E shtune, 27.04.2024, 01:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Jorgo S. Telo: Kuvend me Ali Asllanin...

E enjte, 25.02.2010, 09:51 PM


KUVEND  ME ALI  ASLLANIN…
(Satirë - në vend të fejtonit)

Nga Jorgo S. TELO

Ngrehu pak, Ali Asllani, o i madh mes të mëdhenjve,
Pa shikoje sot “radarin”, perëndoi koh’ e maskarenjve?!
Shumë vite – avulluan, o sa ngjarje mori era!
Pa shih… hallet a mbaruan, apo qesin bisqe të tjera?

Domosdo nga koha jote diç ka mbetur trashëgim…
Telendisur nëpër mote – vendi yt e vendi im.
Ç’ësht’ ky mot përherë i vranët, o Asllan i penës shqipe?
Ç’është kjo lakmi e shkalë për ryshfete e për ofiqe?!

Eh, Ali, o gjuhëshpatë, janë ndryshuar marifetet..!
Sot rallëkush mendon për Nënën e shumëkush vetëm për vete.
Fluturojn’ orët e ditës veç me kafe, pije e mish.
Çdo parti veç militantësh pjell dhe kapedanë partish…

Ndahet bishti i hardhucës, na formon parti të re
Zhgrryhen “VIP-at” brenda llucës, njëri kap e tjetri le…
Marrin vrull planet e pista, marrin hov  intrigëritë.
Nisin që pa zbardhur dita e kulmojn’ në muzg të zymtë.

Le pa le… kemi gazeta aq sa fjalë ka fjalori
çka zbardh njëra e nxin tjetra, hajde, lumi që s’i mori!
Na prodhojn’ parti më vete  deputet’ të zemëruar
 ç’havalera mban mbi vete, o ti popull i duruar…!

Dhe si palmat n’Ekuator –  plot “doktorë”, “profesorë”…
Vuu  diplomat pa hiç zor… me bollëk stimujt “onorë”…!
E vërtit gjithçka paraja, siç do babi e mamaja…!
Trurit i bëhet hataja… krejt “kopeja” del “pëllaja”**

Diç më flet e diç më thua… ç’të të them e ç’të më thuash?
Herë flas ato që s’dua.  Bluaj, mokër…! Çfarë të bluash…!
Ishin…ç’ishin partizanët, legalist - nacionalistët…
Nënës sot kockat ia hanë korruptivët, karrieristët…

S’jemi vetëm vend stuhirash, jemi edhe vend çudirash…
Gjuhën fort e “pasurojmë”, hajde me lloj – lloj këllirash.
Për një zyrë e ca kolltukë, gjëmëmadhi të bën gjëmën
çakërdiset krejt nga trutë; pa të keq përdhos dhe Nënën.

Nëpër vite transicioni s’kanë të sosur mitingashët.
Ngrënë lart dhe ulin hovin, bash siç duan “dollibashët”…
Duke “rendur” drejt Evropës  nëpër diell, nëpër terr.
Nëna gishtin i vë kokës… “Korbaaa, kujt t’ia di për “nder”…?!

Disa rrjepin edhe pleshtin… Sa të madh e kanë nepsin!
Shoqi -shoqit çfarë s’i qesin, kur një popull shtrëngon mesin…!
Edhe “portat”kur ndërrohen … me të mirë a me të keq
Goj’e madhe e kësaj bote nëpër gojë  ligsht na heq…!

E di mirë njerëzia – kush është gjasa më nazike…
Zbardhet dita, ngryset dita me gallata politike…
Mbushen sheshe, zbrazen sheshe në kërkim të ndershmërisë.
Politika zë ngërdheshet… Ndershmërin’ s’e ka për fis…

Ca lëpijnë, ç’kanë pështyrë, sapo marrin një detyrë.
Ca të tjerë kohën shtyjnë, me ankesa zyrë më zyrë…
Ca gatuajn’ ligj pas ligji… ca përçmojnë Kryeligj.
Disa shtetin  e shpërfillin, kur janë vet’ ligj dhe “Maliq”…! 

Shihe veten pak, o popull, je përçarë çika - çika
Ngastra- ngastra, copa – copa… siç ka shijet politika
S’njohim veten, si po ecim, por na njeh së paku bota.
Ecim para apo ngecim, nuk na mbajtka ujë shporta…!

Jepi, popull, jepi votat, hidhe votën kot më kot
Sot një palë mban kutitë, kurse tjetra bën bojkot.
Po të pyeësh tek-a-tek, shumë shfaqen të kënaqur…
Në lënç hapur ndonjë “shteg”, turren jasht’ të papërmbajtur…!

Ndihna, Zot, që gjykon saktë: si t’ia bëjmë politikës?!
Gurgule gjer në mesnatë, korrupsion në mes të ditës…!
Shesh për shesh i ndezur sherri… shaj të shajmë, çirr të çjerrim.
Nënëgjorën e zë tmerri, teksa thot’: “Ika nga “Ferri”…


Si të majtë e të djathtë, nuk di pse… njësoj më ngjajnë.
Si nga llafet dhe “orekset” dallojn’ vetëm disa gram…
Çeleviten* nga  surrati veçse kur nisin votimet.
Për mashtrime janë gati, si lumenj derdhen premtimet…

…Ç’ të të them tjetër, Asllan, ç’të të them dhe ty, Çajup?
Më ndihmo, Migjen vigan, as avash e as me ngut…!
Pyes shpresën e venitur: “Pa më thuaj, pa përtesë:
Pse më rri si e dremitur, mos ke vdekur, o moj shpresë?

Fjalën merr shpresa shqiptare, duke shkundur historinë:
“Ndoshta nuk më njihni fare; s’i s’jetokam, kur marr frymë?
Te ky truall ku frymoj, bëj durim edhe nuk jepem
Te Shqiponja mbijetoj. Kompromis nuk bëj me vdekjen…!”

Ja, kjo shpresë na mban të gjallë… në çdo vatër, në  çdo prag.
Duke u ngjitur shkallë – shkallë, sado afër, sado larg…
Lavdi paç, Ali Asllani; i bëj ftesë zërit Tënd,
Ngrehu, fol si aty pari, ta lartojmë këtë vend…!

Po më ngec pena këtu, siç ka ngecur politika…
Rri, dëgjoj tutje – tëhu - ç’thot Europa, Amerika.
Se… ta dijë i madh, i vogël, ne pa izë*** s’bëjmë një çap.
Siç na thonë marrim frymë, gjersa veten ta bëjmë zap...

*Çeleviten = gjallërohen (krahinizëm)
** pëllaja = pjellore (krahinizëm)
*** izë = leje (krahinizëm)


(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora