Kulturë
Vangjush Ziko: Jehona e një kënge
E enjte, 29.07.2010, 08:57 PM
JEHONA E NJË KËNGE
Nga Vangjush Ziko
Si zakonisht çdo ditë,u ula pëpara kompjuterit,këtij ekrani magjik si filmat pa zë,ku flasin shkronjat dhe fotografitë.Klikova ikonën e shtypit shqiptar.Të them të drejtën,jo me shumë ëndje se sa me kërshëri,kërshëri e cila është shndërruar në mani.Dhe kjo ka shpegimin e vet,qê e kupton shumë mirë çdo emigrant që ka vite larg atdheut.Them,jo me shumë ëndje,sepse tollovia e lajmeve dhe informacioni lara-lara më shumë të shqetëson e të mërzit,se sa të ngazëllen.Ndërsa kurreshtja jote topitet,"miushi" lëviz mekanikisht duke këkuar ndonjë thërrime gëzimi.Por...
Vëmendjen time ma tendosi një reportazh nga fshatrat e malësisë së rrethit të Korçës.
Përshkrimi ishte i sinqertë dhe i dhimbshëm.Është e çuditshme dhe fatale që shpirtin tonë për dekada me radhë po e mëkon kjo ndjenjë e pikëlluar, që nuk po shterron.Shpirti ynë i ngjan një plage që vetëm qelb di të mbledhë.Kur do ta shtrydhim,vallë,kur do t'ia nxjerrim shtratin këtij çibani të mallkuar,o Zot!
"Afrohuni,shokë,që t'ju them dy fjalë"
Nuk po ju ftoj unë.Janë fjalët e këngës së re popullore,sjellë në reportazhin e mësipërm, e cila më ftoi edhe mua për të biseduar me ju edhe me veten time.
Është një këngë e re kurbeti,që ka filtruar nëpër rreshtat e fjalëve të saj trishtim e dhimbje,pikëllim dhe vetmi rrënqethëse,mall të pashuar.Është një këngë kurbeti.Ose,më saktë,ta quajmë emigrimi.Kuptimi semantik i të dyja fjalëve është i njëjtë,por tingëllimi i tyre ndryshon.Folklori ynë,sidomos ai i Jugut,është i mbushur plot me këngë të tilla.Ato janë aq të vjetra,sa është edhe vetë shtegtimi i racës njerëzore.Ka patur kurbet nizami.Ka patur kurbet gjakmarrjeje apo trysnie fetare.Ka patur kurbet mbijetese ekonomike.Ka patur edhe eksode.Nuk është për t'u çuditur që migrimi apo emigrimi është një dukuri edhe e shekullit tonë.Toka jonë,jo vetëm që rrotullohet rreth diellit,por rrotullohet edhe rreth vetes së vet.Zhvendosja,lëvizja e përjetshme është e pashmangshme.Është jeta vetë.Por këngët që i këndojnë kësaj "lëvizjeje",ndryshojnë.Ndryshojnë midis tyre,por ndryshojnë edhe brenda të njëjtit lloj.Dhe jo pa shkak dhe pa arsye.
" Na ikën fëmijët dhe vetëm na lanë,
Bredhin nëpër botë se punë nuk kanë"
Kështu kanë mërguar gjithnjë të rinjtë.Dhe gjithnjë për shkak të mbijetesës,të varfërisë e të prapambetjes ekonomike të vendit,për një jetë më të mirë.Dhe nuk ka përse t'u hedhësh faj.Asnjë këngë popullore nuk i fajëson drejpërdrejt kurbetllinjtë,por"qiraxhinë","pamporin,dhogë e thatë" dhe vendin e emigrimit,"O Stamboll,të rëntë zjarri"....Pra,këto këngë,veç mallit,kanë mllefin dhe urrejtjen për ata që i quajnë "shkaktarë" të kurbetit.
Kurse në këngën e re oparake,që e lexova në internet,nuk gjej asgjë nga këto.Dhe,ndërsa,në këngët e mëparshme gjej tërë elementët e një drame me "protagonistë" dhe "antagonistë",në këtë këngë të re lexoj një "dramë psikologjike",apo më mirë të them,një "elegji",ku brenga është shndërruar në lutje:
"Kthehuni,o djema,se na dogjët xhanë"
Brenga më e madhe në këtë këngë është vetmia tragjike prindërore:
"Do vdesim një ditë , s'ka kush të na qajë"
Ky është një vështrim,një filozofi e re për kurbetin.Kurbeti as nuk gjykohet,as nuk mallkohet,nuk nëmet as "agjensia ajrore".as "aeroplani" apo "trageti".Ai pranohet si një fatalitet.Bile,mund të them se ai përligjet ("se punë nuk kanë").Ky pranim,ky pajtim e bën edhe më tragjike këtë këngë.Kjo shndërrohet, kështu,në një "britmë",që,në thelb,nuk iu drejtohet vetëm djemve,por një realiteti ekonomik,politik e shoqëror.Është një akuzë që na bëhet të gjithëve...
E kam para sysh atë malësi dhe ato fshatra,ata njerëz që e këndojnë këtë këngë.E njoh historinë e asaj zone.Atje ka kisha, xhami dhe teqe të vjetra.Ka shtëpi të ndërtuara me gurë të latuar dhe dritare me pragje dhe qemere të skalitura.Ka rrugë të shtruara me kalldrëm dhe kroje me shurupuq shtufi,apo korita të drunjta.Ka varreza dhe lapidare.Ka histori dhe legjenda si ajo e princit Tudë,që kish një principatë të lulëzuar,nga e cila ka mbetur dhe një kishë monumentale;ka trakte të një ujësjellësi me tuba qeramike dhe një fshat që mban emrin e atij princi nga dera e Muzakajve...
Dhe tashi...Vetëm shtëpi të braktisura,gërmadha që mezi mbahen më këmbë;kullota pa dhen e dhi;thana që piqen dhe s'ka kush t'i mbledhë;kroje të mbuluara nga myshku dhe...heshtje dhe vetëm heshtje.Vetëm një këngë e përvajshme dëgjohet,një këngë që e këndojnë dy-tre pleq të braktisur.Ata nuk e mbarojnë dot këngën,sepse mbi mjekrën e tyre të thinjur rrokullisen lotët e vetmisë.Janë lotë jo vetëm për kurbetin dhe vetminë e tyre.Janë lotët për një jete që po shuhet asaj ane,e një Ostrovice krenare të thinjur nga dëbora dhe nga hallet,madhështore dhe sfiduese në vetminë e saj...
Nuk kam dëshirë të lexoj më asnjë shkrim tjetër.Më duken fjalë dhe vetëm fjalë.
Siç janë të kota fjalët dhe bisedat në një natë mortore kur gdhijnë një të vdekur.
Ju mund të më kundërshtoni me të drejtë.
Siç lind,plaket dhe vdes njeriu,ashtu ndodh edhe me jetën e krahinave të ndryshme,sidomos malore.Kini të drejtë të më thoni se edhe në vitet e "lulëzuara" kooperativiste,bile,që pas Luftës së Dytë Botërore kish nisur largimi i njerëzve nga këto anë.
Është e vërtetë.Jeta e zonave malore u përngjet përrenjve të rrëmbyer që ndërrojnë shtratin nga stina në stinë,apo thahen.Por fjala nuk është vetëm për Oparin,ku këndohet kjo këngë,por për atë që një e treta e popullit tonë ka marrë aratinë...
Bie telefoni dhe më shkëput nga kompjuteri dhe nga mendimet e mia.Është një miku im emigrant,shumë më i ri se unë në moshë,që ka mërguar në këtë vend të largët përtej oqeanit.
-E dëgjove këngën?
Në çastin e parë u hutova.Kënga është e shkruar në gazetë.Nuk e këndonte njeri.Por e mblodha me një herë veten.Këto janë këngë që i këndon në heshtje shpirti i njeriut.
-Po,-i përgjigjem.-E dëgjova.
Doreza e telefonit vibron nga psherëtima e tij.Apo nga ngashërimi.E di që ai ka lënë vetëm prindërit e moshuar në një qytezë të vendlindjes sonë të largët...
Nuk e di se sa jua solla dot jehonën e kësaj kënge kaq të dhimbshme.
Nuk besoj se më kini keqkuptuar.
Të gjithë,pa përjashtim,kudo që ndodhemi,jemi bashkautorë të tekstit dhe të melodisë.të përmbajtjes së kësaj kënge.Jemi kantautorët e saj.
Na fal,o Zot!
Mëmëdhe,
na jep bekimin e zemrës sate të lënduar dhe shpresën tënde të lodhur,por të pashuar!