Kulturë
Poezi nga Vullnet Mato
E hene, 21.06.2010, 06:21 PM
 Vullnet Mato
Vullnet Mato
DORA E MADHËRISHME
U ngjita në ajër 
dhe nga krahët e avionit 
pashë tokën e blertë
që shtrihet nënvete.
Bashkë me pilotin
dhe shqiponjat që fluturonin, 
soditëm tokën tonë 
kryq e tërthor me vërejtje; 
Një pëllëmbë e hapur,
kthyer nga shpina:
Gishti i madh Karaburuni 
dhe pëllëmba - gjithë Shqipëria.
Atdheu ynë 
me damarët e lumenjve,
relievi i tij gjithë gunga të forta -
Një dorë e madhërishme 
nën krahët e shqiponjave, 
me fare pak tule 
dhe shumë kocka. 
Një dorë që i tha “Stop!” 
rrudhjes më tej të kufijve,
për ngjeshjen e kombit 
në territor të ngushtë. 
Një dorë sovrane që zgjatet 
paqësisht drejt fqinjëve.
Një dorë që për pushtuesit 
bëhet grusht... 
ÇUDIA E ZOTËSISË 
Duke u llapashitur 
në botën time të fantazisë, 
me ndjenjë magjepsjeje 
kam kërkuar të dija,
kulmin e kulmeve në ngjitje
të çudisë,
deri ku mund të arrijë 
në jetë zotësia. 
A mund të ngrihet peshku 
nga deti në qiell?
Shqiponja a mund të gjuaj 
peshk në thellësi?
Hëna shtatzënë 
a mund të lindë yje dhe diej?
Djajtë a mund të bëhen engjëj 
në përjetësi? 
Por dëgjova me veshë 
dhe pashë me sytë e ballit
çudinë e jetës sonë, 
të pamenduar asnjëherë.
Teksa miza në karrige 
u bë më e madhe se elefanti 
dhe i dolën krahë 
për të fluturuar në stratosferë. 
Kjo çudi ndodhi në kohë rekord
me ne dy shokë,
që hymë në kapitalizëm 
së bashku pa brekë.
Dhe miku im 
varfanjak në kulm dhe fare trok, 
u bë me vetura, pallate 
dhe vila në bregdet. 
Ai hyri në zyrën madhore 
me detyrë shkresaxhiu
dhe një ditë doli prej andej 
multimilioner. 
Dhe quhet më i ndershëm 
se unë hallexhiu, 
që mbeta deri ne vdekje 
mender pensioner...

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










