Kulturë
Shaip Beqiri: Përvija vjetësh
E shtune, 31.07.2010, 12:50 PM
Shaip Beqiri
PËRVIJA VJETËSH
1968
Sipër murit të mbetur
Ndër përralla të gjalla
Katër gozhda kokëprera
Ngulur përgjithmonë tërthoras
Në sipërfaqen e zhubrosur të kujtesës
Që lëvrin përfundi pasqyrave diellore
Janë blanja gjaku mpiksur
Ndër qiej të strukur guvave
Ku ranë rruzujt e lotëve të mi
Grykave të mllefit
Del stuhia e kreshpëruar
Ngujuar thellë në shekuj
Rrok flamurin në gjysmështizë
Duke shkallmuar portat e vathës së yjve
I çel udhë pranverës drejt zemrës sime
1981
I çel udhë pranverës drejt zemrës sime
Një vrull i fashitur gjaku
Që përendet hutueshëm
Përmes regëtimash
Duke u mbërthyer brenda rrëkeve të veta
Deri te magma e ngjallur ndër balada
Një flatër shqiponje
Gjysmën e qiellit përflak
Gjysmës tjetër ia ndërsen yjtë
Para pasqyrave të mpira të ujit
Busulla me sy të çakërruar
Ngrin përfundi akujve
Golle duke stukuar
Kur ndër guaska ankthi lartësuar përsëri
Çmbyllet zemra e dheut në një horizont të ri
1989
Çmbyllet zemra e dheut
Në një horizont të ri
Që zbret deri te flaka e harruar
Në ëndërr të vogëlushit të përcëlluar
Të cilit duke ikur prej duhisë së rrëmetit
I ngatërrohet ylberi mes gishtërinjve të mi
Do të bjerë pika në atë gur
Që rri pezull në qiej të dehur
Flatër e ndezur gjak duke kulluar
Ju ngjiteni përsëri
Murit të kredhur në magmë
Me kujtesë reje të shprishur
Që leh si bushtër prej tjetrës anë
Pas yjve të këputur nga rrëfana hutaqe
Në ndeshjen thërrmuese të përtëritjes
1998
Në ndeshjen thërrmuese të përtëritjes
Të mos na i harrosh
Të korrurat e djegura
As sytë që të panë së mbrami
Ata që të gdhendën në një gur të madh varri
Dhe bënë prej çdo dite tënde guzhma zjarri
Çdo natë jotja gdhiu
Mbi shtatë shtylla vdekjesh
Duke u ngjitur mbi kurora shtjellash
Nxore frymën njerëzore
T`ua falësh fushave të shkretuara
T`ua kthesh kujtesën shkëmbinjve
E të bëhesh ujvarë gjunjgjakosur
Në përplasjet mbi kufomën tënde të pakallur
Sipër murit të mbetur ndër përralla të gjalla