E enjte, 08.05.2025, 06:21 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Ilir Meta, kavia eksperimentale e megamashtrimit më të ri të Fatos Nanos për Presidencën

E premte, 22.10.2010, 08:06 PM


Ilir Meta, kavia eksperimentale e megamashtrimit më të ri të Fatos Nanos për Presidencën

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Në zgjedhjet e vitit 2009 LSI mori katër deputetë, të cilët qenë të mjaftueshëm për Metën që të bënte koalicion me Berishën, për të qenë pjesë e pushtetit. Servilët e tij filluan ta krahasojnë Ilir Metën me Talejranin e famshëm. Duket se rating-u ka rënë shumë pasi kur Meta u bë kryeministër, servilët e tij i thanë se ai kishte moshën e Napoleon Bonapartit, kur erdhi në pushtet dhe filluan ta krahasojnë me Napoleonin, deri edhe për nga pamja. Gjithsesi, kur Meta bëri aleancë me Berishën, ai u shpall nga disa servilë të tij si njeriu që mban çelësin e politikës shqiptare dhe që vendos fatin e të gjitha zhvillimeve të rëndësishme politike, jo vetëm tek e majta, por në gjithë politikën shqiptare në përgjithësi. Dhe kështu ai që ishte vetëshpallur si antiberishiani më i madh në 20 vitet e pluralizmit politik në Shqipëri, u ul në krah të Berishës si zëvendësi i tij në qeveri.

Georges Clemenceau (Klemanso), kryeministri i famshëm francez, thoshte për bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Andre Tardieu: “Është komode kështu, pordhën e bëj unë, erën e lëshon ai”. Clemenceau e kishte fjalën për deklaratat dhe veprimet në politikën e jashtme, në kohën e Konferencës së Paqes në Versaille, jo për afera korrupsioni. Kur Ilir Meta zgjodhi të merrte portofolin e Punëve të Jashtme, ndërsa dy ministritë e tjera fitimprurëse, atë të Ekonomisë dhe Tregtisë, dhe atë të Shëndetësisë, ia la dy njerëzve të tij, ai i bëri llogaritë si Klemanso me Tardieun. Pra, Ilir Meta mendoi se, nga njëra anë, me portofolin e diplomacisë do të rriste profilin e tij në rrafsh ndërkombëtar, ndërsa në anën tjetër, me anë të dy njerëzve të tij që kishte bërë ministra, do të siguronte të ardhura abuzive nga aferat korruptive, pa u implikuar vetë. Erën e keqe të korrupsionit do ta lëshonin ministrat e LSI, Prifti dhe Vasili. Ilir Meta deklaratat dhe veprimet në politikën e jashtme i bënte vetë, me zell të madh, jo si Clemenceau, në interes të Francës, por duke vepruar si zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Serbisë, në kohën që ishte ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë. Në ndërkohë, “Tardieu”-t e tij do t’ ia mbushnin thesin me para.

Ilir Meta mendonte se ministrat Prifti dhe Vasili qenë për të ashtu siç qe qeni për Titon në filmin “Beteja e Sutjeskës”, për të cilin Meta ka një obsesion dhe e njeh më mirë se programin e LSI. Por Ilir Meta kishte harruar se edhe Tito një qen të bindur kishte dhe jo dy. Ilir Meta donte të kishte dy qen-ministra dhe arriti të kishte vetëm një të tillë. Kur i thanë Ilir Metës për herë të parë se Dritan Prifti po tregonte shenja rebelimi, ai tha: “E dini ju se në Myzeqe ka dalë vetëm një këngë trimërie, dhe ajo fillon me fjalët ‘O bo bo po vijnë gjermanët!’ Unë e bëj të këndojë ‘O bo bo po vjen Ilir Meta”. Me këtë Ilir Meta aludonte se myzeqari Dritan Prifti nuk ishte asi burri që të rebelohej ndaj tij. Kur Ilir Meta e kuptoi se Dritan Prifti nuk kishte ndërmend që t’ i bindej dhe donte të bënte lekë vetëm për vete, atëherë vendosi ta zëvendësonte. Por Ilir Meta nuk kishte aspak ndërmend që të ndryshonte stilin e tij të punës.

Sa për politikën e jashtme Meta shqetësohej dhe ishte i angazhuar vetëm që të dilte se ai qe njeriu që ndërtonte urën e miqësisë shqiptaro-serbe. Ilir Meta shkëlqeu në historinë e Serbisë me mungesën e tij në seancën e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, kur u dha vendimi për Kosovën. Në Hagë ishte i pranishëm, siç ishte paralajmëruar homologu serb i Metës, “miku im Jeremiç”, siç e quante ai rëndom. Por prania e Shqipërisë në seancë ishte reduktuar në një drejtor nga Ministria e Punëve të Jashtme,  dhe në ambasadorin shqiptar në Holandë. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë duhet të ishte i pranishëm në Hagë dhe kishte të drejtë të ishte. Çdo vend anëtar i OKB që dëshironte, mund ta ndiqte seancën gjyqësore në nivelin që dëshironte vetë. Shqipëria ishte dashur që ta ndiqte seancën gjyqësore në të njëjtin nivel përfaqësimi me Serbinë, për të theksuar vullnetin e Shqipërisë për pakthyeshmërinë e aktit të pavarësimit të Kosovës nga Serbia. Por Ilir Meta nuk shkoi në Hagë, ashtu siç i takonte të bënte, se vajtja e tij në Hagë nuk do t’ i pëlqente ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Jeremiç. Mungesa e ministrit të Jashtëm shqiptar në Hagë ishte i vetmi satisfaksion që pati Serbia nga ky gjyq. Ilir Meta kishte rastin të bënte një gjest që do të shënohej në historinë e kombit shqiptar, por ai zgjodhi të bënte një gjest që do të regjistrohej në historinë e Serbisë, nëse në të do të shënoheshin shërbimet që joserbët tradhtarë të kombeve të tyre i kanë bërë Serbisë. Njeriu i cili i ka veshur vetes atributin e protagonistit në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, me mungesën e tij në Hagë dha të kuptojë se ai më tepër është zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, se ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Opozita shqiptare ka detyrimin historik që të kërkojë një interpelancë me ministrin Meta që ky të japë shpjegime se përse mungoi në seancën e shpalljes së vendimit në Hagë. Duket qartë se Ilir Meta priste një tjetër vendim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, dhe mezi po priste që ta uronte mikun e vet Jeremiç për suksesin e Serbisë. Ilir Meta, pasi nuk shkoi në Hagë, u detyrua që ta përshëndeste nga Tirana vendimin e gjykatës, por edhe këtu u tregua i neveritshëm, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të Kosovës me Serbinë. Kur duhet të kishte folur për të kundërtën, për rëndësinë e bashkëpunimit të Serbisë me Kosovën, se është Serbia e mikut të tij Jeremiç ajo që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por Ilir Meta nuk mund ta bënte këtë se ai ka konflikt interesi në marrëdhëniet me Serbinë, pasi Ilir Meta para se të jetë një politikan është një biznesmen dhe madje biznesmeni më i madh shqiptar që ka partneritet tregtar me Serbinë dhe biznese në Serbi.

“Tradhtia i solli fatkeqësi” thotë Shekspiri tek “Makbethi”. Ilir Metës qartësisht i solli fatkeqësi tradhtia kombëtare që bëri duke mos shkuar në Hagë, se pikërisht në ditën kur do të jepej vendimi për Kosovën në Hagë, në Tiranë një tjetër gjykatë dha një vendim asgjësues për Ilir Metën, duke e lënë në burg sekretarin e tij personal të arrestuar me kërkesën e drejtësisë amerikane, si trafikant droge. Të dy vendimet gjyqësore, ai në Tiranë dhe ai në Hagë, qenë dy plumba për Ilir Metën. Me vendimin e Hagës Ilir Meta u godit si tradhtar i kombit, ndërsa me vendimin e Tiranës u godit si kapo faktik i një karteli ndërkombëtar droge. Ku ishte Lëvizja “Mjaft” pranë opozitës që të shkonte dhe të protestojë para Ministrisë së Punëve të Jashtme, pse jo dhe para shtëpisë superluksoze të Ilir Metës në lagjen trendy bllok, për skandalin e mungesës së tij në Hagë? Pse nuk thirri opozita në interpelancë Prokuroren e Përgjithshme dhe t’ i kërkonte se përse nuk thirret Ilir Meta në Prokurori që të pyetet në lidhje me sekretarin e vet personal. Nëse drejtësia amerikane ishte e interesuar vetëm për bëmat e sekretarit të Ilir Metës në Amerikë, drejtësia shqiptare duhet të jetë e interesuar edhe për bashkëpunimin e tij me Ilir Metën se dihet që çdo njeriu i tij i paguan atij 50% të të ardhurave nga aktivitet e kundërligjshme të çdo lloji. Vetë Ilir Meta është shndërruar në një rentier të një megaskeme korrupsioni, duke vjelë të ardhura nga të emëruarit të tij, që nga Leshkoja i avionëve, dhe deri tek Petrit Vasili i morgut, se të shëndetësisë nuk mund ta quash. Partia e Ilir Metës po zbulohet gjithmonë e më tepër që të jetë një organizatë kriminale, ku ai që nuk merret me trafik droge, merret me shitblerje abuzive aksionesh e pronash publike, me tenderë të kundërligjshme, me dëme të mëdha për buxhetin e shtetit dhe interesat e qytetarëve.

Por atë që nuk e bëri Prokuroria Shqiptare e bëri elita e diplomacisë ndërkombëtare ia bëri të qartë Ilir Metës, kur ky në shtator pati paturpësinë që të shkonte në Neë York, me rastin e hapjes së sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, se ata nuk mund të pranonin që të shtrëngonin duart me një njeri i cili ishte përfshirë në një skemë të mafies ndërkombëtare të narkotikëve, me anë të sekretarit të vet personal. Se ndërkombëtarët e dinë se Ilir Meta e kishte të qartë se kush ishte sekretari i tij dhe me çfarë merrej. Madje pikërisht se e dinte se kush ishte e kërkoi në Shqipëri në kohën e zgjedhjeve. Kështu që Ilir Meta, me t’ u kthyer nga Neë York-u i dorëzoi Berishës portofolin e ministrit të Punëve të Jashtme. Në këto rrethana, Meta kishte dy alternative nëse nuk donte që të mbetej jashtë qeverisë. Ai mund të bëhej ministër i Ekonomisë dhe Energjitikës, ose i Shëndetësisë. Ministër i Shëndetësisë Ilir Meta nuk mund të bëhej, madje edhe sikur të donte të bëhej këtë nuk do ta pranonte Berisha. Atëherë Metës i mbetej që të merrte portofolin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.

Është e vërtetë se Prifti nuk po i bindej Metës dhe nuk po i dorëzonte 50% të fitimeve abuzive të cilat Meta i vjel si taksë qëndrimi në pushtet nga të gjithë të emëruarit e tij në administratë. Por Meta fare mirë mund të vinte një tjetër në vend të Priftit, shumë më të bindur se ai, dhe kështu gjërat do të funksiononin, ashtu siç e kishte menduar Meta. Ilir Meta nuk donte në asnjë mënyrë që të ishte vetë Ministër i Ekonomisë dhe Energjitikës, se ai që kur ishte kryeministër kishte pasur praktikën që të bënte para në mënyrë abuzive, duke firmuar të tjerët për të në karta që ishin mina me shpërthim të vonuar.

Ilir Meta mbeti kështu përsëri në qeveri, por ai tashmë pësoi vdekje politike, pasi ndërkombëtarët e detyruan që të lëshojë portofolin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në vitin 2001, një ministër i qeverisë së Ilir Metës u detyrua që të jepte dorëheqjen se e dashura e tij, duke qenë në timonin e makinës zyrtare të ministrit, shtypi një njeri, duke i shkaktuar vdekjen. Në vitin 2010 Ilir Metën “e shkeli me makinë” sekretari i tij, tashmë i arrestuar dhe që pret të ekstradohet në SHBA. Siç thotë ajo shprehja e famshme: “Të gjitha ngjarjet e mëdha përsëriten dy here: herën e parë si tragjedi dhe herën e dytë si farsë”. Me dorëheqjen nga posti i ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta konfirmoi vdekjen e tij politike. Por në vend që të shkonte në varrezat e politikës, ai u shndërrua në zombie, në të vdekur që ngjallet si trup pa shpirt, dhe u bë përsëri ministër. Por ai është thjesht një kufomë politike dhe këtej e tutje nuk do të lëshojë erë të keqe politike thjesht si “Tardieu” në Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjitikës, por do të lëshojë erë të keqe politike si kufomë politike në putrefaksion, në proces kalbjeje. Kjo kufomë politike do të qelbë politikën shqiptare edhe për disa kohë.       

Një njeri si Ilir Meta, niveli intelektual i të cilit është stopuar tek filmi “Beteja e Sutjeskës”, të cilin e ka të nevojshme ta shikojë po aq sa xhaketën e vet jeshile si xhybe dervishi, dhe që kur e shikon ngazëllen me trimërinë e serbëve në luftën e Sutjeskës, nuk mund të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër në vitin 2010. Njeriu i cili në karrigen e vet në mbledhjen e qeveris dhe në zyrën e vet në ministri, është peng i sekretarit të vet personal në qeli, një pohim i të cilit e çon drejt e në qelinë ku është sekretari i tij, nuk mund të jetë ministër dhe nënkryetar i qeverisë. Nuk mund të jetë ministër një njeri si Ilir Meta, i cili i ka kërkuar kryeministrit Berisha dhe Lulzim Bashës besën se nëse sekretari i tij personal në birucë bën disa pohime, që do të bënin që Ilirit t’ i ndalohej lëvizja jashtë vendit, në pritje të procedurave për të shkuar në qelinë e sekretarit të tij, atëherë Berisha duhet t’ i japë një orë kohë gjatë së cilës policia nuk do ta ndalojë të largohet nga Shqipëria nëpërmjet Rinasit ku i besuari i tij Leshkoja ka marrë si përforcim edhe Kol Baren e Lalë Hekrit për këtë operacion delikat. Nuk mund të jetë ministër një njeri si Ilir Meta i cili që ditën që u arrestua sekretari i tij personal i thotë Hysni Burgajt “shef”. E të mendosh se Ilir Meta është recidivist në këto afera.

Njeriu i cili del në politikë me sloganin “Koha për veprim”, na jep të kuptojë gjithmonë e më tepër se veprimet kryesore të tij janë trafiku i drogës. Njeriu  cili del në fushata elektorale me sloganin “E kuqja do të fitojë”, na jep të kuptojnë se e ka fjalën për ngjyrën e lulëkuqeve nga të cilat nxirret opiumi dhe hashashi.

Ilir Meta me Dritan Priftin bënë kohët e fundit një performancë karikatureske të  KPD të famshme të PS të dhjetorit 2001, me akuza e kundërakuza, ku e nxirrnin njëri tjetrin shef të krimit e korrupsionit. Meta, i cili dikur e akuzoi Nanon si padrinjo të Shqipërisë, tregoi vetë se është një nga padrinjot e mafies shtetërore në vend. I gjendur në vështirësi Meta ndërmori dy lëvizje me të cilat zbuloi natyrën e tij prej makiavelisti vulgar. Ai së pari emëroi gruan e tij Monikën në postin e sekretares së përgjithshme të LSI, çka tregon se Ilir Meta i trembet arrestimit nga ana e amerikanëve, për shkak të pohimeve të ish-sekretarit të tij, kur të ekstradohet dhe kërkon ta lerë partinë në duart e familjes, që të mos e pësojë si Nano. Së dyti, Meta bëri një aleancë me Nanon duke i premtuar mbështetje kur Nano të kandidojë për president në 2012. Nano, i cili i ka mashtruar të gjithë në të gjitha kohrat e politikës, po eksperimenton një megamashtrim të ri dhe si si kavie të këtij eksperimenti fati ka zgjedhur Ilir Metën. Nëse Nano bëhet president, ai do të kërkojë të tredhë PS-në, duke vënë në krye të saj një njeriun e tij të bindur. Nano-president, do të jetë si Berisha i viteve 1992-1997. Nano, në 2012 do të jetë 60 vjeç. Ai parashikon të rrijë dy mandate si president. Në këtë skemë nanoiste nuk ka vend për Metën.

Meta nuk dëshiron që ta pranojë se karriera e tij politike është në fundin e saj. Meta ka qenë deputeti i dytë më i ri më i ri (23 vjeç), nënkryetari më i ri i një partie të madhe (24 vjeç), zëvendëskryeministri më i ri (29 vjeç) dhe kryeministri më i ri (30 vjeç) në historinë e politikës shqiptare. E keqja e një karriere të përshpejtuar artificialisht në politikë, siç qe karriera e Ilir Metës, është se atij që e bën atë i krijohet deliri i madhështisë, edhe i nxitur nga entourage e servilëve që fillojnë i mblidhen përreth për të përfituar prej tij në të ardhmen. Problemi komplikohej dhe nga fakti se intelekti dhe erudicioni i tij qenë në përpjestim të zhdrejtë me ambicjen e tij. Ilir Meta, i dehur nga kjo ngjitje e papritur në retë, nuk e shikonte diskrepancën madhe mes posteve që mbante dhe nivelit të vet intelektual. Anglishtja e tij, nuk u ngjit kurrë deri në nivelin që duhet ta zotërojë një shtetar i lartë dhe erudicioni i tij mbeti po ashtu i kufizuar. E keqja ishte se duke e humbur kohën me obligimet rutinore të një burokrati partiak, si dhe duke pasur një prirje hedonike që e bënte të kalonte shumë kohë në restorante dhe kafene, ai nuk po merrej seriozisht me kultivimin intelektual të vetvetes, kur si intelektual ai kishte mangësi të mëdha. Leximi i tij kufizohej kryesisht në gazetat. Ai parapëlqente që më tepër të zgjeronte erudicionin e vet në biseda me njerëz të kultivuar se sa duke lexuar libra. I dehur nga ngjitja e vet e shpejtë Ilir Meta humbi sensin e vlerësimit të vetvetes. Ai harroi se nuk shkëlqeu për ndonjë gjë të veçantë kur erdhi në Tiranë, në vitin 1987, përveç faktit që veç studimeve ushtronte dhe sportin e peshngritjes.

Kur djaloshi 18 vjeçar Ilir Meta zbriste nga fshati malor Çepan i Skraparit për të shkuar në Tiranë si student i ekonomisë politike, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, atij sigurisht që nuk kishte si t’ i shkonte ndërmend se ishte duke zënë fill një karrierë krejt pa precedent në historinë e Shqipërisë, që 12 vite pasi të zbriste nga fshati i vet malor, do të kulmohej me ngjitjen në postin e kryeministrit. Tashmë që kishin gjashtë vite që ai e kishte humbur kolltukun e kryeministrit, Meta e kishte po kaq të vështirë që ta pranonte se probabiliteti që ai ta rimerrte këtë post të lartë ishte zero. 

Një ligj i pashkruar i politikës është se një politikan nuk mund të rrijë në politikë për një periudhë më të gjatë se ajo pjesë e jetës së tij gjatë së cilës nuk ka qenë në politikë, nuk ka pasur një post politik. Nga kjo pikëpamje, Ilir Meta mund të rrijë edhe pesë vite në politikë, se ai është bërë deputet në moshën 23 vjeç në 1992 dhe ka 18 vite në politikë. Edi Rama është bërë ministër në 1998, në moshën 34 vjeç, pra mund të rrijë edhe 22 vite në politikë.

Ilir Meta është një politikaxhi i cili nuk u bë dot politikan, edhe pas 18 vitesh në politikë.

 



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx