E merkure, 30.04.2025, 08:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Këto ditë Hysen Këqiku doli me librin e tij të nëntëmbëdhjetë “Në ty e kam shpirtin”

E shtune, 31.07.2010, 05:29 PM


Këto ditë Hysen Këqiku doli me librin e tij të nëntëmbëdhjetë “Në ty e kam shpirtin” libër me poezi me të cilin shënon një tjetër sukse në rritje të  vlerës artistike. Vepra është e ndarë në katër cikle poetike: “Flakëroj rreze në flakë”, “Hapat e mi në reliev”, “Yjet luajnë valle” dhe “Psherëtimë për nënën”. Duke pasë konsideratë ndaj lexuesve të nderuar, ua propozojmë dhe ua dërgojmë këtë vepër .

Stafi i shtëpisë botuese “KURORA” Gjilan

 

 

HYSEN KËQIKU

 

NË TY E KAM

SHPIRTIN

 

P o e z i

 

 

Shtëpia Botuese

KURORA

 

Gjilan

2010

 

Hysen Këqiku, u lind më 7 qershor 1944, në Velegllavë të Dardanës – ish  Kamenicë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Llojan të Kumanovës,  gjimnazin në Preshevë, kurse gjuhën dhe letërsinë shqipe e studjoi në Shkup dhe në Prishtinë.

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të

Kosovës

 

Veprat :

1. “Nëpërkëmbësi”, poezi për të rritur, 1994,

2. “Ti dil nga loja”, poezi për fëmijë, 1995,

3. “Kufij që preken”, dramë për të rritur, 1997,

4. “Dritë mbi Lotinë”, poezi për të rritur, 1999,

5. “Ujëvarë e patharë”, poemë për fëmijë, 2000,

6. “Qëndresë me besa-besë”, poemë për fëmijë, 2000,

7. “Velia Glaua ëndërr e ripërtërirë I”,  - monografi, 2001,

8. “Velia Glaua ëndërr e ripërtërirë II”, – gjenealogji 1720-1996”, 2001,

9. “Kujtim malli për shkollën time I”, - poezi për fëmijë, Gjilan 2004,

10. “Psherëtimë për tokën” I, - panoramë letrare, 2004,

11. “Melodi e pritjes”, poezi për të rritur, 2005,

12. “Kujtim malli për shkollën time II”, poezi për fëmijë, 2007,

13. “Nazif Përlepnica hero në mes të heronjve”, monografi, 2008,

14. “Demir Behluli”, monografi,” 2008,

15. “Një atdhe me dashuri”, poezi, 2008,

16. “Vegim i përflakur”, kurorë sonetesh, 2009,

17. “Melodia e pritjes” në gjuhën rumune, përkthyer nga BakiYmeri, Bukuresht 2009.

18.  Në ty e kam shpirtin”, 2010

 

Hysen Këqiku jeton dhe vepron në Gjilan.

 

FLAKËROJ RREZE NË FLAKË

 

 

NË KËRKIM

TË SHPRESËS SË KALLUR

 

E kërkova

në dhembjen

e pezmatuar

në degën e tretur

të zogut

të harruar

shtigjeve

të shkelura

nëpër llucën

e pistë

rragamave

nga erërat

pluhurngritura

 

në qepallën

e teremekura

të harrimit

 

në gjuhën e memecit

me shikim të tretur

 

në vrapin e lepurit

që merr rrokullisjen

tatëpjetëzës

 

edhe në dashurinë

e shtegtarit

me vrapin e kthimit

në ujin

amull

të lumit të tharë

 

në rreshkun e buzëve

për pikën e ujit të etur

edhe në rrasën e gurit

ku drekojnë

zanat që shitojnë

 

në plasaritjet e mbushura

me dyzetenjëkëmbësh

 

në përqafimet e harruara

në motet e bjerra

në melodinë

e fyellit të harruar

rafteve të kullave

nëpër mote

e kërkuam...

në vetveten

e nëpërkëmbur

në ofshama

 

në dënesjet e miturakut

bonjak

e pa djep

në lulakun e grimcuar

nga molcat

në kaptellin e grabitur

nga djepësit

në kupën e vajtimit

në vajin e vashës për nusërim

 

 

II.

Ajo

nuk kishte

pamje

as formë

 

vendbanimi i saj

ishte thellë

i strukur

aq thellë

në fund të pusit

të kallur

ajo vuante

për një pikë ujë

të kroit të harruar

kishte ethe

dhe asnjë vend

pa mornica

e katandisur me thonjtë

e mbetur në gurin e krisur

 

ajo e kishte humbur

kumtimin

e kuptimit

 

vuajtjes ia kishte kërkuar

shpresat e grimcuara

me thonjtë e miut

në folenë e macjes

së uritur

në degën e tharë

për t’u takuar

me kuku-në e qyqes

me soditje të papërcaktuar

hapësirës së kallur...

 

si të bëhet

për ta pasur

 

hap e kurthë

kurthë e hap

 

U BËFSHA SI TI  NËSE TË LAKMOJ

 

Kot më thua të këndoj

zemra s’ma thotë

goja fjalë nuk nxjerr

 

Njëqind vjet  me ulurima

 

Kot më thua të shikoj përpara

e kaluara  më la çalaman

në mjegullën e zezë sterë

 

Në ulurimën KORB

 

Mos më lut të vallëzoj

të përbej në lirinë tënde

unë s’e pata as s’e njoha

 

Të lutem mos më lut për buzëqeshje

llavërimat më kërcënojnë me skërmitje

 

U bëfsha si ti nëse të lakmoj

me çizme lufte të pafsha për jetë e mot

 

FLAKËROJ RREZE NË FLAKË

Çuditërisht

heshtjen e dua unë

lërmani mua

ta përkëdhel në faqe

në gushë

edhe djersët t’ia lëpij

 

Të ngjashmit më afrohen

më thonë

tungjatjeta

 

Ah, jeta, jeta

 

E keqja jonë më e madhe

përdëllimë

lojë lirie e gjaku

 

O hapi im i dashur

unë vetëm në heshtje të kujtoj

në dhembje

në dritë të hënës

 

Në ty

stis gjurmët drejt dhembjes

në vargoj

në lot ndarjeje

unë të dua heshtje

edhe në zhurmën tënde

flakëroj atë rreze në flakë

 

JAM TI, TË BETOHEM

 

Rrugëtar jam

prej lindjes e deri në perëndim

 

Dua ta shoh flamurin

në ballkonin tënd të festës

 

Nuk është lodharak hapi im

ai i ngjan trokut

në luginën e logut

Le të laget nga shiu

i ngrohtë dhe luftërat

 

Jehona e kushtrimit më shtyn

 

Bekimin ma fal A’Ini[1]

në gurë herioglifesh skalitur

 

Veten s’e quaj as Kohë qetësie

as i dalë nga flaka e rrufesë

jam Ti, të betohem

se më ndjek mua rrugëtarin

 

NË MEJTIM NA MBANË

 

Me agun e vesuar

një ditë lind e re

me dyert e shpresës

të tretura përtej gjumit

 

Anijet e brengave përshëndesin

pendimin e tretur në harrim

 

Në mesditën e zukamave

kur trupi nuk lëshon hije

degët e akacies mprehin ferat

lule s’ka as bletë

-udhëtar në një ëndërr të shkretë

 

Në muzgun e mbrëmjes

stuhia tallet me mua

engjëjt heshtin lart mbi re

vetëm hëna kur shfaqet

me bukuri në mejtim na mbanë

 

NË VARGONJ TË NGRIRË

 

Shqisat m’i ngrijnë

telat rrethorë të zinxhirit

klithjet më bëhen apostrofa

në heshtjen time të çmendur

 

Hija vazhdon ecjen horizontale

nën forcën time vertikale

në vend imagjinar

me hijen formon kënd të drejtë

 

Ju nuke dini këngën hyjnore

të të qëndruarit vertikalisht

ju nuk e dini tundimin

e hijes me lëvizje zvarraniku

 

Të shtrëngoj me dorën time

për t’i ngrohur shqisat

e rrezeve të bardha të dritës

 

TË DY ME DROJË

 

Më shumë se dy herë

mornica djersësh

gufuar më kanë

kur më thoshin të flas

e nuk kisha çka të flasë

kur nuk më linin të flasë

e kisha  çka të flasë

 

Në këtë ecje

qengjit i përngjaja

mbase ecje

të njëjtë  kemi bërë

me ujkun krahë për krah

të dy me drojë

mos po më ha

mos po më ik...

 

 

ANKESA PROTESTON

 

Ankoj letrën e vetmuar

në mes rrafshit blerak

-nuk ka kuptim të jetë vetë

 

Gjykatësi kotet në karrigë

tok me ankesën e letrës së vetmuar

gërhat trishtueshëm

jarget në anën e djathtë

nga i rëndon koka

 

Ankesa proteston

Ajo e kërkon mikun e gjelbërimit

Kujdesin për ta bërë  të bukur

Rrafshin blerak

Me letra të hudhura

 

Edhe më tej

Gjykatësi vazhdon të kotet

Në karrigën e pluhurosur

 

ZHURMA HESHT

 

Fantazia  si në ekran m’i shfaq kujtimet

çuditërisht nuk e di si e shoh veten

bëhem kalorës i rragamave

në stinën e pasdimrit

 

Në vegimet e muzgut

shoh hënën në një trajtë të re

ajo më fton në darkën e zanave

në mëngjes të përflakur

 

Hëna rri var në vegë verigu

ajo e tërheq ditën pas

për t’ia krehë flokët

 

Yjet ia heqin morrat pas veshit

në ujëvaren e zanave që shitojnë

 

Në relievin e padefinuar

hapi e humb rrugën

mbetet në vendnumërim

i nemitur nga mumijat

karrikave të gurëzuara

 

Në labirinth të përditshmërisë

të mbuluara me një tis të hollë

futem dhe dal

herë  vetë

herë me ty

 

Zhurma hesht

hesht...

 

FJALA

 

Llomotitjet e fjalës

nuk i mori era

mbetën në vetminë e zhurmës

për t’ia shëruar veshët

 

Vullkani i thashethënave

nxori tym

mjegulla e gëlltiti

ra në gjumë heshtja

 

Kalorësi ndjen lodhje

Kokëdhembja ushqehet me belbëzima

 

(Mos  m’shikoni ç’bëj

dëgjoni çka flas)...

 

Hidhërimi mori tatëpjetën

rrëzë një guri u çmend

në rrokullisje theu qafën.

 

E hidhëruar nga llomotitjet

iu paraqitën thinjat

iu morën mendtë

afekti nuk e la ta mbarojë mendimin

bëri vetëvrasje



[1] Ati Ynë



(Vota: 10 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx