E merkure, 30.04.2025, 11:26 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Krijuesit shqiptarë në masmedian rumune

E shtune, 31.07.2010, 05:58 PM


KRIJUESIT SHQIPTARË NË MASSMEDIAN RUMUNE

Nga Baki Ymeri

Dikush mendon se nuk ka miqësi të përjetshme, por ka interesa të përjetshme. Duke analizuar admirimin e krijuesve rumunë ndaj vlerave letrare shqiptare, konstatojmë se miqësia mes dy popujve shkon duke u përjetësuar, jo vetëm permes botimit të tyre, por edhe përmes prezantimit në shtypin letrar të Rumanisë. Kështu, pas afimimit të poezisë së Ali Podrimjes, Miradije Ramiqit, Sali Bashotës, Sabile Keçmezi-Bashës, Ibrahim Berishës, Vilhelme Vranarit, Sabit Rrustemit, Merita Bajraktarit McCormack, Nuri Plakut, Nexhat Rexhës etj. në revista prestigjioze si Oglinda Literara, Poezia, Vama literara etj., para do kohe, vetëm në revistë Viata de pretutindeni, që del në Arad, në një vëllim prej 300 faqesh (format A3), në kuadrin e reçensioneve “Rekurs në kremtimet e mënjanuara”, dhe “Drita e brendshme e fjalëve” Mihai Antonescu prezanton vëllimet e Ibrahim Kadriut dhe Fatmir F. Salihut (“S’mbet kohë për kremte”, Bukuresht, 2005 dhe “Drita e fjalëve”, Bukuresht, 2008). I njëjti autor, në të njëjtën revistë boton edhe dy kronika: “Ai që i bie borisë nga briri i qenjes” dhe “Evangjelia e luftëtarëve”, përmes të cilave deshifron vlerat lirike të poetëve tanë (Adnan Mehmeti, Natasha Lako, Halil Matoshi, Ali D. Jasiqi, Agim Gashi, Puntorie Ziba, Begzat Baliu, Alma Papamihali, Arqile Gjata, Fatmir F. Salihu, Angela Dilo, Sokol Demaku, Raimonda Moisiu, Ylli Dilo, Petrika Grosi, Bahtir Latifi), të përfshirë në antologjitë e përbashkëta “Çelsi i shpirtit” dhe “Shpirti i fjalës”.

Elona Zhana në revistën Climate literare
Elona Zhana në revistën Climate literare
Në kuadrin e artikullit “Poezia apo pasqyra magjepse e kohës shqiptare”, revista Oglinda litera (nr. 101/201), Marilena Lica boton një vështrim mbi antologjinë e poezisë shqipe në gjuhën rumune (O antologie a poeziei albaneze), e sajuar nga  Luan dhe Renata Topçiu (Editura Privirea 2007). Revista noua (nr. 5/2010) boton tre poezi të Basri Çapriqit (Puthja në semafor, Porta, Pasqyra), të shoqëruara me një medallion eseistik të Victor Steromit (fq.39). Në numrin më të ri të revistës Impact, Victor Steromi prezanton librin bilingv të Remzi Limanit, Tingujt e humbur (Bukuresht, 2010), ndërsa në faqet revistës Dunarea de Jos (Galaci, nr.101/2010), i njëjti autor qëndis një medallion estetik për Ndue Hilën nga Amerika, duke ia botuar edhe poezitë: Ai çast i pritur, Përkushtim dhe Mos u zgjo. Në faqet e së përjavshmes Natiunea (Kombi, nr.568), Marius Chelaru boton reçensionin “Për vetveten, për atdheun, për nënën, nga larg” kushtuar vlerave lirike të Sadik Krasniqit nga Gjermania, ndërsa në të njëjtën tribunë nacionale (nr. 569), i njëjti autor (M. Chelaru), në kuadrin e kronikës “Aventura e hidhur”, shkruan për librin më të ri të Fehmi Kelmendit “Golgota kosovare” (Bukuresht, 2010). Në këtë kontekst prezantimesh vlerash shqiptare në shtypin letrar të Rumanisë, vlen të përmendet edhe revista Climate literare (nr.32/2010) me një vështrim kritik (Besnikëria e hijeve) të Mihai Antonescut mbi romanin Hijet e kullave të Albina Idrizit si dhe revista Climate literare (Tërgovishte, nr.7/2010) me poezitë e Elona Zhanës nga Belgjika: Vetvetes, Tela lahute, Zanafilla. Përndryshe, në faqet e revistës respective (Climate literare, nr. 31/2010), Marilena Lica e prezanton romanin e Besnik Mustafajt, “Vera pa kthim”, i përkthyer në gjuhën rumune nga Dr. Luan Topçiu, ministër këshilltar i ambasadës së Shqipërisë në Bukuresht.

I. Kadriu dhe F. Salihu ne revisten Viata de pretutindeni
Revista Impact (Tërgovishte, nr.370/2010), përmes vlerësimeve të Victor Steromit, hap shtyllat për librin e Jusuf Zenunajt, Nga shkëmbi rrjedhin lotë (Bukuresht, 2008), ndërsa e përjavshmja Natiunea (Kombi), në numrin 567/2010, Dr. Xhelku Maksuti, historian rumun me origjinë shqiptare, përmes reçensionit “Sinistra Doamna” e prezanton librin e Fahri Balliut “Zonja e Zezë” i cili e pa dritën e botimit në Bukuresht, në përkthim të filoshqiptarit Tiberius Puiu. Përmes artikullit “Etnia shqiptare”, Dr. Xhelku Maksuti është prezent edhe në revistën Pe un picior de plai (Nr. 5/2010). Në faqet e revistës së famshme të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, Luceafarul (26 maj 2010), Iolanda Malamen boton një artikull të gjerë kushtuar piktores shqiptare Rudina Proda dhe suksesit të saj artistik, prezente gjatë majit me një ekspozitë pikturash edhe në Bukuresht, në kuadrin e lokaleve të Qarkut Kulturor Ushtarak, revista respektive duke qenë njëherit e ilustruar me dhjetra piktura në kolor të këtij ylli të jashtëzakonshëm në fushë të arteve vizuele, laureate e Urdhërit të Argjentë që ia ka akorduar presidenti i Shqipërisë, Zoti Bamir Topi. Të thuash se në Revista noua (nr. 6/2010) janë botuar dy faqe me 14 poezi të autorit të këtij shkrimi, don të thotë se e lavdëron vetveten, ndaj po e përmbyllim me kaq, duke i falënderuar ata që dinë të çmojnë kontributet tona në fushë të përforcimit të miqësisë letrare me një vend ku njeriu lind poet, në një vend ku shqiptari që e don Shqipërinë qysh para krijimi të botës, din të zbresë për çdo ditë në xeheroret e arta të gjuhës shqipe.



(Vota: 15 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx