E hene, 29.04.2024, 11:57 AM (GMT+1)

Speciale

Apollon Gjebrea: Gjykime mbi politikat shëndetësore - Realitetet shqiptare

E enjte, 09.09.2010, 10:00 PM


Gjykime mbi politikat shëndetësore

Realitetet shqiptare

 

Nga Dr. Apollon GJEBREA

 

Si nocion i përgjithshëm, me termin “Politikë Shëndetësore” konceptohet tërësia e parimeve më kryesore të hartuara dhe të miratuara zyrtarisht nga autoritetet shëndetësore dhe, thuajse përherë edhe nga ato politike, në një juridiksion të caktuar, me qëllim për të siguruar mbarëvajtjen e shëndetit të popullsisë përkatëse. Për këtë edhe vendosen priori-tetet (përparësitë) dhe objektivat strategjike që synohen të arrihen dhe të përmbushen në një kohë të përcaktuar, sikurse edhe strategjitë përkatëse.  Parë nga ky kënd-vështrim, politikat shëndetësore janë të niveleve të ndryshme, qysh nga niveli i ulët vendor (lokal), krahinor (rajon, zonë etnogjeografike) e deri ne nivel kombëtar (shtetëror) si edhe në nivele hapësirash ndërkombëtare rajonale (psh Europa jug-lindore, apo dhe, Europa si kontinent e më gjerë), ashtu sikurse dhe në ato me përmasa botërore apo globale. Por politikat shëndetësore mund të jenë edhe të pjesëshme (për probleme të veçanta e të caktuara, psh. politika antiduhan, ose për parandalimin e përhapjes së inf. HIV/AIDS, etj.,etj.). Politika shëndetësore, në përputhje me nevojat e tyre, ngrenë edhe shumë institucione e struktura të ndryshme qeveritare, jo-qeveritare dhe vetë bizneset, duke filluar qysh nga vlerësimet paraprake të aplikantëve për punësim, ndjekja e gjendjes shëndetësore të punonjësve të vet, e deri tek politikat e tyre publike, që kërkohet më së paku të mos cënojnë mbarëvajtjen e shëndetit të njerëzve të punësuar dhe, kuptohet, as të publikut, përkundrazi.

Për nivelet rajonale e globale, mjafton të kujtohen politikat e strategjisë së Organizatës Botërore të Shëndetësisë “Shëndet për të Gjithë” (ShpGj) me zbërthimet e saj në objektivat e veta  rajonalë (kupto kontinentalë) - madje edhe në Shqipëri ne patëm më 1989 zbërthimin tonë mjaft të hollësishëm, të quajtur ‘Programi Strategjik Kombëtar’ i shëndetësisë, që u vlerësua edhe nga OBSh-ja, por që natyrisht mbeti pa u vënë dot në jetë për shkak të përmbysjes së atij sistemi.  Gjithashtu OBSh-ja ka miratuar strategjinë ndërkombëtare “Shëndeti21.  Këto politika e strategji ne i kemi bërë publikisht të njohura për hapësirat shqiptare me kumtesa, trajtesa, shkrime, ligjërata, diskutime e komente të ndryshme, jo vetëm për audienca universitare dhe pasuniversitare, por edhe për institucione e personelin ushtrues mjeko-shëndetësor dhe për drejtuesit e shëndetësisë, sikurse edhe për publikun e gjerë. Natyrisht që, sidomos tek ne, ku ende edhe në vetë personelin mjeko-shëndetësor nuk ka një konceptim plotësisht të qartësuar për diferencat ndërmjet mjekësisë me shëndetësinë, ka kurdoherë shumë arsye për t’iu kthyer e rikthyer atyre problematikave edhe sot e në të ardhmen, jo vetëm nëpër auditorë, por sidomos me anë të mediave, veçanërisht atyre audiovizive, për të gjithë shoqërinë me strukurat e saj, dhe doemos për publikun.

Shëndeti Publik, Promocioni i Shëndetit dhe Politikat Shëndetësore

Në vendet e qytetëruara, Shëndeti Publik edhe Promocioni i Shëndetit po ecin me shpejtësi marramendëse.  Sa u takon faktorëve subjektivë të brendshëm, përveç kulturës dhe ndërgjegjësimit të lartë për shëndetin nga publiku si dhe marrjes plotësisht të përgjegjësive përkatëse nga qeveritë e tyre, kjo ndodh edhe falë profesionalizmit shumë të lartë të specialistëve të profileve të ndryshme të shëndetit e të mjedisit, me partneritet multisektorial (jashtë sferave të shërbimeve të mirëfillta të shëndetësisë), sipas përkatë-sisë së problematikave me interes të përbashkët. Kjo bëhet kurdoherë në përputhje me nevojat e publikut e me përfshirjen dhe pjesëmarrjen e tij gjithnjë e më të madhe, si faktor dhe aktor (si objekt dhe subjekt). Vetëkuptohet që këto sensibilitete, gjithsesi përparësore, dhe interesimi i publikut, bëjnë që dhe përfshirja e qeverisjeve përkatëse, për hartimin dhe vënien në jetë të politikave shëndetësore, është bërë prej kohësh tashmë e natyrshme. Madje politikat për shëndetin janë shpesh në krye të axhendave të forcave politike pretenduese për të ardhur në pushtet.

Detyrën për formulimin e këtyre politikave, zakonisht e ndërmarrin grupe të ngarkuara ekspertësh të të gjitha profileve përkatëse të mirëfillta të Shëndetit Publik, qofshin ata në institucione publike apo jo-publike (qofshin ato organizma jo-qeveritare, apo drejtpërsëdrejti private, ose espertë të pavarur), apo edhe në administratë. Kjo bëhet duke u mbështetur jo vetëm në kërkesat imediate të publikut (që janë zakonisht si maja e ajsbergut në krahasim me nevojat gjithëpërfshirëse për mbarëvajtjen afatgjatë të shëndetit të përbashkët), por edhe në nevojat e së ardhmes (për të cilat janë sidomos kompetentë ekspertët e sferave përkatëse).  Gjithashtu merren në konsideratë doemos dhe objektivat e forcave politike të kohës, të cilat, si rregull, janë të interesuara për të pasuruar programet e tyre përkatëse, dhe natyrisht, duhet besuar, edhe për vënien në jetë të tyre.

Në vendet e Bashkimit Europian, ekziston tradita në parim se për t’u konsideruar paraprakisht e suksesshme dhe për të rezultuar e tillë një politikë shëndetësore kombëtare - synohet mbështetja sa më e plotë nëpërmjet shprehjes së vullnetit politik të përbashkët nga të gjitha forcat politike.  Një ‘konsensus’ i tillë ekziston, sepse problemet e shëndetit përfshinë të gjithë popullsinë, pavarësisht nga alternimet në pushtet të partive politike për qeverisje. Kjo natyrisht e lehtëson shumë mobilizimin gjerësisht të kapaciteteve më të mira studimore, kërkimore e akademike nga fushat e shëndetit publik, me vizionet e reja gjithëpërfshirëse të Promocionit të Shëndetit. 

Në procesin e projektimit të politikës, nevojitet pjesëmarrja e specialistëve më të përshtatshëm të sferave të ndryshme nga ministria e shëndetësisë, sikurse edhe referentë me nivel profesional nga pushtetet vendore.  Po kështu, një rol vërtet të rëndësishëm dhe me ndikim shumë të fuqishëm, marrin drejtuesit dhe specialistët e fushave përkatëse nga OJQ-të (OJF-të) relevante, sikurse edhe entet publike të profesionistëve të shëndetësisë (që janë vërtet në gjendje t’a përfaqësojnë me përgjegjësi dhe kompetenca ideo-profesionale, zërin dhe interesat e qenësishme të mbarëvajtjes së shëndetit të publikut, të pacientëve, si edhe interesat legjitime të vetë profesionistëve përkatës të gjithë shërbime-ve të ndryshme të kujdesit shëndetësor).

 

Për  tiparet  e  Politikave  Shëndetësore

 

Si rregull politikat shëndetësore mbështeten kurdoherë mbi studime të bëra për vlerësimin me realizëm të nevojave të shëndetit. Kësaj i shërbejnë të dhënat faktuale, me të cilat arsyetohen e justifikohen ndërhyrjet e duhura për përmirësimet dhe përfitimet e pritshme në shëndet nga popullata (interesi publik). Për këtë, kudo e kurdoherë kërkohet që politikat shëndetësore dhe programet me strategjitë e tyre ndërhyrëse, të jenë sa më shumë që të jetë e mundur: (a) shoqërisht të pranueshme, (b) politikisht të besueshme,  dhe - për të siguruar vërtet një mbështetje sa më të gjerë publike - të diskutohen në mënyrë të veçantë doemos me të gjitha palët e interesuara – sikurse edhe për të qenë edhe sa më  (c) pjesëmarrëse demokratikisht.  Kjo e fundit kupton edhe qenien sa më të hapura (transparente) për publikun, e jo vetëm për ata që do të mund të kontribuonin me veçori, por fuqimisht nëpërmjet mediave edhe për vetë bashkësitë, anekënd vendit.

 

Për këto tre ‘kollona’,   mediat me kapacitetet e veta social-shëndetësore që kanë, apo më saktë që duhet t’i kërkojnë t’i mobilizojnë (flasim për shëndetësinë, e jo vetëm e thjesht për mjekësinë!) kanë vendin dhe rolin e vet krejtësisht të patjetërsueshëm, që edhe tek ne pritet t’a luajnë shumë e shumë më tepër e më mirë se deri tani.

      Vlen pa tjetër të theksohet këtu se, drejtuesit e shëndetësisë kanë një rol tepër të rëndësishëm e të madh, aq më tepër që në vendet e qytetërimit perëndimor, ata përzgjidhen sidomos nga kontingjenti i këtyre ekspertëve, mbi bazën e kapaciteteve të tyre, të meritave, si edhe të performancës profesionale të monitoruar, (por vlerësohen gjithashtu edhe për aspektet e tipareve psikologjike të karakterit individual (!).  Në mjaft raste, për të kryer politika ‘reformuese’ në shëndetësi (por që kurrsesi ato nuk mund të  interpretohen e të ndërmerren - siç keqinterpretohen e keqpërdoren “nganjëherë” tek ne - për të hequr disa drejtues, për t’i zëvendësuar ata me të tjerë),  kërkesat bëhen edhe vetë nga nismat qytetare dhe forca jo-politike të shoqërisë civile, nëpërmjet individëve apo grupeve me formim kryesisht nga sferat e shëndetit publik, të sociologjisë, të së drejtës, të mjedisit, të arsimit, por dhe të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë.

Qëllimi i politikave shëndetësore zakonisht është :

·         udhëheqja e planifikimit të ecurisë mbarëvajtëse të shëndetit dhe zhvillimit të sistemeve shëndetësore, për të përmbushur nevoja të caktuara të shëndetit të popullsisë;

·         fuqizimi i Informim-Edukim-Komunikimit përkatës për publikun, në drejtim të problemeve të shëndetit dhe lidhur me të, për rritjen e pjesëmarrjes së vetë publikut dhe të faktorëve dhe aktorëve të tjerë, në zgjidhjen e tyre;

·         ofrimi i programeve të reja dhe i shërbimeve të ndryshme sa më të përtërira dhe bashkëkohore të kujdesit shëndetësor;

·         forcimi i bazës sa më të qëndrueshme për rregullimin normativ, vënien në jetë, administrimin dhe shpërndarjen sa më me efikasitet të shërbimeve për shëndetin (me synime dhe objektiva të përcaktuara);

·         kontrolli i saktë i ecurisë të kostove të shërbimeve për ruajtjen e efiçiencës të këtyre shërbimeve;

·         nxitja për ngritjen dhe vendosjen sa më lart të problemeve të mbarëvajtjes së shëndetit axhendën insitucionale të politikës së juridiksionit përkatës.       

Kushtëzuar nga rrethanat konkrete, në një politikë shëndetësore të caktuar, shpesh ndodh që në një masë apo në një tjetër, krijohet një “përzierje” në proporcione të ndryshme, ndërmjet disave prej këtyre qëllimeve.

Del kështu se  politikat shëndetësore në fakt  janë në vetvete shprehje e niveleve të larta zyrtare të ‘bazave të nisjes’ për zhvillimin e suksesshëm të Promocionit të Shëndetit.  Ato shërbejnë si shtylla mbi të cilat “mbështeten”, “varen” apo “inserohen” objektivat përkatëse më madhore të Promocionit të Shëndetit për vlerat në fjalë.

 

Theksimi  i  vlerave

Me vënien e theksit tek vlerat shoqërore, përballë burimeve - që janë kurdoherë të kufizuara kundrejt kërkesave dhe nevojave gjithnjë e më të mëdha për mbarëvajtjen e shëndetit, që gjithmonë janë në ndryshim drejt rritjes - politikat shëndetësore parashi-kojnë doemos përpunimin dhe qartësimin me transparencë të opinionit shoqëror (publik, atë profesional dhe zyrtar – përfshirë doemos grupet e interesit!), përqendrimin e vëmen-djes dhe të forcave e të mjeteve, në funksion të arritjes në kohën e duhur të synimeve dhe objektivave të caktuara përmirësuese në shëndetin e gjithë popullsisë dhe të segmenteve të saj, duke ‘privilegjuar’ më nevojtarët.

Politikat shëndetësore bashkëkohore paraqesin disa karakteristika më të spikatura, që janë thelbësore.  Tipari më kryesor i tyre është frymëzimi nga vlerat.  Këtu është vendi që doemos të marrim si shembullin më të qenësishëm  Shëndetin për të gjithë  të OBSh-së, ashtu si dhe  Shëndetin2l’, që i kemi trajtuar në ligjëratat e mëparëshme. 

 

           Në mënyrë të veçantë, qysh në fillimet e këtyre politikave, OBSh-ja ka vendosur vlerën e   BARAZISË.  Në kontekstet e mësipërme, barazia parakupton që çdokush të ketë mundësi të barabarta për të përmbushur sa më plotësisht, potencialin e vet për shëndet. Mbështetja në vlerën e barazisë ka ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si vendim-marrësit i përzgjedhin përparësitë e tyre në fushën e politikës shëndetësore, si edhe vendosin se cilat çështje të shëndetit publik dhe cilat grupe apo segmente popullsie, meritojnë kujdesin më të madh.  Politikat shëndetësore të mbështetura në këtë përqasje (të barazisë), lejojnë një shpërndarje sa më të barabartë të shërbimeve të kujdesit shëndetësor, në gjirin e popullsisë përkatëse.  Ato kushtëzojnë përparësinë që u duhet dhënë më nevojtarëve si dhe grupeve të tjera, që për arsye të ndryshme, janë më tepër të cënueshme, apo edhe shoqërisht më të margjinalizuara. Sistemet shëndetësore që bazohen në parimin e barazisë, kontribuojnë për t’iu dhënë më shumë mundësi e mjete këtyre grupeve më në nevojë, me qëllimin që të mund të lehtësohet dhe mundësohet sa më shumë integrimi i tyre social.

 

Politikat shëndetësore të mbështetura në ShpGj-në, përfshijnë në vetvete vlerën më se të spikatur të  SOLIDARITETIT,  që lidhet pazgjidhshmërisht me vlerën që sapo parashtruam, atë të barazisë.  Këto të dyja interpretohen me të drejtë si shprehje e ndjenjës aq njerëzore të përgjegjësisë së përbashkët, që duhet marrë mbi vete nga e gjithë shoqëria në tërësinë e saj.  Kjo vlerë e solidaritetit, në kuadrin e ShpGj-së, parakupton çdokush kontribuon në sistemin shëndetësor, në funksion të sigurimit të mjeteve të nevojshme për sistemin. Solidariteti në vetvete mund të konsiderohet si mjeti për të siguruar barazinë. Një politikë e tillë shëndetësore, që mbështetet tek solidariteti dhe e zhvillon atë, e përballon mjaft me efikasitet ndikimin jo të barabartë të faktorëve përcaktues mbi gjendjen e shëndetit, sa u përket arritshmërisë të shërbimeve të nevojshme, sikurse edhe zgjidhjes së mundshme të problemeve të shëndetit të popullsisë.  Ndërsa nga ana tjetër, një politikë shëndetësore, që nuk e vlerëson drejt kontributin e solidaritetit në shëndetin e përbashkët, përgjithësisht favorizon sidomos ata që janë më të pasur dhe më të arsimuarit, të cilët përkatësisht, si më të privilegjuar që janë për arsyet e përmendura, ndryshe nga të tjerët, përfitojnë në cilindo rast për ta siguruar kurdoherë çfarëdolloj kujdesi shëndetësor.

 

Barazia dhe solidariteti janë në fakt të lidhura ngushtësisht me tiparin tjetër, të tretin - PJESËMARRJEN.   Përfshirja dhe pjesëmarrja sa më e gjerë dhe aktive e publikut, e institucioneve dhe e palëve, të cilat përfitojnë nga sistemet e kujdesit shëndetësor (ku përfshihen jo thjesht individët,  por doemos edhe grupimet e ndryshme si organizata, biznese e institucione), e përmirëson së tepërmi edhe vetë cilësinë e procesit të vendim-marrjes për shëndetin publik, nëpërmjet demokratizimit më tej drejt përsosjes.  

 

Të treja vlerat e cituara më sipër, kanë ndikime të drejtpërdrejta jo vetëm në financimin e sistemeve të shëndetësisë, por sidomos në plotësimin e mundësive për arritshmërinë e shërbimeve shëndetësore nga të gjithë, për përmirësimin e shëndetit të përbashkët, nëpërmjet zhvillimit të programeve të duhura shëndetësore.  Ato kanë të bëjnë gjithashtu  me përhapjen aq të domosdoshme të informacionit  për edukimin publik në drejtim të mbarëvajtjes të shëndetit, mbasi mospërhapja e këtyre informa-cioneve,  në fakt përbën një pengesë shumë serioze për barazinë.  Kurse përhapja e këtyre informacioneve, për edukimin shëndetësor sa më të plotë e të mirë të publikut të gjerë, është një mjet tepër i rëndësishëm edhe në vetë luftën kundër pabarazisë. 

Mbetet përgjithmonë, nevoja e përhershme që, informacionet me të dhënat  shkencore shëndetësore të thjeshtësuara në nivel të kuptueshëm, t’i përshtaten  publikut të gjerë, veçanërisht  ato që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti  me mënyrat  e jetesës dhe me sjellje të shëndetshme (që duhen konsoliduar) apo ato të pashëndetshme (që duhen modifikuar).  Këto të fundit marrin rëndësi tepër të madhe edhe për vetë politikën shëndetësore, sepse nxisin ndërmarrjen e nismave të vlefshme shëndetësuese, si brenda sistemeve të shëndetësisë (qofshin publike ose jo), edhe në nivelet e duhura ndër-sektoriale  ( është fjala për sektorët e tjerë jashtë sistemit shëndetësor, sipas veçorive të veta përkatëse që lidhen me shëndetin, të secilit prej tyre),  ashtu si edhe për publikun e gjerë apo për grupe dhe segmente më në nevojë të tij.

Respektimi i këtyre vlerave themelore për shoqëritë bashkëkohore, ka ndikim tepër të madh në vetë ecurinë e politikave me nismat përkatëse, sikurse edhe ndikimin e pritshëm pozitiv në vetë popullsinë që i ofrohet kjo politikë e caktuar.  

 

Vizioni  i  gjerë  për  shëndetin

Tipari tjetër thelbësor në politikat shëndetësore është vizioni i gjerë për shëndetin. preambulën e Kushtetutës të OBSh-së, siç dihet, shëndeti është përcaktuar si “gjendje e  mirëqenies së plotë fizike, mendore, shoqërore e mjedisore dhe jo vetëm mungesa e sëmundjes apo paaftësisë”.  Ky koncept më pas është zhvilluar, me zgjerimin e mëvonshëm të kuptimit të tij, në vështrimin holistik. Në përputhje me suazën e politikës ShpGj, një politikë shëndetësore duhet të përmbajë jo vetëm kujdesin për pacientët. Ky konceptim sot është përhapur në të gjithë botën, sidomos në vendet që e kanë adoptuar këtë vizion, dhe e kanë përpunuar me kohë në këtë frymë politikën e tyre shtetërore të shëndetit (sipas ShpGj-së).  Megjithatë, përgjegjësit për politikat në disa vende të rajonit Europian, shpesh e kanë patur të vështirë për ta gjetur lehtësisht veten të përfshirë për futjen e elementeve të mirëfillta të shëndetit, nëpër politikat e tyre.  Në ato vende në fillim, politikat e tyre silleshin kryesisht vetëm rreth aspekteve të kujdesit shëndetësor.  Megjithatë duhet theksuar edhe këtu se, ShpGj-ja e pranon plotësisht që cilësia e kujdesit për pacientin/pacientët, ndikon shumë ndjeshëm në gjendjen shëndetësore të popullatës, prandaj kjo politikë e kundron kujdesin si njërin nga faktorët që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë të shëndetit dhe të jetës së njerëzve.

Influenca të tjera ushtrojnë mbi shëndetin edhe një mori faktorësh mjedisorë, ekonomikë dhe socialë, psikologjikë e komportamentalë, të cilat i kemi trajtuar e disku-tuar në trajtesat përkatëse.  Është e rëndësishme të kujtojmë se gjerësisht pranohet që faktorët dhe kushtet përcaktuese (determinantët) mbi shëndetin e popullsive, luajnë një rol tepër kryesor, si në rajonin edhe në vendin tonë, me specifikat që ka.  Pikërisht për rolin që ato kanë mbi mos/mbarëvajtjen e shëndetit, suaza e ShpGj-së u bën thirrje të gjithë politikë-bërësve të shëndetësisë dhe jo vetëm, për ta hedhur gjithnjë e më mirë vështrimin drejt zgjidhjeve të duhura sa më të gjera e të plota, përtej kujdesit të thjeshtë shëndetësor. 

 OBSh-ja me ShpGj-në e vet, bëhet shëmbëlltyrë për të gjithë shtetet-anëtarë, duke rekomanduar një baraspeshë më të mirë të politikave shëndetësore ndërmjet gjithë faktorëve-kyçe që ndikojnë mbi shëndetin e popullsisë.  Kjo duhet bërë sidomos për të arritur dhe siguruar lëvrimin e sa më shumë fondeve të nevojshme, duke u bërë të gjitha argumentimet e plota dhe në nivele bindëse, nga drejtuesit dhe specialistët përkatës të shëndetit publik e të promocionit të shëndetit, për sigurimin dhe alokimin e të gjitha fondeve publike dhe jo-publike të nevojshme apo edhe mbështetëse, për zhvillimet sa më të mbara e të qëndrueshme lidhur me mbarëvajtjen e shëndetit…

Duhet kuptuar se politikat shëndetësore, të çfarëdo niveli qofshin ato (kombëtare apo lokale) mund të jenë të përgjithshme (kuptohet gjithëpërfshirëse) por edhe të veçanta, dmth. me problematika të ndryshme, sipas përparësive (prioriteteve) të një vendi, të një zone apo dhe të një rrethi të caktuar.  Këto lloj politikash kanë të bëjnë me tematika të posaçme, si psh. lufta kundër përhapjes së ndonjë sëmundjes të caktuar (ngjitëse apo jo-ngjitëse) ku mund të sjellim në kujtesë infeksionin HIV/AIDS, apo ndonjë sëmundje endemike, etj.etj., dhe të tilla politika paraqiten në formë programesh apo projektesh.                      

Drejtimet    kryesore    Politikave  Shëndetësore

 Duke ndjekur vizionin e ShpGj-së, politikat dhe programet shëndetësore, kërkohettë kontribuojnë për përmirësimin e shëndetit në katër drejtime kryesore si vijon :

·                     Kujdesi për pacientin/pacientët është doemos një element tepër thelbësor i përmirësimit të shëndetit, por që në as edhe një rast, me vizionet e ShpGj-së, nuk mund dhe as që mund të konceptohet, pa le më të pranohet që, në një politikë shëndetësore, kujdesi për të sëmurin apo të sëmurët, të vështrohet si tipar ekskluziv.

·                     Parandalimi, i cili përfshin veprimtari të tilla si vaksinimet apo imunizimet,  mbikëqyrjen e ecurisë të shëndetit për patologji të veçanta (survejancën), programet e zbulimit të hershëm të sëmundjeve (depistimin), të cilat kërkohet që të integrohen sa më plotësisht në të gjithë veprimtarinë rutinë të kujdesit shëndetësor parësor.

·                     Promocioni i shëndetit dhe i mënyrave të shëndetshme të jetesës, që përfshin një mori problematikash e tematikash, të cilat nevojitet domosdosh-mërisht të studiohen e trajtohen me kompetencë të plotë profesionale, dhe jo vetëm mjekësore. Fjala është për ‘zbulimin’ dhe luftimin e atyre bindjeve, qëndrimeve, sjelljeve, zakoneve, praktikave dhe mënyrave të pashëndetshme të jetesës lidhur me ushqyerjen, mosushtrimin fizik, problemet e duhanpirjes, përdorimit të alkoolit, përdorimit të drogës, ushtrimit të seksit të pambrojtur, shëndetit mjedisor, stresit etj.etj.etj.  Nevoja për të nxitur sjelljet dhe mënyrat e shëndetshme të jetesës, në përputhje përkitazi edhe me grup-moshat, është një koncept i pranuar nga të gjithë dhe, thuajse, kudo. Por fatkeqësisht, në shumicën dërrmuese të rasteve,  ky lloj ‘pranimi’ vetëm teorikisht, pra në mënyrë abstrakte, nuk arrin të ‘përkthehet’ me detyra konkrete në ushtrimin e profesioneve mjeko-shëndetësore.   Kjo ndodh sepse në shërbimet e kujdesit shëndetësor jo vetëm  mbizotëron medikalizmi, si shprehje e teknicizmit të ngushtë,  por në fakt mungon - edhe këtu në qendër - kompetenca e nevojshme metodologjike e nivelit profesional,  për veprimtaritë  komplekse e shumëformëshe aq të nevojshme informuese-edukuese-komunikuese për shëndetin e përbashkët, veprimtari që kanë shumë e shumë specifika (Është fjala për kompetenca metodologjike-didaktike e mirëfilli pedagogjike, dhe jo vetëm ato të natyrës së specialiteteve përkatëse mjeko-shëndetësore!).

·                     Drejtimi për të vepruar ndaj përcaktuesve të shëndetit, është fusha tjetër madhore e lidhur ngushtë me promocionin e shëndetit, por kjo fushë kapërcen shumë më përtej sjelljeve, qëndrimeve dhe veprimeve individuale që lidhen me shëndetin.  Bëhet fjalë për të ‘goditur’ aspektet e mjedisit fizik e social-ekonomik, që cënojnë shëndetin e përbashkët, e mbi të gjitha varfërinë.  Veprimet që drejtohen ndaj përcaktuesve të shëndetit,  përfshinë  ligjshmërinë (akte e dispozita ligjore e nënligjore),  ngritjen e politikave përkatëse për të ndërmarrë veprimet e duhura konkrete në një hapësirë e kohë të caktuar,  sikurse edhe masat e nevojshme për sensibilizimin, informimin, edukimin dhe aktivizimin e duhur për veprime komplekse ndërinstitucionale e ndërsek-toriale, në dobi të mbarëvajtjes më të mirë të mundshme të shëndetit të përbashkët. Ndërsa përçka i takon mjedisit fizik si përcaktues i shëndetit, duhet kujtuar këtu se, shumica e vendeve e pranojnë rëndësinë e tij, por ndërgjegjësimi i tyre zakonisht, edhe këtu, nuk shoqërohet me veprime konkrete të qenësishme në praktikën konkrete (ndonëse për këto ekzistojnë edhe mjaft dokumente ndërkombëtare shumë të rëndësishme (!).

Roli  i  profesionistëve    shëndetësisë

Me qëllim që politikëbërja të jetë sa më ‘e informuar dhe e balancuar’,  ShpGj-ja thekson rëndësinë që marrin dhe përgjegjësinë që duhet të mbajnë, profesionistët e shëndetësisë.  Ata kanë vërtet një rol krejtësisht të patjetërsueshëm për rëndësinë që merr fjala e tyre në cilëndo bashkësi, me anë të diskutimeve, vlerësimeve, sqarimeve dhe mendimeve të veta, për problemet e konceptimit, miratimit dhe vënies në jetë me sukses të politikave shëndetësore. Mirëpo, shumica më e madhe e tyre, zakonisht janë të përfshi-rë në radhë të parë në ofrimin drejtpërdrejt të kujdesit shëndetësor, në detyrën dhe profilin e vet; Kështu që, ata nuk mund të përfshinë tjetër, veçse doemos vullnetin e mirë; njohjen që kanë, vlerat dhe aftësitë e veta, si dhe mundësitë e takimeve të tyre të pafund, për t’i shfrytëzuar edhe në të mirë të proceseve të politikës shëndetësore; Kjo sepse ndërkohë prej tyre, është krejt normale që të kërkohet ta mbështesin fuqimisht politikën në fjalë, më së paku me besueshmërinë e reputacionit dhe prestigjit shumë të lartë që kanë në publik.

Politika  Shëndetësore  si  Politikë  Publike

Vlen të kujtohet se politika publike duhet konsideruar si një përbashkësi parimesh, synimesh, objektivash, rregullash e vendimesh, të cilat krijojnë suazën e caktuar për ecurinë mbarëvajtëse në zhvillimin e pritshëm të një shoqërie. Cilado politikë publike përbën një ndikues përcaktues (determinant) mbi shëndetin.  Ndërsa politika shëndetësore i drejtohet në mënyrë të veçantë jo vetëm çështjeve të mirëfillta të kujdesit shëndetësor, sepse shëndeti ndikohet nga një gamë shumë e gjerë vendimesh politike, jo thjesht nga vendimet e drejtpërdrejta për sa u takon problemeve të shëndetësisë.  Një politikë shëndetësore e qenësishme, duhet të ofrojë rrugët dhe skemat për veprimin e promocionit të shëndetit në ekonominë e një bashkësie apo të një shoqërie në përgjithësi, qoftë në bujqësi, industri, punësim, ndërtim, strehim, energji, transport, komunikim e shërbime të tjera, si edhe në arsim.

Në frymën e Kartës së Ottawa-s për Promocionin e Shëndetit (KOPSh), është më se e domosdoshme që politikat publike të trajtojnë të gjitha sferat përkatëse të sektorëve të ndryshëm të jetës ekonomike e shoqërore, nën vështrimin e mbarëvajtjes të shëndetit të përbashkët.  Për këtë kërkohet që sektorët jo-shëndetësorë të sensibilizohen e të informohen qartë prej organizmave social-shëndetësore, që të mund të ndërgjegjësohen dhe të interesohen për t’u përfshirë dhe aktivizuar për zgjidhjet më të mira, në veprimtaritë e tyre sipas përkatësisë, të cilat lidhen me shëndetin.  Fjala është jo vetëm për shëndetin vetjak të punonjësve të tyre, por sidomos edhe veçanërisht, për shëndetin e përbashkët, pra për ndikimet mbi shëndetin e popullsisë në hapësirat përkatëse.

Le të kujtojmë psh politikat bujqësore dhe të ushqimit, të cilat dihet se ndikojnë në disponimin dhe shpërndarjen, në sigurinë e shëndetshmërisë, si dhe në çmimin dhe cilësinë e produkteve dhe nënprodukteve bujqësore e blegtorale (drithërat, perimet, frutat, mishi, peshku, bulmeti, etj.);  publicitetin mediatik dhe politikat fiskale - për disponi-bilitetin e mallrave të konsumit të tilla si duhani dhe alkoolet - ku ka lindur prej kohësh nevoja për ligjin antiduhan dhe e rregullave për kufizimin e alkoolit, me taksime më të rënda;  politikat  arsimoreqë kanë të bëjnë me shtrirjen, mundësitë dhe nivelin e sistemit për arsimimin, me veçori për ‘kulturimin’ e brezave të rinj; politikat e transportit e të komunikimit - lidhur këto edhe me shkallën e papranueshme të ndotjes atmosferike (sidomos në qytetet më kryesore), ashtu si edhe për risqet dhe aksidentet nga trafiku, në një infrastrukturë rrugore ende krejt të papërshtatshme me zhvillimet shumë të shpejta të futjes tek ne të një numri shumë të madh të automjeteve, me mbizotërim të atyre të përdorura dhe shumë të përdorura; me cilësinë shumë të dyshimtë të karburanteve; politikat për mjedisin (pyjet dhe gjelbërimin, mbrojtjen e domosdoshme të ajrit, të tokës dhe të ujërave, etj); politikat për ekonominë dhe bashkësinë - për furnizimin me ujë të pijshëm higjienikisht të pastër të qendrave të banuara, dhe për largimin në kohë dhe trajtimin e duhur të mbetjeve urbane; etj, etj, etj.

Strategjia “ShpGj” e OBSh-së na ofron bazën e plotë për politikat shëndetësore gjithpërfshirëse, sepse mbështetet në vizionin shumë të gjerë të shëndetit, përtej sektorëve të shëndetësisë.  Ka shembuj të pafundmë që tregojnë se politikat jo të shëndetshme të sektorëve të tjerë të sipërpërmendur, çojnë në rritje jashtëzakonisht të madhe të problemeve dhe pasojave shëndetësore, deri në invalidizuese, e pse jo dhe në mori vdekjesh krejtësisht të parakohëshme.  Këto rrjedhoja kërkojnë më pas, të shqyrtohen e të trajtohen gjatë e gjerë, jo vetëm nga sektorët shëndetësorë e socialë, dhe ata të rendit e të drejtësisë (!). 

Të tilla probleme, madje masive, si: helmime të ndryshme; antropozoonozat (sëmundjet që kalojnë nga kafshët te njeriu); infeksionet e përhapura nga uji i pijshëm; traumat; problemet e grup-sëmundjeve të lidhura me përdorimin e duhanit (që kanë pësuar rritje marramendëse); ato të alkoolit dhe të drogës;  ato të prejardhura nga seksi i pambrojtur;  problemet e stresit (me të cilat lidhen edhe shumë vrasje, aksidente dhe vetëvrasje); mosmbrojtja e duhur në proceset e ndryshme të lloj-lloj qendrave të punës (sa të licencuara e sa të palicencuara e të pakontrolluara (!) etj, etj.,  Këto do të mund të kufizoheshin së tepërmi, në mos të shmangeshin, nga përfshirja dhe aktivizimi i plotë i shoqërisë sonë me të gjitha strukturat e saj, me politika shëndetësore multisektoriale të përshtatshme, të zbatueshme, por edhe të detyrueshme për zbatim, të afta për promo-cionin e shëndetit të përbashkët.

Objektivi i një politike shëndetësore të fokusuar në zhvillimin gjerësisht promocionit të shëndetit, duhet të synojë kurdoherë që, popullsia të mundet të jetë në gjendje, që të rrisë kontrollin e vet mbi shëndetin dhe ta përmirësojë atë.  Është thelbësore që të kuptohet mirë dhe të vendoset drejt se, kërkohet që: 

          * të krijohen kushte mjedisore (qoftë sociale dhe fizike) që të jenë të përshtatshme dhe mbështetëse për mbarëvajtjen e shëndetit;

          * të fuqizohet veprimi dhe bashkëveprimi i bashkësive, me gjithë strukturat e tyre përkatëse, qeveritare dhe jo-qeveritare nga qendra në bazë, në dobi të mbarëvajtjes të shëndetit të përbashkët;

          * të zhvillohen sa më shumë kapacitetet vetëmbrojtëse dhe parandaluese të cilësdo bashkësi e familje, deri në nivelin e cilitdo banori;    dhe

          * të përtërihen dhe të aftësohen mbi vizione promocionuese, shërbimet e kujdesit shëndetësor.

Prandaj, veç sa më lart, kërkohet që:

·                     të ngrihen doemos politika publike për të projektuar zhvillime ekonomiko-shoqërore vetëm ‘ shëndetshme’;

·                     të nxiten e të promovohen kudo e kurdoherë idetë dhe nismat që sjellin dhe ofrojnë ndryshime dhe përmirësime shëndetësuese;   dhe

·                     të shërbehet nga organizmat e shëndetësisë në çdo rast si ndërmjetësues dhe lehtësues, për të shkuar e arritur drejt një mirëkuptimi social sa më të gjerë, mundësisht mbarëshoqëror, për nevojën dhe mundësitë e ecurisë pozitive të promocionit të vazhdueshëm dhe progresiv të shëndetit në çdo bashkësi e shoqëri.

Për këtë kudo e kurdoherë, në hartimin dhe vënien në jetë të çfardolloj politike për promocionin e shëndetit, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, thënë në mënyrën më të përmbledhur, është kërkuar dhe kërkohet që, CILIDO HARTUES, DREJTUES DHE ZBATUES I POLITIKAVE SHËNDETËSORE,  të mendojë globalisht (sipas pari-meve të përshkruara më sipër) dhe të veprojë lokalisht (sipas kushteve konkrete që përjetohen në juridiksionin e vet).



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora