato, e veshur në kostumet e bukura arbëreshe, ua shpërndan të pranishmëve nga një kopje të librit
![]() |
Francesca Sposato, me krenari qëndron pranë ikonës së Nënë Terezës |
![]() |
I zoti i shtëpisë – kryebashkiaku Antonio Mondera, gjatë fjalës së Tij |
![]() |
I zoti i shtëpisë – kryebashkiaku Antonio Mondera, gjatë fjalës së Tij |
![]() |
Famullitari Papas Pietro Minisci, gjatë fjalës së Tij të bukur |
![]() |
Shkëlqesia e Tij Imzot Ercole Lupinaci, duke paraqitur vlerësimet dhe dëshmitë e tij |
![]() |
Murgesha eprore e motrave baziliane në Strigari – Sr Vincenza Pecoraro bukur paraqet dëshmitë e saj, nga misioni në Indi, atje ku shërbei Nënë Tereza |
![]() |
Këshilltarja e Kulturës dhe e Minoriteteve Linguisdtike të Rrethit të Kozencës Maria Francesca Corogliano, gjatë fjalës së bukur të Saj |
![]() |
Shumë bukur foli Prof. Angela Castellano Marchiano |
![]() |
Prof Francesco Plastina gjatë fjalës së tij |
![]() |
Shkëlqesia e Tij Imzot Lupinacci, duke e bekuar ikonën e Nënë Terezës, pikturë e realizuar nga Sr Maria Grazia Uka |
![]() |
Sa bukur recitonin e lexonin fëmijët |
![]() |
Pamje të bukura nga ky manifestim i bukur: |