E diele, 28.04.2024, 05:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Admirina Peçi: Arshi Pipa, Një 90-vjetor që trondit studimet letrare shqipe

E enjte, 22.07.2010, 09:54 PM


Arshi Pipa, Një 90-vjetor që trondit studimet letrare shqipe

 

Nga Admirina Peçi


Tri vepra të rralla nga fondi i artë i studimeve të Arshi Pipës, do të botohen për herë të parë për lexuesin shqiptar me rastin e 90-vjetorit të lindjes së studiuesit, poetit dhe shkrimtarit, që shënohet më 28 korrik të këtij viti. Veprat do të vijnë në gjuhën shqipe, përkthyer nga anglishtja përmes botimeve "Princi". Botuesi Miftar Gjana thotë se secila prej këtyre veprave do të trazojë rrethet e studiuesve, por edhe të lexuesve shqiptarë. Pasi Arshi Pipa, prej vitesh është gjykuar e kritikuar pa e njohur dhe pa qenë në kontakt me veprën e tij. 
Vepra e parë, me shumë gjasa do të rikthejë polemikat e ashpra rreth Kongresit të Drejtshkrimit dhe do të ngjallë reagime mes idhtarëve të standardit dhe mbrojtësve e përkrahësve të atij kongresi politik, siç e cilëson Gjana. Vepra e dytë është një dorëshkrim burgu, një traktat filozofik i shkruar në vitet '53-'55, në kohën kur Pipa vuante dënimin në burgun e Burrelit. Ndërsa vepra e tretë është e një rëndësie të veçantë, pasi në një kapitull të saj trajton thelbin e realizmit socialist shqiptar dhe si u vendos ai duke e ndarë edhe në periudha, e duke synuar të gjejë rrënjët shkencore. 
Në këtë intervistë, botuesi Gjana na flet gjerësisht rreth këtyre tri veprave dhe pritshmërive që ai ka sa i takon reagimeve që mund të shkaktojnë në rrethet tona letrare. 
Z.Gjana, e nisim këtë bisedë me veprën që ka të bëjë me Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes. Çfarë sjell kjo vepër? Dimë se ka ngjallur shumë polemika në kohën kur u botua në Amerikë në '90-ën… 
Ky libër titullohet "Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste". Është e vërtetë, ka qenë libri më polemizues nga gjithë rrethet elitare të letërsisë shqipe. Një nga arsyet për të cilat edhe vepra e Pipës përgjithësisht lihet në heshtje në Shqipëri, është pikërisht ky konflikt virtual që ka lindur për shkak të këtij libri, i botuar në Amerikë nga "
Columbia University Press". 
Ky libër ka të bëjë me problemet e gjuhës dhe mënyrën se si është vendosur standardi zyrtar i shqipes në mënyrë të dhunshme nga ana e politikës shqiptare totalitare. Vepra merret me rrënjët nostralogjike të formimit të gjuhëve standarde dhe kombëtare në të gjithë Evropën. Ka një bibliografi shumë të pasur. Aty trajton gjithë problemet para dhe pas vendosjes së standardit të shqipes zyrtare në vitin 1973. Është një libër me tipare jo vetëm shkencore por edhe polemike, me një nerv të theksuar, karakteristik për sensin kritik të Pipës. Libri është 284 faqe dhe është ende në proces botimi. Mendoj se do të rizgjojë edhe një herë polemikat e hershme, por në një formë tjetër, pasi do të kemi përpara tashmë këtë tekst të shkruar. Risia e këtij libri është se do të botohet në dy variante, në gegnishten letrare dhe në standardin e shqipes dhe të dy variantet do të jenë të përfshira në të njëjtin libër, i cili do të jetë voluminoz, afërsisht 600 faqe. Kjo i jep përgjigje gjithë atyre pseudo-linguistëve shqiptarë, të ndikuar sigurisht nga ideologjia totalitare… 

Për cilët gjuhëtarë e bëni këtë përcaktim? 


Janë shumë, por po përmend këtu Xhevat Lloshin, i cili pa e lexuar librin, ka botuar një polemikë të gjatë në mungesë me Pipën asokohe. Fillimisht ka botuar një seri shkrimesh në gazetën "Sot" të Partisë Socialiste në vitin 1996, dhe më vonë e ka botuar si një vepër më vete për kontestimet që ai kishte për këtë libër. 

Ju thoni se "Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste" do të rikthejë polemikat për Kongresin e Drejtshkrimit…? Në ç'linja mund të shtrohen debatet?


Ky libër do të rikthejë edhe një herë debatin për Kongresin e Drejtshkrimit, i cili ka qenë një kongres krejt politik dhe shumë prej nënshkruesve të dokumentit të këtij Kongresi, që kanë qenë me pjesëmarrje edhe nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, të ashtuquajtur personalitete, sot iu vjen turp për nënshkrimin që kanë bërë dikur. Sepse standardi i shqipes është vendosur në kundërshtim me gjithë traditën shqipe, që nga Buzuku deri në kohët moderne dhe ajo i dha një goditje fatale letërsisë së mirëfilltë shqipe dhe fillimeve të saj. Përveç kësaj, jemi në një vorbull polemikash që vetë Kongresi i Drejtshkrimit, kongresi politik i iniciuar nga vetë Enver Hoxha, ka pas lënë ca detyra që pas vitit 1973 të bëheshin konferenca që të përmirësohet norma e drejtshkrimit, qoftë edhe ajo e vendosur, gjë e cila nuk ka ndodhur. Ka raporte nga ai Kongres, shumë interesante, që dëshmojnë se si është vendosur. Edhe standardi nuk është tamam toskërisht letrare sipas parimeve të Konicës, por është një nëndialekt i toskërishtes, pra është marrë gjuha e Përmetit. Edhe vetë qytetarët toskë nuk e flasin shqipen e standardit, flasin nëndialektet e tyre. Kjo ka treguar se nuk ka zënë rrënjë. 
Përveç kësaj, në situatën e re gjeopolitike që ka Shqipëria, vetë përbërja demografike e sotme (80 për qind gegë e 20 për qind toskë) dëshmon se ky standard edhe nga pikëpamja sasiore nuk qëndron. Po ashtu i bëhet një goditje pothuajse asgjësuese pasurisë gjuhësore të gegnishtes, të cilën e përdorin autorët më të mëdhenj shqiptarë, përfshirë edhe Kadarenë, i cili e përdor me shumë virtuozitet gegnishten letrare. 
Por ç'është më e rëndësishmja e që vlen të debatohet në qoftë se vazhdojmë të ecim sipas këtij standardi, kjo mohon katër B-të e mëdha të letërsisë shqipe si: Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi. E përveç kësaj, kemi një autor të shekullit XX, që është shumë i rëndësishëm, Martin Camaj, të cilit po i botohet vepra e plotë më së fundi nga "Onufri". 

Kjo vepër është botuar që në vitin 1990. Që nga ai moment nisën polemikat? 


Po, polemikat nisën fill, veç pa e lexuar librin, pa e pasur në dorë. Fillimisht polemikat e para u zhvilluan mes vetë Pipës dhe mikut të tij Peter Prifti në Amerikë, në revistën "Albanica" që nxirrte "Vatra" e ku Pipa ishte kryeredaktor i saj në fillim të viteve '90. Polemika mes tyre nuk ishte si ajo që u zhvillua në Shqipëri, pasi polemizuesi, në këtë rast e njihte veprën, por megjithëkëtë, formimi gjuhësor që kishte Peter Prifti ishte shumë i mangët për arsye se ai është historian, jo linguist, ndërsa formimi i Pipës është krejt poliedrik me bazë filozofike dhe estetike, duke qenë edhe poet shumë i mirë, por edhe shkrimtar i mirë. 

Pas këtij momenti nisën polemikat edhe në Shqipëri? 


Pipa ka pasur një sulm të pamenduar e të pabazuar nga segmente përgjithësisht ideologjike të majta në Shqipëri, për arsye se Pipën ata e konsiderojnë plotësisht një radikal të djathtë, gjë që s'është e vërtetë. Bindjet politike, qoftë edhe të pashpallura të Arshi Pipës, janë ato të një socialdemokrati europian. Dhe jo vetëm të tijat, por të të gjithë familjes së tij. Madje i vëllai, avokati i njohur, Muzafer Pipa ka qenë një antifashist i betuar. Ky është keqkuptimi që kanë pasur dhe kanë me Arshi Pipën, pa e lexuar veprën e tij… 

Libri i dytë që do të botoni këto ditë, dimë që është një dorëshkrim burgu. Ç'mund të na zbuloni prej kësaj vepre? 


Libri tjetër që po botohet është "Skicë për konceptimin e jetës", i cili do të vijë me nëntitullin "Gjeniu". Është një traktat i mirëfilltë filozofik, i shkruar në Burgun e Burrelit në vitin 1953-1955 në kushtet e mungesës së një biblioteke të mirëfilltë shkencore ose filozofike për ta shfrytëzuar e për ta cituar… Është shkruar me një sens shumë kritik, saqë një nga njerëzit që merret me filozofi në Shqipëri, shefi i katedrës filozofike, Hysamedin Feraj thotë se është hera e parë që në Shqipëri shkruhet filozofi për hir të filozofisë, pasi e gjithë pjesa tjetër janë ose artikuj publicistikë, ose politologjikë, por pa ndonjë ngarkesë filozofike. 

Thatë se i mungonte një bibliotekë shkencore e domosdoshme për të shkruar një vepër të tillë. Pse e shkroi pikërisht në burg? 


Sepse Pipa nuk e dinte se kur mund të dilte nga burgu, edhe pse ndodhi që ai u lirua pak kohë pasi e kishte përfunduar këtë vepër, pra në vitin 1956. Ai ka kaluar dënime thuajse në të gjitha burgjet e Shqipërisë. Ishte arrestuar menjëherë pas luftës në '45-ën, pasi kishte mbajtur një fjalim për Migjenin, një ese e mrekullueshme. Por meqë Pipa nuk përmendi kurrkund revolucionin dhe Partinë e Punës, e konsideruan kundërshtarin e tyre dhe e futën në burg. Nuk kishte asnjë lloj veprimtarie politike kundër sistemit, të shpallur, të paktën. 
"Skicë për konceptimin e jetës" është shkruar në italisht, dhe është përkthyer nga motra e Pipës, Nedrete Kalakulla. Familjarë të tij e kishin ruajtur këtë dorëshkrim, i cili u gjet në vitin 1992, në kohën kur Pipa erdhi në Shqipëri. Fletorja ishte e mbështjellë me një portret të Stalinit me ngjyra. E kishte marrë në një nga revistat e kohës. Shkaku pse e kishte mbështjellë me atë portret ishte thjesht një maskim, që gardianët e burgut të mos e kuptonin ç'fshihte brenda. Dorëshkrimi është ruajtur në gjendje të mirë e është veç të tjerave, edhe një kryevepër arkivore pas kryeveprës tjetër, që është libri i burgut, të cilin e ka shkruar në fletë letrash cigare me laps plumbi. 

Diçka nga vepra e tretë ne ia kemi zbuluar lexuesit thuajse një vit më parë në suplementin e GSH "Milosao". Është një vepër që trajton realizmin socialist në letërsinë shqipe apo jo…? 


Kjo vepër do të botohet brenda shtatorit, me titullin "Historia e letërsisë shqipe". Thelbi i këtij libri të botuar në anglisht në vitin 1991, botimet e Universitetit Columbia, trajton realizmin socialist shqiptar dhe si u vendos ai. Pipa e trajton në mënyrë të gjerë realizmin socialist, duke e ndarë edhe në periudha e duke i gjetur tamam rrënjët shkencore nga nisi kjo periudhë. Ndërsa pjesa tjetër e librit përbëhet nga dy kapituj që janë, "Zbulimi Kadare", me të cilin lexuesit janë njohur nga botimi në "Milosao" dhe kapitulli tjetër mjaft i rëndësishëm nga pikëpamja estetike është "Poetika e Martin Camajt", një studim integral për kryeveprën e Camajt, romanin "Dranja". 

Me ç'vepra të tjera do vijojë botimi i kësaj serie? 


Në planet e shtëpisë botuese është trilogjia "Albanica", një vepër e botuar në anglisht në 1978-ën, në Mynih. Libri është në tri vëllime: i pari është "Vargu popullor shqip, struktura dhe lloji" që është studimi më i plotë i bërë deri më tash për metrikën shqiptare. Vëllimi i dytë është një monografi e plotë shkencore për Jeronim de Radën, punë për të cilën autori është marrë 10 vjet duke gjurmuar nëpër arkivat e De Radës që ndodheshin në Kopenhagen. Risia e kësaj vepre qëndron jo vetëm në trajtimin komporativ që i bën De Radës si një nga poetët më të mëdhenj bashkëkohor të kohës së romantizmit, por edhe në metodën strukturaliste. Mendësia e këtij libri është se De Rada, tekstet kryesore si "Këngët e Milosaos", apo "Këngët e Serafina Topias i ka ripunuar me dhjetëra herë. De Rada është një nga bedenat e letërsisë shqipe dhe sipas meje, e duke cituar edhe Pipën është i vetmi poet romantik që është në përputhje me poetët e të tjerë bashkëkohor europian, sepse "Milosao" është botuar në 1836-ën. Ndërkohë që në historinë e Letërsisë shqipe ne citojmë se romantizmi shqiptar fillon me Naimin në 1892-in, pra De Rada e shënoi këtë prag afro 60 vjet më herët. 
Vëllimi i tretë është "Letërsia shqipe, perspektiva sociale" dhe merret me zhvillimet periodike të të gjithë letërsisë shqipe nga fillimi deri në vitin 1978. Në këtë vëllim, Pipa bën një periodizim krejt ndryshe të letërsisë shqipe në bazë të vlerave dhe jo në bazë kronologjike siç është bërë rëndom këtu. Në këtë vëllim rëndësia më e madhe i kushtohet letërsisë së vjetër shqipe që zë faqet kryesore, shënimet kritike për veprën e Ismail Kadaresë dhe një kapitull i veçantë "Miti i oksidentit në poezinë e Migjenit". 
Edhe ky është një libër me shumë vlerë pasi do të ndryshojë rendin e gjithë studimeve dhe të opinionit që kanë lexuesit për letërsinë shqipe. Mund ta konsiderojmë me të vërtetë si guri i çmuar i kurorës së diamanteve të Arshi Pipës, sepse është një vepër me të cilën ka punuar për gati 15 vjet dhe është kryevepra e tij. Më këtë vepër mbyllet përgjithësisht cikli i veprave kryesore të Arshi Pipës, pasi ai ka edhe vepra të tjera, të cilat do të vazhdojnë botimin në vijim. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora