E merkure, 30.04.2025, 06:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Hanëmja - Dashuria më e madhe (III)

E enjte, 29.07.2010, 09:24 PM


HANËMJA - DASHURIA MË E MADHE

Jetëshkrim historik i dy vlonjatëve të moshuar

 

Nga Luan Çipi

 

PJESA E TRETË

 

Ndërrimet reciproke familjare të vizitave të përfaqësuesve të palëve, siç ishte zakoni dhe konfirmimin e fejesës me Hanëmen, e bëmë në muajin shkurt të vitit 1960. Celebrimin zyrtar u regjistrua në datën 23.11.1960. Ofiqari i Gjendjes Civile, një burrë i moshuar, kur kontrolloi regjistrat e familjeve tona, qeshi i gëzuar, ndërkohë që nisi të shkruaj, me një kaligrafi të bukur, aktin e martesës. Ai tha: Shikoni, është i njëjti shkrim. Pikërisht unë, Hajdar Azizi që, dekada më parë, pata fatin të dëgjoj dhe të regjistroj deklaratat e prindërve tuaj të nderuar për lindjet, kam nderin tani t’u bëj aktin e martesës. “ Paçi jetë të gjatë dhe lumturi bashkëshortore!”

 

Martesën, si ceremoni dhe darkën e dasmës e bëmë në mbrëmjen e datës 04.06.1961, në tarracën me pjergullën e madhe plot me rrush të shtëpisë sonë, në lagjen Muradie, rruga Ceno Sharra Vlorë. Aty u mblodhëm shokë, kushërinj, të afërt dhe krushq. Hanëmja shtatëmbëdhjetë vjeçare, veshur në të bardha, shkëlqente plot nur, me një freski e bukuri të rrallë, e përgatitur nuse, me një tualet fare të lehtë. Unë, sa kisha dal nga spitali, pas një krize veshkash dhe rrija i emocionuar dhe i plogët, në merak, se mos ngelej gjë mangët në nderimin e pjesëmarrësve, ndërkohë shkoja ndër mënd vështirësitë e kapërcyera dhe ndjeja një gëzim të pafund për finalizimin e dëshirave dhe

ëndrrave të mia të lindura që nga dita e parë e takimit, që lidheshin vetëm me Hanëmen.

 

Pas martesës, në të ashtuquajturin muaj mjalti, bëmë një turne të shkurtër Gjirokastër-Sarandë-Himarë-Vlorë.

 

Ishim të dy me peshë rreth gjashtëdhjetë kilogram. Ajo l58 dhe unë l65 centimetra i gjatë. Unë i plogët, i sapo dalë nga spitali pas një lëngimi e kure 20 ditore dhe ajo plot shëndet, bardhoshe, faqe kuqe e me quka kur buzëqeshte, pra gjithnjë, me ato gropëzat tërheqëse, me ata sytë e mëdhenj e të mrekullueshëm, që më kanë pëlqyer më shumë se çdo gjë, që harkoheshin nga vetullat, tashmë të hequra me shije. Më tej një hundë e vogël, buzët tërheqëse e pak të fryra dhe mjekra e drejtë. Merak të madh Hanëmja, gjithë jetën, ka pasur flokët, që s’ishin aq të dendur, sa i desh ajo dhe që u “punonte qindin”, duke i bërë herë pas here permanent, ose duke i përdredhur me lecka, me bigudinë gjithfarësh, duke i bërë kaçurrela të fryra e me shkëlqim. “Flokët janë gjysma e bukurisë së femrës” thoshte. Edhe trupin Hanëmja e kish të rregullt, ku spikaste gjoksi normal, i gjerë dhe pa asnjë rrudhë, deri në moshë të madhe, aq interesant, për mua, sa unë i kam thënë gjithnjë: Ja këtu duhet ta vendos kokën, derisa të vdes.  Një tjetër veçanti ka qenë, te ajo, beli shumë i hollë në rini, saqë, po të shihje fustanet e saj të mëparshme, do çuditeshe e do kujtoje mos ishin prerë për ndonjë model kukulle.

   

Kur, gjatë “muajit të mjaltit” ishim në Gjirokastër qëndruam te shtëpia e tezes sime, Çime Hajro, në lagjen Pllakë. Në një mbas dite, burri i tezes, veterani  i Luftës së Vlorës, më 1920, Maliq Hajro, njeri shumë i respektuar për qytetarët gjirokastritë dhe për të gjithë krushqinë, na shoqëroi në lokalin më të mirë të qytetit, te  “Bar Kalaja”. Ecnim rrugës, krahas njeri tjetrit dhe pas na ndiqnin të rinj e fëmijë

     gjirokastritë. Dëgjonim fjalë dhe pëshpëritje:

            O, o ! Karkaculja ! Po sa e bukur qenka, shtriga.

More, po ka bel, kjo, apo s’ka fare? Çudi, si e ku i lidhet trupi!

Po ai, fundi i fustanit, mirë i shkurtër sa i duken gjunjët, po, sa i gjerë në fund, si parashutë!?

Të shkretët gjirokastritë! Kishin ngelur shumë më pas Vlorës, në këtë drejtim dhe duket, sikur do t’u bënte më pak përshtypje, po të shihnin ndonjë grua të veshur me ferexhe.

Hanëmja, për Vlorën e atëhershme, e veshur me një fustan të modës, ishte krejt normale. Ishte një fustan najloni i zakonshëm, me ngjyrë të bardhë, me shumë pala, pak transparent, i qepur puthitur pas belit, që i evidentonte format e trupit dhe mesin shumë të hollë, me një fund, tip “gramafoni” me palat mbi zhypon.

Unë, i shqetësuar nga turma pas, i frikësuar se mos bëhej problem deri në polici, për prishje morali lokal, i them gruas sime:

Hajde Hano, të ikim, se këta me duken si të “botës tjetër”. Dhe aty për aty mu kujtua kënga e vjetër vlonjate, që ja përshtata asaj :

 

Hano, mos shko nëpër vare,

se të vdekurit i ngjalle,

të gjallët i vdiqe fare.

 

Me Hanëmen kemi qenë bashkë, të pandarë, duke shfrytëzuar lejet relativisht të gjata vjetore, me që unë përfitoja më shumë ditë pushimi, nga që gjatë gjithë kohës kam qenë mësues dhe pedagog i jashtëm, çka, këtë shtesë leje, e përfitonim, sipas ligjit; ndërsa ajo, në shumicën e kohës, në vitet e para, ka qenë pa punë. Kështu, me gjithë fëmijët kemi shkuar, për çdo vit, në kabinat e plazhit gjatë verës, ose, vetëm me Hanëmen, në kampet e pushimit të punëtorëve, ndërsa fëmijët rrinin në shtëpi, me nënën time, gjithnjë të mirë e të gatshme për çdo lloj ndihme. Do përshkruaj disa prej pushimeve dhe ekskursioneve aktive:

Në muajin prill të vitit 1971, me trupën mësimore të “Teknikumit Ekonomik të Mbrëmjes” të qytetit të Vlorës, bashkë me Hanëmen dhe  një grup mësuesish si Viktor Rapi, Ilia Guma, Agathokli Adhami, Bajram Hajrullai, Abedin Elmazi, Lili Dodi, Petrit Osmani , Vasil Zani dhe gratë e tyre, me një mikrobus, organizuam një vizitë turistike për në  qytetin antik të Butrintit.

Pushimin e parë e bëmë në pishat e Llogorajt, në lartësinë njëmijë metro, mbi nivelin e detit. Qëndruam në një bar restorant midis pishave, pimë nga ujët e ftohtë të burimit dhe hëngrëm me shije mëngjesin e parapërgatitur. Pamja para nesh, kur mijëra metro larg, dukej deti i pa fund, ishte mahnitëse. Dallgët përplaseshin, në ndjekje të njëra tjetrës dhe shkumëzimet e tyre të dukeshin si qindra anije te vogla, që garonin me shpejtësi. Dhe mëndja më shkoi në lashtësi: A thua se, përsëri, pas mijëra vjetësh, Cezari i famshëm romak, po e çonte flotën e tij të madhe të imbarkuar te lugina poshtë, që mban ende emrin e perandorit legjendar, për të zbarkuar aty e për t’u ndeshur, keqas, me rivalin e tij të vjetër, rebel, Pompeun? Po pse kështu? Për një kasaphanë të tillë njerëzore senatorëve romakë nuk u mjaftonte vendi i tyre, gjithë ai gadishull i madh Apenin? E, moj Shqipëria ime e vogël, gjithnjë e pa zot, arenë ndeshjesh e pushtimesh!  

 

Rruga gjarpërore e ngushtë, e asfaltuar dhe e mbajtur mirë, kishte kthesa shumë të rrezikshme. Në lindje vargmalet e pafundme të Çikës, të mbushura me gjelbërim dhe që zbardhonin nga bagëtitë e imta, të shpërndara gjithandej në kullotat malore dhe që formonin, me ato këmborët dhe zilet e tyre, një simfoni madhështore. Edhe barinjtë, me ato kërrabat e gjata, ishin të veshur në të bardha.

Thellë dëgjohet ndonjë melodi baritore me fyell, shoqëruar nga këngët e bilbilave, kanarinave, kryeartëzave dhe zogjve të tjerë të shumtë gjithë ngjyrësh. Më tej shtëpi të grumbulluara, në fshatra kala, me ledhe e mure midis ullinjve e agrumeve: Palasa, Dhërmiu Vunoi me Iliasin, Himara, Kullsi, Piluri dhe Qeparoi. Njeri me i bukur se tjetri, të përjetuar në këngët e bukura himarjote:” kush është lule vilajetit, Himara në mes të detit, shtatë fshatra që janë…”

 

vazhdon

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx