E marte, 06.05.2025, 03:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Vdekja klinike

E diele, 20.06.2010, 07:58 PM


KALOSH ÇELIKU

 

VDEKJA KLINIKE

 

K. Tutësi me makinën e tij shkatrraçe, që mezi lëvizte rrugës duke i përdredhur bythët, më solli deri në shtëpi. Hymë Brenda në Sallonin e librave. Gruaja ishte në punë. Fëmijët  pasi më përqafuan, më i madhi Dreni na bëri edhe nga një kafe. Dikur, K. Tutësi vazhdoi rrugën për në vendlindje. Unë u shtriva në shtrat si një trup i premë për një sy gjumë, pak nga sëmundja, pak nga lodhja. Posa i mbylla sytë, ra zilja. E hapa derën, ishte Artisti.

-         Mirëmbrëma, më përshëndeti ai dhe mbeti i pagojë si cung  para dere…

-         Mirëmbrëma. Urdhëroni, hyni Brenda!.

-         Jo, nuk kam kohë. Ja, ku e ke kryeveprën time me poezi për një mendim poeti.

E mora dorëshkrimin dhe pasi e hudha mbi tavolinën e punës,  u shtriva përsëri në shtrat. Mendimet m’u sulën në kokë. U rrokën fytas. I përzinë kësulat. Dhe, aty për aty, në këtë betejë gjelash, mu kujtua pse Artisti mbeti ashtu i befasuar kur më pa në derë. E kishin lajmëruar nga Korça për t’ia përcjellë lajmin e vdekjes sime Gruas dhe familjes, që t’i gjejë në shtëpi. Edhe njëherë u përpoqa t’i  mbyllë sytë, ta thirrë gjumin… Ëndërrat…

Plotë pas dy orëve, i hapa sytë. Tmerr, mbi kokë e pash Gruan time me dy koka…

-         He, si kalove në Korçë?!

-         Mos pyet. Katastrofë… Dy ditë e dy netë i kam kaluar në spital… Kam pasur vdekje klinike… Kjo është jeta ime e dytë…

-         Çohu të shkojmë në spital! Patjetër, duhet bërë një kontroll… Nuk luhet “bishkë” me shëndetin… Jetën…

-         Po, unë nuk kam as librezë shëndetsie… E të mos flasim për lekë, nuk e kam asnjë metelik në xhep…

-         Është në pyetje shëndeti, më tha ajo e jo lekët … Çohu!… Bëhu gati! Patjetër, duhet të bëjmë një kontrollim mjeksor…

U ngrita. E shkunda veten nga ëndërrat… Ethet… Pafuqia…Kush më kishte faj mua, që qysh para dhjetë vjetëve çdo gjë kisha ndërprerë me Shtetin. Përditë e më shumë                                                                         vetëm i jepja e nuk i merrja asgjë. Në një roman edhe kisha thënë se: unë nuk jam                                                                         kundër Shtetit, po Shteti është kundër meje… Dhe, shi mu tani erdhi koha ta kuptoj plotësisht deri në palcë, se sa i pamëshirshëm për mua kishte qenë Shteti “demokratik”...

Mjeku posa hymë brenda, na priti në këmbë. Herë pas here tinës na i shikonte duart… Xhepat…Gruaja ia rrëfeu ngjarjen. Ai propozoi që në fillim të fillojmë me zemrën, mos kam pasur ndonjë infarkt e më vonë edhe me analizat e tjera të gjakut. U shtriva.

-         Jo, u përgjigjë, Mjeku. Puna me zemrën është krejt në rregull. Nesër është mirë t’i bëjmë analizat e kokës… Bija ime udhëheq me atë repart të spitalit…

U vesha dhe dolëm në rrugë. Gjatë gjithë kohës mu kujtuan vitet e arratisjes si mësues në malësi. Katundin, ku plot pesëmbëdhjetë vjet i kisha kaluar mbi libra. Natë e ditë e kisha kaluar jetën e kaçakut. E shumë vjet më vonë, në një bisedë informative në polici do të mësojsa: unë isha i dërguar nga Kosova që të veproj në këto  anë. Çudi! E pabesueshme?! Unë isha ai që çeshtjen shqiptare doja ta zgjidh me luftë… Përmëtepër, unë edhe kisha qenë ai kryesori???!!!… Udhëheqësi i nacionalistëve shqiptarë… E çkamos… Nacionalist… Irredentist… Terrorist…

O Imzot, i thash Inspektorit që më mori në pyetje. Nuk e paskam ditur se jam kaq i rrezikshëm. I madh... Qeshi. Ti, më tha: në “MENADA” ke pi kafe edhe me një të dyshimtë, që keto ditë na ka ikur nga burgu, me këmbë të thyer matanë kufirit. Ai ka qenë  i Lëvizjes. E marr me mend, i thash. Po, unë nuk mund t’i them askujt, që të mos ulet me mua në një tavolinë nëpër vende publike. Pastaj, pasi ai paska qenë aq shumë i rrezikshëm, pse nuk më keni treguar, të ma bënit me dije...

Inspektori e ndërroi temën e bisedës. Ne i kemi përkthyer të gjitha librat e tu rresht për rresht... Thik? me dy teha… Edhe këtë e di. Po, a bën që më të mos më thirrni në kësi bisedash informative? Jo, nuk bën, ma priti Inspektori. Qeni, aty ku han edhe leh. Edhe, me këtë do të thuash se, unë nuk ha këtu dhe nuk lehi… Jo, po i ke dhjetë nënshkrime në një deklaratë kundër teje si i rrezikshëm… Armik i Shtetit…Ti ke mbajtur takime të fshehta në Bullgari… Ti me dhjetra mijëra marka i ke dërguar Partisë Socialiste në Shqipëri… E, ti a e di se unë nuk kam as pasaportë? Jo, nuk e di, qeshi Inspektori. E atëherë, si mund të shkoj në Bullgari pa pasaportë?!… Mirë, t’i lëmë keto, po a do të më japësh një libër? Gjithësesi, vetëm kuptohet në gjuhën shqipe. Në gjuhën zyrtare e ke të përkthyer, nuk ke nevojë… Je i lirë, mund të shkosh, më tha Inspektori. Vetëm, për këtë askujt mos i tregosh asnjë fjalë. Jo: iu përgjigja, vetëmse nëpër libra…



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx