Kulturë
Nuhi Veselaj: Shumësi dhe shquarsia e emrave në shqipen standarde (X)
E diele, 20.06.2010, 07:58 PM
SHUMËSI DHE SHQUARSIA
E EMRAVE
NË SHQIPEN STANDARDE
(konstatime, diskutime, propozime)
Nga DR. NUHI VESELAJ
nuhiveselaj@hotmail.com
II. ÇËSHTJE RRETH formës përfaqësuese TË emrIT
(TË PËRGJITHSHËM E TË PËRVEÇËM)
NË SHQIPEN E SOTME
Në dy pjesët e mëparshme mjaft në hollësi bëmë fjalë rreth nyjë-mbaresave të shquarsisë të njëjësit dhe të shumësit të emrave në rasën emërore të të dy gjinive me zhvillim normal: femërore e mashkullore të shqipes, dhe në kreun I të kësaj pjese, në bazë të skemë-tabelave, pamë disa nga veçoritë dalluese e ngjasuese dhe së këtejmi edhe mundësitë e thjeshtëzimit ose të fuzionimit të rasteve të caktuara ndërgjinisore, në kuadër të sistemit emëror, kryesisht të emrave të përgjithshëm, ndërsa këtu në këtë krye, duke e nënkuptuar të papërjashtuar nga interesimi edhe çështjen e shumësit të emrave, do të bëjmë fjalë për dy tema mjaft sfiduese për kohën tonë që gjithsesi parësorisht edhe këto ndërlidhen me struktura të veçanta fjalëformuese e fjalë-ndërtuese në suazat e sistemit emëror të shqipes në kuptim të gjerë:
së pari, kemi të bëjmë rreth konstatimit të trajtës përfaqësuese të trashëguar gramatikisht të emrave të përgjithshëm të të tri gjinive në gjuhën shqipe dhe
së dyti, rreth shquarsisë së emrave të përveçëm gjeografikë e antroponimikë të dy gjinive aktive, të përfshirë kryesisht në DGJSH, qoftë si material i koduar drejtshkrimor, qoftë edhe si raste të përmendura aty për destinime të tjera.
A. Rreth trajtës mbizotëruese përfaqësuese
të emrave në gjuhën shqipe
Pothuajse në të gjitha gjuhët e botës me eptim të zhvilluar, ashtu edhe në shqipe, siç thuhet në Gramatikën e Akademisë “nga sistemi i fjalëformave të një njësie a klase fjalësh caktohet njëra si formë përfaqësuese”, rregull kjo e cila vlen si formë orientuese gramatikisht si për sistemin foljor ashtu edhe për atë emëror. Së këtejmi në gjuhën shqipe për sistemin foljor si trajtë përfaqësuese është caktuar “fjalëforma e vetës së parë njëjës të së tashmes së dëftores”, ndërkaq në sistemin emëror “si e tillë (d.m.th. si trajtë përfaqësuese e emrit n.v.) shërben fjalëforma e rasës emërore të pashquar njëjës”. (Shih: Gramatika e gjuhës shqipe, Tiranë 2002, f. 41.)
Mirëpo, për të dyja këto forma përfaqësuese në praktikën tonë gjuhësore dhe atë teorike shkencore çështja del e diskutueshme në situata të caktuara, sepse ka mendime se në raste studimi etj., trajta e foljes e përcaktuar si formë përfaqësuese duhet përplotësuar a sforcuar edhe me paskajoren me + pjesore të shkurtër, madje kjo në raste (sidomos pjesorja) mund të merret si trajtë parësore e ndonjë trajtë-forme tjetër, ndërkaq kur është fjala te trajta përfaqësuese e emrit nuk paraqitet ndonjë trajtë ndihmëse as rivale si në sistemin foljor, sepse emërorja e njëjësit të emrit përkatës del si formë e mjaftueshme, por meqë emri në shqipe karakterizohet edhe me kategorinë e shquarsisë, çështja del e diskutueshme tek përcaktimi i trajtës së shquarsisë, d.m.th: si trajtë a formë përfaqësuese do të merret: trajta e shquar apo ajo e pashquara e njëjësit, siç është përcaktuar në rregullën në fjalë? Përgjigjja nuk mund të jepet edhe aq thjesht, ngase trajta e shquarsisë ndryshon, jo vetëm sipas gjinisë (femërore, mashkullore, asnjanëse), por edhe sipas numrit (njëjës e shumës) të emrit përkatës. Megjithatë, me sa u tha, në Gramatikën e Akademisë shprehimisht jepet zgjidhja, pothuajse e prerë.Aty thuhet se si formë përfaqësuese merret: njëjësi i rasës emërore, trajta e pashquar. Dhe ç’është e vërteta, në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe 1973, kjo rregull ka gjetur zbatim, d.m.th., trajta e pashquar e njëjësit të emërores të emrit përkatës respektohet për të gjithë emrat e përgjithshëm vendës e të huazuar të të dy gjinive të zhvilluara: mashkullore e femërore, mirëpo kur është fjala tek emrat e gjinisë asnjanëse dhe emrat e përveçëm të të dy gjinive aktive (mashkullore e femërore) edhe në atë burim si dhe në burime të tjera, siç do të shohim, nuk ndeshim një dorë sendërtimi. Së këtejmi kjo çështje në praktikën e gjuhës sonë del mjaft e ndërliqshme dhe me plot paqartësi dhe së këtejmi edhe e diskutueshme.
Sidoqoftë, ne e shohim këtë çështje jo të pazbërthyeshme, ngase . përcaktimin e mësipërm e quajmë të drejtë, por funksionalisht jo të mjaftueshëm. Pikërisht duke pasur si pikënisje rasën emërore dhe trajtën e pashquar njëjës të emrave përkatës ne konsultuam fjalorët tanë normativë, ku secili emër përgjithësisht sa i përket shquarsisë shënohet në të dyja trajtat (përveç singulariatantumëve dhe pluraliatantumëve). Po në këtë kontekst e shohim të arsyeshme të rikujtojmë faktin që e dhamë në hyrje të këtij punimi, kur sipas rregullës, pa përmendur trajtat e shumësit, zgjidhja, mbi bazë të njëjësit të pashquar, qëndron kështu:
a) në njëjësin e shquar emrat femërorë marrin nyjë-mbaresën -a ose -ja (tipi. nënë-a, lule-ja),
b) emrat mashkullorë marrin -i ose -u (tipi mal-i, qark-u, dhe-u), ndërsa
c) asnjanësit marrin nyjë-mbaresë -t , -i/t, -të ose -ët (tipi: krye-t, të mirë-t, të ecur-it, mish-të, të zi-të, të përzier-ët).
Pra nyjë-mbaresa e shquarsisë mbi këtë bazë gramatikisht nuk paraqitet shumë problemore, por kur është fjala të njëjësi i pashquar si trajtë përfaqësuese në praktikën tonë ligjërimore, madje në raste edhe atë shkrimore, dalin çështje që bien ndesh me rregullën e mësipërme rreth formës përfaqësuese, dukuri kjo që del e implikuar nga trashëgimia mbi bazë të përcaktimit gramatikor, por edhe nga aktualiteti i sotëm, siç janë shquarsia e pashquarsia, gjinia (gramatikore e natyrore), numri njëjës e shumës, kuptimi konkret e abstrakt, emri i përgjithshëm / emri i përveçëm (lakimi e moslakimi i tyre), e kështu del edhe ndonjë implikim e komplikim tjetër.
Pikërisht mosrespektimin e rregullave eptimore me rastin e huazimeve e përgjithësisht si problem shumë të madh e thekson me njëfarë doze nervozizmi prof. Gjovalin Shkurtaj me fjalët:
“Një fjalë, po edhe njëqind e njëmijë fjalë të huaja, nuk e prishin dot gjuhën, ato sikundër vërshojnë edhe mund të zbythen, po të tregohet kujdes e po të zbatohet një politikë kulturore e mirë, kurse moszbatimi i rregullave eptimore, mosrespektimi i lakimit të emrave të përveçëm shqiptarë edhe të huazuar, që sjell edhe moslakimin e tyre, përbën goditje të rëndë në strukturën gramatikore të shqipes. Jo më kot kam bërë krahasimin me plasjen e digave... prej tyre (plasave) vjen pazhmangshëm shembje. (Shih Seminari 27/1 f. 313)
Në këtë kontekst, pa preluduar as dëshiruar shembje, por gjithnjë duke e pasur parasysh kërkesën e autorit që duhet kërkuar e gjetur shkakun, ngase siç e thotë ai: ”nuk mund të shërohet një sëmundje nëse injorohet shkaku”, ne, në vazhdim do të përmendim nja gjashtë fakte të diskutueshme rreth trajtës përfaqësuese lidhur me shquarsinë dhe që kanë të bëjnë me kategoritë a veçoritë përkatëse të klasës së emrave. Njëherazi ne në trajtim e sipër do të zbulojmë, nëse mund të thuhet kështu, edhe shkaqe të tjera sfiduese, jo të trajtuara sa duhet e mbase edhe të injoruara ose të pa vena re deri më sot nga studiuesit tanë:
Së pari, meqë emrat e gjinisë asnjanëse kanë pësuar ndryshime, sidomos asnjanësit e paparanyjëzuar, të cilët edhe dalin shumë të pasivizuar, sepse kanë kaluar ose janë duke u shkrirë në dy gjinitë e tjera aktive, ndërsa asnjanësit e paranyjëzuar prejmbiemërorë e prejpjesorë, kanë mbetur aktivë, por dallimi i tyre (i asnjanësve) nga paranyjëzorët e tjerë del më transparent, jo në njëjësin e pashquar, po pikërisht në trajtën e njëjësit të shquar, së këtejmi, kjo trajtë del mbizotëruese si trajtë përfaqësuese për emrat e paranyjëzuar të gjinisë asnjanëse. Pra jo trajta e pashquar po parësorisht trajta e shquar e tyre del mbizotëruese. Këtë po e theksojmë në mënyrë të veçantë, sepse sigurisht rrethanat do të kenë ndikuar që kjo praktikë, pra, jo pa arsye, të bie ndesh me rregullën e sipërcekur rreth trajtës përfaqësuese të emrave në njëjësin e pashquar në gjuhën shqipe. Për këtë dukuri janë dhënë sqarime më të hollësishme në një punim tjetër, prandaj këtu nuk po zgjatemi më shumë. Qëllimi ynë është që këtë përjashtim nga rregulla që sapo e rikujtuam, t’ia bëjmë me dije opinionit të gjerë lexues, si përjashtim i parë kundrejt rregullës në fjalë.
Së dyti, edhe rreth trajtës përfaqësuese të emrave në raport të të dy gjinive të gjalla, aktive gramatikore (femërore mashkullore) trashëgimisht dalin çështje të diskutueshme dhe kjo ndryshueshmëri nuk duket se është dukuri e re. Që në Fjalorin e Frang Bardhit (1635), kur është fjala te trajta përfaqësuese hetohet një dallim i kësaj natyre, pra rreth përfaqësimit të emrit sipas gjinisë.
Kështu, ndërsa tek emrat e gjinisë femërore në Fjalorin e F. Bardhit mbizotëron trajta e njëjësit të shquar si trajtë përfaqësuese, sepse aty ndeshim: zemra, mikesha, shpella, shpata, lufta, gjinkalla, darka, qafa, bolla, bleta, shtylla, nusja, shoqja, familja, shërbëtorja, rosa, fryma, kërraba, shtëpija, trinia, zana, kunora etj, në gjininë mashkullore mbizotëron trajta e njëjësit të pashquar si: çelës, dryn, kapruell, rrëfyes, mik, majmun, qingj, qiell, këlysh, kujtim, shtrat, dre, qiell, shpirt, fund, trim, krimb, top, sjap e kështu me radhë. Sidoqoftë, po ky dallim shquarsie ndërgjinisor rreth trajtës përfaqësuese, siç do të shohim, aktualisht del shumë i theksuar tek emrat e përveçëm.
Ndërkaq, kur është fjala te gjinia asnjanëse prej 200 e sa shembujve që konsultuam në këtë Fjalor që pasqyrojnë gjendjen e leksikut të fillimit të shekullit XVII, nuk mund të shihej prirja se cila nga trajtat mund të konsiderohet si trajtë mbizotëruese a si trajtë përfaqësuese, trajta e pashquar apo ajo e shquara. Mirëpo, siç u tha, ndërkohë nga evoluimi i trajtave të asnjanësit, jo pa arsye, në letrarishten e sotme mbizotëron mendimi se si trajtë përfaqësuese e emrit të gjinisë asnjanëse më mirë është me u marrë trajta e shquar se ajo e pashquara, sepse trajta e shquar del dukshmërish më e imponueshme.
Së treti, tek disa shembuj çështja del pjesërisht e paqartë edhe sot, ngase ka raste që brendapërbrenda vetë shqipes, në të folme të caktuara, disa emra që moti dalin të përvetësuar vetëm në njërën trajtë shquarsie, qoftë vetëm në trajtën e njëjësit të pashquar, ose vetëm në atë të shquar, si shembull po i japin dy emra të gjinisë mashkullore, siç janë fjalët e tipit: kalë kali, bar(ë) bari që diku-diku, në të folme të caktuara, përdoren vetëm a kryesisht në trajtën e pashquar: kalë bar(ë) e diku tjetër vetëm në trajtën e shquar: kali, bari.
Kjo dukuri rreth përdorimit të emrit vetëm në trajtën e pashquar(si në të folmën e Zhurit, të fshatrave të Opojës etj.) është cekur edhe nga studiues të caktuar, por ne këtu do të mjaftohemi vetëm me konstatimin e prof. Mehmet Halimit, i cili na bën me dije për përdorimin tjetër, sepse, sipas tij: “në të gjitha të folmet e Kosovës ndeshim disa emra që u mungon trajta e pashquar, por kemi vetëm trajtën e shquar si shati, bari, kali, guri, deti, helli, firi etj.(Shih: Çështje të normës letrare, IAP, Prishtinë
Sidoqoftë, përkundër ndikimit të letrarishtes së sotme, rastet e tilla, edhe pse nuk mund të thuhet me plot gojë se paraqesin problem ose pengojnë përvetësimin e rregullave të standardit, megjithatë ne i përmendëm si dukuri ekzistuese që i shmangen rregullës rreth trajtës përfaqësuese të emrit përkatës.
Së katërti, edhe ne kur trajtuam Emrat e paranyjëzuar abstraktë të gjinisë femërore me kuptim të fytyruar (pjesa e parë e këtij punimi), si trajtë përfaqësuese parapëlqyem njëjësin e shquar, ngase kjo trajtë del e shfaqur më qartë në krahasim me rastet homonime, kur prejmbiemërorët a prejpjesorët përkatës të paranyjëzuar homonime shprehin nocione jo të fytyruara ose shprehin nocione me elemente konkretësie, p.sh.: , si p.sh: e mirë-a (vajzë), e madhe -ja (motër), kundrejt: e mira (vepra), e madhja (puna), e kështu me radhë.
Së pesti, edhe në shqipen e sotme, ndonëse si trajtë përfaqësuese, siç u tha, merret trajta e pashquar e të dy gjinive aktive femërore e mashkullore, siç dalin edhe shembujt në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe 1973, kur është fjala tek emrat e përveçëm personalë, gjeografikë etj., qoftë vendës, qoftë të huaj ose të huazuar a të përvetësuar në periudha të ndryshme nga e kaluara ose edhe aktualisht, ndryshon paksa respektimi konsekuent i rregullës në fjalë, sepse shembujt e tillë, shikuar sipas formantit fundor a tipit të ndërtimit të emrit, shënohen herë një njëjësin e pashquar, herë në njëjësin e shquar. Kjo e dyta mbizotëron, duke e lënë nën hije ose edhe duke e përjashtuar trajtën tjetër, prandaj për rastet kur kemi të bëjmë me kategorinë e shquarsisë së emrit të përveçëm, tema del e diskutueshme
Po e përmendim faktin se në Fjalorin e astronomisë (1978) emrat dalin të shënuar në trajtën e pashquar, ndërsa në Fjalorin e mitologjisë (1988) emrat dalin të shënuar në trajtën e shquar.
Së gjashti, edhe më të diskutueshme e bën këtë temë lënda e regjistruar në Fjalorin e emrave të njerëzve (1982) dhe në Fjalorin enciklopedik shqiptar, Tiranë 1985, ku ka raste që jo vetëm e emrat e përveçëm, por edhe ata të përgjithshëm në zërat përkatës dalin të regjistruar në trajtën e shquar, andaj nuk është edhe aq e çuditshme, pse kjo çështje në mjetet tona të informimit del mjaft e koklavitur, d.m.th. pa rregull-zgjidhje të rekomanduar gramatikisht.
Sidoqoftë, ne këtë temë, duke e quajtur të diskutueshme në të gjitha rastet sipas gjashtë pikave të mësipërme tek emrat e përgjithshëm, e morëm për sipër ta trajtojmë duke e vënë në pah realitetin edhe tek emrat e përveçëm, duke u nisur nga materiali i regjistruar përkatës në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe (1973) e duke vazhduar edhe në burime të tjera të kohës.
Përmbyllje
Nga sa pamë më sipër çështja e përcaktimit të njëjësit të pashquar të emrit të përgjithshëm kryesisht si trajtë përfaqësuese del e diskutueshme për këto gjashtë arsye:
së pari, sepse te emrat e gjinisë asnjanëse, si trajtë përfaqësuese më tepër parapëlqehet trajta e njëjësit të shquar se ajo e pashuara;
së dyti sepse në Fjalorin e F. Bardhit vetëm emrat e gjinisë mashkullore dalin kryesisht në trajtën e pashquar, ndërsa ata të gjinisë femërore në trajtën e shquar;
së treti, ka raste që në ligjërimet e caktuara të gjuhës sonë, diku përdoret vetëm trajta a pashquar e emrit përkatës e diku tjetër vetëm trajta e shquar e të njëtit emër e më gjerë;
së katërti , tek emrat e e përgjithshëm e të përveçëm të njerëzve në të dyja gjinitë ka tipa shembujsh që trajtat e pashquar nuk respektohet si trajtë përfaqësuese ose mbizotëruese;
së pesti, për arsye praktike, tipi i emrave të paranyjëzuar abstraktë, zakonisht me kuptim të fytyruar, për dallim nga trajtat e tjera homonimike mbi të njëjtën bazë, dalin të shënuar në trajtën e shquar, e cila konsiderohet si trajtë përfaqësuese mbizotëruese;
së gjashti, kjo dukuri vërehet sidomos tek mjaft emra të përveçëm, në veçanti tek ata që emërtojnë njerëz, por edhe emra të përgjithshëm të të dy gjinive natyrore e gramatikor, siç janë shembujt e regjistruar në Fjalorin e emrave të njerëzve (1982) dhe në Fjalorin enciklopedik shqiptar (1985) si dhe siç i hasim aktualisht në burime të tjera të kohës.
Sigurisht për ta zbërthyer çështjen sa më mirë ne fillimisht do të mbështetemi në lëndën e tillë të regjistruar në Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe (1973)..
B. Rreth shquarsisë së emrave të përveçëm
në gjuhën shqipe SIPAS DGJSH (1973)
Për të pasur ide më të qartë rreth emrave të përveçëm në gjuhën shqipe, siç e thamë, do të shërbehemi me shembujt konkretë të vjelë kryesisht nga burimet relevante të letrarishtes së sotme: Drejtshkrimit të gjuhës shqipe(1973) etj.
Kështu në kreun III të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1973) me titull Disa tipa fjalësh me prejardhje të huaj dhe emra të përveçëm të huaj, janë trajtuar (shënuar) “fjalë me prejardhje të huaj që kanë hyrë në gjuhën tonë kryesisht pas Shpalljes së Pavarësisë në përgjithësi nëpërmjet gjuhës së shkencës dhe që i takojnë, sidomos terminologjisë tekniko-shkencore”, shembuj këta që mund të konsiderohen në njëfarë mënyre si trajta përfaqësuese nga pikëpamja e drejtshkrimit, mirëpo pikërisht kategoria e shquarsisë, sipas rregullës së sipërcituar nuk del e respektuar tek emrat e përveçëm, siç u cek më sipër, në të gjitha rasat as në gjininë femërore as në atë mashkullore.
Në të vërtetë, sa i përket shquarsisë vërejmë se shembujt dalin të shënuar në katër variante:
A) kur emri del i shënuar në të dyja trajtat: të pashquar dhe në atë të shquar,
B) kur emri i përveçëm del i shënuar vetëm në trajtën e pashquar, duke e lënë nën hije trajtën e shquar, e cila del e nënkuptueshme,
C) kur emri i përveçëm del i shënuar vetëm në trajtën e shquar, duke e lënë nën hije trajtën tjetër, e cila del e nënkuptueshme dhe
Ç) kur emri i tillë del në trajtën, si me thënë, pa shquarsi, d.m.th. pa e lënë të nënkuptueshme shquarsinë përkatëse të emrit të caktuar.
A) Shembuj të shënuar në të dyja trajtat e shquarsisë:
1) Gjinia femërore
Janë shënuar në të dyja trajtat e shquarsisë vetëm këta shembuj në gjininë femërore, të cilët varësisht nga fundorja dhe nyjë-mbaresa e shquarsisë i ndamë në tri grupe që mund të konsiderohen si shembuj përfaqësues:
a) Mikenë-a;
b) Eube-ja;
c) Apoloni-a, Asiri-a, Australi-a, Babiloni-a, Frigji-a, Gjermani-a, Libi-a, Maqedoni-a, Mauritani-a, Polinezi-a, Siri-a, Skiti-a.
Në krahasim me emrat e përgjithshëm të vihet re përkimi me tre tiparet, si a) Mikenë-a /nënë-a, b) Eube-ja/be -ja dhe c) Apaloni-a/ shtëpi-a, e kështu me radhë.
2) Gjinia mashkullore:
Në gjininë mashkullore me tregues shquarsie ndeshen vetëm këta shembuj, të cilën varësisht nga nyjë-mbaresa e shquarsisë i ndamë në dy grupe përfaqësuese:
a) Algjer-i, Apolon-i, August-i, Centaur-i, Euklid-i, Helespont-i, Kaukaz-i, Lukian-i, Olimp-i, Pleurat-i, Polib-i;
b) Glauk-u.
Edhe këtu le të vihet re përkimi me dy tipat e emrave të përgjithshëm të kësaj gjinie: Algjer-i/ kapter-i. Glauk-u/bark-u, e kështu me radhë.
B) Shembuj vetëm në trajtën e pashquar:
1) Gjinia femërore
Varësisht nga fundorja shembujt vetëm në trajtën e pashquar i ndamë në 5 grupe:
a) Bordo, Kajro, Oslo, Santjago, Tokio;
b) Athinë, Belgjikë, Bolonjë, Evropë, Gjenevë, Gjenovë, Hagë, Havanë, Holandë, Kopenhagë, Lozanë, Luarë, Marsejë, Moskë, Pragë, Senë, Tajlandë, Varshavë, Versajë, Vjenë,
c) Zvicër;
ç) Hungari, Suedi;
d) Niobe.
2) Gjinia mashkullore:
Varësisht nga fundorja dhe ndërtimi shembujt e shënuar vetëm në trajtën e pashquar i ndamë në këto katër grupe përfaqësuese:
a) Adonis, Alqiviadh, Augjias, Azerbajxhan, Bajkal, Bajron, Bejrut Bethoven, Blagojev, Bruksel, Gogol, Bon, Bop, Brams, Budapest, Bukuresht, Cejlon, Çehov, Drezden, Dhimosten, Eugjuen, Fedejev, Harkov, Hajnan, Hartum, Honaver, Honduras, Isis, Jemen, Jeronim, Jerusalem, Jon, Jordan, Kaukaz, Kazan, Kerson, Këln, Kios, Kleanth, Korfuz, Kujbishev, Leningrad, Lermontov Lomonosov, Lodz, Lublin, Luihtenshtajn, Liverpul, Lu Sin, Llojd, Majer, Mançester, Melburn, Mickijeviç, Milan, Milorad, Milosh, Mladenov, Moxart, Oblomov, Orel, Paris, Pavlov, Rasin, Rojter, Ruslan, Sajgon, Stamboll, Stokholm, Suez, Svrdlov, Shekspir, Shiler, Shopen, Tajvan, Tomas, Man, Tuniz, Thanas, Theodor, Theohar, Ural, Vagner, Vladimir, Volter, Vroclav,
b) Baku, Dedali, Dvorzhak, Metodi,Teti, Themistokli, Myse
c) Dhimitër,
ç) Arhangelsk, Bjalistok, Habarovsk, Hamburg, Kozhbuk, Lapcig, Lugansk, Nju -Jork, Rejkjavik, Selanik, Vladivostok, Vytemberg,
C) Shembuj vetëm në trajtën e shquar
1) Gjinia femërore:
Varësisht nga tema e njëjësit të pashquar dhe nyjë-mbaresës së shquarsisë shembuj në trajtën e shquar i ndamë në këto katër grupe përfaqësuese:
a) Afërdita, Amazona, Andorra, Atena, Atlantida, Atila, Audata, Aurora, Azia, Barcelona, Diana, Dodona, Edesa, Egjina, Elizabeta, Epaminonda, Etiopia, Galatea, Glinka, Fedra, Hekuba, Helena, Hera, Hermiona, Hidra, Himalaja, Iliada, Itaka, Jalta, Jokasta, Jokohama, Jugurta, Kalkuta, Kaluga, Kartagjena, Kazablanka, Kimera, Kolkida, Kresi, Kriseida, Ladoga, Leonida, Lozana, Mesina, Nausika, Neva, Niagara, Piza, Raguza, Ludmila, Odesa, Onega, Otava, Penelopa, Scila, Sirakuza, Teba, Teuta, Troja, Tula, Xhamajka, Venezuela, Violeta etj.;
b) Abisinia, Algjeria, Asiria, Etiopia, Gjeorgjia Hipia, Ifigjenia Jakutia,, Lisia, Malajzia, Mesopotamia, Pelagonia, Polinezia, Sicilia, Skitia, Tesalia, Tesprotia, Trakia, Tunizia ,Valencia,
c) Demetra;
ç) Medeja.
2) Gjinia mashkullore
Varësisht nga nyjë-mbaresa e shquarsisë shembujt vetëm në trajtën e shquar i ndamë në pesë grupe përfaqësuese, si vijon:
a) Isaia;
b) Akili, Aligieri, Arkimedi, Belizari, Berliozi, Bizanti, Bohemi, Brazili, Centauri, Cerberi, Cezari, Ciklopi, Cincinati, Danieli Demokriti, Demosteni, Diadori, Diogjeni, Diokleciani, Diomedi, Dionizi, Egjipti, Elizi, Eskili, Europidi, Ezopi, Halikarnasi, Hamilkari, Hanibali, Hasdrubali, Hedriodoti, Hefesti, Hektori, Heliodori, Helsinki, Herodoti, Herkuli, Hermogjeni, Herodi, Hesiodi, Hiperionio, Hipokrati, Hipoliti, Homeri, Honori, Horaci, Izokrati, Jupiteri, Karduçi, Karonti, Korinti, Krisi, Krisipi, Krisobuli, Kronosi, Lukreci, Manxoni, Marciali, Miltiadi, Molieri, Mitridati, Oktaviani, Pelidi, Peloponezi, Pestaloci, Pindari, Pisistrati, Platoni, Plutoni, Posejdoni, Robenspjeri, Salusti, Simonidi, Teodosi, Teokriti Trasibuli, Trasimeni, Zakinti;
c) Aristarku, Arkiloku, Atlantiku, Hesiku, Herakliu, Hiparku, Lisimaku, Plutarku, Telemaku, Teodoriku
ç) Moisiu, Odiseu, Prometeu, Tezeu;
d) Mecena.
Ç) Shembuj pa shquarsi
Shembujt e këtij grupi i volëm nga dy burime; DGjSh (1973) dhe nga Fjalori drejtshkrimor (1976).
a) Nga Drejtshkrimi i gjuhës shqipe (1973)
Të diskutueshëm mund të jenë edhe disa shembuj që u regjistruan më sipër, por ne do të përfshijmë më poshtë disa trajta emrash që edhe në shqipen e sotme dalin të përdorur vetëm në një trajtë siç janë patronimët më -i/j -aj/-ai dhe -ej/ei. ose me togzanor ose me zanore të theksuar, si p.sh:
Xherzhinski, Gorki, Majakovski, Çajkovski,
të rusishtes, të cilët këtu dalin me fundoren -I, edhe pse në origjinal -i-ja fundore u del e sforcua me -j prapangjitëse, pastaj:
Havai, Bombei, Bruduei, Fradei, Hanoi, Hanxhoi, Jenisei, Koçubej, Kolontai, Kushevoi, Mamai, Paragauai, Shangai, Sidnei. Sedoi, Sergei, Tolstoi, Uruguai etj.
Këtij grupi në shqipe i përngjajnë toponimet ose patronimet e gjuhës sonë Ferizaj, Skënderaj; Demiraj, Çabej, Musaraj etj. të cilët, sipas treguesit fundor që kanë, gjithashtu përdoren vetëm në trajtën e shquar pa nënkuptuar shquarsinë.zero d.m.th. pa tregues së trajtës së pashquar.
b) Nga Fjalori drejtshkrimor (1976)
Këtu po i paraqitim edhe shembuj pashquarsi që i ndeshim në shtojcën e Fjalorit drejtshkrimor (1976) nën titullin Emra gjeografikë të shënuar si emra të huazuar vetëm në njërën trajtë, që konsiderohet, si të thuash, si trajtë pa shquarsi.
1) Gjinia femërore:
Adelajde, Amantia, Amu-Darja, Bogota, Brazilia, Breshia, Doha, Filadelfia, Gdinia, Kamboxhia, Kenia, Kolumbia, Lhasa, Lyda, Malaga, Managua, Monrovia, Nikaragua, Nikozia, Papua, Pula, Sir-Darja, Suva, Viktoria, Virgjinia, - gjithsej 25 shembuj.
2) Gjinia mashkullore:
Altai, Cinhai, Anhuei, Bari, Bengazi, Bikini, Brindizi, Burundi, Dahau, Delfi, Delhi, Fixhi, For-Lami, Frankfurk-mbi-Majn, Frankfurk-mbi-Oder, Fuxhou, Gobi, Gorki, Gujxhou, Haiti, Hanoi, Hanxhou, Helsinki, Hëbei, Jashi, Jenisei, Kaljari, Kapri, Kigali, Kili, Londonderri, Mijami, Malavi, Maseru, Misisipi, Misolongji, Misuri, Nagasaki, Najrobi, Nansi, Napoli, Niamei Nju-Delhi, Pompei, Rostov-mbi-Don, Sibiu, Sidnei, Soçi, Shangai, Shikoku, Tahiti, Tajpei, Taxhai, Tripoli, Ugadudgu, Xhibuti, Zambezi dhe Meksiko !- gjithsej 58 shembuj.
Siç po shihet caktimi i gjinisë gramatikore i emrave gjeografikë është bërë prej nesh, duke e respektuar fundoren përkatëse. Kështu të gjithë emrat me fundoren -A janë shënuar si emra të gjinisë femërore, ndërsa në anën tjetër, të gjithë emrat që mbarojnë me fundoren -i ose -u ose ata që mbarojnë me bashkëtingëllore dalin të regjistruar si emra të gjinisë mashkullore. Nuk dimë arsyen pse edhe Meksiko që ne e shënuam në fund me pikë çuditëse është përfshirë në grupin e emrave mashkullorë?
Sigurisht veprimi ynë për raste të caktuara mbase nuk është i drejtë, edhe pse vepruam sipas rregullës, ngase në gjuhën tonë, siç do të shohim më poshtë, sa u përket fundoreve dalin mjaft përjashtime. Sidoqoftë, veprimin tonë parimisht nuk e quajmë pa vend, ngase kemi për mbështetje rregullën e sipërpërmendur.
Në të vërtetë, ne nuk dimë arsyen pse në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe u përzien emrat gjeografikë me emrat vetjakë, edhe pse dihet se këta dy tipa kanë dallime shumë të mëdha nga njëri tjetri, jo aq nga pikëpamja formale sa kanë mospërputhje në sferën kuptimore.
Siç dihet, përveç veçorisë themelore që i dallon antroponimet nga toponimet, siç e thekson prof. A. Kostallari; “të parët janë më pak të qëndrueshëm se të dytët (Shih: A. Kostallari, Çështje të normës letrare, Prishtinë
Prandaj për këto arsye dhe të tjera propozojmë që në të ardhmen në burimet tona normative, kjo lëndë, d.m.th. emrat e përveçëm gjeografikë, gjithsesi duhet të ndahen nga emrat e përveçëm të njerëzve.
Pra, varësisht nga nënfusha semantike që mbulojnë emrat e tillë, po përsërisim, patjetër duhet të ndahen, të shënohen veçmas emrat gjeografikë e veçmas emrat e përveçëm të njerëzve.
Sidoqoftë, ne në kreun vijues do t’i trajtojmë vetëm emrat e identifikueshëm vetjakë, të cilëve do t’u kushtojmë vemendje të veçantë.