E hene, 29.04.2024, 02:46 PM (GMT+1)

Speciale

Mejdi Asllani: Nga skëterra përmes luftës në krenari (VII)

E diele, 05.09.2010, 09:59 PM


NGA SKËTERRA PËRMES LUFTËS NË KRENARI

 

Nga Mejdi Asllani

 

XX

 

Erdha në Gjilan dhe pritja datën e caktuar, për t’u nis në shërbim ushtarak. Kur erdhi dita për t’u nisur, në përcjellëje kishin ardhur, gati gjysma e familjes së gjërë, nëna, vëllai Jakupi dhe Dona posepo, disa qanin e disa ngushëllojshin. Sikur të isha nisur për ndonjë luftë të pakthim, e jo në shërbim ushtarak, për tetmbëdhjetë muaj. Kur shoh aty edhe shokun tim që nga fëmijërija,  atdhetarin e paepur Rexhep Elmazin (tash dëshmor), edhe ai ishte nisur për ushtri; pasi e pyeta se për ku e kanë sistemuar?- më tha se në Beograd, edhe unë e kisha për Beograd, kur i krahasuam thirjet, kishim qenë të sistemuar në të njejtin garnizon, në Vozhdovc të Beogradit. U gëzuam që të dy. Sepse tani nuk do na mbyste brenga nga vetmija, në mesin e pjesëtarëve të kombeve tjera të Jugosllavisë, së paku, do e kemi njëritjetrin për ta shkue mërzin, duke biseduar, nga se kishim për çfarë të bisedonim, njërimetrjetin.

Është fjalë shumë e qëlluar kur thonë, se rasti është mbret i botës. Fati deshti që unë e Rexhepi, jo se ramë në kazermën e njejtë, sepse në Beograd, kazermat ishin të mëdha; por na ra fati, të jemë në të njejtën ndërtesë, unë isha në katin përdhesë në baterinë si i thoshin kompanisë së artilerisë së lehtë kundëraviacionit, kurse Rexhepi në kompaninë për ndërlidhëje. Për çdo ditë pas ushtrimeve ishimë sëbashku, bisedonim për të kaluarën, të tanishmën dhe të nesërmën. Koha na shkonte shumë mirë.

Një ditë më propozuan të shkoja, nëse dua, në kurs për komandant skuadre, për tetar, ata i thoshinë-“desetar”. I etshëm për të mësuar sa më tepër, mbi artin luftarak, e pranova ofertën, edhepse më viente keq, të ndahem nga Rexhepi, për gjashtë muaj. Prapë për fat nuk më dërguan jashtë Beogradit, kursi mbahej në garnizonin e gardës së Titos, në Topçider, prandaj, sa herë që ishte fundjava dhe kissha leje për të dalë në qytet, shkoja te Rexhepi ose ai vinte tek unë. Kryesorja prapë ishim bashkë.

Pasi e kreva kursin dhe më graduan (desetar) më caktuan komandant i skuadres parë në togun e parë të kompanisë, disa muaj pas; kishin organizue një mbledhëje të përbashkët në nivel të batalionit në një sallë të madhe ku merrnim pjesë edhe unë e Rexhepi, mbledhjen e udhëheqte një Nënkolonel serb, nga sektori politik ushtarak.

Gjatë ligjirimit të tij, të gjatë, e tha edhe këtë:

-Atje në Kosovë e Metohi jeton një popullë primitiv, janë shiftarë, dhe ende ushqehen me bukë misri.

Duke mos mud me u përmbajtë nga kjo fyerje ndaj identitetit kombtar, Rexhepi reagoi ashpër dhe nuk la gjë, çka mund t’i biente ndër mend pa jua thënë. Të gjithë në sallë u kthyen dhe e shikjonin Rexhepin. Nënkoloneli, u skuq e u mërdhez, sa të shkonte mendja se do ta nxjerr revolen për ta egzekutue.

Unë nuk isha ulur afër Rexhepit, por me ushtarë e mi në mes të sallës; e duke par se si vajti situata, dhe se kishte rrezik që ta ndëshkonin rëndë Rexhepin, kërkova leje për të folur. Pasi më dhanë leje, me dëshirë për ta zbutur situatën e krijuar, thashë:

-Shoku Nënkolonel, unë mendoj se mes juve dhe ushtar Rexhepit, u krijue një mosmarveshtje, sepse ai po kërkon nga ju ta thoni, se kush është fajtor, pse shqiptarët qenkan primitivë dhe pse ata, ende u ushqehen me bukë misri. Gjë që ju këte nuk mund ta thoni, duke e marrë parasysh postin ushtarak që e ushtroni, por mendoj se edhe ju pajtoheni se edhe gjatë luftës nacionalçlirimtare edhe pas luftës, Partija komuniste e Jugosllavisë eshtë deklaruar se do të ketë barazi, social-ekonomike-kulturore, në arsim, kulturë dhe në politikë. Prandaj unë mendoj se edhe ju pajtoheni, se ashtu eshtë dashtë me qenë, dhe se edhe shqiptarët dijnë me ngrënë bukë të grunjtë, edhe bile fort jua ka ëndja. Me kaq unë e përfundova diskutimin tim.

Oficerët biseduan diçka kokëmëkokë dhe mbledhjen e shpallën të përfunduar.

Po atë ditë më thirrën mue në raport, te kapiteni im, pas qortimeve dhe pytjeve provokuese, se çfarë kam dashtë me thënë, gjatë diskutimit, unë i përgënjeshtroja mjeshtrisht, duke i thënë se nëse kam gabuar ndonjësend, është bërë pa qëllim. Por, prapë se prapë, më dënoi me një dënim të lehtë, me e pastrue koridorin dhe WC-të. Në mbrëmje kur ushtartë ranë me fjetë, unë fillova pastrimin e korridorit, me kovë e lecka, korridori ishte goxha i gjatë. Nuk kishte pasur rast tjetër që komandanti i skuadrës, të kishte marrë kësi dënimi fyes. Më ra ndër mend dhe u ngjita lart për ta parë Rexhepin, çfarë është duke bërë, kur e pashë edhe ai me lecka në dorë, duke bërë si unë poshtë, ishte bërë pak nervoz. Unë i thashë:

-Shuj se mirë kemi shpëtua, çfarë ka mund me na gjetë, po të kishin hyrë më fellë.

Krahasuar me kohën e kalluar në Topçider, ku isha i vetmi shqiptar dhe nuk kisha me kë me folë një fjalë shqip, pos kësaj, për çdo ditë kisha provokime nga më të ndryshmet, nga ushtarët serbë, kroatë e boshnjakë, të cilave ju përgjigjesha me ndonjë grusht, për çka më denonin çdo të dytën ditë, ose me roje ose me pastrim të korridorit. Këtu në Vozhdovc kisha shqiptarë me bollëk: disa ishin me karakter të fortë e besnikë, por kishte edhe të dobët. Unë e Rexhepi shoqëroheshim me dy djemë nga Drenica, gjegjësisht nga fshati Llaushë, Hasan Geci dhe Sylejman Rreci, dhe një djalë trim nga Mareci, Ahmet Gosalci. Hasani dhe Sylejmani këndonin dhe i bienin çitelisë, që e kishin marrë me vete nga shtëpia, herëpasherë angazhoheshin në ndonjë manifestim të Garnizonit, me këndue këngën e Rexhës, me qenë se gati një e treta e ushtrisë Jugosllave ishin shqipëtarë.

Kur kishim kohë të lirë, uleshim bashkë në bar dhe ja thonim ndonjë kënge shqip, por kjo nuk na pati zgjatë shumë, sepse na e ndaluan të grumbullohemi në grupe etnike, edhe pse nuk e patëm përfillë shumë, këtë urdhër, megjithatë këndonim me zë të ulët, ashtu si këndojnë të burgosurit.

Një ditë, ashtu si ishim duke biseduar, pamë se nga kazerma përballë, në garnizonin e altilerisë së rëndë, policia ushtarake dhe sanitetët ushtarakë, i nxorën dy ushtarë duke i bartur me plafa dhe i futën në veturën e ndihmës së shpejtë. Pas pak erdhi te na, një ushtar shqiptar nga garnizoni dhe na tregoi se i paskan rrahë për vdekje dy shqiptarë, njëri nga Mitrovica dhe tjetri nga Peja, paskan sjellë në ta, të gjithë ushtarët joshqiptarë që kanë qenë aty.

Na erdhi shumë vështirë, u mërzitëm fort, pas pak heshtje, Rexhepi foli:

-Kjo nuk përfundon me këta dy, ku ta dijsh se cili e kemë radhën, duhet të jemë të kujdesshëm dhe të mos ndahemi në kohën e lirë. Të gjithë u pajtuam.

Ditët kalonin dhe sa mundnim e thenim monotoninë, me ndonjë këngë, ose duke treguar barcoleta. Nga shtëpija na vinin letra, shpesh i lexonim bashkë, rallëherë edhe ndonjë pakëtë, me gjëra ushqimore, sepse edhe atëherë kishte varfëri në familjet shqipëtare, edhe ato gjëra i hanim bashkë. Unë, më së shpeshti merrja letra nga Liridona, letrat e saja ishin të mallëngjyeshme, vërehej se e ka marrë malli për përqafimet e mija, kishte kaluar nji vit pa më parë, shpesh më shkruante këso fjalësh:

-Kur të vijsh në pushim vënëju buzëve pancir prej llamarine, se kam me t’i ngrënë krejt!

Kur ua lexoja këta reshta shokëve, më thonin:

-Qebesa ma mirë të bjen mos me shkue fare, se nuk këqyresh pa buzë!- dhe qeshnin, kështu e largonim mërzinë.

Një ditë tjetër meqë isha i mërzitur fort, sepse më erdhi një letër dhe vllai më tregonte se nëna ishte e sëmurë dhe e shtrirë në spital, në kohën e lirë, nuk dola në oborr ku mblidheshim ne shokët, por u ndala në sallën e ligjëratave dhe mora një gazetë për ta lexuar. Ashtu duke lexuar nuk kam vërejtur, se salla ishte mbushur plot me ushtarë, serbë e kroatë, të gjithë në këmbë. Kurse njëri prej tyre e kishte marrë një fshesë dore dhe kinse po e fshinte sallën, kur u afrue te banka ku isha ulur unë, m’u drejtue duke më sharë:

-Pse ti s’po çohesh, a po pret me ta shkërdhy nanën, apo çka po pret?

Duke mendue se kam punë vetëm me të, u ngita dhe u nisa për t’ia dhënë një flakaresh. Por nuk më doli ashtu, sepse shpejt më futën në rreth dhe i morën rrypat në dorë, që të gjithë sa ishin aty. Shpejt m’u kujtue skenari i një muaj më parë, me ata djemtë në garnizonin e altilerisë së rëndë. Mirë e dija se çfarë do më gjenë. Megjithëatë vendosa të mos përkulem dhe të më rrahin si ndonjë grue, ata më shanin nga më të dryshmet sa për t’u nxee mirë, para fillimit, por edhe unë jua ktheja në të njejtën mënyrë.

Kur do zoti me të shpëtue, dikush e kishte pas dërgue Ahmet Gosalcin, për me më thirrë, kur vjen Ahmeti, e gjen derën e sallës të mbyllur nga brenda dhe i dëgjon zërat e ushtarëve, duke më sharë dhe duke më shtyerë herë andej e herë këndej, kthehet me vrap, dhe e thërret Hasan Gecin, duke i tregue se Mejdiun e kanë mbyllë në sallë dhe donë me e mbytë. Shpejt kanë ardhë, që të dy te dera e sallës dhe pas nja dy thirjeve për ta hapur derën, i ranë shkelma dhe me forcë e hapën derën, dhe u futënë brenda. Me të hyrë, ju vërsulën shkive në fytë, të njejtën gjë e bëja edhe unë dhe, merre me mend, se në atë kohë aq jua kishin ftikën shqiptarëve, saqë, nga na të tre, ata mbi tridhjetë u paralizuan dhe as njëri prej tyre nuk i ngriste duart, bile për t’u mbrojtur. I vetdijshëm se prapëseprapë, ne do t’i bartënim pasojat, nëse eskalon më tepër, i luta shokët ta lëmë me kaq, por Ahmeti disi ishte tepër i egërsuar dhe nuk e lënte as njërin pa e kapë për fyti dhe me atë shrehjen që e kishte karakteristike, ju thoshte shqip:

-Ere, nënën jau shkër..., ju keni dashtë me rrahë Mejdiun, a?

Falë këtyre dy shokëve trima, unë shpëtova pa ma prishë shëndetin me dajak, pasojat e të cilit do të i ndiejsha edhe sot.

Pas kryerjes të shërbimit ushtarak, me Ahmetin dhe familjen e tij vazhdova shoqërimin. Për fat të keq, Ahmeti qe jetëshkurtër dhe vdiq i ri, duke lënë djem e vajza të mitura.

Me Hasanin e Sylejmanin, për shkak të peripecive që më ngarkonte jeta, e më vonë çdo ditë e më shumë, nuk kontaktonim shpesh. Nuk arrita që, ta vazhdoja shoqërinë në kontinuitet, ngela vetëm duke pyetur ndonjë drenicak që rastësisht e tokoja, për shëndetin e tyre, se si janë dhe çfarë bëjnë.

 

XXI

 

Ditët disi kalonin dhe, më në fund, erdhi dita për të më lejuar pushimin njëmujor, që na takonte pas një vit shërbimi në ushtrinë Jugosllave. Ja se edhe kjo ishte një ditë gëzimi në jetën time, pas asaj, kur filluam dashurinë me Liridonën, të cilën edhe tani do ta takoja, me gjasa me të parën, i sigurt se ajo do të më priste me orë të tëra, pranë stacionit të autobusëve. Përndyshe pjesa tjetër e jetës së deritanishme, ishte e mbushurë me trishtime e zhgënjime.

Pastrova automatikun me të cilin isha i ngarkuar, e konzervova për një muaj, më pajisën me bileta udhëtimi dhe me një dokument ushtarak. Pasi dola nga porta e kazermës, edhe njëherë e ktheva kokën dhe thashë më vete:

-Eh me pasë fat, mos me t’i parë sytë edhe njiherë moj ushtri e huaj.

Në mbrëmje hipa në trenin që shkonte për në Ferizaj dhe në mëngjes arrita. Aty, mora autobusin e parë që shkonte për Gjilan dhe pas një ore, po zbrisja nga autobusi, dhe ja, duke më pritur vllai Jakupi dhe Liridona. Jakupi, për t’u tregue xhentlemen, u tërhoq pak dhe i dha përparsi Donës, që ajo të më përqafonte e para. Pastaj u afrue edhe vllai dhe u përqafuam ashtu si vllai me vlla, të përmalluar pamasë, ngase nuk ishim parë një vit të plotë. Kuptohet, rroga e mësuesit në atë kohë, nuk e mundësonte edhe kujdesin për ekonominë familjare edhe të më vizitonte mua në Beograd.

Vllai dhe Dona më futën në mes dhe që të dy m’i futën krahët ndër seetulla. U nësëm për te shtëpia, për ta gëzuar edhe nënën. Gjatë rrugës ju thashë të dyve:

-Lëshomëni ore krahët, unë jamë ushtar, mund të eci edhe vetë!

Dona ma ktheu:

- Jo se ti je mësue me ecë nëpër asfalt të Beogradit, e këtu është toka me gunga, po kemë frikë se po rrëzohesh.

Edhe më fort m’i shtrengoninë krahët. Kur aritëm te shtëpia, nëna na doli përpara dhe nga zemra e lëshoi një zë:

-Luuumja nana luuumja, më erdhi djali!

-Dhe m’u hodh në përqafim. Pasi u çmallëm pak, duke u përqafuar, hymë në dhomë. Nana dhe Dona menjëherë ju përveshën punës, për të ma servue mëngjesin, duke e dijtë se sa më kishte marë malli, për bukë të shtëpisë. Pas buke, Dona më servoi çaj të Indisë, kurrë më parë nuk kisha pirë çajë të tillë, me ato gota të vogla, nuk e njihja këtë shije, prandaj i pyeta çfarë është ky send? Nëna më tha:

-Ky është çaj Rusi biro, tani gjithë kosova po e pijmë këte, është bërë modë.

-Hajt ore hajt, ju paskët qitë bedate të reja...

Duke e parë se Liridona, duke i ndihmuar nënës, i njihte mirë vendet e gjësendeve nëpër shtëpi, s’mund u durova pa thënë:

-Ju qenkeni familjarizue me Liridonën si duket!?

-Po bre bir, sa herë që ka kohë të lirë, vjen e më ndihmon, në punët e shtëpisë, sa herë më merr malli fortë për ty, Dona ma hjek mërzinë, të lumtë prindrit, që e kanë ketë çikë.

Pas këtyre fjalëve të nënës, e ktheva pak kokën dhe me buzëqeshje, në shenjë mirënjohje e shikjova Liridonën. Ajo edhe njëherë ma dridhi zemrën, me atë buzqeshje karakteristike, që ia mundësonin buzët e fryera e me ngjyrë, sikur t’i kishte lyer, me ndonjë karmin të shtrejtë. Tani ishim ulur të katërt rreth një tagari me prush, mbi të cilin, ishinë vendosur gjymat e çajit dhe të gjithë pinim çaj, dhe bisedonim. Nëna më tha:

-Shyqyr more bir që na erdhe shëndosh e mirë dhe tani do ta bëjmë edhe darsmën e Jakupit, se ashtu jemi marrë vesh, me miqtë nga Përlepnica, që kur të vijsh ti në “sylah”, me marrë nusen.

-Hajt ore hajt, gzimpasgzimi, m’u paska nisë me gëzime, ishalla s’ka të ndalur- ju thashë- po kur po ia nisim?.

-Të Enjten, ti, daja Ahmet dhe daja Hajrush, do t’i çoni valixhet me tesha të nuses, dhe të diellen, shkoni për me marrë nusen, me krushqi.

-A kaq shpejt, a, po ata, a e dijnë?

-Po si, na i kemi rregullue të gjitha, vetëm ty të kena pritë.

Desh luajta mendësh nga gëzimi, u mbylla në kujtime, m’u duk se u mbush oborri, me nipa e mbesa dhe unë i shikjoja ata duke lozur nëpër oborr, deritani të shkretë pa asnjë zë fëmije.

Pasi erdha në vete, ju thashë:

-Hajt përhajr na qjoftë, tani qitmani një kafe, se ky farë çaji fort po ta rudhka gojen, disi nuk qenkam mësue me të. Nëna i tha Donës:

-Shajt bre bijë qitja ti, se ma mirë i pihet prej duarve tua.

Dona paksa u skuq nga pakujdesia e nënës, u ngrit shpejt dhe i afroi kafen, xhezvën edhe sheqerin, dhe filloi të ma pjekë kafn, aty në prush të tagarit.

-Pse nuk po e përdorni reshon, a mos ju ka prishë, a?

-Jo djali jem, por edhe kafja edhe çaji, më të shijshme bëhen në prush- më tha nëna.

Bisedat nuk kishin të mbaruar dhe kështu erdhi flladi i parambrëmjes dhe unë kërkova leje nga nëna, për të dalë paksa në qytet për ta takuar edhe ndonjë shok që s’e kisha parë plot një vit.

-Ani djali jem, dil, por mos u vono edhe shumë.

-Jo, nuk vonohem nanë, e dij se ende nuk je çmallë.

E mora Liridonën dhe dolëm në qytet, gjatë rrugës na u bashkangjitën edhe disa shokë, me të cilët bëmë nja dy orë xhiro, duke shëtitur nëpër qytet e duke u përshëndetur me shumë shokë. Disa prej tyre bënin shaka, duke më thënë se pak si shpejt e paske krye ushtrinë, meqë unë, tani isha me rroba civile, ata mendonin se e kam përfundue shërbimin ushtarak. Unë ju thosha:

-Shpejt a?- mua ky vit m’u ka dukë si njëqind vjet!

Pasi u ndamë nga shokët, unë dhe Dona shkuam në rrugën e saj, aty ku e kishim bërë takimin e parë dashurie. Sapo u ndalëm, Dona më pyeti:

-A nuk u paske vue llamarinë buzëve, a e din se çfarë të kam shkrue?

-Jo moj, nuk u kam vue, haji krejt e të bëfshin mirë, nuk më dhimbësen për ty!.

Filluam të puthemi në përqafime, aq shumë u zhytëm në epshe të dashurisë, sa nuk mbeti gjë mangu, krahasuar me takimin e parë. Pasi që isha nxe aq fort, e luta të kalojmë në knaqësinë superiore, që do të thotë, të bëjmë edhe seks, por ajo më tha- jo. Durohu edhe pak, saora kalon edhe një vit, e pastaj martohemi.

Nuk dua që në ditën e parë të martesës, të skuqem para grave. Në atë kohë ishte traditë që nusja medoemos të shkonte te buri e virgjër, për ndryshe ndëshkohej me kthim te prindit e vet, ose mbetej si e pavlerë. Me që e doja aq shumë, u binda dhe vendosa të mos e përsëris më kurrë, këtë kërkesë, derisa të martohem me të, edhepse në shumë raste, e kisha shumë vështirë, t’i përballoja kërkesat fizike dhe psikike në atë moshë që ishim, por i thosha vetes: Një qiri që nuk digjet vetë, pa ia djeg duartë askujt, nuk është qiri i mirë.

Pas nja një orë knaqësie dhe shmalljeje, u liruam nga përqafimi ashtu si e bënim në këmbë, Dona më tha:

-Tani unë duhet të shkoj në shtëpi, takohemi prapë nesër.

-Mirë- i thashë- dhe e përcolla deri të dera e shtëpisë, para se ta hapte derën edhe një herë m’u hodh e më puthi, pastaj:

-Natën e mirë  “besharet”!- e hapi derën dhe u fut brenda. Më shkoi buza në gaz, se si nuk i paska harruar mahitë e takimit të parë.

Unë u ktheva në shtëpi ku ishin duke më pritur Nëna dhe vllai.

-Qebesa s’je vonua, a i takove gjithë shoktë bile?

-O nanë, djali ka lënë shumë shokë këtu, ky nuk është vetëm i yni, ky i takon krejt dynjasë, ja priti vllai, duke i egzagjëruar gjërat.

-More unë po e kuptoj këtë punë, por ne tani kemë shumë punë, darsma është afrue shumë, e na ende nuk i kemi ftue njerëzit.

-Shëndosh ebu, se të gjitha bëhen, tani që na erdh Mejdiu. Po hajde a po na e shtron atë darkë se vdiqa uni.

-Pse a ende nuk keni ngrënë darkë, a?- po ajo qenka ftofë krejt.

-Jo ore po mjaft kena ngrënë pa ty, pa kurrfarë oreksi, me vetëm dy veta në sofër.

-Po si ja bënit para se të lëshohen nxënësit në pushim veror, me kë rinëte nëna?

-Unë udhëtoja për çdo ditë.

-Si, këmbë, a?

-Epo Malisheva nuk është larg, herë këmbë e herë me biçikletë.

Edhepse ishte verë e hershme, ditët ishin plot me diell, nuk biete shi fare. Unë vishesha me kmishë të bardhë prej perlloni dhë me pantallona të holla me ngjyrë të zezë, me nuancë të bukur, por kualiteti ishte i dobët, këtij farë shtofi i thonin tropikall, me të ulur njëherë, bëhëshin si me i pas përtypë lopa, kështu që para çdo dalje në rrugë, sëpari u dashke hekurosur. Këtë punë e bënim vetë, unë dhe vllai, për të mos ia bërë barrë nënës, meqë nuk kishim as motër as nuse në shtëpi. Flokët nuk i kisha më ashtu kaçurela e të gjata sikur para shkuarjes në ushtri, të lyera me vajarre, me të cilën jua jepja shkëlqimin e theksuar ngjyres së zezë. Kapela ushtarake goxha fort m’i kishte drejtue, por edhe kështu më shkonin mirë.

Të nesërmën para dite erdhën për t’u taku me mue, pesë nipat, që ishin emigrantë nga Shqipria veriore, e që i kisha djemë të Hallës, Alija, Kameri, Islami , Kasami dhe Haliti, nga Matoshi, Vlahna e Hasit

.Alija, si kishte qënë partizan i dekoruar dhe me gradë marshali, në brigadën e Haxhi Lleshit, sëbashku më Kamerin dhe Islamin, kishin shkue deri në Sarajevë, duke luftue dhe duke pastrue terrenin, nga hordhitë e Drazha Mihajlloviqit, njëkohësisht duke shpëtuar popullsinë e Sanxhakut, nga masakrat shfarosëse të çetnikëve. Pas pak, erdhi edhe Liridona, dhe me njëherë ju mvesh punës, duke i ndihmu nënës. Gjatë  bisedash dhe pyetjesh të ndërsjellta për shëndetin, e gjëra tjera, Alija m’u lut duke më thënë:

-Dajë, mos pritofsh, vishe uniformën, ta shoh se si po të rri.

-Pse jo bre dajë, por kjo uniformë nuk është e Shqipërisë.

-S’ka dert, unë të shoh si dua vetë.

Pasi e vesha uniformën, dola para tyre dhe e mora pozicionin gaditu, pastaj i përshëndeta me grusht, sepse në atë kohë ushtria shqipëtare, përshëndetjen e bënin me grusht. Të gjithëve ju shkoi buza në gaz, Kasami foli:

-Eh të kishte Shqipëria kësi ushtarë.

-Edhe më të mirë i ka qebesa- ju përgjigja.

-Po për darsëm, apo mund përgaditeni?- pyeti Kameri.

-Po ore, po, ia ktheu Jakupi. Kasami e Haliti do të na ndihmojnë rreth servimit, kurse ju Ali, Kamer dhe Islam, do të ju bëni muhabet mysafirëve.

-Hajt bre dajë mos ke dert, se shyqyr për nipa s’keni mungesë. Edhe djemtë e Azemit vijnë e bëjnë ndonjë punë.

-A ende nuk ka ardhë Azemi me djemë?

-Jo por sigurisht vijnë kah mbrëmja, sigurisht janë duke kositur ndonjë livadh- ju përgjigj Jakupi.

Azemin gjithashtu e kishim djalëhalle, poashtu emigrant, nga Cahani, kishte djalë, Ismajlin të rritur e të martuar, kurse Avdullahun, Sadrinë e Bedrinë, që në atë kohë ishin fëmijë dhe tri vajza.

Që të dy familjet ishin viktima të gjendjes së mirë ekonomike, që e kishin pasur në Shqipëri, e që për atë, regjimi i kishte etiketuar si “kullakë,” për çka ishin në vëzhgim të përhershëm. Por edhe viktima të traditës së mikëpritjes, sepse në kohën e regjimit të Aleksandar Rankoviqit, çdo emigrant i ardhur më heret, ishte i deturuar, të shkonte ilegalisht në Shqipëri. Ata u shkonin në shtëpi miqëve ose farefisit, që e kishin atje. Këtyre nuk jua bënte nderi, t’i refuzonin apo t’i lajmëronin në pushtet, për shkak se do të trajtoheshin si bukëpremë, sipas traditës shqiptare.

Këta diverzantë, në shërbim të Sërbisë, gjatë natës shpërndanin pamflete e materjal propagandues kundër Shtetit Shqiptar dhe ikënin prapë në Jugosllavi.

Këtyre të gjorëve nuk ju mbetet tjetër, ose të rrinin e të internoheshin nëpër kampe, me tërë familjën, ose t’i merrnin familjetë dhe të dilënin edhe vetë në Jugosllavi.

Nëse kihet parasysh, se asnjë familje, nuk ka mundur të dalë në ketë anë të kufirit e kompletuar. Nga urgjenca për t’i shpëtuar rezikut, duke u mbetur matanë, dikujt baba, dikujt vllai, që nuk kishin qëllue në shtëpi, në momentin e arratisjes. Si ishte rasti i këtyre dy familjeve. Që të dyja familjet kishin lënë nga dy antarë të familjes së ngushtë, shpejt e patën kuptue, se i kanë marrë dhe tani vuaninë nëpër kampe të përqëndrimit. Pos mërzisë që e kishin, që kishin lënë shtëpi e katandi atje, tani më shumë mërziteshinë për: Matoshtë, për babën Matoshin dhe vllain Ymerin, kurse Cahantë për vllazërit, Ibishin dhe Abdylin, baba i tyre, Rrustem Cahani, kishte vdekë më heret. Nëse kësaj ia shtojmë edhe kushtëzimet e UDB-së Atëherë kjo kohë, lirisht mund të emërohet si koha e dhëmbjeve të mëdha, të një pjese të madhe të kombit shqipëtarë.

Pas nja nj; orë ndeje, Alija që ishte më i madhi ndër nipat, foli:

-Nusja dajës Asllan (kështu i thoshin nënës time), shyqyr si të ka ardhë djali shëndosh e mirë dhe ju ka gjetë shëndosh e mirë; edhe ty daja Jakup, shyqyr që të ka ardhë vllai. Neve na jepni leje të shkojmë. Meqë keni darsëm, mos ngurroni me na thanë nëse keni nevojë për ndo një send.

-Jeni të lirë dajës, ejani prapë kur të keni kohë, ju përgjigj Jakupi.

Pasi i përcollëm deri në rrugë para shtëpisë, sipas traditës, u kthyem në dhomë dhe vazhduam planifikimin e darsmës: vendosëm se kë dhe kë do ta obligojmë për t’i ftuar farefisin, miqtë dhe shokët për darsëm, sipas listës që e përpiluam.

Nga flladi i mbrëmjes, unë, Dona dhe vëllai, dolëm në qytet për të bërë pak xhiro. Nëna na tha të mos vonohemi, se mund të vijë Azemi me familje. Ashtu edhe vepruam, pas dy tri endjeve nëpër qendër të qytetit, duke u përshëndetur më shokë që i takonim, vendosëm me u kthy te shtëpia, Jakupi shkoi drejt e në shtëpi, kurse unë e përcolla Donën der te shtëpija e saj.

Kur arrita në shtëpi, aty i gjeta nipat, Azemin, me bashkshorten e vet, Ismajlin me gjith nuse, djemtë dhe vajzat e Azemit, që ishin ardhë me u taku me mua. Pasi i përqafova të gjithë, u ulëm dhe bisedonim. Azemi kërkoi falje, që s’ka mud të vijë që ditën e parë, meqë kishin qenë shumë të nxënë bashkë me Ismajlin, duke kositur një livadh të huaj me pagë.

Më shkuan sytë dhe e pashë se Azemi nuk mund t’i shtrinte gishtat e dorës së djathtë, që më parë nuk e kishte këtë problem, s’u durova pa e pyetur:

-Nipash, çfarë ke në atë dorë, që e mbanë ashtu?

-Nga kosa, bishti i kosës m’i ka shtangur miskujt e gishtave, dajë.

-Ah sa me zor po fitohet kafshata e bukës more dajë.

-Çfarë të bëjmë dajo, fëmijtë po donë buk, po donë libra, tjetër punë për neve nuk ka. U mbytëm unë dhe Smajli, po nejse ebo, ti si e ke kalue atje në ushtri?

-Si macëja nëpër qenë, nipash.

-Nuk është edhe lehtë me krye shërbimin ushtarak, por bile juve nuk ju rrahin, pleqtë po tregojnë se në kohën e Jugosllavisë së krajlit edhe i kanë rrahë ushtarët shqiptarë.

-Atëherë jua kanë dhënë nganjë flakaresh, kurse tani të mbysin krejtë, nipi im.

Ismajli e kishte nusen durrsake, që të dy, pos bukurisë, kishin edhe një sharm të veçantë, prore të bënin t’i duash me zemër. Para se të shkoja në ushtri, ka qenë një rast, gjatë shperënguljes së kësaj familje nga banesa, për në një banesë tjetër në periferi të qytetit, te kullat e Tomë Popoviqit i thoninë, gjatë rrugës, nusja e Smajlit qe alivanosë, sepse vuante nga epilepsia, e cila ju kishte paraqitur për herë të parë, gjatë kalimit të kufirit ilegalisht. Sigurisht nga streset e mdha, për shkak të rezikut. Ismajli ishte tepër i zënë, duke i tërhequr lopët e pa mësuara, për ta tërhequr qerren e stërmbushurë me orendi shtëpiake. Mua m’u pat dashtë ta barti para duarsh një kilometër, kur e lëshova te shkalltë e banesës, atëherë filloi të vie në vete dhe më tha:

-Oh dajë të pasna mbytë, si duket kishte qenë nga pak në vetëdije, edhepse ishte nën sulmin epileptik. Për këte, gjithëherë më ishte mirënjohëse, me plot gojën më thërriste dajo-dajo dhe më respektonte pa masë. Mua më dhimbësej pa masë, ngase, pos që farefisin i kishte në Durrës, si s’mund t’i shihte apo dëgjonëte gjë për ta, tani edhe kjo sëmundje. Vërtet jetë e rëndë.

Edhe pse bëninë një jetë të rëndë, ngase ishin ndarë nga familjet, shtëpitë e veta, atëdheu i tyre dhe tani jetoninë në një shtet ku sundonte i huaji. Karakteristikë e të gjithë atyre emigrantëve shqiptarë që i kam takuar, e të tëllë kam takuar shumë, me qenëse nipi im, Ali Brahimi, ishte kryetar i klubit të emigrantëve. Si në klub ku unë shkoja shpesh, ashtu edhe te shtëpia e Ali Brahimit, vinin shumë emigrantë. Kishte të shpërngulur me familje por kishte edhe të vetmuar, në mesin e tyre kishte bajraktarë, kapetana edhe vojvodë, nga shtëpia e vojvodëve ishte vetëm një, quhej Musë Vojvoda, një njeri trupmadh, që në Gjilan nuk kishte më trupmadh, por kishte edhe kaçakë të rryer, si Llesh Lufi nga Mërdita, i cili për njëzet vjet, nuk ju kishte përkulur asnjë regjimi, por gjithmonë nëpër male të Shqipërisë. Rrëfimet e tyre i ndigjoja me vëmendje, sepse ishin shumë interesante. Një gjë ishte karakteristike te këta njerëz, që edhepse kishin qenë të detyruar të braktisin shtëpi e katandi, besa shumica edhe familjet, kurë nuk flisëshinë keq as për regjimin po as për Enverin. Ma merr mendja, se po ta kishte shpallë regjimi në Shqipëri një Amnesti të përgjithëshme, që të gjithë do të ktheheshin në troje të veta, pa ngurrim.

Pas një bisede të gjatë dri në orët e vona duke u çmallur me biseda ashtu si bisedoinë daja me nipash, edhe Azemi kërkoi leje për të shkua bashkë me familjen e vet. Vëllai Jakupi u dha leje dhe i përcollëm deri në rrugë.

Ja që erdhi edhe dita e shumëpritur, e shtunja, kur do e fillonimë dasmën e Jakupit. Fqiu që na kishte premtue, me na e dhënë në dispozicion shtëpinë e tij, për t’i pritur burrat, sepse në atë kohë nuk rrinin bura e gra në një konak, gjatë dasmës, tradit e marrur nga turqit. Prandaj shtëpia jonë ishte në dispozicion të grave. Fqiu gjeti arsyetim për të mos na e dhënë. Megjithatë, nuk mbetëm keq, sepse në këtë përiudhë, ndërtesa e burgut të vjetër me të cilën na ndanëte vetëm muri, ishte e lirë, meqë ishte ndërtuar burgu i ri, dhe na e shfrytëzuam këtë objekt, bashkë me oborrin e saj për t’i pritur, burat e ftuar.

Nga pasdreka, filluan të grumbullohën dasmorët, para mbrëmjes arriti numri mbi njiqind veta. Filloi muzika bashkë me pije sipas dëshirës, disa pinin birra, disa raki e pleqtë konzumonin çaj rusi. Dikur e shtruam edhe darkën, të rinjtë vallëzonin e këndonin hareshëm, ndërsa të moshuarit, bisedonin duke evokuar kujtimet. Kishte edhe biseda për burgun, në të cilin dikur kishte pas vetëm gjëmë e gjak, kurse tani luhej vallja shqipe në të. Ata që kishin informata ma shumë ju tregonin tjerëve, duke e zgjatë dorën në drejtim të bodrumit famëkeq dhe thoshin:

-Ja, në këtë bodrum, Mulla Idrizin e kanë lyer me petrolej dhe e kanë djegur për së gjalli...

Të moshuarit ngriteshin dhe shkonin pa e pritur mesin e natës, ndërsa rinija të nxehur në valle, këngë e hare, vazhduan deri në mëgjes.

Nga dreka arriti qerja, me dy kuaj të bardhë e rregulluar apostafat për dasma, me të cilën do të merrej nusja. Kësaj qereje i thoninë, “kerri i kuq”, meqë sipas traditës mbulohej me qylyma, plafa e Jana* të kuq me shoka të zeza që e simbolizonin Flamurin kombëtar. Tani e mbushëm qeren e kuqe me bulla, duke ia lënë një vend nuses, kurse meshkujt si u tubuan mbi njëqindë darsmorë, u nisëm në këmbë edhe muzikantët ecnin në këmbë, rinia edhe ecnin edhe vallëzonin, por tani me një ritëm më të shpejtë, sepse duhej arritur me kohë te miku, në kohën e caktuar nga ai.

Për një orë arritëm në Përlepnicë, aty na pritën shumë bura, meqë kjo familje ishte edhe e kamur, por edhe me traditë atdhetare, kishte burra të zgjedhur dhe me emër, në mesin e tyre. Na pritën shumë mirë, sipas traditës. Derisa ne i kishim pirë kafet, ata e kishin bërë gati nusen dhe qerren. Erdh mësuesi Fehmi Salihu, kushëri i nuses dhe na tha: -Tani jeni gati kur të doni mundeni me u nisë.

Të gjithë u ngritëm në këmbë dhe në rresht njënganjë u nisëm, edhe miqë ishin vargue në një rresht të gjatë, duke na thënë sejcilit:

-Ju qoftë për hajr miqësija. Edhe ne jua kthenim:

-Hajr paqi, edhe juve ju qoftë për hajr.

Tani shkonim duke vallëzuar me muzikë, tupan e surl për burra, kurse gratë këndonin në qerre duke bërë muzikë për vete me defe*.

Kur aritëm në gjysëm të rrugës, meqë më mbyste kureshtja për ta parë kunatën, të cilën nuk e kisha parë për së afërmi më parë, u afrova te qerrja dhe e pyeta nënën:

-A bën të shoh pak kunatën?- se s’mund po durohem deri te shtëpia...

-Bën, dil atje përpara, shpaloje pakëz plafin e shihe.

Ashtu edhe veprova, pashë se ishte e re dhe e bukur, u gëxova pamasë, vetëm që s’kërceva përpjetë nga gëzimi, pak sa m’u trubulluan ndjenjat: nuk e dija në do ta kem motër a kunatë. Meqë më kishin vdekur dy motra dhe s’kisha tjetër, po të më pyste kush, më me dëshirë do ta bëja motër.

Kur arritëm te dyert e shtëpisë, qeren me nuse e futëm në oborr, kurse burrat pritnin jashtë, për t’u përshëndetur. Unë dhe nëna e zbritëm nusen nga qereja. Para hyrjes në korridor të shtëpisë, disa gra të fisit tonë, më thanë të ulem në një karige, që e kishin vendosur aty; unë u ula dhe nusja që ishte në këmbë para meje, filloi të përkulet pak si shumë. Në atë moment mua më shkoi mendja. se do të m’i puthi këmbët, si jua kanë bërë mbretërve; reagova me nervozizëm, duke e kapë për dy cepa të krahëve e ndala dhe ju thashë:

-Çfarë po bëni kështu, meqë, ato gjeste prapanike dhe nënçmuese i kam pasur mëni, që nga fëmijëria. Gratë më thanë:

-Lene, lene se vetëm po të përshëndet me përkulje, kësaj i thonë temena*.

Atherë e lirova dhe e solla kokën, në shenjë hutije. Pas kësaj nusen e futëm në dhomë, ku kërcitënin dajret e jehonte kënga për nusen. Unë dola në rrugë dhe u përshëndeta me dasmorë, si më kishin pritur për të na e uruar nusen, duke i falenderuar për pjesëmarje, i përshëndeta njënganjë dhe pasi e pagova grupin e muzikantëve, i lirova edhe ata. U ktheva në shtëpi për të vazhduar dasmën me anëtarët e familjes së gjërë. Disa vajza dhe nuse të familjes, u binin defave dhe këndonin këngë dasmore, disa të tjera vallëzonin.

Nga ora nëntë e mbrëmjes, e nisëm dhëndrin për tek dhoma e nuses, duke e përcëjellë me këngë e me dajre, besa edhe me grushta shpinës, dikush më fort e dikush më lehtë sepse ashtu e kërkonëte tradita.

Tani ne, dajtë, tezet, nipat dhe familjet e tyre, aty ishte edhe Dona ime, vezhduam me këngë e valle të përcëjellura me dajre, deri në mëngjes. Në mëngjes shkuam te dritarja e dhëndrit dhe nuses, dhe ja thamë një kënge:

-Këndon gjeli keka keka/ çohu Jakup aga se të zuri dreka!

Pas pak, doli vllai, i veshur e i krehur mirë, fytyra i shkrepëte nga gëzimi dhe ashtu si ishte plot humor, na tha:

-Pse s’më lejuat edhe pak me nejtë, nuk ishte bërë nami!

Vajza e tezes, Zehraja, i tha:

-Mjaft ke ndejtë gjithë natën me te edhe ne kemi hise me ndejtë me nusen pak!

 

XXII

 

Dy ditë pas dasmës, na erdh Rexhepi me vllezërit e vet, Elmazin e Fehmiun, për të na uruar martesën e Jakupit, e pyeta:

-Kur ke ardhë bre burrë?

-Sot, m’u përgjigj Rexhepi.

-Po pse nuk të liruan me kohë, bile të kishe qillu për darsëm?

-Patëm stërvitje fushore, pasi i kryem, më liruan. Juve ju qoftë për hajr nusja edhe miqtë e rinj.

-Hajr paq or vëlla, por më ka mbetë marak të kisha pasur në darsëm.

-A e ke shkruar ndo një poezi të re?- e pyeta.

-Vështirë po shkon me to, sa po më vie ndonjë frymëzim, për ndonjë frazë apo strofë të mirë, po e gjej se dikush e paska thënë para meje!

-Po pse, a nuk bën fjalën e mirë me e shkrue dy herë, a?

Rexhepi buzëqeshi dhe më shikjoi në sytë, për t’u bindur nëse e kam me seriozitet. Pasi i pimë kafet, duke evokuar ca kujtime për jetën ushtarake si bënim në Beograd, kërkuan leje për të shkuar, meqë ende nuk ishin shmallë familja e tij me të.

Ditët e lumturisë si zakonisht kalojnë shpejt. Ja se erdhi dita e kthimit në kazermën ushtarake në Beograd. Edhe kësaj radhe, sikundër herës së parë, erdhen shumë anëtarë të familjes, për të më përsjellë deri te autobusi, me ta ishte edhe Liridona. Kësaj radhe unë e kisha një brengë më pak, sepse nuk e linja nënën vetëm, kur të shkojë vëllai në shkollë. Tani e kishte nusen, për t’i bërë shoqëri dhe hyzmet nënës. Më së rëndi e përjetuan Nëna dhe Dona, sepse ato dyja i lashë duke qarë. Sigurisht ngase u kisha treguar, për peripecitë që i përjetonimë në ushtri, vetëm e vetëm se ishim shqiptarë.

Pas udhëtimit nga Ferizaj deri në Beograd me tren, gjatë tërë natës, heret në mëngjes arijta në Beograd, nga aty me tramvaj në kazermë. Pasi i retushova mjetet e mija ushtarake, filloi jeta e njejtë monotone e shërbimit, me të njejtën këngë dhe të njejtën melodi.

Po këtë vit ndërtohej autostrada Beograd-Tivar. Oficerët serbë, në ligjëratat e veta politike që i mbajnin me ne, në asnjë rast nuk i gëzoheshin levërdisë ekonomike që do të ju sillëte kjo rrugë e shkurtuar dhe e mirë, por vazhdimisht thoshin se tani me ketë rrugë për dy orë do të jemi në Shkodër, me të gjithë armatimin dhe ushtarët. Aspak nuk çanin kokën, se nga ata ushtarë në të cilër llogaritënin, në shumicë ishim shqiptarë, që vetëm andërrat e tyre na nevrikosnin, e lenemë të luftonim për ta, kundër Shqipërisë, të cilën e quanim- mëmë.

Diku nga gjyshma e këtij viti të shërbimit, Rusija i acaroi mardhëniet diplomatike me Amerikën për shkakë të Kubës. Vetëm pritej kur do të shpërthente lufta e tretë. botrore. Kjo frikë manifestohej më tepër në strukturat ushtarake, oficerët, në ligjëratat e tyre politike, orvateshin me e pregaditë moralisht ushtrinë për ndonjë rezistencë eventuale. Pa e theksuar se në cilën anë do të radhiteshin.

Unë dhe shokët e mij ishim të brengosur tej mase, ngase ndodheshim në atë ushtri, frikoheshim se ndoshta edhe ne, do të përjetonim fatin e partizanëve shqipëtarë të vitit 1945, të Sremit apo të Tivarit, e nuk do t’i shohim më familjet tona edhepse mue dhe Rexhepit na kishin mbetur vetëm edhe katër muaj, por në ato rrethena zgjatet afati i shërbimit, deri sa të ketë nevojë. Kështu në ankth i kaluam edhe nja tre muaj të plotë, pastaj u qetësuan ujërat edhe ne merrnim frymë më lehtë.

Në dhjetor të 1961., korpusi ndërmori një trajnim fushor, dyjavor dhe na dërguan në një shkretëtirë në Vojvodinë, diku përtej Qytetzës Alibunar, nja dhjetë ditë bënim ushtrime dhe nuk na viente shumë vështirë, me qenëse ne ishim ushtarë të vjetër dhe nuk kërkonin shumë nga ne. Mbase ngaqë ne në Kosovë, nuk kishim aso terrenesh, na u dukte edhe intersant, sepse nga ta kthijshe kokën, vetëm zallë të imtë, me ato duna që i kishte bërë era, ta shkonte mallin si me qenë në Saharë.

Ditën e dhjetë pa pritmas, filloi të bjerë borë e dendur dhe pandërpre. Oficerët na thanë të gropojmë minidhoma në fellësi të zallit, dhe ato t’i mbulojmë me shatorra, sepse kështu do ta kishim më nxehtë. Meqenëse në zall nuk ishte problem i madh të gropohet, për një ore i regulluam oto minidhoma nën tëkësore dhe aty i kaluam tri ditë e tri net; pasi ndaloi të reshurit e borës, e cila mbrriu trashësinë një metër e dyzet cm., filloi të fryej një erë e fortë, që i thoshin Koshava. Temperatura u ulë sëtëpërmi, qëndrimi i mëtejmë ishte i pamundur. Na erdh urdhëri të nisemi për Beograd, por si?- bora e kishte mbuluar shkretëtirën. Nga të ktheje shiqimin vetëm rrafsh, pa asnjë pikë orientimi, i vetmi orientim ishte përdorimi i hartave topografike dhe busollës. Nja dy tanksa na prinin përpara dhe disa tjera mbrapa kolonës, me detyrë për ta nxjerrë ndonjë autëmjet që do të ngecte, duke e lëshuar rrugën që e hapënin dy tanksat e para. Marshimi shkonte shumë ngadalë diku katër km. në orë. Unë në këtë kohë isha i ngarkuar me dy kamioneta të markës “xhems” dhe dy topa kundërajrorë, me nga tri tyta, të cilët i tërhiqnim me kamioneta, pesëmbdhjetë, varësit e mij dhe unë ishim nëpër kamiona, por kambësoria ecnin këmbë. Në një moment na u dha urdhëri, t’i marrim nëpër kamiona edhe kambësorët, kështuqë unë u dasht t’ia lëshoj vendin, një Kapiteni të kambësorisë, në kabinë pranë shoferit dhe të vendoeshna në karoseri të mbulluar me çadër dhe të stërmbushur me ushtarë.

Gjatë marshimit, të gjithë natës nuk i kishim kaluar as njizet km., çadra e kamionit ishte ngrirë, që të shkonte mendja se nuk shpon as plumbi. Kursesi nuk guzonim të na zinte gjumi nga lodhja, ashtu ulur, nëse vetëm një sekondë bieshe në kllapi, përnjiherë fillonte ngrirëja e trupit dhe kur i hapje sytë, ndieshe dhembje të madhe në gishtat e këmbëve. Prandaj unë kujdesesha, që të mos flejë asnjë ushtar ku isha unë. Ngase shpesh ndodhte që ndonjë kamionetë të ngecte në zallë, ndalej e gjithë kolona derisa vinte ndonjë tanks për ta nxjerrë.

Në një rastë ndalimi, shoferi që ishte vartës imi, tenton me dalë për ta kryer nevojën, duke zbritë i rëshqet këmba dhe i hyn ndërmjet kabinës dhe kanistrës së përforcuar në shkallë te kabinës, dhe kur e humbë drejtpeshimin, e theu këmbën, atë e mori autoambullanca dhe sëshpejti na e sollën një shofer tjetër. Kolona vazhdoi rrugën, edhe pse zbardhi dita, temperatura nuk u ngrit fare, ne nën çadër e kishim errësirë, dritën mund ta shihnim vetëm nëse shiqonim nga ndonjë vrimë. Diku nga ora djetë e ditës aritëm në qytezë në Alibunar. Tani e kishim rrugën e asvaltuar, por të mbuluar me borë të trashë. Problemin më të madh e kishim gjumin, shpësh binim në kllapi me sytë hapur, edhe kjo mjaftonte që të ndiejmë dhembje të madhe në këmbë.

Edhepse nga trashësija e borës, ishte ndalë komunikacioni i të gjitha llojeve të automjeteve, përfshirë këtu edhe hekurudhat që nga Vojvodina e deri në Prizeren, mjetet ushtarake, e çanin borën dhe ne tani me një shpejtësi më të madhe, diku reth njëzet km. në orë, vazhdonim rrugën drejt Beogradit. Të gjithë të lodhur sa s’ka më. Nuk e kishim vërejtur një ushtar të nacionalitetit maqedon, i cili ishte ulur pranë meje, se ate e paska pas zërë gjumi, ashtu ulur.

Nga mbrëmja Kolona u ndal, dhe na u dha urdhëri të zbresim nga kamionetat, se paskem mbërri në kazermë. Mezi e hapëm çadrën në pjesën e pasme dhe filluam të zbresim; atëher vërejta se ushtari pranë meje nuk lëviz, kur ia ngrita kokën e pashë se ishte nxirë si futa dhe i kishte dalë shkumë nga goja. I thirra disa ushtarë dhe e zbritëm disi, pastaj e morën dhe me autoambullancë e dërguan në spital. Atë ditë e sot nuk e kam parë as dëgjuar për të.

 



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora