E premte, 29.03.2024, 03:07 PM (GMT)

Mendime

Dom Jeton Thaqi: Përballë njerëzve pa memorie – Pa respekt dhe pa mirënjohje

E merkure, 21.04.2010, 08:59 PM


Si duhet të reagojë Kisha

 

PËRBALLË NJERËZVE PA MEMORIE – PA RESPEKT DHE PA MIRËNJOHJE

 

Shkruan: Dom Jeton THAQI

 

Papa ishte ai që e ftoi opinionin ndërkombëtar të intervenojë në Kosovë në vitin 1999. Nën ombrellën e Papës mijëra e mijëra organizata me emrin Caritas – Dashuri dhe Bamirësi, u erdhën në ndihmë shumë shqiptarëve në mënyra dhe forma të ndryshme e ato vazhdojnë kështu edhe tani.

 

Përshtypja apo kredibiliteti që kanë krijuar jo pak gazetarë dhe disa nga mediet tek opinioni ynë, fatkeqësisht ka qenë gjithnjë në shkallë të ultë. Megjithëse në Kosovë ka mjaft shembuj të gazetarisë së mirëfilltë e modele të një kulture të konsoliduar e të mirëfilltë shkrimi, megjithatë, kjo nuk ka mundur ta ndryshojë gjendjen. Dhe kjo shihet qartazi edhe nga shitja dhe leximi i ultë i tyre. Mjerisht, jo pak nga gazetat e humbin pavarësinë e tyre, duke u financuar nga disa qarqe të caktuara, qofshin në pushtet apo qofshin ato biznese të pista. Kështu që ato shërbejnë për të mbuluar dhe për të përkrahur pushtetin e territ dhe për të sulmuar dhe kryqëzuar të pafajshmit. Kjo e vërtetë e dhimshme vjen edhe nga vetë komentet e qytetarëve të thjeshtë, që më parë nuk më bindnin duke thënë: “Çka me i ndëgjue apo lexue këto gënjeshtra”. Kurrë këto komente nuk më kanë pëlqyer dhe kam menduar se janë vetëm justifikim i qytetarëve, të cilët nuk janë të prirë në lexim. Kohëve të fundit, duke i lexuar shpesh këto gënjeshtra, jam i tunduar që vërtet të pranoj këtë mendim të qytetarëve, të cilët me thjeshtësinë e tyre dinë të zbulojnë argumente dhe të vërteta nga jeta jonë shoqërore. Këtu, siç u shpreha edhe më lart, nuk dëshiroj të bëj përgjithësime, sepse kemi shumë gazetarë që veprojnë sipas një etike profesionale dhe janë shumë të ndërgjegjshëm ndaj shkrimeve të tyre dhe ndaj lexuesve e sidomos ndaj thirrjes gazetareske, pra ndaj detyrave dhe të drejtave të tyre. Nuk pretendoj këtu t’i fus në të njëjtin “thes” të gjithë!

 

Sulmi i disa medieve ndaj institucioneve fetare si mall për treg

 

Kohëve të fundit, por sidomos në kohën e pasluftës, në Kosovë dhe në vendet e rajonit tema e fesë dhe e religjionit në përgjithësi, është bërë temë interesante dhe që tërheq vëmendjen e publikut. Dhe jo rrallë gazetarët po e shfrytëzojnë këtë rast që të vejnë në treg atë mall që shitet më së shumti. Por prapa kësaj ideje, që argumentet fetare po zgjojnë interes, po fshihet edhe një synim shumë djallëzor: që të sulmohen institucionet fetare në Kosovë e më gjerë, të cilat gëzojnë një autoritet dhe imazh të mirë në popull. Gazetarëve nuk po u intereson se cilën bashkësi po e sulmojnë apo po e godasin, me rendësi është që institucioni fetar ta humbasë fuqinë e vet dhe të zbehet pashia e tyre. Kështu që ky soj i gazetarëve e medieve na shfaqen aq të pamëshirshëm dhe të pafajshëm, vetëm e vetëm për të bërë lajm, pa menduar në pasojat, dhe duke harruar krejtësisht të mirën e klerit dhe të prijësve fetarë në të kaluarën dhe në bashkëkohësi; u hidhen akuza klerikëve, shtyllave të kombit, madje atyre institucioneve me traditë 2000-vjeçare. A thua, në memorien tuaj, o vëllezër gazetarë, të krishterë e myslimanë, u zhduk dhe u avullua kontributi historik i kishës dhe i bashkësive të tjera fetare në ruajtjen e kombit, kulturës, traditës dhe të vetë atdheut? A ke harruar se kush e shkroi fjalën më të bekuar në gjuhën shqipe? A mos dëshiron për të ta kujtuar mendjendriturin Ipeshkvin e Durrësit Pal Engjëllin? A mos e ke harruar rastësisht autorin e librit të parë në gjuhën shqipe, Gjon Buzukun, me librin e quajtur “Meshari” dhe nuk di se për çka dhe ku përdoret meshari dhe çka të kujton meshari. Po ta kujtoj unë, sepse të ka humbur memoria dhe kjo është mesha e shenjtë që thuhet në shumë kisha në gjuhën shumë të ëmbël shqipe, ku në shqip flitet për dashurinë, për faljen dhe për bashkëjetesën. A mos ke harruar për Pjetër Budin, Bogdanin, Matrengën, Mjedën, Fishtën... Dhe shumë rilindës të tjerë mendjendritur, si Naimi e Kristoforidhi, Negovanui apo Petrio Nini Luarasi dhe që e deshën deri në fund atdheun, duke e dhënë edhe jetën e tyre për të mirën e shqiptarisë. A i ke harruar, o vëlla gazetar, klerikët që qëndruan heroikisht ndaj regjimit të Enver Hoxhës dhe ishin ata që nuk u pajtuan me terrin e kësaj ideologjie. A i ke harruar fratin e madh shqiptar Gjeçovin, Atë Luigj Palajn, apo meshtarët tjerë që u vranë tmerrësisht nga Serbia dhe regjimi totalitarist? Nuk dëshiroj të të kujtoj më shumë, por t’i kujtoj dy figura tjera që bënë shumë për kombin, dy ipeshkvijtë e fundit shqiptarë: Imzot Nikë Prela dhe Imzot Mark Sopi. Po Kisha, priftërinjtë që qëndruan gjatë luftës pranë popullit të tyre dhe që aty gjetën strehë me mijëra njerëz pa bërë dallime fetare.

 

Pena e Papa Benediktit XVI për kryetarin Sejdiu, për ta nënshkruar Pavarësinë e Kosovës/

 

Komenti i bërë pa kurrfarë përgjegjësie nga z. Behxhet Sh. Shala, i cili me një papjekuri, përfol figurat më të mëdha të Kishës dhe njëherësh figurat me renome botërore, siç është Papa Gjon Pali II dhe Papa Benedikti XVI. Këtë e bën duke e komentuar fjalimin e Kardinalit Walter Kasper. Kam dëgjuar se Papa Gjon Pali II, një herë në një intervistë kishte deklaruar se pas popullit polak, pra popullit te vet, ai kishte në zemër popullin shqiptar. Dhe për këtë edhe nuk hezitoi të bëjë vizitën më 25 prill 1993 në Shqipëri. E ke harruar shumë, z. Shala, se Papa ishte ai që e ftoi opinionin ndërkombëtar të intervenojë në Kosovë në vitin 1999. Nën ombrellën e Papës mijëra e mijëra organizata me emrin Caritas – Dashuri dhe Bamirësi, u erdhën në ndihmë shumë shqiptarëve në mënyra dhe forma të ndryshme e ato vazhdojnë kështu edhe tani. A ke harruar që Papa Benedikti XVI, disa ditë para se të shpallej pavarësia, e pranoi Kryetarin e Republikës së Kosovës Dr. Fatmir Sejdiun dhe ia dorëzoi një penë që ishte pena për ta nënshkruar Pavarësinë e Kosovës. Nuk po të flas për raportet e më të ndritshmit Kryetarit të parë dhe ideatorit të shtetit tonë, të ndierit Ibrahim Rugova me shtetin e Vatikanit dhe me shtetet e perëndimit. Ndërsa më erdhi mirë që zyrtarja e ministrisë së punëve të jashtme zonja Vlora Çitaku, ka një qëndrim më të pjekur dhe di të vlerësojë qëndrimin e Vatikanit për Kosovën dhe mos të bjerë nën grackat e gazetarëve dhe të bëhet pre e tyre. Më vjen keq për disa gazetarë injorantë dhe me shumë pak dije që akoma nuk e njohin as terminologjinë e thjeshtë kishtare dhe nuk dinë për ta dalluar apo bëjnë konfuzion ndërmjet kardinalit dhe kancelarit.

 

Veprime instrumentalizuese kundër Kishës katolike

 

Kohëve të fundit Kisha Katolike Universale është duke i përjetuar rëndë edhe akuzat që i bëhen asaj për disa klerikë dhe për abuzime seksuale ndaj të miturve. Kisha ka shumë dhimbje ndaj viktimave. Ka kërkuar disa herë falje për të gjitha dobësitë e disa bijve të saj të padenjë. Ka reaguar duke i ndëshkuar ata dhe duke i larguar prej detyrave, ndoshta nga njëherë është vonuar...por a mos më duket që tani me këto akuza e kanë tepruar mas –mediet duke e shfrytëzuar rastin për të shitur mallin e tyre në llogari të Kishës? Këto ditë në një intervistë bërë ipeshkvit të Bolzano-Bressanone mons. Karl Golser, atij iu drejtua kjo pyetje: si janë duke reaguar besimtarët e ipeshkvisë suaj ndaj këtyre akuzave? Përgjigja është kjo: me dhimbje dhe pranë kishës, e cila po përgjigjet me zero tolerancë ndaj personave të padenjë në kishë dhe për transparencën e madhe dhe gatishmërinë që po tregon për të bashkëpunuar me institucionet gjegjëse. Ndërsa në pyetjen e gazetarit, i cili thotë që përballë kësaj kampanje gazetareske dikush ka folur edhe për një “Komplot” ndaj kishës katolike e ju monsinjor çka mendoni? Iu përgjigj: për sa i përket kësaj, mendoj më shumë në interesin ekonomik që kanë. Për sa i përket rasteve të pedofilisë, të vërteta apo jo, ato kanë qëllim që të gjobisin ipeshkvijtë për çdo rast me nga mijëra e mijëra euro. Sulmet që po i bëhen vazhdimisht edhe Papës Benediktit XVI në këto ditë të fundit, janë vetëm një mënyrë për të shitur gazetat e tyre, ka pohuar drejtori i Osservatore Romano Giovanni Maria Vian, duke folur para disa ditëve me gazetarët e sallës se shtypit të jashtëm në Romë. Prej shumë arsyeve që i shtynë gazetarët të jenë sulmues të Papës, është motivi ekonomik. Gazetat dhe shitja e tyre është në rënie e sipër. Kundër kësaj kampanje të pamëshirshme ka reaguar edhe presidenti i asociacionit “Meter”, që disa vite me radhë ka luftuar dhe lufton kundër pedofilisë – online, cili deklaron se: “gati po kalon një muaj që nuk bëhet gjë, veçse të flitet për këta shërbëtorë të padenjë të kishës, ndërsa i gjithë aktiviteti i këtij asociacioni ka kaluar krejt në heshtje. I kemi denoncuar mbi 500 raste të pedopornografisë edhe askush prej medieve nuk ka qenë ne gjendje që ta kthejë vëmendjen dhe të merret me këto raste”. Prandaj nga kjo mund të themi qartazi se është një aksion instrumental kundër Kishës Katolike.

Një arsye tjetër pse kishës katolike, pastaj Papës dhe klerit iu bëhet po ashtu presion i madh me akuza të ndryshme, mund të themi se është  që të zbehet autoriteti i madh moral që ajo e gëzon në mbarë botën dhe në të gjitha viset. Është e vërtetë që e gjithë kjo na shqetëson, dhe se është një sfidë për mbarë Kishën dhe për besimtarët e saj, por nuk duhet harruar as fjalët e themeluesit të saj, pra të Jezu Krishtit, i cili thotë që as dyert e ferrit s’kanë për ta mposhtur. Kjo është edhe detyra e kishës që të luftojë kundër territ, kundër njerëzve përfitues, kundër njerëzve që kanë frikë nga drita e madhe dhe e vërteta që është Jezu Krishti.



(Vota: 25 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora