Udhëpërshkrim
Vasil Filipi: Respekt për moshën e tretë
E shtune, 30.10.2010, 07:58 PM
Z.Petrit Zanaj duke hapur veprimtarine
Një veprimtari mbreslënëse
RESPEKT PER MOSHEN E TRETE
Drejtues të zotë i japin emër shoqatës
Nga Vasil Filipi
Kam vite që banoj në Filadelfia dhe ndjek jetën e shoqatës “Bijtë e shqipes”, në fillim si dashamirës dhe më vonë si anëtar i rregullt i saj. Ndjek me dëshirë veprimtaritë që organizon këshilli drejtues i kësaj shoqate dhe vë re me kënaqësi se qendra kulturore e kësaj shoqate, një qendër për të patur zili nga të gjitha shoqatat në Amerikë, ndofta edhe më gjerë, nuk ka qetësi.
Veprimtaritë që zhvillohen në këtë qendër kulturore ndjekin njera – tjetrën. Dhe nuk janë të pakta. Këtë vit, deri në çastin që po shkruaj këto rreshta, këshilli drejtues i shoqatës ka organizuar 14 veprimtari, mesatarisht më shumë se një veprimtari në muaj. Vetëm në muajin shtator u organizuan katër të tilla, pra çdo javë një veprimtari. A nuk është për të patur zili puna e këtyre njerëzve? Do të thosha me plot gojë:
Mbas veprimtarisë së fundit në muajin shtator, mendova se këta drejtues që organizojnë kaq shumë veprimtari me siguri do jenë lodhur dhe do të bëjnë pushim disa kohë, të paktën deri në festimin e Ditës së Flamurit. Por u gabova. Ata nuk u lodhkan, dhe në muajin tetor një tjetër veprimtari pasoi simotrat e saj të kaluara.
Sa herë marrë pjesë në veprimtaritë e shoqatës dhe shoh që jo vetëm sa mirë i programojnë dhe organizojnë këto veprimtari por edhe cilësinë e lartë të materialeve që referohen në to. më duket sikur të gjithë këta njerëz kanë mbaruar për gjuhë letërsi, mbasi i analizojnë kaqë saktë librat e poetëve dhe shkrimtarëve që promovojnë ato para auditorit në këtë qendër. Herë – herë më duket sikur të gjithë janë shkencëtar kur i vënë pikat mbi “i” në studimet e Prof. Anastas Dodi apo Prof. Ibrahim Gashi, apo sikur janë historian kur organizojnë veprimtari për njerëzit tanë të shquar dhe ngjarjet e rëndësishme të kombit tonë, tek referojnë tema cilësore. Por ata nuk janë të tillë. Lazari ka qenë gazetar, Petriti është ekonomist, Sadiku është kimist, Erblina studente, Vlashi ka qenë inxhinjer nafte, Bashkimi agronom, Ivziu është mësues, etj. etj., por të bashkuar ata bëjnë gazetarin, kritikun, shkencëtarin, apo historianin. Eshtë me të vërtetë për t’u habitur sa bukur i kordinojnë punët. Një gjë e kanë të përbashkët. Ata kanë dashurinë për njerzit dhe atdheun, punojnë pa asnjë shpërblim dhe organizojnë veprimtari jo vetëm për njerëz të dëgjuar por edhe për njerëz të thjeshtë, jo me emër por punëtor dhe atdhedashës.
Jo pak herë kam pyetur veten: Ku e gjejnë forcën këta njerëz?
Me pyetjet e mësipërme i drejtohem veç e veç, Llazarit, Petritit, Vlashit, Sadikut. Për çudi marrë të njëjtën përgjigje: “Tek dashuria për vendin tonë halle madh, tek dëshira për të mos humbur kultura dhe gjuha shqipe, dhe për ta trasmetuar këtë gjuhë të lashtë edhe tek brezi i ri, tek fëmijët, nipërit e mbesat, që ata të mos e harrojnë vendin dhe gjuhën e të parëve të tyre”.
Nuk është vetëm numëri i madh i veprimtarive që organizohen në këtë shoqatë, por edhe idetë mjaft interesante që kanë anëtarët e këshillit drejtues për veprimtaritë në vazhdim. Kështu më 23 Tetor ata organizuan një veprimtari të thjeshtë por që la mbresa tek të gjithë protagonistët dhe pjesëmarrësit në të, me temë “Përvojë e vyer e një jete të gjatë”.
Ata më tregojnë, se kishte muaj që ishte hedhur ideja për këtë veprimtari dhe u ndanë detyrat për realizimin me sukses të saj. U tregua shumë kujdes se ajo do të ishte diçka e veçantë. Nuk do të flitej për ngjarje të rëndësishme apo njerëz të shquar të kombit tonë, për poetë, shkrimtarë apo shkencëtar me emër, por për njerëz të thjeshtë, pa emër të dëgjuar, për njerëz të ndershëm dhe punëtor, që gjatë gjithë jetës ishin përpjekur të mbanin familjet dhe për të dhënë sado pak kontributin e tyre modest në shoqëri, për njerëz të moshuar, tashmë në pension. Me të vërtetë diçka interesante. Pati mendime se kjo veprimtari nuk do pritesh mirë, me preteksin se po t’u kujtosh moshën këtyre njerëzve, nuk është mirë. Ideatorët e kësaj veprimtarie nuk ishin dakort me këtë mendim. “Ne nuk do u kujtojmë moshën, mbështesnin mendimin e vet ata, por do të njohim më mirë jetën e tyre, do të prezantojmë ndihmesën e tyre modeste, do i vlerësojmë dhe do i falenderojmë për gjithçka kanë bërë gjatë gjithë jetës, si dhe për të përfituar sa më shumë nga përvoja e gjatë e tyre”.
Veprimtaria tregoi se ata që e menduan dhe organizuan atë, kishin shumë të drejtë, se vizioni i tyre ishte i plotë dhe i qartë.
U përcaktuan emrat e protagonistëve të kësaj veprimtarie dhe u grumbulluan të dhënat për jetën e tyre, dhe më 23 tetor gjithçka ishte gati. Benjamin dhe Lillian Risilia, Martha Capo – Osbourn, Eqerem dhe Habibe Beqiri, Behar Alimadhi, Abedin dhe Hatixhe Teme, Xhemil Vangjeli, Liri Dhamo, Zajde Veselaj, Sabaudin Kurti, Gavril Paparizo, do të ishin ata për të cilët do të flitej në këtë veprimtari. Dhe qysh në pjesëmarrje u duk që kjo veprimtari do të ishte e suksesëshme.
“……Ne si shoqatë kemi bërë disa veprimtari, por kjo sot është e veçantë, tha në fjalën e hapjes z. Petrit Zanaj, kryatar i shoqatës. – Eshtë e tillë sepse atë e kuptojmë si një detyrim të madh që brezat e kanë për të respektuar e nderuar prindërit e tyre. Por ndërkohë është edhe një kënaqësi dhe nder i madh për ne, të mblidhemi këtu, për t’u thënë pak fjalë zemre njerëzve tanë më të dashur, që nuk kanë kursyer asgjë për të na bërë këta që jemi sot, familjarë e njerëz të nderuar e të jetojmë jetën me djersën e ballit…..”
Kurse Vlashi Fili, sekretar i shoqatës, në materialin e përgatitur për këtë veprimtari, midis të tjerave theksoi:
“……..Sot jemi së bashku këtu, për diçka ndryshe nga hetët e tjera. Jemi mbledhur për ju, për njerëzit tanë të thjeshtë, për njerëzit punëtor e të ndershëm…….. Sot shoqata jonë ka vendosur t’u vlerësoj dhe t’u falenderoj me zërin tonë, me zërin e fëmijëve, vëllezërve dhe motrave tuaj, por edhe me zërin e nipërve e mbesave. Nëpërmjet këtij takimi ne duam të njihemi më tepër me jetën dhe përvojën tuaj, që ju të njihni më mirë njeri – tjetrin, t’u vlerësojmë për jetën tuaj të gjatë, për kontributin modest që keni dhënë në shoqëri, dhe t’u falenderojmë për gjithçka keni bërë dhe po bëni ende tani, në komunitetin shqiptar në Filadelfia…….”
Më pas ai bëri një pasqyrë të jetës dhe kontributit të protagonistëve të kësaj veprimtarie, duke bërë dhe prezantimin e tyre. Ai e përfundoi fjalën e tij:
“……Ju falenderojmë për bashkëpunimin si dhe pjesëmarrjen në këtë komunikim të përbashkët dhe ju urojmë me gjithë zemër, edhe në emër të këshillit drejtues të shoqatës, jetë sa më të gjatë e të bardhë, gëzime dhe lumturi në familjet tuaja, dashurinë me njëri – tjetrin, dashurinë për vendin tonë të bukur dhe gjuhën shqipe. Fati i mbarë u priftë në çdo hap të jetës tuaj.”
Në vazhdim z. Ivzi Cipuri, anëtar i këshillit drejtues, foli gjerësisht për jetën dhe kontributin e z. Benjamin Risilia. Folën gjithashtu dhe Llazar Vero, Suzana Vangjeli si dhe Ardian Veselaj, i biri i zonjës Zajde Veselaj.
Fjalën e morën në vazhdim edhe disa nga protagonistët e veprimtarisë, Behar Alimadhi, Eqerem Beqiri, Abedin Teme, Habibe Beqiri, Sotir Suli dhe Zajde Veselaj, të cilët mbasi falenderuan organizatorët për atë që u kushtua atyre, shprehën kënaqësinë për vlerësimin dhe nderin që iu bë.
“….Falenderoj shoqatën për këtë organizim, për të na nderuar ne, brezin tonë. Kjo është shënjë respekti për njeriun e thjeshtë…….”, tha midis të tjerave z. Abedin Teme.
Në fund këshilli drejtues i shoqatës vlerësoi zonjën Martha Capo – Osbourn ne nedaljen e shoqatës “Nderi i Kominitetit” si dhe i dhurroi një tufë me lule, për ndihmën e paçmuar që ka dhënë në vite bashkëatdhetarëve të ardhur rishtas në Amerikë. Po ashtu Lillian Risilia, Behar Alimadhi, Eqerem Beqiri, Habibe Beqiri, Abedin Teme, Hatixhe Teme, Xhemil Vangjeli, Zajde Veselaj, Liri Dhamo dhe Sabaudin Kurti u vlerësuan me “Certifikatë Mirënjohje” të shoqëruara me një tufë lule.
Në bisedat e lira gjatë koktejlit, mbas veprimtarisë, z. Ardian Veselaj, i biri i Zajde Veselaj shprehu pak fjalë zemre por me shumë kuptim dhe vlera: “Ishte një ide e bukur organizimi i kësaj veprimtarie. Ju u dhatë prindërve tanë atë që ne nuk e kemi bërë plotësisht, falenderimin, respektin dhe dashurinë për ta”.
U largova nga kjo veprimtari me mbresa nga më të mirat, si dhe me konsideratën më të lartë për Llazar Vero, Petrit Zanaj, Vlashi Fili, Sadik Elshani, Ivzi Cipuri, Suzana Vangjeli, Bashkim Bërdufi dhe gjithë anëtarët e tjerë të këshillit drejtues të shoqatës, për punën e madhe dhe të palodhur që bëjnë në të mirë të kombit dhe komunitetit shqiptar në Filadelfia.
Pamje e pjeseshme e te pranishmeve |
Pamje e pjeseshme e te pranishmeve |
Z. Vlashi Fili duke referuar materialin |
Zonja Martha Capo-Osbourn ne momentin e marjes se medaljes se shoqates |
Nje kujtim i bukur me te gjithe te vleresuarit |