E shtune, 27.04.2024, 11:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Lirika me shumësi motivore

E premte, 26.02.2010, 09:41 PM


LIRIKA ME SHUMËSI MOTIVORE

    /Sofe Sadrija – Rizaj, IMAZH NË QEPALLË, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, Prishtinë, 2006./

Nga Prof. Skënder R. HOXHA

     Vjershat e librit IMAZH NË QEPALLË, të strukturuara në katër njësi ciklike: Le të qëndis një diell, Do ta kapërceja ylberin, Nënë dhe bijë e zjarrit, Lum i trishtuar, nuk lënë përshtypjen që mëtojnë të jenë krijime rreth një, dy, apo tri temave a motiveve të caktuara, për të formuar një organizëm homogjen artistik, por thjesht, janë krijime lirike të lindura nga frymëzime të rastit, me tema e motive të ndryshme, me ato që është e rrethuar bota edhe individuale edhe kolektive e poetes Sofe Sadrija - Rizaj. Vjershat shquhen për origjinalitetin, fuqinë dhe thellësinë e shprehjes poetike, lehtësinë e ëmbëlsinë për t’u lexuar e kuptuar, por edhe për arritjen e objektivave dhe mesazheve – si realizime.

     Malli ndaj vendlindjes

     Në të shumtën e herave është menduar se malli – si nocion, po edhe si immanencë e si kuptim, ka gjetur shprehje atëherë kur individi, për arsyena konvencionale apo jokonvencionale është gjendur, për një kohë të shkurtër apo të gjatë, të jetojë e veprojë larg vendlindjes. Sipas kësaj rrethane mund të fitohet përshtypja se, në zanafillë, malli qenka dhembje e shkaktuar nga kurbeti dhe trajtat e tij, e që vazhdon të jetë edhe sot. Mirëpo, mendoj se kjo është vetëm njëra anë e dhembjes – nostalgjisë, si gërshëtim e si pasojë. Në paraqitjen letrare të këtij fenomeni, në letërsinë shqipe veçohen shkrimtarët tanë të traditës, me të drejtë, ngase në kohën e tyre ky fenomen ishte shumë i theksuar. Në shtjellim të mëtejmë, dua që mallin për vendlindjen ta përligj edhe në shumë trajta të tjera të tij, ta shtrij edhe në kontekste të ndryshme të përditshmërisë, kur meriton të na imponohet, jo vetëm si ndjenjë, por edhe si art. Këtij mendimi sikur i bëhen krah edhe krijime, popullore e artistike, nga më të ndryshmet.

     Me një vjershë të këtij frymëzimi, me titull Malli për vendlindjen, e nis përmbledhjen e saj të dytë“Imazh në qepallë”, poetja Sofe Sadrija – Rizaj, duke e ngritur këtë motiv si të arsyeshëm, për çdo kohë e çdo rrethanë, si një ndjenjë e ndjeshme, në raport me individin dhe përjetimet e tij. Vargjet e kësaj vjersheje: I jam ulur mbi vetull/ ujë dua të pi në Kronin e Arremit/ etjet e mallit t’i shuaj/ kujtimet t’i këndell/, në mënyrë të ndërliqshme zbardhin ndjenjën e mallit për vendlindjen, pa marrë parasysh rrethanën pse autorja nuk gjendet shumë larg saj. Atë që populli e kishte thënë shumë moti se: njeriun e merr malli edhe për therra e gurë t’vendit t’vet, autorja Sofe, po në vargje të kësaj vjershe, duke e reflektuar këtë mall, përmend edhe toponime e hidronime të vendlindjes: E kam shtrirë në sy vendlindjen,… / nga Bokëzat deri në Pllanik/ nga Llabenica deri në Erenik/, ndërsa ligjërimi poetik na del në funksion edhe të dëshirës si dhembje për mungesë të përafërt.

     Lirika të përditshmërisë dhe intimës personale

     Rrëfimet personale, me artikulime e tone të tjerra mirë, sikur i përshkojnë pjesën më të madhe të këtyre vjershave, të cilat duhet ditur lexuar dhe interpretuar. Ta zëmë, autorja merr, jo rrallë, heshtjen, mbase jo vetëm si heshtje individuale, të cilën e qet në kontekste dhe trajta të ndryshme. Heshtja i kacafytet me vargun, ajo ia: “qëndis poezinë”, (vj. “Mos hesht”), apo: “heshtja e poetit/ thur vargje/”, (vj. “Heshtja e poetit”), ku duhet medituar se ç’është heshtja?, ç’është (në këtë rast) kacafytja?, ç’është vargu?, e mëtej, ç’është përqafimi, shqetësimi, ofshama? etj, nocione këto që autorja i ndërlidh në vargjet e vjershave të përmendura më sipër. Po këtu, duhet të themi se ligjërimi poetik – me vargje të lira, si: “Kaherë/ rrugë kemi marrë/ ëndrrave tona”/, (vj. “Me botën”), pastaj “Patjetër do të shpërblehem/ me durimin tim/”. (vj. “Do të shpërblehem…”), e shumë vargje të tjera, me ndonjë figurë të pëlqyeshme, bëjnë të realizueshme temën, ndërkohë që avancojnë imazhin e motivit. Te po kjo vjershë, pritja, durimi, dëshira, të vëna në plan individual, mund dhe duhet të kuptohen në plan kolektiv dhe të përgjithësuar. Nuk fshehet ndjenja se autorja është shumë e mishëruar me vargëzimin, ajo bëhet edhe rob i tij: “Seç mbeta e robëruar nga ndjenja e vargëzimit” (vj. “Unë”), vargje që tingëllojnë edhe si intimë personale, apo shih vj. “Ju lutem”, ku vargjet: /Aty digjen, dritë kërkojnë, nga ju, për fluturim tëlirë/, janë edhe thirrje që buron nga thellësi e shpirtit të poetes, e cila më së shumti flet me vargjet e veta, (vj. “Do t’u marr me vete”). Kjo krijuese përmes vargjeve nënvizon edhe dëshira që i shpreh në mënyrë metaforike: “Shqiponjës t’ia marr krahët, …, hënës shkëlqimin, …, diellit rrezet etj., …që ta kapërceja ylberin (Vj. “Dëshirë e zjarrtë”), që janë, t’i quaj, dëshira gati mitike.

      Lirika moralizuese e përkushtuese

      Në ndonjë vjershë tjetër të poetes Sadrija, ligjërimi mbi jetën, momentet, njerëzit e sjelljet e tyre, shpesh marrin dimenzione analizuese, duke parashtruar revoltën ndaj asaj që duhet të jetë ndryshe, kurse për objektivë kanë moralizimin e ndërgjegjes, pa idealizime, por në përkim me jetën reale, si te vjershat: “Pas vdekjes”, “Unë dhe ti”etj. Këtu mbizotëron ndjenja e fortë karshi botës reale, pa i lënë hise amshimit, ku vjersha “Pas vdekjes” bart në vete edhe porosinë e fuqishme se duhet respekt e lumturi reciproke në këtë jetë, vjershë kjo që njëherit kulmon  edhe me thirrje për pastrimin e ndërgjegjes së njerëzve të cilëve iu referohet.

     Në këtë përmbledhje me vjersha gjejmë edhe disa vargje përkushtuese, ndër të cilat do veçuar ato që iu kushtohen atdheut, dëshmorëve, heronjve, Kosovës, të rinjve, refugjatëve, të ndjekurve e të përndjekurve etj. që jepin shqetësimet e katrahurat, e pse jo edhe krenarinë e këtij vendi dhe njerëzve të këtij nënqielli, duke paraqitur anatominë e luftës së fundit në Kosovë dhe pasojat e saj – si motiv. Vjershat e këtij motivi, siç është bërë zakon të thuhet, mbajnë vulën e kohës, pra, të historisë sonë më të re.“Ne kurrë/ nuk kemi fjetur/ në netët e gjata shekuj/ - (vj. “Zgjimet e vona”), është kjo edhe një brengë për vonesat e popullit tonë nëpër kohë. Pra, këto dhe ndonjë vjershë tjetër të këtij motivi, autorja i realizon mirë, pa ndonjë patetikë të tepruar, me vargun e matur e shprehje të kursyera, me stil që gjakon të gdhendet edhe më tej e të bëhet vetjak. 



(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora