E diele, 04.05.2025, 05:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Ali Sh. Berisha: Muza e dhembjes (III)

E diele, 01.08.2010, 07:09 PM


Ali Sh. Berisha

 

Muza e dhembjes

 

 

Nëpër gjurmat e kuqe

 

Nëpër gjurmat e kuqe

Përherë rritet blerimi

Edhe pse vjen

Erë shkrumbi

Erë hiri

 

 

Dhoma e dhëndrisë

 

Një përrallë plot elegji

Brenda dhomës gërhatë

Ujku e qengji në dhëndri

Pre e ëmbël një natë

Vrerë në gotë të zbrazët

 

 

Kur lëshon qepallet

 

Kur lëshon qepallet

Ngurosem në vend

Më mbushë etje

Më çmend

 

 

Ec

 

Ec pa pushuar

Nëpër kthinat e jetës sime

Kur të dalësh në të aguar

Mos shpalos gjërat intime

 

 

Strehimi

 

Strehohu ujk i tërbuar

Me të pirë gjakun tim

Pas perdeve mos përgjo

Se flaka për hakmarrje

Nuk do paqtim

 

 

Motet

 

Motet katërrithen vargjeve

Klithin

Dhe mbjellin

Farën e dritës

Farën e rritës

 

 

Përqafimi

 

Lot i fundit u rrokullis

Nga plisi në plis

Dhe u shndërrua në strall

 

 

Vuajtja

 

Sot më kanë hedhur

Në pusin më të thellë

Më kanë muruar

Në pallatin më të errët

Më kanë bërë helm

Në gjellën e fëmijëve të mi

 

 

Muret e qelisë

 

Në dritën e zbehtë

Pashë nënën në lot

Motrën me faculetë

Vëllain tim ujë duke ngrohur

Babain dërrasa arkivoli duke gdhendur

 

 

Ndjenjat

 

Grisa letrën më të dashur

Po fjalën s’e shkela

As kur veloren ma morën dallgët

As kur e mbytën thellësitë

 

 

Në mes të oqeanit

 

Alget e kalbura më lidhin këmbësh

Gojëpeshkaqenësh

Më këpusin gjymtyrët

Më kapërdinë edhe sytë

Edhe etjen për dritë

 

 

Arktik

 

Jam bërë akullthyes

Që të arrijë Arktikun

Arinjët e bardhë

Bardhësinë

 

 

Muzikë e vrasjeve

 

Unë kam vesh

Muzikën e krimeve e dëgjoj

Edhe gjëmën

E krojeve të mia

 

 

Ura e jetës

 

E përfundova një rrugë

Nëpër polena

Tashti një urë duhet ta kaloj

Dhe përtej

Çfarë do të më presë

Nuk di as cila lule

Do të më ushqejë

 

 

Loti lotin s’e pret

 

Rrufeja goditi trungin tim

Dhe zhyti në vajë oxhakun

Dhe barti mbi supe babain

Barti edhe lotin e nënës sime

 

 

Imazh i rremë

 

Sado shkëlqyese

Sado bukuri syve u ofron

Derisa nuk shpalosë pranverën

Derisa s’mbledh rreze dielli

Derisa s’ofron ngrohtësi

Është imazh i rremë

 

 

Kënga e bilbilit

 

Sonte xhelati ther

Xhelati prèt

Edhe bilbilin

Me këngën në sqep

Po nesër

Xhelat për xhelatin

Kënga e tij do të jetë

 

 

Apokalipsa

 

Dikush m’i vrau sytë

Dhe m’i varrosi lulet

 

Dikush ma mori abetaren

Dhe ma dha shkopin në dorë

 

Dikush ma vrau diellin

He e vraftë veten

 

 

Majë lisit të thatë

 

Qyqja rënkon

Një mister lajmëron

Hoxha poker luan

Dhe qeshjet shuan

Nën kreshta

 

Nën kreshta malesh pres

Plot durim

Për idealin tim

Të vdes

 

 

Dhembja

 

Hijenat e kanë rrethuar Jetiun

Dhembja pret në krahëror

Frymën e fundit

 

 

Kur

 

Kur qielli nxihet

Kur lisat thahen

Bardhësia vret

Me shpatat mesjetare

 

 

Fitili

 

Fitili ndritë

Aq sa shoh shkronjat

Dhe digjet

Ashtu si digjem unë

E shndërrohem

Në hije të papërcaktuar

Të një kohe

Në murin e lotit

 (Fitili)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx