| E shtune, 31.07.2010, 05:29 PM |
Këto ditë Hysen Këqiku doli me librin e tij të nëntëmbëdhjetë “Në ty e kam shpirtin” libër me poezi me të cilin shënon një tjetër sukse në rritje të vlerës artistike. Vepra është e ndarë në katër cikle poetike: “Flakëroj rreze në flakë”, “Hapat e mi në reliev”, “Yjet luajnë valle” dhe “Psherëtimë për nënën”. Duke pasë konsideratë ndaj lexuesve të nderuar, ua propozojmë dhe ua dërgojmë këtë vepër .
Stafi i shtëpisë botuese “KURORA” Gjilan
HYSEN KËQIKU
NË TY E KAM
SHPIRTIN
P o e z i
Shtëpia Botuese
KURORA
Gjilan
2010
Hysen Këqiku, u lind më 7 qershor 1944, në Velegllavë të Dardanës – ish Kamenicë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Llojan të Kumanovës, gjimnazin në Preshevë, kurse gjuhën dhe letërsinë shqipe e studjoi në Shkup dhe në Prishtinë.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të
Kosovës
Veprat :
1. “Nëpërkëmbësi”, poezi për të rritur, 1994,
2. “Ti dil nga loja”, poezi për fëmijë, 1995,
3. “Kufij që preken”, dramë për të rritur, 1997,
4. “Dritë mbi Lotinë”, poezi për të rritur, 1999,
5. “Ujëvarë e patharë”, poemë për fëmijë, 2000,
6. “Qëndresë me besa-besë”, poemë për fëmijë, 2000,
7. “Velia Glaua ëndërr e ripërtërirë I”, - monografi, 2001,
8. “Velia Glaua ëndërr e ripërtërirë II”, – gjenealogji 1720-
9. “Kujtim malli për shkollën time I”, - poezi për fëmijë, Gjilan 2004,
10. “Psherëtimë për tokën” I, - panoramë letrare, 2004,
11. “Melodi e pritjes”, poezi për të rritur, 2005,
12. “Kujtim malli për shkollën time II”, poezi për fëmijë, 2007,
13. “Nazif Përlepnica hero në mes të heronjve”, monografi, 2008,
14. “Demir Behluli”, monografi,” 2008,
15. “Një atdhe me dashuri”, poezi, 2008,
16. “Vegim i përflakur”, kurorë sonetesh, 2009,
17. “Melodia e pritjes” në gjuhën rumune, përkthyer nga BakiYmeri, Bukuresht 2009.
18. “Në ty e kam shpirtin”, 2010
Hysen Këqiku jeton dhe vepron në Gjilan.
FLAKËROJ RREZE NË FLAKË
NË KËRKIM
TË SHPRESËS SË KALLUR
E kërkova
në dhembjen
e pezmatuar
në degën e tretur
të zogut
të harruar
shtigjeve
të shkelura
nëpër llucën
e pistë
rragamave
nga erërat
pluhurngritura
në qepallën
e teremekura
të harrimit
në gjuhën e memecit
me shikim të tretur
në vrapin e lepurit
që merr rrokullisjen
tatëpjetëzës
edhe në dashurinë
e shtegtarit
me vrapin e kthimit
në ujin
amull
të lumit të tharë
në rreshkun e buzëve
për pikën e ujit të etur
edhe në rrasën e gurit
ku drekojnë
zanat që shitojnë
në plasaritjet e mbushura
me dyzetenjëkëmbësh
në përqafimet e harruara
në motet e bjerra
në melodinë
e fyellit të harruar
rafteve të kullave
nëpër mote
e kërkuam...
në vetveten
e nëpërkëmbur
në ofshama
në dënesjet e miturakut
bonjak
e pa djep
në lulakun e grimcuar
nga molcat
në kaptellin e grabitur
nga djepësit
në kupën e vajtimit
në vajin e vashës për nusërim
II.
Ajo
nuk kishte
pamje
as formë
vendbanimi i saj
ishte thellë
i strukur
aq thellë
në fund të pusit
të kallur
ajo vuante
për një pikë ujë
të kroit të harruar
kishte ethe
dhe asnjë vend
pa mornica
e katandisur me thonjtë
e mbetur në gurin e krisur
ajo e kishte humbur
kumtimin
e kuptimit
vuajtjes ia kishte kërkuar
shpresat e grimcuara
me thonjtë e miut
në folenë e macjes
së uritur
në degën e tharë
për t’u takuar
me kuku-në e qyqes
me soditje të papërcaktuar
hapësirës së kallur...
si të bëhet
për ta pasur
hap e kurthë
kurthë e hap
U BËFSHA SI TI NËSE TË LAKMOJ
Kot më thua të këndoj
zemra s’ma thotë
goja fjalë nuk nxjerr
Njëqind vjet me ulurima
Kot më thua të shikoj përpara
e kaluara më la çalaman
në mjegullën e zezë sterë
Në ulurimën KORB
Mos më lut të vallëzoj
të përbej në lirinë tënde
unë s’e pata as s’e njoha
Të lutem mos më lut për buzëqeshje
llavërimat më kërcënojnë me skërmitje
U bëfsha si ti nëse të lakmoj
me çizme lufte të pafsha për jetë e mot
FLAKËROJ RREZE NË FLAKË
Çuditërisht
heshtjen e dua unë
lërmani mua
ta përkëdhel në faqe
në gushë
edhe djersët t’ia lëpij
Të ngjashmit më afrohen
më thonë
tungjatjeta
Ah, jeta, jeta
E keqja jonë më e madhe
përdëllimë
lojë lirie e gjaku
O hapi im i dashur
unë vetëm në heshtje të kujtoj
në dhembje
në dritë të hënës
Në ty
stis gjurmët drejt dhembjes
në vargoj
në lot ndarjeje
unë të dua heshtje
edhe në zhurmën tënde
flakëroj atë rreze në flakë
JAM TI, TË BETOHEM
Rrugëtar jam
prej lindjes e deri në perëndim
Dua ta shoh flamurin
në ballkonin tënd të festës
Nuk është lodharak hapi im
ai i ngjan trokut
në luginën e logut
Le të laget nga shiu
i ngrohtë dhe luftërat
Jehona e kushtrimit më shtyn
Bekimin ma fal A’Ini[1]
në gurë herioglifesh skalitur
Veten s’e quaj as Kohë qetësie
as i dalë nga flaka e rrufesë
jam Ti, të betohem
se më ndjek mua rrugëtarin
NË MEJTIM NA MBANË
Me agun e vesuar
një ditë lind e re
me dyert e shpresës
të tretura përtej gjumit
Anijet e brengave përshëndesin
pendimin e tretur në harrim
Në mesditën e zukamave
kur trupi nuk lëshon hije
degët e akacies mprehin ferat
lule s’ka as bletë
-udhëtar në një ëndërr të shkretë
Në muzgun e mbrëmjes
stuhia tallet me mua
engjëjt heshtin lart mbi re
vetëm hëna kur shfaqet
me bukuri në mejtim na mbanë
NË VARGONJ TË NGRIRË
Shqisat m’i ngrijnë
telat rrethorë të zinxhirit
klithjet më bëhen apostrofa
në heshtjen time të çmendur
Hija vazhdon ecjen horizontale
nën forcën time vertikale
në vend imagjinar
me hijen formon kënd të drejtë
Ju nuke dini këngën hyjnore
të të qëndruarit vertikalisht
ju nuk e dini tundimin
e hijes me lëvizje zvarraniku
Të shtrëngoj me dorën time
për t’i ngrohur shqisat
e rrezeve të bardha të dritës
TË DY ME DROJË
Më shumë se dy herë
mornica djersësh
gufuar më kanë
kur më thoshin të flas
e nuk kisha çka të flasë
kur nuk më linin të flasë
e kisha çka të flasë
Në këtë ecje
qengjit i përngjaja
mbase ecje
të njëjtë kemi bërë
me ujkun krahë për krah
të dy me drojë
mos po më ha
mos po më ik...
ANKESA PROTESTON
Ankoj letrën e vetmuar
në mes rrafshit blerak
-nuk ka kuptim të jetë vetë
Gjykatësi kotet në karrigë
tok me ankesën e letrës së vetmuar
gërhat trishtueshëm
jarget në anën e djathtë
nga i rëndon koka
Ankesa proteston
Ajo e kërkon mikun e gjelbërimit
Kujdesin për ta bërë të bukur
Rrafshin blerak
Me letra të hudhura
Edhe më tej
Gjykatësi vazhdon të kotet
Në karrigën e pluhurosur
ZHURMA HESHT
Fantazia si në ekran m’i shfaq kujtimet
çuditërisht nuk e di si e shoh veten
bëhem kalorës i rragamave
në stinën e pasdimrit
Në vegimet e muzgut
shoh hënën në një trajtë të re
ajo më fton në darkën e zanave
në mëngjes të përflakur
Hëna rri var në vegë verigu
ajo e tërheq ditën pas
për t’ia krehë flokët
Yjet ia heqin morrat pas veshit
në ujëvaren e zanave që shitojnë
Në relievin e padefinuar
hapi e humb rrugën
mbetet në vendnumërim
i nemitur nga mumijat
karrikave të gurëzuara
Në labirinth të përditshmërisë
të mbuluara me një tis të hollë
futem dhe dal
herë vetë
herë me ty
Zhurma hesht
hesht...
FJALA
Llomotitjet e fjalës
nuk i mori era
mbetën në vetminë e zhurmës
për t’ia shëruar veshët
Vullkani i thashethënave
nxori tym
mjegulla e gëlltiti
ra në gjumë heshtja
Kalorësi ndjen lodhje
Kokëdhembja ushqehet me belbëzima
(Mos m’shikoni ç’bëj
dëgjoni çka flas)...
Hidhërimi mori tatëpjetën
rrëzë një guri u çmend
në rrokullisje theu qafën.
E hidhëruar nga llomotitjet
iu paraqitën thinjat
iu morën mendtë
afekti nuk e la ta mbarojë mendimin
bëri vetëvrasje